back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Gjithë energjitë tona në betejën e zgjedhjeve lokale – nga Milaim Nela

Gazeta

Milaim Nela
Milaim Nela

Gjithë energjitë tona në betejën e zgjedhjeve lokale

nga Milaim Nela

Sot isha i ftuar si folës në Panelin për Doktrinën e së Djathtës
që u mbajt në “Hotel Tirana” si përfaqësues nga Mërgata.
Si rezultat i shtyrjes së fluturimit në çastin e fundit s’munda të marr pjesë!
Këtu më poshtë po postoj fjalën që kisha plan të mbaja në atë panel.

Doktrina e së Djathtës
Doktrina e së Djathtës

Të nderuar pjesëmarrës!
Ju falenderoj jashtë mase që më keni bërë pjesë të këtij forumi të nderuar!
Dua ti them disa fjalë shkurt si e shoh unë vizionin e së djathtës dhe pastaj do shprehem pak edhe për kontributin e Mërgatës Shqiptare.
E kam pritur hapjen e një diskutimi të tillë prej vitesh.
Partia Demokratike u krijua në Dhjetor të vitit 1990… 45 vjet pasi ishte prerë dhunshëm e barbarisht zinxhiri i elitarëve të djathtë!
Bazamenti i të djathtës ishte shkërmoqur e shumica e mendimtarëve dhe vizionarëve ishin vrarë dhe ata që kishin mbetur gjallë ishin akoma ne burgjet e diktaturës.
Ishin krijuar pothuaj dy gjenerata të indoktrinuara për ta urryer të djathtën!
Ishin edukuar të urrenin rregjimin e “satrapit Zog” gjuhë e cila mjerisht akoma përdoret me të njëjtin pasion nga pinjollët e atyre edhe pas 3 dekadash liri.
Besoj pjesë e fajit të atyre që miratuan ligjin 7501 ishte jo vetëm mungesa e përvojës politike të vendimmarrësve të asaj kohe por duhet të kthehemi në atë kohë të kuptojmë edhe mentalitetin tonë për pronën si shoqëri.
Brezi e ri i sotëm e ka të vështirë ta imagjinojë se pjesa dërmuese e shqiptarëve jetonin në shtëpi me qira dhe që në vitin 1990 nuk kishte asnjë shqiptar që kishte një makinë private!
Ky takim i sotëm është shumë i vonuar jo vetëm se PD nuk ka qenë mjerisht asnjëhere në shtratin e së djathtës por sepse është imperative korrigjimi këtij pozicionimi, i kësaj mospërputhje të madhe.
Kur them që PD-ja nuk ka qenë asnjëherë në shtratin e të djathtës në të cilin duhet të ishte nuk kam aspak ndërmend të fajësoj themeluesit e saj në vitin 1990 jo se nuk janë bërë gabime por dua të jem pak më i ftohtë sot e të kuptojmë kontekstin e kohës.
Edhe ata që kishin patur fatin të shkolloheshin në atë kohë informacionet e politikëbërjes dhe shtetformimit i kishin shumë të kufizuara.
Ne nuk kishim as ku ti lexonim sepse publicistika e tillë ishte e ndaluar.
Unë personalisht abc-në e së djathtës e kam mësuar në Konakun e Burrave që në zonën nga vij unë e në gjithë veriun e Shqipërisë ka qenë institucion i rëndësishëm edukimi joformal e aty në rrethe të besuara bëhej edhe politikë.
Gjyshi im që pat kaluar 5 vite në burgun e Burrelit dhe Qafë Barit e ato 5 vite burgu ai megjithë vuajtjet e tmerrshme i quante Universitet sepse kishte qëndruar me një pjesë të elitës së kombit që dergjej atje.
Brezi qe ka lindur pas 90-tës e ka shumë të vështirë ta imagjinojë atë kohë.
I thashë këto gjera sepse nga pozitat e sotme është shumë e lehtë ta vësh gishtin mbi plagë por kjo nuk do të thotë se është vonë të korigjohemi, të përmirësohemi e ta kthejme busullën drejt brigjeve të shpëtimit.
