back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Dritëhijet kulturore të Shkodrës – nga Albri Brahusha

Gazeta

Sahati i Inglizit - Shkodër
Sahati i Inglizit – Shkodër

Dritëhijet kulturore të Shkodrës

nga Albri Brahusha

Ka kohë që nji flakë në ndërgjegje më ngacmon me folë për nji temë të vështirë, siç asht ajo e kulturës në qytetin e Shkodrës. Gjithnji realiteti kulturor po degradon përditë e ma shpejt në këtë qytet, por emri Shkodër më ka ndalë, dashnia për të, më bajnë me hezitue. Shkodra asht emblemë e qytetnimit, ajo më thoshte: “Prit, mos u ngut! Unë nuk jam ky realitet i sotshëm, por jam gjurmët e mia nëpër historinë e moçme.” Por nga ana tjetër hovi me të cilin rritet sot banaliteti kulturor asht i frikshëm dhe historia kulturore e Shkodrës rrezikon me u shkulë pa mëshirë prej njerëzve që nuk dinë e as nuk duen ma me mbjellë. Këtu flaka jeme merr hov dhe pikërisht Shkodra e soçme që po përdhoset pa ia da me thotë me shpirt ndër dhambë: “Fol pra, bash për hatër të dashnisë që ke për mue, fol e ndize nji dritë në errësinë se fryma po më merret.”
Fjala kulturë vjen prej fjalës latine coliere, don me thanë: Me mbjellë. E ajo latine vjen prej asaj indoeuropiane kuel, shqip me çelë, me njallë me lulëzue. Pra fjala kulturë asht alegori e bujkut që mbjell dhe përpiqet me çelë dhe lulëzue bimën e tij derisa në fund vjen fruti si shpërblim, vijnë të korrat e të vjelat, kohë në të cilën të lashtët kanë festue frutin e punës së tyne, me kangë e valle. Prandaj fjala Shkodra e kulturës, na vjen si nji realitet historik njerëzish të zellshëm që në të gjitha kohët kishin pasion “me mbjellë”, edhe pse ndoshta të korrat e të vjelat do t’i përfitojshin brezat e ardhshëm. Por ajo çka po ndodhë e po shohim asht se brezat i fundit vetëm po korrin e nuk po mbjellin ma, dhe këtu nuk asht faji i brezave, por i politikave që e kanë projektue me ngulm me e kthy Shkodrën për 80 vjet prej nji fushe të gjelbër në nji shkretinë kulturore.
Politika, kjo korrëse e pamëshirëshme e çdo vlere që njerëzit mbjellin me mundime, si nji kolerë e pangopun vetëm kafshon vlerat dhe kulturën e Shkodrës të mbjellun nga njerëz virtuozë, të frymëzuem që lanë gjurmë në kujtesën kulturore të shqiptarisë. Kurse këta njerëz mediokër që shihen gjithkund nëpër institucione e televizione, këta hiça të pavlerë, që kapardisen në pushtetin e tyne mjeran, janë eunukët e kulturës, mushqit që nuk pjellin, hajna që nuk mbjellin, shërbyes e sekserë, që janë rreth medemek të zgjedhunve të partisë.
Këtu ajo që na dhemb asht emri i Shkodrës, që po përdhoset, sepse nëpër Shqipni pothuej asht shkretu çdo gja, por Shkodra asht dritë që nuk shuhet kollaj, qoftë edhe nga ata që pretendojnë se e duen kaq shumë e që në fakt e duen por veç për vete, vetëm e korrin, mbushin thasët dhe ikin nji ditë në drejtim të paditun. Mandej pason nji tjetër korrës, e Shkodra e shkodranët janë skllevërit e këtyne palaçove që shkojnë e vijnë e s’bajnë asgja e kulmi asht se merita prapë u takon këtyne, nderohen e zanë vendet e para kudo shkojnë, nderohen me tituj patetikë prej thasëve të emblemave të mykuna të politikës.
Institucionet arsimore janë në nji gjendje të mjerueshme, kurse ato kulturore mundohen me shitë sapunin për djathë. Rezultati asht braktisja e Universitetit, e Teatrit dhe i çdo institucioni tjetër arsimor e kulturor që asht thjesht sa për fasadë, pikërisht se korrësit që janë në krye të këtyne institucioneve u intereson vetëm dukja dhe jo qenia, ata janë parazitë që u shërbejnë padronëve të tyne të pangopun për pare dhe pushtet. Rezultati asht braktisja e Shkodrës nga mbjellësit dhe popullimi nga lukunia e korrësve pa kulturë. Rezultati në fund asht nji mjedis ku mbill sa të duesh, asgja nuk mbin ma, sepse egjra ka mbulue gjithçka.
Flasin këta për talente që nxjerr Shkodra, se Shkodra asht djep kulture e bla bla bla, këta që u vjen marre me shkrue gjuhën që ua ka lanë i pari, e kur dalin në televizione të duket sicuro janë prej Dropullit. Por talentet sigurisht që i nxjerr Shkodra, dheu i saj i bekuem e i frymëzon Zoti, por këta nuk kanë asnji meritë, këta janë përgjegjësit e kësaj shkretie kulturore, injorantë fodullë që fërkojnë duert, me këto talente do të mbushim thasët plot, me këta njerëz që u hipin mbi shpindë e nuk bëzajnë, ata do të bajnë qef pa fund. Kjo pra asht vetia hipnotizuese e pushtetit të pamerituem, këta ngaqë nuk dinë me mbjellë, nuk dinë ma as me korrë, këta vetëm shkulin me gjithë rrajë dhe kapardisen me kollaret e tyne të shtrejta nëpër mbledhje të gjata e të mërzitshme.

