back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Mësues, o mësuesi jem i dashtun! – Poezi nga Fernando Pessoa – në shqip nga Jozef Radi

Gazeta

Mësuesi dhe nxënësit...
Mësuesi dhe nxënësit…

Mësues, o mësuesi jem i dashtun!

Poezi nga Fernando Pessoa – në shqip nga Jozef Radi

Mësues, o mësuesi jem i dashtun!
zemra e intelektit tem po edhe e krejt trupit!
Jetë e zanafillës n’frymëzimin tem!
Mësues, çka asht për ju n’kët gjendje jeta?

As të shqetson vdekja, as t’jetuemit, vëmendje s’i dhe as vedit as gjaje,
o shpirt i pakuptueshëm i tejduktë deri n’eshtna,
o kureshtje e mrekullueshme gjithnji shumfishe ndaj botës që shfaqet,
o strehëz kujtimesh e krejt perendive t’lashta,
o shpirt njerëzor i dheut amë,
o lule e çelun mbi kaosin e inteligjencës subjektive…

Mësues, o Zoti jem!
N’ankthin e bujshëm të çdo dite të ndjeme,
n’dhimbën e përditshme matematikë e qenies,
un, skllav i gjithçkaje, pluhun i tana ernave,
naltoj duert drejt teje, pse je larg, njaq larg prej meje!

Mësuesi jem, o prijsi jem!
Që asgja s’lëndon, as godet, as trazon,
i sigurt si nji diell që kryen n’mnyrë të pavullnetshme shtegtimin e vet,
i natyrshëm si nji ditë, e cila shfaq gjithçka,
Mësuesi jem, zemra jeme s’e ka mësue qetsinë tande.
Zemra jeme s’ka mësue asgja.
Zemra jeme s’asht asgja.
Zemra jeme asht e humbun.

Fernando Pessoa (1888-1935)
Fernando Pessoa (1888-1935)

Mësues, po t’isha si ti, veç t’isha ti.
Sa i madh çasti i trishtimit e hareja kur t’ndjeva s’pari herë!
Qysh njat herë, gjithçka asht lodhje n’kët botë subjektive,
gjithçka asht rropatje n’kët botë për gjana të dishirueme,
gjithçka asht e rrejshme n’kët botë ku gjanat mendohen,
gjithçka asht diçka tjetër n’kët botë ku gjithçka ndjehet.
Qysh njat herë, jam ndje nji lypës i hjedhun n’vathë
prej shpërfilljes së krejt qytetit.
Qysh njat herë, kam qenë si barishte e shkulun,
grumbullue n’stiva t’shkatrrueme ere.
Qysh njat herë, jam un, po un, e për fatin tem t’keq,
edhe un, për fatin tem t’keq, s’jam nji tjetër, e askush tjetër.
Qysh njat herë, s’e kuptoj pse më mësove me pà kjartë,
nëse mund t’më mos mësoje t’kem nji shpirt me pa kjartë?
Pse m’ke thirrë n’majë të maleve
bash mue, nji fmijë qyteti që njatje përfund luginë, s’ngopesha me frymë?
Pse ma ke dhurue shpirtin tand kur s’dijsha ç’ka me bà me të?
si dikush i ngarkuem me ar midis nji shkret’tine,
o që këndon me zà hyjnor midis rrënojash?
Pse ma ke zgjue ndjesinë e nji shpirt t’ri,
Kur s’isha n’gjendje me e ndje, n’se shpirti jem ka kenë gjithnji jemi?

Ndoshta njaj Zoti i panjoftun ka dashtë që un t’isha gjithnji
ai poeti dekadent e pretenduesi torollak,
që mundesh s’paku nji ditë m’u knaqë,
e mos me shpërthye n’mue shkenca e tmerrshme e vëzhgimit.
Pse ma bane vetvetja? S’paku t’më kishe lanë njerì!
Djalosh i hareshëm i dyqanit,
që ka punën e vet normale t’përditshme, sa t’lehtë njaq edhe t’randë,
që e ka jetën t’zakonshme,
e knaqsinë e ka knaqsi edhe harenë hare,
që flen n’gjumë të vet,
që ha n’ushqim të vet,
që pi pijen e vet e për kët ndihet i lumtun.

Qetsinë që e zotnoje, ma dhe e ajo u ba trazim për mue.
Më çlirove, po fati njerzor asht me qenë skllav.
M’i hape sytë, po kuptimi i t’qenit njeri, asht me fjetë.
15 prill 1928

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.