back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Çfarë ndodhi në Burgun e Spaçit më 11 prill 1985, kur vdiq diktatori – nga Bedri Blloshmi

Gazeta

Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit
Bedri Blloshmi ne hetuesi

Ç’ndodhi në Burgun e Spaçit më 11 prill 1985, kur vdiq diktatori

nga Bedri Blloshmi

Më 11 prill 1985 kur ngordhi krimineli E. Hoxha, në burgun e Spaçit ishte një ditë e bukur me diell. Lugina oshëtinte nga muzika funebër kurse tek pika ushtarka në zonën e dytë, flamuri ishte ulur në gjysëm shtizë. Duke parë, këto, ne e kuptuam se diçka kishte ndodhur. Kur dolëm nga puna dhe u futëm në kamp, aty mësuam se kishte vdekur diktatori Hoxha. Kjo ishte dita më e lumtur për mua. Me këtë rast, për ta festuar bëra hallvë, por se çfarë ndodhi me mua për këtë festim po ua tregoj më poshtë:

Raport Sherbimi - Spaç 12 prill 1985
Raport Sherbimi – Spaç 12 prill 1985

Spaç më 11 prill 1985
Po afron të mbushet viti që kam ardhur nga Qaf-Bari (ekzakt më 5 korrik 1984). Burgun e Spaçit, që më parë ishte për politikanë (ose “armiq”) e gjeta tani të mbushur me të burgosur ordinerë. Kështu për ne “armiqtë” kanë ndërtar disa gazerma në përrua në krah të pallateve. Në Qafë Bari kishim tjetër mineral. Tani duhet të rimësohem me piritin, i përzjerë me shume acid dhe me temperaturën 40-45 gradë. Tani, kur dalim në punë rrjeshtohemi te një urë-kafaz që lidh barakat tona me pallatet dhe komandën. Mbas dy ngjarjeve në të dy kampet, me distancë 11 vjetsh, policët me riardhjen tonë, policët na thonin: “Ju të Qaf Barit do rrini urtë, apo doni ta provojeni prapë?”
Të gjithë ne sa ishim, nuk u përgjigjeshim. Kështu, të friksuar nën këtë presion të policisë kalonin ditë javë e muaj në një monotoni të mërzitshme.
Ditën e 11 prillit ndodhi kjo. Ishim turni i parë. Unë punoja në galerinë 20 e vjetër. Mbasi pastruam frontin e punës, isha bërë gati dhe prisja të vinte ajri (i kompresorëve) për të bërë birat e plasjes. Prita sa prita, e pash që koha po kalonte dhe dola nga galeria të shihja si është puna. Lart në kodër shoh shumë lëvizje, shumë policë dhe civilë. Ishte një situatë e pazakontë, thërras policin dhe e pyes për ajrin se pse nuk ka ardhur? E kisha 10-15 metra larg kur më vërsulet “Ik qërohu, futu brenda në galeri!”.
Në krah të galerisë 20, ishte një kapanon ku rrinin ushtarët (jashtë rrethimit). Sapo u ktheva për t’u futur në galeri vë re që mbi kapanon flamuri ishte ulur në gjysëm shtizë. Shtanga në vend, kuptova që diçka kishte ndodhur. Nxitova dhe u futa brenda, vajta në frontin e punës të një shoku dhe i them se çfarë kisha parë. Ai ma ktheu “Të bëjnë sytë” dhe nuk e besoi. “Ymer i them dikush ka vdekur se nuk ka pse të ulet flamuri!”. “Mirë mirë – më thotë ai – ishalla është ashtu siç thua ti!”.
Pas pak na lajmëruan ta lëmë punën dhe të dalim jashtë. Pak nga pak u mblodhëm të gjithë dhe dukeshe qartë se policët ishin të lotuar, civilat ca më keq. Pasi na numëruan na nisën për në kamp. Sapo u afruam pamë se në kamp ishin mbi 20-30 policë dhe civilë, altoparlanti i varur në degën e një plepi vajtonte me muzikë funebër. Sado që mundoheshin ta fshehnim gëzimin, ishte e pamundur.
Nuk e zotëronim dot veten. U takuam me disa shokë dhe porositëm njeri-tjetrin të mos binim në sy se ajo që ne kishim lutur gjithmonë, kishte ndodhur. Diktatori kishte vdekur. Mendonim se si do rridhnin ngjarjet. I them një miku “Shko në depo, merre sheqerin miellin dhe vajin që kemi ruajtur për këtë ditë dhe na trazo një hallvë!”. Mehmeti më qortoi “Pusho se do të të vrasin! nuk e sheh që janë bërë si të tërbuar, ik shtrihu në krevat dhe fli!”. “Met i them, ku më zë gjumi mua, sot është dita më e gëzur e jetës time!”
Në kamp policët e civilët vijnin vërdallë me kokë ulur me sy të përlotur. As natën nuk më zuri gjumi fare. Rrija shtrirë e mbuluar me batanije. Shumë nga ne rrinim shtrirë e nuk flisnim asnjë fjalë nga frika, se policia ishte prezent gjatë gjithë kohës.

