back to top
-1.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Dita Botnore e Poezisë – pesë poezi nga Viola Doko

Gazeta

viola doko.01

 Dita Botnore e Poezisë – pesë poezi nga Viola Doko

Sot asht dita Botnore e Poezisë… po ndër ne, kahera pakkujt po i bien ndërmend për të…
U përpoqa sot me ba diçka të veçantë, në emën të kësaj dite…
Jo prej shumë kohësh lexoj poezitë e nji të njoftunës sime të kahershme dhe me thanë të drejtën kam mbetë paksa i mahnitun, si prej bukurisë dhe spontaneitetit të vargjeve të saj, po edhe prej nji shkujdesjeje të hatashme të kësaj grueje… Ajo as e begenisë at çka ka shkrue… pra, në njifarë mënyre kjo krijuese e çuditshme i urren pa asnji shkak krijesat e saj dhe i shpërfill në formën ma të pabesueshme ato…!!!
Si i njoftun i vjetër, ia mblodha me kujdes nja katër-pesë poezi të hedhuna n’rrugë prej saj… dhe me thanë drejtën ia lava, ia kreha, ia vesha, u vuna edhe nga nji kapele… dhe i lexova e rilexova… Sinqerisht ishin mjaft të bukura vetë… unë veçse i kisha qita nën nji dritë… pak ma ndryshe…
Sot po ia baj dhuratë Violës gjanë e saj, (Po të dhuroj … gjanë tande!!!) pse ajo tashma i ka harrue dhe kanë me iu dukë të pabesueshme… se këto poezi janë të sajat…!!
Gjithsesi në kët ditë të Madhe të poezisë, thjesht po e respektoj shpirtin e saj të ndjeshëm duke i ba vend në faqen time…
Asnji randësi s’ka “falemnders” e saj… Kushdo që ka me i lexue ka me thanë: Falemnders Viola, je e mrekullueshme!
dhe unë përtej asaj çka mund të thoni ju, s’kam asgja tjetër me i thanë!!  j.radi

Pesë poezi nga Viola Doko

Letër…

Shumë kohë asht ba
që s’marr prej teje letër,
sot m’erdhi nji…
Po ç’ka t’u desht
ajo koha e vjetër,
zjarmin tem kaherë
me hi e kish mlu!
Pse po ju fryn gacave
a don me e ndezë
njat zjarm si dikur,
me u ba shkrumb
mandej me u shu
e as hi mos me pasë
me u mblu?!
Nuk t’lashë n’borxh
e as n’borxh m’le,
po kush n’dashni
s’asht borxhli
kërkushi s’asht!
Letra jote
po m’i djeg duert
e gacat kan nis me shndri.
Po tham me vedi
ma mirë me u ba si qiri
tue djegë vedin nga pak,
e gacave ju hjedhi hi,
po letrën tande, ncëk se e hapi!
Shumë kohë asht ba
që s’marr prej kujt ndoj letër:
e s’di a du, apo nuk du,
po frigën ia kam
njasaj gacës s’vjetër…

Andrrave do t’vi

Strukun cullak ndër andrra
kryet e mbshteta te ti,
kam fjetë si n’gjumë deket
e lumtun kam ken si kurrë s’e di.
Me flokt e mi t’giatë
e kam mblu trupin tand,
të kam ngërthy n’paqë
e paqe me vedi tuj ndi
e tuj gdhendë n’kujtesën teme
t’pajetumen e andrrueme…
Strukun n’gjoksin tand t’lodhun
prej dhimbës dhe mundit,
vij si me ken melhem
me t’i zbutë plagtë e shpirtit,
e atij shpirtit tand
qi e njoh aq mirë.
Sonte te ti po vij prap
me e zbeh largsinë mes nesh,
ani, ti flej n’gjumin tand
se andërr kam me u ba vetë
se n’andrra mbeta veç muranë.

T’pashë të mrrolun

T’pashë të mrrolun
e krejt mërzi
ika pa ta thanë nji fjalë,
degave t’mollës t’i kam vjerr
sythet qi çilin
shifi bardhë jo gri.

E ti fishkëlle si përdita
merri fjalët e bani kangë,
kam me të ngì edhe pse larg
do ta hjek mallin qi lashë te ti.

E gjithkund ndër dega t’mollës
nji puthje e mshehun rri
ndër lule t’bardha e kam lanë synin
e du me t’pa tuj qeshë dhe ti.

Jeton…

S’e di,
jeton a s’jeton vallë;
di veç për të nuk mbajta zi,
veç nji aromë ende e ruaj
kur ai puthte sytë e mi.
S’e di vërtet në m’desh a jo
as që e pyeta as desha ta di,
për sa kohë sytë tanë putheshin
kish dashuri, ish dashuri…
Ende s’e di a jeton vallë,
për dreq, te unë jeton, e di,
unë jam me të dhe sodis hënën
kokën mbështes n’gjoksin e tij.
Jeton, e di, jeton akoma
ia ndjej at dorë në flokët e mi,
nji pëshpërimë ma rrënqeth trupin
nuk vdes, jo s’vdes nji dashuri.

Po vij…

Po vij tek ti
të lutem më prit
gjumin largoje sonte,
s’dua të jem ëndërr
tingull dua t’jem, muzikë
do t’përqafoj
t’harrosh sonte çdo dhimbje,
me erën do t’fluturoj
dritaren ma ler hapur
nata le të jetë e ftohtë,
zjarr do jem, prush a gacë
do digjemi të dy
zemrës t’i jap ngrohtësi.

Po vij tek ti
të lutem më prit
veshur jam më këmishë rozë,
mallin do ta shuaj
me puthje pa fund
me klithma si tërmet
për një natë,
botën tande ta trondis…

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.