back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Skandaloze – për mua… Normale – për të tjerë – reagim nga Frida Vokopola – Gjoka

Gazeta

Frida Vokopola Gjoka
Frida Vokopola Gjoka
Skandaloze – për mua… Normale – për të tjerë
reagim nga Frida Vokopola – Gjoka

Gjatë qëndrimit tonë njëjavor në Tiranë, se bashku me Albert Gjokën, përveç ngjarjeve të tjera skandaloze si në sistemin shëndetsor me burokracinë e tij skandaloze, apo çdo gjëje tjetër që syri më kapte përditë, e fundit ishte gjendja skandaloze në Bibliotekën Kombëtare!
Dy ditë pasi kishim arritur në Tiranë, shkuam në Bibliotekë për të kërkuar një libër të 1850, për të cilin ishim informuar më parë online që ekzistonte aty.
Në katin e dytë na pret një punonjëse që tregohet me ne shumë e gatëshme për të na ndihmuar, kontrollon në kompiuter vendin ku ndodhej libri, të cilin e mbajtëm shënim. Por na thotë se në sallën “Petta” të librave të vjetër tani nuk ka njeri, edhe pse orari i punës ishte deri në 16.00, pra ishim aty brenda orarit të punës…

Biblioteka Kombetare - Tirane
Biblioteka Kombetare – Tirane

Ditën e hënë, menjëherë pasi pimë kafen me një mikeshë të mirë, Hava Sula, shkuam në Bibliotekë, rihapëm kartelën, e cila skadon brenda një viti dhe shkova tek porta e Sallës “Petta”. Porta ishte e mbyllur. Kthehem përsëri tek e njëjta nëpunëse që na kishte pritur edhe ditën e parë dhe i them se nuk kishte njeri edhe pse ora ishte pothuajse 10.00. Ajo flet me shefen e saj në telefon dhe i thotë që punonjësja e Sallës së Librave të Vjetër mungon se është e sëmurë, dhe për dy ditë nuk vjen! Ne, të nesërmen, pra të martën, na duhej të ktheheshim përsëri në Itali. “Me vjen keq! – na thotë punonjësja, – por nuk mund t’ju ndihmoj dot!” “Biblioteka Kombëtare, a është shtetërore apo private?! – e pyes unë, – si ka mundësi që nëse një punonjës mungon, salla e Bibliotekës mbetet e mbyllur??!! Nuk ka vend në botë, që të ndodhë një gjë e tillë!” Atëhere punonjësja na drejton tek shefja e vet, shkojmë në katin e parë, dhe tek informacioni vjen një grua që na thotë se shefja që kërkojmë nuk është aty. I them se punonjësja e katit të dytë sapo foli në telefon, ndoshta në cellular. Ngul këmbë duke thënë që ajo nuk gjëndet në godinë. Atëhere i shpjegoj arsyen përse jemi aty. Na thotë që:
“Vetëm Lola, siç quhet punonjësja e Sallës së librave të vjetër, është e autorizuar për atë sallë!!”
“Po nëse Lola sëmuret, shtrohet në spital apo ndodh diçka tjetër, pasi askush nga ne nuk di çfarë do të na ndodhë nesër, ajo sallë mbetet e mbyllur?!” – i them.
“Nuk di çfarë të them tjetër!” – më thotë duke e mbyllur kështu bisedën.
Tensioni im në ate moment ishte ngritur kushedi sa.

Ministria e Kultures
Ministria e Kultures

“Do të shkoj të ankohem tek Ministria e Kulturës!” – i them dhe largohem e skandalizuar që aty. Për më tepër, pamja e Bibliotekës Kombëtare të bën të ndjesh keqardhje, kur shikon sesi vendi i kulturës është lënë në atë gjendje të mjerë. Me gjithë përpjekjet e tim shoqi, për të më ndaluar të shkoja tek Ministria, duke më thënë: “Ti ke të drejtë, por në këtë vend që nuk ka Shtet, ti kërkon të funksionojë siç duhet një sallë apo zyrë?!” Megjithatë shkova tek Rruga e Durrësit, por atje ishte Ministria e Arsimit dhe Sportit. Pyeta se ku ndodhej Ministria e Kulturës dhe më thanë se është afër Kinostudios. Sigurisht koha nuk më premtonte të shkoja deri atje, dhe isha e sigurt që nuk do kisha gjetur ndonjë zgjidhje, për më tepër që kisha vetëm pak orë për të mbaruar punët e fundit që më kishin mbetur, duhet të dorëzoja librat për Bibliotekën e Manastirit e të tjera gjëra.
“Në Kinostudio?!” – Duket sesa e rëndësishme është Kultura në Shqipëri, saqë edhe Ministrinë e Kulturës e kanë degdisur aq larg.
“O Zot, – thashe duke ngritur sytë lart – fali se nuk dinë se çfarë bëjnë! (kështu tha Krishti kur po e vinin në kryq) dhe ndëshkoi ata që e bëjnë me qëllim!” Kur fola me disa persona që janë pjesë në Institucionet shtetërore, dikush qeshi, duke më thënë: “Kjo që tregon ti është asgjë përpara ngjarjeve edhe më skandaloze që kanë ndodhur e ndodhin në këtë vend!”
U hidhërova edhe më shumë nga këto fjalë. Pasi po bëja rrugën e fundit përpara se të futesha në shtëpi, në Bulevardin Zogu i Parë, ku shkurret e mbjella në vend të luleve, ishin të mbushura plot me plehra, letra, shishe e çdo gjë tjetër që kishin ngrenë a pirë kalimtarët. Sa herë kaloj andej vetëm plehra shoh, i kam fotografuar kushedi sa herë. A ia vlen më t’i fotografoj e t’i nxjerr? Jo, aspak!
A ecin në këmbë këta politikanët që t’i shohin plehrat e rrugëve?! Ndoshta vetëm disa muaj para zgjedhjeve. Kur nuk shohin plehrat në rrugë, si do të shohin se zyrat e Institucioneve shtetërore ju funksionojnë?
15 shkurt 2023

Vepra Albanologjike te sjella nga Nga Albert Gjoka dhe Frida Vokopola
Vepra Albanologjike te sjella nga Nga Albert Gjoka dhe Frida Vokopola

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.