Bedri Blloshmi dënohet në birucë për një muaj
Bedri Blloshmi dënohet në birucë për një muaj

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Dega e Punëve të Brendshme
Ana e Sigurimit – Nr. 6
Sekret – Ekzemplar nr.1
Grupi II-të Rrëshen më 6.5.1985
Ndalohet riprodhimi – Informacioni T. O. (teknike opertaive – ose çimka)

Ky informacion nxirret nga përgjimi i bërë më datën
18.04.1985, në birucat e repartit të riedukimit 303, Spaç, midis të dënuarve Luan Ndreu dhe Bedri Blloshmi.

Vdekja e Diktatorit
Vdekja e Diktatorit, 11 prill 1985

Legjendë:
B. – Bedri Blloshmi
L. – Luan Ndreu

L: Kur u dha ajo, ne po rrinim të gjithë kështu
B: E haleja mutit, ishte një hale, ka mbetur dhe një tjetër
L: Jaaa!
B: Po ore, aty të bënë agjitacion.
L: Pse?
B: Hë, edhe pak ditë na ngelën
L: Hëë
B: Edhe dy-tre ditë edhe…
L: Në rroçkët të qoftë… s’po çaj kaptinën për atë punë, unë jam mësuar, e di sesi më duket kjo mua.
B: Hë?
L: Odë pashë në krahasim me atë të Burrelit (flasin për
birucat e Burrelit)… tashti po kthehet përsëmbari. (flasin për masat e dënimit për të dënuarit e tjerë nëpër biruca)
B: Tregon për rrahjen që i kanë bërë e që bën policia në
kamp. A thua do na mbajë një muaj në birucë.
L: Mos fol mor burrë.
B: Po çfarë tmerri atë ditë, bobo!
L: Ashtu, ëëë?
B: Pati ardhur dhe komandanti i kampe-burgjeve.
L: Aty ëëë? (tregon për rrahjet që janë bërë në kamp dhe për izolimin në birucë.) Jo, unë e pashë në TV njëherë.
B: Si e kishin vendosur?
L: Dreqi e merr vesh! U merret vesh këtyre? Ishte shtrirë në arkivol, aty e pashë.
B: Mbretëresha, çupa, ishin aty?
L: Çupa ishte me shirit të zi.
B: Q… nënën.
L: Ai qen bir qeni, ai kriminel.
B: Po, po ashtu është.
L: (flasin me apati për të dënuarin Sami Sulku dhe Bedriu tregon për një grindje që ka pasur me këtë të dënuar kur shefi i policisë bënte kontroll.)
B: Po shumë mirë… (bisedojnë në dhomat e tjera të izolimit). Tregon për rrahjen që i ka bërë policia në Qafë Bari.
L: Shpëtojmë vetë ndonjëherë pa na nxjerrë ndonjë sy.
B: (Bedriu tregon për jetën e Qafë-Barit)
L: Jemi të vrarë shpirtërisht.
B: Mendoj që ka vdekur. (qesh)
L: Për Zotin, rri e rri e më del gjumi në mes të natës.
B: More vdiq apo jo? Si është puna?
L: Aman more, po unë e pashë vetë me sytë e mi?
B: Mor vdiq m…
L: Po, po me atë s’ka shaka”
B: Të shohim Ramizin tashti.
L: Ai do ta marrë, s’ka kush ta marrë tjetër.
B: I poshtër është.
L: Shumë mirë është, ishalla s’na prek njeri me dorë.
B: Mos e mban dhe ky kështu?
L: Mazallah!
B: S’ka si bën, s’ka! Forcat e atij janë llogaritur!

Transferim i Bedri Blloshmit ne Burgun e Burrelit
Transferim i Bedri Blloshmit ne Burgun e Burrelit

Shënim: Këtu ndërpritet biseda për të vazhduar në birucën nr. 2
Vërtetoj se është një me origjinalin.
Punëtori operativ i T. O. – Hysen Vata.
(Të gjitha këto veprime janë formuluar nga kryetari i Degës Punëve të brendshme ne bashkëpunim me operativin Gramoz Velçani në kohën që unë kam qenë në birucë (izolim). Që prej datës 12 prill, deri më 10
maj 1985, këto përgatitje për arrestim mbahen në datën 03.05.1985. B.B.)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.