Ne këtë optikë e shoh unë këtë takim të sotëm e uroj të mos jetë i fundit.
Një nga pikat e Kushtetutës se vlerave të djathta që dua ta prek është Liria Individuale.
Viti 2013 duhet ta themi troç e pa komplekse shënon fillimin e periudhës më të zezë të shqiptarëve pas vitit 1990.
Teknikisht nuk mund të themi që mbi shqiptarët është kryer gjenocid, por largimin e mbi 900 mijë shqiptarëve nga vendi me plot gojën mund ta quajmë spastrim etnik të pastër.
Ku ka shkelje më të madhe të lirisë së individit se sa ti bëhet e pamundur jetesa në vendin e tij?
Në veri dhe jug janë shkretuar jo vetëm fshatrat por edhe qytetet.
Shumica dërmuese e atyre që janë larguar është shumë e vështirë të kthehen pasi ata që e kanë provuar emigracionin e dinë që emigrimi është si noti në det të hapur e sa më në thellesi të futesh aq më i vështirë bëhet kthimi.
Gjendja dramatike ku ndodhet vendi kërkon kontributin e secilit prej nesh pavarësisht nëse jetojmë në Shqiperi apo jashtë saj.
Ne duhet të japim të gjithë energjitë tona dhe jemi gati ta bëjmë këtë që krahas betejës së momentit të zgjedhjeve lokale në kushte gati të pamundësisë me bindjen se jemi me të drejtën, të përpiqemi me mish e me shpirt që këtij vendi ti kthejmë shpresën!
Njerëzit sot janë të mpirë dhe të tulatur edhe nga propaganda helmuese e medias që mbahet me paratë e pushtetit e ne duhet ti zgjojmë shqiptarët nga gjumi letargjik!
Të djathtët konservatorë duhet ta shohin ndryshe politikën dhe të bërit politikë ndryshe sa shihet sot.
Në Shqiperi është thuajse pjekur ideja kanceroze se politika të pasuron se të bësh politikë pranohet edhe gënjeshtra.
Se kur një politikan mashtron dhe nesër si pa te keq thotë hajt mo se politikë po bëja e thashë për politike etj etj!
Ky lloj ligjërimi këtu është bërë normë.
Kjo duhet të marrë fund.
Ne shqiptarët e kemi patur një politikan dijetar i madh i kombit shqiptar që kurrë në karrieren e tij të shkurtër politike nuk e rrejti popullin e vet por deri në frymën e fundit ishte konsekuent i parimeve të veta e kurrë nuk ju desh ta përgënjeshtrojë veten.
Ky ishte Ibrahim Rugova themeluesi i partisë se parë të djathtë në trojet shqiptare pas luftës së dytë botërore.
E solla shembullin e Dr. Rugovës sepse nëse ai ishte në mision të shenjtë për nxjerrjen e Kosovës nga kthetrat e pushtimit serb ne sot duhet te jemi në mision për shpëtimin e Shqipërisë nga thonjtë e sektit të rilindjes.
Ky sekt ushqehet dhe mbahet në këmbë përveç krimit vendor edhe nga Soroismi që per mua nuk është një fenomen thjesht kalimtar por një kancer që po rrezikon edhe demokracitë e konsoliduara të perëndimit dhe vetë tempullin e demokracisë më të madhe në botë siç janë Shtetet e Bashkuara.
Tani vetëm imagjinojeni se sa të rrezikuar jemi ne shqiptaret që jemi jo vetëm një komb i vogël por jemi sot pa mëdyshjen më të vogël laboratori ku soroizmi eksperimenton se si mund të falimentohet nje shtet si mund të zhduket një komb.
Jo vetem Partia Demokratike si parti e djathtë duhet ta marrë seriozisht Soroizmin si rrezik kombëtar për shqiptarët por i gjithë spektri politik që në themel ka interesat kombëtare duhet ta marrë këtë fenomen murtajë do ta quaja me alarm!
