back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Jeta e Sabiha Kasimatit – nga Ilir Çumani

Gazeta

Sabiha Kasimati (15 shtator 1912-26 shkurt 1951)
Sabiha Kasimati (15 shtator 1912-26 shkurt 1951)

Jeta e Sabiha Kasimatit

nga Ilir Çumani

Sabiha Kasimati lindi më 15 shtator 1912, dhe ishte bija e dytë e doktor Abdurrahman Kasimati (1865-1943), nga Libohova dhe Zehra Mbreshtanit, të vendosur në rrethin e Edirnesë që pas shpalljes së kushtetutës më 1908.
Pas një viti, familja u zhvendos në Shkodër ku i ati, doktor i njohur, shërbeu në vitet 1914-1915.
Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verie, pranë Selanikut.
Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta.
Më 1927, së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë, ku familja u rehatua dhe fëmijët vijuan shkollimin.
Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e përfundoi më 1931 – duke qenë vajza e parë që kreu atë lice.
Sabihaja do të renditej e dyta në klasë për rezultatet e saj. Në provimet e vitit të fundit ajo vlerësohej me 269.4 pikë nga 352 pikët maksimale dhe vlerësohet me “As Bien”.
Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge.
Më 1932, u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës (1932-1933) ku jepte biologji.
Sabiha u rikthye sërish në Lice, më 3 tetor 1933, por tashmë si mësuese në klasat e ulëta të tij.
Pas dy muajsh qëndrimi në Korçë, Sabihaja dha dorëheqjen për shkaqe shëndetësore. Ajo u transferua nga Ministria e Arsimit pranë Institutit “Nana Mbretneshë”. Aty Sabiha punoi si mësuese e gjuhës frënge.

Bashkeliceistë në Liceun Francez të Korçës. Viti 1927-1928
Bashkeliceistë në Liceun Francez të Korçës. Në qëndër Sabiha Kasimati dhe i dyti ulur majtas është Myslim Çarçani. Viti 1927-1928
Studimet në Itali…

Në verën e 1936, asaj iu akordua një bursë shtetërore për studime në Itali, ku u regjistrua për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos.
Sabihaja u diplomua në vitin 1940 me rezultat maksimal, me notat 30’/30 (trenta su trenta con lode).
Kasimati zgjodhi si fushë specializimi iktiologjinë dhe doktoroi me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna iktike në ujërat e ëmbla në Shqipëri).
Udhëheqja e Universitetit i ofroi asaj pozitën e asistentit në degën e iktiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në Shqipëri.

Sabiha Kasimati - Shqiptarja e parë shkenctare
Sabiha Kasimati – Shqiptarja e parë shkencetare
Kthimi në Shqipëri

Me kthimin në Shqipëri, më 13 nëntor 1940, Sabihaja nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”, pasi fitoi konkursin e zhviluar.
Ajo u emërua ndihmës-sekretare në grupin A (grada XI) të personelit të administratës arsimore dhe më 24 korrik 1941, fillon punë.
Më 1 dhjetor 1942, u bë pjesë e trupës mësimore të Institutit “Nana e Skënderbeut”, si mësuese e shkencave dhe e kimisë.
Në maj të 1943, Sabihaja u largua nga mësimdhënia për shkaqe shëndetësore, pasi vuante nga tuberkulozi.
Ajo vajti të kurohej në sanatoriumin anti-tuberkular në Bolzano në Itali, prej ku u kthye më 1945.
Gjatë kohës që punonte si mësuese në Institut, ajo pati një bashkëbisedim me Koliqin, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare.
Pas bashkëbisedimit i dërgoi një letër/raport këtij të fundit, ku i paraqiste një projekt të mirëfilltë shkencor me disa pika.
Marrëdhëniet e Kasimatit me institucionet shkencore në Shqipëri nisin në janar të vitit 1943.
Ajo kërkoi të ngrihej pranë Institutit të Studimeve Mbretërore: një koleksion zoologjik duke filluar me Iktiologjinë, fushë për të cilën kishte studiuar në Itali vitin e dytë të studimeve dhe kishte mbrojtur temën e diplomës; një “erbario pasi flora shqiptare ka ngjallur interesim të botanistëve të shquar europianë, sidomos atyre gjermanë”; të vendosej një bashkëpunim i ngushtë me Drejtorinë e Minierave, për të bërë një grumbullim të mineraleve dhe fosileve që gjendeshin në shtresat e tokës në Shqipëri.
Për realizimin e projektit nevojitej krijimi i një biblioteke e posaçme me vepra shkencore, bibliografinë e së cilës ajo e kishte përgatitur tashmë.
Krahas bibliotekës, Kasimati propozonte edhe ngritjen e një laboratori studimesh mikroskopike që do të mundësonte kërkime shkencore relative.
Në mbledhjen e 18 shkurtit 1943, Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare vendosi të krijojë pranë Institutit një muze të shkencave, për përgatitjen e të cilit ngarkoi pikërisht atë.
Sabihaja lidhi kontratë si punonjëse pranë Institutit në 22 shkurt, duke marrë shpërblimin prej 200 frangash.
Nisi bashkëpunimin me Selahydin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë.
U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në iktiologji.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.