Botimi i Veprës “Andrra e Pretâshit” i At Anton Harapit
nga Ardian Ndreca
Në këtë ndërtesë u shkrue, përposë shumë gjanave tjera me vlerë letrare e historike, edhe nji prej veprave ma të bukura që kam lexue ndonjiherë, “Andrra e Prêtashit” e Át Anton Harapit.
Ndërtesa asht selija e dikurshme e famullitarit në Grudë (sot në Mal të Zi), tashma e damtueme prej tërmetit dhe e braktisun prej vitesh.
Shtypajt (bocat) e “Andrrës së Prêtashit”, gati për botim qysh në vitin 1943, i kishte ruejt Ernest Koliqi dhe në fundin e viteve ’50 ia dorëzoi Át Danjel Gjeçajt në Romë për botim.
Át Anton Harapi, siç e kam nënvizue tek parathanja e botimit anastatik të dy novelave të Koliqit (Berk, Tiranë 2020), i kishte ba tek “Hylli i Dritës” në vitin 1935, nji recension plot kritika, disa edhe të padrejta, vëllimit “Tregtar flamujsh” të Koliqit. Nji recension i atillë asokohe, prej nji kleriku si ai, nënkuptonte shumë dhe mund ta ndrydhte autorin. Megjithatë Koliqi, njeri me ndjenja të nalta i ruen me kujdes dhe ia jep shtypajt sivëllaut të tij për botim. Intelektualët e vërtetë nuk janë inatçorë si fëmijë, janë zemërmëdhaj e të kuptueshëm.
Edhe “Andrra e Prêtashit”, si shumë vepra që kujdesoi Koliqi, Camaj, Gjeçaj, u botue pranë tipografisë së Via dei Bresciani në Romë, mbasi qortuesit e bocave edhe pa e dijtë shqipen kishin fitue aftësi të jashtëzakonshme me gjetë e me sinjalizue gabimet e shtypit.
“Andrra e Pretâshit” mbetë nji vepër unike, shkrue me stilin e dallueshëm të Harapit, me gjuhë të pastër, me aftësi penetrimi psikologjik të shqiptarit të maleve dhe mbi të gjitha me dashuni për njerzit.
Kur ta lexoni për herë të parë do t’ju vijë keq vetëm për faktin se e keni zbulue kaq vonë.
Marre nga Muri i FB Ardian Ndreca, 25 janar 2023