Sot jemi kombi që rrezikohemi më shumë se çdo komb tjetër nga Soroizmi sepse nuk ka komb tjetër në botë që tentakulat soroiste i janë ngulur me shumë se sa neve.
Shqiptaret jo vetëm nuk e morën seriozisht komunizmin dhe bolshevizmin në vitet 20-30 të shekullit te kaluar por edhe u joshën prej tij perfshirë edhe vetë Fan Nolin – rezultati dihet – përfunduam në 45 vjet komunizem të ashpër.
Komunizmi e dëmtoi rëndë familjen shqiptare por nuk e zhduku plotësisht!
Komunizmi po ashtu e ruajti një fasadë kombëtare dhe të dashurisë për atdheun.
Soroizmi nën maskën e modernizmit i është futur familjes tradicionale me buldozer për ta shkatërruar atë plotësisht.
Aq e ashpër është sot lufta ndaj kombit shqiptar saqë nëse e manifeston atdhedashurinë atëherë menjëherë etiketohesh arkaik, anadollak e i prapambetur etj etj.
Nëse kombi shqiptar mbijetoi në shekuj, mbijetoi sepse familja mbijetoi dhe po ashtu dashuria për kombin.
Sot na rrezikohen të dyja!!
Ky diskutim që po bëjmë sot këtu për të djathtën dhe vizionin e saj shpresoj ti nxisë sado pak jo vetem intelektualët që kanë pikëpamje të djathta por edhe ata që anojnë majtas që të zgjohen nga kllapia që i ka kapur e të hapim një debat të madh intelektual publik kombëtar për të ravijëzuar një paltformë për shpëtimin kombëtar sepse realisht jemi në zgrip!
Nëse nuk zgjohemi dhe reagojmë sot, kam frikë do të kalohet pika kritike e zgjimi nuk do ketë më vlerë.
Unë nuk jam njeri i politikës së madhe por e kuptoj që është koha për ndryshim rrënjësor e ky ndryshim nuk bëhet pa njerëz idealistë dhe të ndershëm në politikë.
Unë nuk jam njeri i ligjeve por e kuptoj që Shqipëria ka nevojë për një reformë kushtetuese me themel sepse shtyllat e shtetit kanë rënë! Kjo është edhe një nga arësyet pse çdo pushtet ka rënë në duart e një njeriu të vetëm!
A duhet një president me kompetenca, i zgjedhur nga populli dhe jo lodër në duart e Kryeministrit?
Besoj që ka ardhur koha.
A duhet një Parlament me dy dhoma ku të të rikthehen elitat besoj se jo vetëm ka ardhur koha por jemi shumë vonë.
Parlamenti i analfabetëve funksionalë dhe lexuesve të hartimeve të Lorenc Vangjelit duhet të marrë fund njëherë e mirë.
Shqipëria duhet të përfaqësohet nga Elitat e jo kloune injorantësh.
Eshtë koha për ndryshim.
Eshtë koha për rikthimin e shpresës.
Mërgata shqiptare ashtu si edhe shoqëria civile këtu edhe ajo nuk i ka shpëtuar kthetrave të rilindjes por është shumë me pak e kapur per rrjedhojë ka mundësi të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushat ekonomike të shkencës, inovacionit arsimit e shëndetësisë.
Por duhet te na jepet hapësira e kjo duhet filluar me forumet e partisë demokratike që nuk kanë thuajse asnjë përfaqësim nga mërgata.
Brain Gain është nje fillim i mbarë por është shumë pak!
Nëse sot themi me plot bindje se kemi me shumë se gjysmën e popullsisë aktive jashtë vendit ata që jetojnë këtu duhet të bëjnë përpjekje të krijojnë hapësirat e nevojshme për përfaqësimin tonë që jemi jashtë.
Mërgata ju sjell përveç ekspertizës në fusha të ndryshme edhe një mentalitet të ri dhe nuk kërkon asgjë në këmbim.
Ne jemi ketu dhe do jemi sa herë t’i duhemi vendit pa kërkuar asnjë privilegj!
Ju Faleminderit!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.