Dhori Qiriazi nisi të botonte te “Z.P” kur doli “R.D”
nga Faruk Myrtaj
Kush ishte…
Dhori Qiriazi lindi në vitin 1933, në Lëngëzë të Kolonjës. Mbaroi studimet e larta universitare për gjuhë letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në kryeqytet në vitin 1958, dhe punoi mësues në qytetin e Ersekës dhe në fshatrat e Kolonjës deri në vitin 1988, kohë kur doli në pension. Mbajti titullin “Mësues i Popullit”. Nga viti 2003 ishte anëtar i përjetshëm i Klubit “Bërns” (Irvine Burns Club) në qytetin Irvine në Skoci. Vdiq në Tiranë më 2 tetor 2009. (Wikipedia)
…
Pas vitesh të tëra, Kadaretë, në librin “Kohë e Pamjaftueshme për të dashur”, shprehen se kishin pasur frikë mos Dhori Qiriazi mund ta rrefente vajtje-mendjen e atij, Isës, për t’u arratisur në vajtjen e tij në Finlandë. Që do arratisej Isa, jo Dhori i shkretë jo!
As shkohej ndërmend dalja e Qiriazit tej kufijve. Është po Isa që tridhjetë a dyzetë vjet më vonë, që rrëfen se kur i kishte shkuar ndërmend… arratija! Hera e parë fare, me ç’po i kujtohej, se mund të kishte dhe herë të tjera, kur ishte në Finlandë.
Për atë vajtje-mendje, po thoshte se vetëm Dhori Qiriazit ia kishte rrëfyer! Na duhej ta dëgjonim dhe ta besonim këtë rrëfim se, ndërkohë, vet Dhori ishte në qiell…
Njeriu beson, edhe në zhgënjimet. Ndaj ndodhin të gjitha.
E besoja Dhorin, në çdo gjë që mund të thoshte. Sepse ai nuk priste të ndodhte ndonjë gjë në favor të tij, nuk priste asnjë përmbysje. Bëhej edhe më poet kur tregonte se i shihte kolegët e tij poetë që takoheshin me Enverin dhe, sidomos në momentet kur dallonte se ata ndjeheshin më të kënaqur, pra më të suksesshëm se kurrë, Dhori besonte se pikërisht atëherë ata do mund të gjenin pak sekonda t’i thoshin Atij ndonjë fjalë për të…
Që Dhori të mund të ikte nga fshati, të afrohej me qendrën, më pranë ndonjë librarie a biblioteke… kaq donte Dhori!
Në rregull, Dhori… për kaq pak gjë sa paske dashur ti, kush i garantonte ata si ti nuk do tregoje se njeri prej tyre kishte bërë plan të arratisej, në mos kësaj asaj rruge për Finland, njerën nga herët kur ai do ndodhej jashtë shtetit!
Diçka mungon në këto rreshta.
Diçka tjetër zor se shkruhet dot, në mënyrën se si njerëzimi shkruan biografitë e njerëzve. Përshembull nuk thuhet se në vitet e para të pas-rënies së Pushtetit Popullor që sot ne të gjithë e quajmë Diktaturë, kur tërë njerëzia nxitonte të shpallej disidente apo se kishte qenë tërë jetën kundërshtare e regjimit.
Pak kush vuri re se Dhori më në fund u lejua të shkruante, pra të botonte, te gazeta “Zëri i Popullit”, prej së cilës tashmë largoheshin edhe ish-shefat e saj, që po bëheshin shefa të RD-së!
“Nuk e marrvesh, pse vete e boton atje, profesor?!” I thashë.
Me kujdes të thellë, për të mos e lënduar. Se, e çmoja si poet, të veçantë, nderohej gjerësisht si njeri që lulëzonte në heshtje. Aq më shumë kur sapo kishte ardhur në kryeqytet. Më trishtë akoma, kishte ardhur në Tiranë me rënien e diktaturës!
Pandehmat mund të ishin tërësojesh: po kthehej në Tiranën jo-komuniste si Fanolistët? Si fanolistët që erdhën bashkë me pushteuesit apo ata që erdhën pas hyrjes së Italisë së dytë?!
Dhori i urtë, jo jo i gjorë, e kishte pritur Rënien e Monumentit atje në sheshin e fshatit të tij, mbase në oborrin e shkollës ku jepte mësim. Nga ca pak poetë që nuk reshtën së treguari për të merrje vesh se Dhori Qiriazi dilte në Sheshin atje kur e dinte se i vinte ndonjë pako nga Kryeqyteti.
Aty kishte dalë edhe kur “ata të Lidhjes” sollën nje televizor për të. E nderonin por nuk e ndihmonin dot, s’e merrnin dot me vete. Ndaj dhe i sollën një aparat televizori. Natyrisht, nuk i thanë: hape këtë veglën dhe na shiko neve kur bëjmë mbledhje në Lidhje, kur marrim çmimet apo kur takohemi me shokët e mëdhenj të Partisë!
Dhori doli edhe kur prej fshatit të tij ikën të Interrnuarit dhe, mbase vetëm pas kësaj mori përsipër të nisej edhe vet për në Tiranë…
Dhe dola unë, kësaj dite, i rrokanisa kokën:
Si ka mundësi që ti, Dhori Qiriazi, shkon e boton te Zëri i Popullit, e kur…?!
Ngriti dorën lart, e lëvizi në ajër, sikur vetëm ashtu mund të thoshte, pa e thënë, atë që besoja se arrija ta merrja me mend:
“Po ne për këtë Zë Populli u munduam tërë jetën, apo jo?!”
Ose, mund të thoshte Dhori: “Aty ku do mund të shkonin ca fat zinj si unë, shkuan këta që ishin, që dilnin faqeve të para të Zërit të Popullit si direktivë, ore mik! Tani që plasi demokracia, ka rrezik që jo gazeta, të mbetet pa zë populli, pa intelektualët e poetët popullorë që kishin premtuar ta shkruanin ata historinë e realizmit të lavdishëm socialist dhe mua, që erdha nga Erseka që e tëra fshat është, më mbeti të vij në këmbë të tyre! Se, s’mund ta lemë popullin pa Zë…!’
Gjithë aktorët kishin hequr maskat. Edhe më i pafajmi mes të thirrurve për dëshmi, mund të thoshte: “Kohë e keqe, s’mbeti fytyrë ku nuk u hodh baltë… Që të mos harroj çfarë kam për të pastruar, vij vet dhe shfaqem në faqen e parë të kësaj gazete që s’mund të shfajësohet dot!
Të mos kem mundësi të vidhem e të shtirem, si ju që përshëndetët numrin e parë të gazetës së Opozitës!”
.