Sahati i Inglizit - Shkodër
Sahati i Inglizit – Shkodër

Ndërkohë Agroni, Teuta, Genti, Balshajt, Marin Barleti, Mehmet Pashë Bushati, Karamahmud Pashë Bushati, Oso Kuka, Pashko Vasa, Marubi, Idromeno, Migjeni, Mjeda, Fishta, Gurakuqi, Koliqi, Camaj, Justin Rrota, Karl Gega, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, Frederik Rreshpja, Zorba, Pjetër Gaci, Serafin Fanko, Tano Banushi, Rikard Ljarja, Paulin Preka, Paulin Selimi, Bardh Smaja, e shumë të tjerë, shohin me përdëllim lot në sy prej dritares ku Zoti i ka në strehën e tij, sesi Shkodrën, oazin e gjelbër të begatisë, dinjitetit, arsimit dhe kulturës për të cilin ata punuen pa pushim, po e kthejnë në shkretinë nji grup i vogël njerëzish mediokër, që për interesa krejt meskine kanë zaptue si kulshedra burimet e pafundme të talenteve të Shkodrës në të gjitha fushat, tue i ba njerëzit me braktisë dashninë e tyne të përjetshme: Shkodrën, të dashtunën e shekujve. E këta injorantët interesaxhij që po ia marrin frymën të vetmit oaz kulturor në Shqipni, ta dinë mirë se Shkodra nji ditë do të hakmerret, sepse Shkodrës në historinë e kësaj toke, shkëlqimin kurrë askush s’ka mujtë e ia marrë.
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Robert Martiko:
    Thelbi shpirtëror i Shkodrës në trajtën më të lartë, Absolute, te paarritshëm nga njeriu i zakonshëm, nuk mund të konceptohet pa Simon Jubanin dhe Pjetër Meshkallën që u fut në burg me vullnet të kohën e tre milionë sklevërve-duartrokitës. Sa kohë qe intelektualët e Shkodrës nuk do të kuptojnë këtë trajtë heroike, të jashtëzakonshme, të Shpirtit human, gjendja do të mbetet gjithnjë e sipërfaqshme. Fjala Absolute ka një kuptim të tmerrshëm për jetën e njeriut për sa kohë që nuk kuptohet, sepse ishte pikërisht ideja e Qiellit të zbritur në tokë, nëpërmjet shembullit maksimal, që ndryshoi jetën e evropianit, sidomos në Evropën Veriore. Pa Qiell dhe Shpirt nuk mund të ekzistojë asnjë qytet në botë, i aftë për të shpëtuar qytetaret nga kaosi dhe tragjedia e përjetshme. Pikërisht ky nuk është qëllimi i shkrimeve, Arteve dhe Letersisë?

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.