back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Poetët tanë të “palexuar” – nga Xhabir Tabaku

Gazeta

 

ArB eLo  - Zero 3D - Poezi
ArB eLo – Zero 3D – Poezi

Poetët tanë të “palexuar”

nga Xhabir Tabaku

Poeti Arb Elo asht padyshim ndër ma cilësorët e ma prodhimtarët e letërsisë sonë bashkëkohore. Ndonëse i njoftun në rrethe elitare poetësh e artistësh, ai çuditënisht nuk asht aq i pranishëm në nivelet e tjera të lexuesve. Autori i disa vëllimeve me poezi dhe i dy përmbledhjeve me të zgjedhuna të mahnit me fjalorin e gjuhën e tij të kultivuar e figuracionin e pasun. Poezitë e tij janë vetëm të tiat – nuk i përngjet kujt e nuk përngjahet nga kush. Origjinaliteti e thellësia e mendimit shoqëruar me ndjenja të imta e sqime, e bajnë poetin pothuaj të pakrahasueshëm jo veç me bashkëkohorët e tij, por edhe me paraardhësit po ashtu. Po t’i ofrohet lexuesit në masë, pa dyshim që ai do i bënte një nder të madh artit të të shkruarit poezi dhe do edukonte të rinjtë me leximin e shkrimin e diçkaje jo të zakonshme shqiptare, por të një naltësie tjetër, ndoshta të paprekun ma parë. Shumë poezi të tij fillojnë ngadalë e me qetësinë e faqes së një liqeni në gjumë, si diçka e përditshme, e prekshme, mandej diçka tjetër vjen para teje, diçka e veçantë për t’u shndërrue në vullkan. Ndonëse poezia e tij prek terrene të njoftuna, të populluara e të pluhnosuna, ajo papritmas kalon në zona elitare të mendimit e ndjenjës… Qetë-qetë ai e merr fjalën e bën varg, vargut i jep ritëm e kështu një lumë vargjesh të larmishme të fusin në rrjedhën e botës së tij poetike. Dhe çfarë bote!…
Çdo komb do e kishte zili një poet të tillë, që çuditnisht asht mbulue nga heshtja ndër ne. Po lexoj i mrekulluar vëllimin e tij ma të vonë me proza. Proza e tij asht e cilësisë ma të naltë e rrjedh si poezi.
Ma poshtë do rreshta nga vëllimi “Katër në Një”.

Arb Elo  - End(j)e - Poezi
Arb Elo – End(j)e – Poezi

Mëdysh… poezi nga Arb Elo

Ndanë pellgut tim ku shihet, nëpër pasqyrë,
rritet veç me atë ujë kur shi nuk bie, tjetri gri,
çastet ia brejnë atij lëkurët njëra pas tjetrës,
rritet me atë ujë agjërimi kujtesë ku shihet
e i buzëqesh vetes zgavërt si hapi shputës.
Ky qenkam pra, frymë përmbi ujë para ditës së parë,
kjo më mpak, dhimbja kur shihemi e s’mundemi,
shihemi si anët e një udhe e dot nuk puqemi,
mes nesh rrjedh largësia e rrënjët i kemi të thella,
të humbura e të shurdhëta diku nën dhe.

Lagësht atje poshtë, ku ushqehet vdekja me kohë,
si rryma me bulëzat që më s’janë, lagësht atje poshtë
po kërkoj një vend të fortë ku të mund të pleksemi,
të kapemi e të mbahemi tek tjetri o vëlla, por ndanë
dy brigjesh kemi mbirë, si larva të lidhura me shtjellë,
si larva të lidhura me vorbull, rrjellën e pijmë q’andej
si dert e sillemi, sillemi rretherrotull një force të verbër,
brenda mbirë të pirë, jashtë bardhezia e çka shkon
na verbon, na err sytë e dot s’na shterr…

Arb Elo - Autor i mjaft Librave me Poezi
Arb Elo – Autor i mjaft Librave me Poezi

Kush është Arb Elo?

Arb Elo është i diplomuar si arkitekt dhe jeton e punon në këtë profesion qysh prej vitit 1990 në Gjermani.
Arb Elo është autor i disa vëllimeve me poezi; “Rrëfime hijesh” (2010), “Mirazh” (2011), “Zero 3D” (2012), “Xixa të zeza” (2013), “End(j)e” (2014), 
“Rrokje vdeknisht” (2016), “Linjë e vonë” (2017), “Poezi të zgjedhura” (2018) dhe i vëllimit me proza “Ursa Major”«.
Gjithashtu ai ka publikuar në revista të ndryshme letrare artikuj kritikë për letërsinë dhe tema bashkëkohore, përkthime ciklesh me poezi nga Hilde Domin, Ingeborg Bachmann, Rose Ausländer, Paul Celan, si edhe ka sjellë në shqip veprën e plotë të Georg Traklit dhe një përzgjedhje të veprës poetike të R. M. Rilkes.

xh.t.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.