back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

26 fjalët shqipe e 12 numrat e Arnold von Harffit në vjeshtën e vitit 1496 – dhe një shënim…

Gazeta

Arnold von Harff (1471-1505)
Arnold von Harff (1471-1505)

Dy fjalë rreth fjalorthit të von Harff-it

Fjalorthi i Arnold von Harffit, edhe pse krejt i pakët hyn ndër dokumentet e para të shqipes së shkruar. Aty ndeshim në fare pak gjëra të gjuhës shqipe në mesjetë, përmes një udhëtari gjerman i cili shetiti dhjetra vende, dhe u mundua që përmes kontakteve që pati me kulturat dhe gjuhët e mjaft popujve rastësisht ka pasur mundësi të takohet edhe me gjuhën shqipe, të na lerë disa shënime tejet formale të shkruara me dorë, mbi vendet ku ai udhëtoi. Midis vendeve ku u ndal hyn edhe Shqipëria – Albania, ku sasia e materialit që ai ka mundur të mbajë shënim prej këtij kontakti është tejet e pakët e si duket edhe komunikimi i tij ka qenë rastësor e me fare pak njerëz. Simbas meje ai ka qendruar kalimthi dhe ka takuar fare pak njerëz, ndoshta edhe një të vetëm, sepse fjalët që ai ka mundur të marrë janë ato të përdorimit të domosdoshëm, me siguri është fjala për një njeri të vetëm që ka pasur dëshirë t’ia shpjegojë disi. Meqë flitet për 26 fjalë e dhjetë numra që janë bazikë si edhe disa shprehje të gjuhës shqipe që lidhen me përshëndetjet, edhe pse në sasi kaq të pakët dëshmia mbetet tejet e rëndësishme… Materiali i mbrritur nuk dëshmon gjuhën shqipe që flitesh në rrethe ca me elitare të kohës, por dëshmon mënyrën rastësore se si një i huaj i ka dëgjuar dhe i ka perceptuar ata përmes veshit apo shpjegimeve përmes shikimit të objekteve në fjalë dhe trupëzimit të tyre në alfabetit të tij, pra si i ka dëgjuar dhe si i ka kodifikuar ai sipas mënyrës së tij, pa u zgjeruar në asnjë shpjegim plotësues. Pra, asnjë lloj iluzioni nuk duhet pasur se përmes kësaj dëshmie, mund të përcaktohet e folura e shqipes e shekullit të XV, kohë kur udhëtari gjerman u gjet kalimthi në trojet shqiptare, rreth 30 vite mbas vdekjes së Skënderbeut.
Si dokument ai mbetet i rëndësishëm, dhe mjaft domethënës, mbasi dokumentet tona të shkruara, ende janë të pakta, ende janë të varfëra dhe ne duhet t’i konsiderojme si akte të vyeshme, të cilat gjuha shqipe i ka ende me pikatore këto dëshmi, që në njëfarë mënyre, ne nuk kemi pasur mundësi t’i shkruajmë masivisht, t’i kultivojmë apo edhe t’i mbrojmë, e nëse janë shkruar pa mundur t’i ruajmë ndër arkivat tona, e gjenden të ruajtura jashtë këtij territori, ne ende s’kemi hulumtuar mjaftueshëm në gjetje të gjurmëve tona të hershme, qoftë për fatin e keq të të qenit nën peshën e perandorive të mëdha, apo edhe nën diktaturat tona makabre që shpesh ua kanë kaluar egërsisë së perandorive…
jozef radi, 23 janar 2023

26 fjalët shqipe e 12 numrat e Arnold von Harffit

në vjeshtën e vitit 1496

Arnold von Harff, një kalorës, udhëtar dhe shkrimtar gjerman, u lind rreth vitit 1471 në një familje fisnikësh në Rhinelandin e poshtëm (Harffi mbi Erft, një fshat në veriperëndim të Këlnit).
Në vjeshtën e vitit 1496, ai u nis në një udhëtim, me sa duket pelegrinazh drejt Tokës së Shenjtë, udhëtim i cili e çoi në Itali, përgjatë bregdetit të Adriatikut deri në Greqi, Egjipt, Arabi, Palestinë, Azi e Vogël, dhe më pas në kthim, në Europën Qendrore deri në Francë dhe Spanjë…
Ishte gjatë ndalesës së tij në portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, teksa po lundronte në bordin e një anije tregtare nga Venecia në Aleksandri, që ai hodhi në letër 26 fjalë dhe 12 numra në shqip, tetë fraza, të cilat përbëjnë një prej regjistrimeve më të hershme.
Por si flitej shqipja në kohën e Skënderbeut. Ja fjalët që na sjell gjermani Arnold Van Harff.

Boicke – Bukë,
Vene – Verë,
Oie – Ujë,
Mische – Mish,
Jat – Djath,
Foeie – Vezë,
Oitter – Uthull,
Poyllë – Pulë
Pyske – Peshk
Krup – Kripë,
Myr – Mirë,
Kycge – Keq,
Megarune – Me ngrënë,
Pijnë – Me pi,
Tauerne – Tavernë,
Geneyre – Burrë,
Groëa – Grua
Denarye – Para,
Sto – Po,
Jae – Jo,
Criste – Zot,
Dreck – Djall,
Kijrij – Qiri,
Kale – Kalë,
Elbe – Elb,
Fijet – Me flejtë

Fjalorth Shqip-Gjermanisht i Von Harffit
Fjalorth Shqip-Gjermanisht i Von Harffit

***
Mirenestrasse – Mirëmëngjes,
Myreprama – Mirëmbrëma,
Meretzeën – Mirësevjen,
Laf me kmijss – Më laj këmishën,

***
Nea – Një,
Dua – Dy,
Trij – Tre,
Quater – Katër,
Pessa – Pesë,
Jast – Gjashtë,
Statte – Shtatë,
Tette – Tetë,
Nantë – Nëntë,
Dieta – Dhjetë,
Nijtgint – Njëqind,
Nemijgo – Njëmijë

Marrë nga (Bota.al)

Arnold von Harff (1471 në Castell Harff, Bedburg – janar 1505) udhëtar gjerman i shekullit të 15-të, nga Kölni. Ai shkoi në pelegrinazh në shumë vende, duke mbledhur informacione si gjuhe ashtu edhe kulturore. Ai shkroi për një sërë gjuhësh gjatë udhëtimeve të tij (1496-1499), si: bretonisht, kroatisht, turqisht, baskisht, hebraisht, arabisht, shqip, hungarisht, sirianisht, ahramaisht dhe armenisht.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.