Akili: Mburoja e tij legjendare dhe simbolika e saj e veçantë
Akili ishte nga heronjtë më të famshëm dhe trima të antikitetit
“Vendos tokën, vendos detin, vendos qiejt lart, vendos diellin e palodhur, hënën e ndritshme dhe të gjithë yjet, që kurorëzojnë qiellin…”
Me këto fjalë Homeri përshkruan mburojën mitike të Akilit në disa nga 134 vargjet e tij në Iliadë. Një vepër arti për mburojën, që është diskutuar dhe analizuar jo pak herë në historinë e lashtë.
Dhe kush tjetër mund ta bënte këtë mburojë nëse jo Hefesti?
Dhe sigurisht nuk janë të paktë ata që kanë argumentuar se Homeri nuk përshkroi në vargjet e tij në Iliadë një mburojë të vërtetë, por ishin shpikjet e tij që ai bashkoi në një mënyrë mjeshtërore.
E sigurt është se mburoja mitike e Akilit nuk mund të mos fshehë simbolika madhore dhe të vogla.
Akili ishte një nga heronjtë më të famshëm dhe trima të antikitetit dhe mitologjisë, i cili u dallua me pjesëmarrjen e tij në fushatën e Trojës. I lindur në Fthiotidën e sotme (Fthia në lashtësi) ai ishte djali i Thetis – perëndeshës së detit – dhe mbretit Peleus. Dhe si bir i një perëndeshë, nëna e tij dëshironte vetëm që ai të ishte gjithashtu i pavdekshëm. Për ta arritur këtë, legjenda thotë se çdo ditë nëna e tij, fshehurazi nga Peleus, e lyente me ambrozi dhe natën e mbante mbi zjarr duke i mbajtur thembrën.
Por kur Peleus e kuptoi se çfarë po ndodhte, ai nuk e la Thetis të mbaronte dhe të vinte thembrën e foshnjës në zjarr. Kjo është arsyeja pse ajo pikë ishte e vetmja pikë e cënueshme në trupin e tij.
U krijua thembra e njohur e Akilit.
Pasi nuk arriti ta bënte Akilin plotësisht të pavdekshëm, Thetis vendosi të kthehej në thellësi të detit, nga kishte ardhur dhe ku ishte pallati i përjetshëm i të atit. Edukimi i Akilit u ndërmor nga centauri Chiron në Pelion me urdhër të Peleus. Atje Akili mitik u forcua dhe mësoi të përdorte armët dhe artin e gjuetisë me përsosmëri.
Mburoja legjendare, historia e saj dhe Homeri
Në eposin e Homerit, pra, në Iliadë, spikat ky përkushtim për mburojën e Akilit legjendar. Thuhet se mburoja është porositur nga nëna e Akilit, Thetis. Akili i kishte dhënë të gjitha pajisjet e tij Patrokliut për të shkuar në betejë, por ky i fundit u vra nga Hektori, i cili i mori armët si plaçkë lufte.
Akili kishte nevojë për armaturë të re dhe nëna e tij Thetis i kërkoi perëndisë Ifestis të krijonte një të re, gjë që ai e realizoi.
Mburoja nuk ishte si të zakonshmet, por një simbolikë e tërë. Metalet që Ifestis përdori për ta bërë, ishin bakri, kallaji, ari dhe argjendi.
Ajo që e bëri gjithashtu të dallohej ishte simbolika e saj. Mburoja në thelb përbëhej nga pesë zona, secila prej të cilave formonte pesë rrathë koncentrikë. Në to kishte shumë shfaqje të përpunuara me elementë nga mbarë universi.
Në rrethin e parë ai projektoi të gjitha elementet e universit.
Në rrethin e dytë dy qytete me njerëz të vdekshëm, një paqësor dhe një me luftë.
Në rrethin e tretë një përshkrim i jetës fshatare dhe në të katërtin jetën baritore.
Rrethi i pestë dhe i fundit përfshin Oqeanin, që përqafon tokën.
Megjithatë, analizat e historianëve thonë se mburoja nuk është thjesht një përshkrim i një arme (dhe një armë paqësore) por një simbolikë e tërë. Sipas shkrimtarit gjerman, Wolfgang Sandewald, këto kontraste të kryqëzuara tregojnë format bazë të një jete të civilizuar dhe në thelb të qetë. Ndoshta ka dashur të tregojë edhe kontrastet e përditshmërisë së thjeshtë me dhunën dhe mizorinë e Luftës së Trojës.
Përshtatur në shqip – @Edmond-Andrea Shallvari