back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Isuf Luzaj, ende është i panjohur, i pa lexuar prej nesh… – nga Faruk Myrtaj

Gazeta

Profesor Isuf Luzaj (1913-2000)
Profesor Isuf Luzaj (1913-2000)

Isuf Luzaj, ende është i panjohur, i pa lexuar prej nesh…

nga Faruk Myrtaj

Ia kurseu lotin… Njeriut të jetës
…dhe u nis të bëhej çfarë besonte se bëhej në Liri!
Ne ende jemi lexues të atyre, që jetuan dhe u bënë të mëdhenj në pa-liri.
Pas tyre branisemi…!

Ende nuk e kemi merituar Isuf Luzajn…
Iku prej atdheut të tij, mes shumë të tjerëve. Dihet se më vështirë e kanë Ikjen ata që kanë qenë, ata që janë ndjerë në trojet e veta, ata që mund të bënin diçka ndryshe aty…
Të tjerët, të shumtit, ikën dhe ikin se e mendojnë botën më të lehtë!
Ndryshe nga të tjerët, ngaqë e dinte komunizmin dhe për më tepër njihte Enver Hoxhën, Isuf Luzaj u vu në udhë pa menduar se do ktheheshin shpejt. Mbase prej atyre netëve e ndjeu se mbase do t’u duhej të ktheheshin sy-mbyllur, vdekur…
Vuri re se s’ishin aq të paktë ata që gëzoheshin me fundin e luftës, këta bënë t’i thoshte vetes: Ik. Dhe mos e kthe kokën pas!
E përfytyroj duke e kapërcyer kufirin natën, i vetëm. S’donte të ikte prej dherave të veta në sy të tjetërkujt. Nuk i tha kujt, as prej miqve të tij.
As gruas nuk i kishte thënë për ku do ikte. Ngaqë as vetë nuk e dinte. Dinte vetëm se nisej për nga ishte Liria. Liria e të shfaqurit ai që ishte, për t’u bërë ai që meritonte të bëhej, nëse do mundte…
E përfytyroj tek e kishte puthur në ballë, gruan. Si motër.
Ajo mbylli sytë. Priti që ai t’i thoshte diçka më shumë.
Isuf Luzaj nuk u dha. Nuk i kërkoi ndjesë për atë që s’e bëri dot këtu dhe që po nisej të bënte tjetërkund.
Ajo e ndjeu: Ai ia kurseu edhe lotin.
Çdo burrë i dorëzohet një gruaje, thuhej në Vlorë e rreth e qark saj. Ai i ishte dorëzuar, prej kohësh. Tani po bënte të kundërtën…
Instinktivisht, ajo vuri duart në bark. Mbi duart e saj, ndjeu duart e tij.
Ajo do donte që ai të prekte barkun, jo duart e saj donte që ai të ndjente fëmijën e tyre, që u rrotullua aty brenda. Ai u mjaftua me duart e saj. Ajo sërish u tregua e pa zonja që të kuptonte se, për një moment, ai u bë gati t’i thoshte diçka që do t’ia bënte më të lehtë ikjen edhe si ndarje:
“Nuk jam dot më për ty. As për veten time s’jam dot këtu, siç erdhën punët. Mbase qysh në krye s’ishim për njeri tjetrin, gabuam që lidhëm fatet bashkë, mbase…Të mora më qafë dhe më keq akoma që po të lë me një tufë fëmijësh…”
Sigurisht nuk i tha asgjë nga këto.
Sepse ishte ca si vonë, të kthehej në ca fillime që tek e fundmja ishin bekuar prej jetës që kishin bërë të dy bashkë. Së gjithash, ajo ishte gruaja e tij, zonjë shtëpie, Dritë ishte, nënë e dhembshur e fëmijëve, besnike e tij dhe e jetëve të tyre.
Edhe kur flinte, ai e besonte këtë, ajo mbyllte vetëm njërin sy për ta. Ishte nga lloji që dilnin nga derë e prindit dhe bëheshin njëherë e përgjithnjë “robinja të devotshme” të derës së shtëpisë ky hynin si nuse për t’u bërë gra. Rropateshin e thinjeshin për tu respektuar si nëna, që më në fund të vdisnin si të kishin lindur me mbiemrin e burrit…
Provoj ta përfytyroj udhën e bërjes filozof të Isuf Luzajt dhe më duket se fillesa e saj nis tek ai moment: ndarja me Dritën e Tij…

Marre nga muri i fb i Faruk Myrtajt, 20 shkurt 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.