back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

“Takimet” me Edi Shukriun – nga Ylli Demneri

Gazeta

Edi Shukriu (22 tetor 1950 - 17 janar 2023)
Edi Shukriu (22 tetor 1950 – 17 janar 2023)

“Takimet” me Edi Shukriun

nga Ylli Demneri

Me 17 janar 2023, mora vesh me keqardhje,
vdekjen e poeteshës dhe arkeologes  kosovare Edi Shukriu…

Më kujtohet se nga shkrimtarët kosovarë më tërhiqte emri i një poeteshe: Edi Shukriu. Simpatinë e shtonte edhe portreti i saj i bukur në fund të librit. Sa herë shkoja në Bibliotekën Kombëtare lexoja vëllimin e saj me poezi “Sonte zemra ime feston” (edhe ai i ndaluar të dilte). Ishte një lloj takimi.
(Nga libri “Më kujtohet”, vëllimi I)

I nderuar z. Ylli,
Ju falenderohem shumë për dhuratën e mrekullueshme, librin e veçantë “Më kujtohet” dhe të gjitha ndjesitë që libri i përcjell. Ju lumtë për formën e zgjedhur dhe trajtimin në nivel të lakmueshëm të shkruarit. E lexova me një frymë, duke harruar të gjitha obligimet e ditës…
Gëzohem që Arben Arifi, ish studenti im, ishte në promovim të librit. Gëzohem po aq që vepra ime e parë e poezisë, “Sonte zemra ime feston”, është bërë një lidhje me Kosovën, në kohën kur mure shumë më të larta se të Berlinit e ndanin qenien tonë.
Me librin “Me kujtohet” më nxitët të kujtohem për detajet e kohës, që nuk i kam harruar kurrë. Ishte viti 1972, kur mora pjesë në Kuvendin I për ilirët dhe libri sa më ishte botuar. Rrezikova shumë kur disa kopje i futa ne çantën e dorës, me shpresë se nuk do të kontrollohej në kufi. Ishte “fëmija” im i parë, andaj gëzimin doja ta ndaja edhe me të dashurit në Shqipëri. Me vonë kuptova se libri ishte marrë nga të gjithë që ua kisha dhuruar. Arkeologu Bep Jubani, që e respektoja shumë, e kishte pësuar me së shumti. “Fajin” e kishte vjersha e parë, me Id-in e Ego-n, përkatësisht me filozofinë frojdiane, të ndaluar asokohe në Shqipëri… Unë as që e kisha menduar Frojdin, në mendjen dhe shpirtin tim ishte zgjimi individual dhe kombëtar, në kohën kur në ish Jugosllavi nuk gëzonim të drejta si shqiptarë…
Më vjen mirë që libri, i ndaluar për shkak të absurditeve të kohës, ka mbërritur deri te ju. Fatbardhësisht, kohët i ndryshuam me shumë mund/ nuk ndryshuan vet/ dhe kam shpresë që hapërimet e mëtejme kombëtare të zhvillohen duke u mbështetur në sistemin e vlerave dhe me respekt të ndërsjellë.
Përshëndetje të përzemërta,
Edi Shukriu

"Më kujtohet" 2 - Libri më i fundit i Ylli Demnerit***
E nderuara zonja Shukriu,
Po t’ju them se kjo përgjigje që po jua shkruaj tani më duket një ëndërr, nuk do ta besonit. Por bota nganjëherë bëhet e vogël. U desh që ish studenti juaj Arben Arifi të vij në promovimin e librit tim këtu në Paris, e që unë t’ju drejtohem konkretisht mbas një “takimi” poetik prej gati 30 vjetësh!
Gëzohem mbi të gjitha për rrëzimin e murit.
Kur keni patur rastin që të vinin në Shqipëri në vitet ‘70, edhe po të njiheshim nuk do të kisha guxuar që t’ju takoja. Pavarësisht seç thuhej publikisht: “Karafilat nga Kosova” për festën e 29 nëntorit që i dhuroheshin Enver Hoxhës në tribunë, apo shprehjet “vëllezërit tanë kosovarë” etj, shumica e atyre që kishin lidhje me kosovarët gjurmoheshin nga Sigurimi, pa harruar ata kosovarë që kapërcenin kufirin e futeshin në Shqipëri e që në të shumtën e rasteve përfundonin burgjeve.
Takimi me poezinë tuaj ka ndodhur krejt rastësisht. Nuk dija asgjë rreth jush. Një ditë kur isha ne Bibliotekën kombëtare, njëra nga punonjëset e bibliotekës që e njihja, më dha disa libra autorësh kosovarë që ishin të ndaluar të dilnin nga biblioteka. Aty lexova dhe vëllimin tuaj poetik “Sonte zemra ime feston”. Bashkimi i këtyre katër fjalëve seç kishte diçka të magjishme që më pëlqeu menjëherë. E që m’u kujtuan mbas gati tridhjetë vjetëve kur po shkruaja librin “Më kujtohet”.
E sot, falë lirisë, munda “t’ju takoj” pa menduar për frikën.
Ju falenderoj për fjalët e mira që keni shprehur rreth librit tim dhe për ato emocione që më shkaktuat sot me e-mail-in që më dërguat.
Përshëndetje
Ylli Demneri

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.