back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Djeri në Fanatizmë – Kujtime për Gjergj Fishtën nga Justin Rrota

Gazeta

At Justin Rrota gjatë punës
At Justin Rrota gjatë punës

Djeri në Fanatizmë – Kujtime për Gjergj Fishtën

nga Justin Rrota

Asht vjeti 1911. Shkollat Françeskane kremtojn pêsdhetëvjetorin e themelimit. Drejtuer: Auktori i Lahutës. A kishte si festohej kjo rasë e gëzueshme e mà së parës shkolle Shqype, për pa u ndie për së gjallit?
Drejtori e dijti mirë, se turku ato premtime lirijet, të dhanuna ashtu si nëpër dhambë në rasën e xhemjetit, shkojte dita me ditë tue i lpi. Prandej lypej guxim me tëfaqun në nji apoteozë publike Shqypnín e lirë, aty para Valis e zabitllarvet të Turkis, të grishun në kremtim!
Edhe Padër Gjergji u trimnue. Gatoi melodramin patetik “Shqyptari i Qytetnuem”. Kështu qi atë natë, në mjedis së salonit, në kulmin e entuzjazmës, u ndien zane qi brohoriten të madhe, tue i urue jetë Shqypnís.
N’atë rasë, nëpër dritën e llampavet, prej korit së kangtoris pash, ke burra me mustakë e pleqë me thija, të përmalluem, kjajshin si fëmija!
Për zemrën e Poetit kje përnjimend nji triumf. Kurr s’e dijë ta kemi pa ma të piklluem, se asohere. Mbas tfaqjes, dukej i lodhun e shkoi me ra. Né, qi i rrijshim përreth, na tha: “Ju s’mund ta merrni me mend, sa fort jam i përmalluem sonte. Duhet me pasë hjekë keq si na, për me m’kuptue. Des kondend për punë të Shqypnís tash qi i a mbërrijta edhè kësaj: Me i rritun jetën ndër sŷ të Pashës!”
Ne e nesre na erdh fjala, se Bedri Pasha, i trandun e tue ra në mendim nga shka kishta vërtetue atë natë në salonin e Shkollvet Françeskane, i rrahi telegram qeverís së vet në Stambollë gati tekstualisht këso dore: Populli Shqyptar ka nisë të zgjohet. Me shka po shoh un, ndiesitë e pamvarsís komtare ndër ta kanë mbërrijtë aq sa e gjykoj ma tepër të vonë e të kotë çdo pengim a luftë qi të duem me u ba.
Pakë ditë ma vonë, Mbasardhsi i Bedrisë, Hasan Rizaja i pafat, miku i përzemërt i Fishtës, – thonë, se edhe i Shqypnis – tue u gjetë në nji tfaqje analoge, kahë duel, i a shtrëngoi dorën e u përgëzue fort me auktorin.
Nji aso ditësh Hasan Rizaja i çoi fjalë t’i shkruete nji marrsh shqyp, për t’ua mësue ushtarvet Shqyptarë m’e këndue, kur delshin në manovra.
Padër Gjergji me t’zi çë priti. I a çoi; e ketë marrsh Pasha i a shpërbleu njiqind fijsh. Kur ndonji herë dojshim m’e gërga, ai na lëvdohej: E keni keq! Kqyrni, Hasan Rizaja, ai ua ka dijtun vlerën vjershavet të mija: M’i ka pague, strofë e lirë turkut, ari së kulluet!”

Gjergj Fishta - (1871-1940)
Gjergj Fishta – (1871-1940)

E i bahej zemra sa mali kur i ndiejte ushtarët Shqyptarë, kohën e Turkis, tue këndue shqyp për të gjatë të Fushës së Çelës.
Nji rasë tjetrë i çoi nji fyshek lira për fëmijët e vorfën.
Fëmijët e vorfën! Këta gjithmonë i a këputshin shpirtin, sidomos kahë i shihte n’pikën e dimnit zdathë e zdeshë. Krejt kujdes për me ua qitun bukën e mjesditës e me i veshun ndër ditë motmotit, s’kursehej me dalë e me lypë bashkë me atë jetshkurtin Padër Ambroz Marlaskaj, koleg i tij fort i zoti e trim, ku ishte puna për t’i dalun në krye njaj vepre së mirë.
“…Qe barometri i dashtnís së Shqyptarit për gjuhën e vet! – theksojte ndonji herë idhnueshem – Kjo e jona asht e vetmja e e para shkollë, ku Shqypja mësohet e rrin, jo si fëmijë i gjetun, por si zojë shpijet. E këtu a e sheh? – na kanë msy vetëm, a gati vetëm, djelmët e Gjeloshavet! Zotnít e Shkodrës s’kanë të lodhët për gjuhën e vet: Duen gjuhët e hueja, duen…”
E grihej vetë me veti për këtë indiferentizmë të tyne; por sidomos kur – kjoftë për atë herë! – gjindej kush e vete edhe publikisht n’lojë gjuhën e shqype. Mbasi s’kishte ku me i marrë këta profanatorë të guxueshëm, shfrejtë idhnimin e zemrës në rasën e të damit të çmimevet. Lëshohej mbë ta me vishkullën e satirës, shprehë nëpër ato vjerrsha plot zjarm e vnerë kundra Shqypes e atdhedashtnis!

(Përgatiti për publikim: Agim Morina – Shenjat diakritike janë heqë.)
Marrë nga Muri i Fb i Agim Morina 9 Prill 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.