back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Loja e Liut – nga Edison Ypi

Gazeta

Edison Ypi - Nuk...
Edison Ypi – 

Loja e Liut

nga Edison Ypi

Li Zorba ishte tironc. Liu e kishte shtëpinë mu te palca e tironcllikut, përballë Dervish Hatixhesë, atje ku labirinti i rrugicave dhe shtëpive të Tironës duken si tru njeriu.
Ali Zorba dhe unë punonim në një ofiçinë. Liu axhustator, unë inxhinier.
Çdo ditë 16 vjet rresht, Liu erdhi në punë dy minuta para orarit dhe u largua tre minuta pas orarit.
Liu vinte me një biçikletë kineze me diçka për të ngrënë në zgarë mbështjellë me gazetë.
Liu e ndreqte biçikletën gjatë orarit të punës sipas parimit shpëtimtar leninist; “Kam te puna”.
Në dallim prej meje që teknologjinë e dashuroja, Liu, veglat, dhe në përgjithësi sendet metalike, i mbante larg, i shihte me mosbesim, me përçmim.
Liu llafosej me mua më tepër se me të tjerët.
Një herë kur po ndërtonte një strategji për të blerë një lavatriçe, më tha se do merrte boxh. Po a e lan dot borxhin, o Li ? – i thash’. Hajt mo, ene shtetet i morin borxh njoni-tjetrit e jo mo ne, u përgjigj Liu.
Një herë tjetër, si nuhatës gjenial, Liu vajti më larg, u bë ndërkontinental; Qe, tha Liu, ai shkurtabiqi, ai Ten Hsiao Pini, ai ka me e rregullu Kinën.
Merak të modh kishte Liu me u fal në Xhami. Por nuk mundej. Ishte e nalume. Xhamitë ishin të shkatërruara ose të mbyllura. Liu thoshte se në botë ka xhami me dy, madje dhe me tre “kazona”, që ishin ato rrathët rreth minares ku vje qark Hoxha duke kënduar.
Qysh fëmijë Liu ishte mahnitur me xhamiat, minaret, faljet, hoxhallarët, kur ende funksiononin. Liut i kishin mbetur të gjalla në përfytyrim gjithçka prej asaj magjie.
Babai i Liut kishte qenë gdhëndës dhe skalitës i mbishkrimeve mbi gurët e varreve. Liu e kishte të skalitur në kujtesë dyqanin e vogël që kishin te Pazari Vjetër dhe porositësit e gurëve të varreve që vinin nga an’e anës.
Me dëshirën për ta trashëguar zejen e babait, Liu provoi një herë të bëhej skalitës varresh.
E gdhendi për bukuri gurin që do vihej mbi kokën e varrit të rahmetliut. Pastaj nisi me skalit të parën gërmë që ishte një “A”. Mirpo, për shkak të një goditje jo fort precize me daltën e mprehtë, trekëndëshi i vogël si ishull i gurtë kërceu lart dhe ra në tokë.
Pas atij dështimi, Li Zorba hoqi dorë nga zeja e babës. Nuk u mor më me gurë, varre, dalta, mbishkrime.
Përveç respektimit të orarit, kryerjes së punës, kujdesjes për biçikletën, ruajtjes nga spiunat. Liun nuk e lidhte asgjë me mjedisin e flliqët komunisto-proletar, mbledhjet, tabelat e emulacionit, tejkalimin e planit, fjalimet, frymën revolucionare, ulurimat e kongreseve, klithmat e plenumeve, çizmet e parakalimeve.
Ishte e papërfytyrueshme që Liu të merrte iniciativa, të fliste në ndonjë mbledhje kolektivi ku të zotohej se do zbatonte mësimet e partisë dhe porositë e shokut kurvi.
Liun e habiste pa masë parrulla “T’i japim kurvit nga ditët tona!”.
Nuk është e mundur, thoshte Liu me zë të revoltuar dhe të mbytur. Ymrin nuk e cakton kurvi. Ymrin e shkrun Allahu.
Liu e zbatonte me sukses lojën e vet falë talentit që kishte për t’u dukur i pakuptueshëm, i mistershëm, i pazbërthyeshëm.
Liu jetonte dhe punonte në atë mënyrë që mendja e budallejve s’mund ta kapte dot.
Liu ishte shumçka, por për së pari musliman.
Liu ishte musliman në gjithçka; si lëvizte, si punonte, si ecte, si fliste, si pyeste, si përgjigjej.
Të gjithë e dinin se Liu ishte musliman dhe mbante Ramazan.
Ta dinin për ndonjë tjetër që mbante Ramazan, do i vinin menjëherë hekurat. Liut jo. Liun nuk e preknin. Liu nuk i linte askujt asnjë shteg për asnjë shpresë se Liu në birucë, Liu në burg, Liu te muri i pushkatimit, Liu me litar në grykë, mund të dorzohej, mund të thërrmohej, mund të ishte ndryshe nga Liu kur falej fshehtas, punonte, ecte, hante, apo ndreqte biçikletën.
Dukej sikur Liu i urtë, Liu i butë, Liu i pasherr, Liu në punë të vet, i tillë kishte qënë qyshkur s’mahet men, ashtu do ishte deri kur bota të shkatrrohej.
Kur Liu hynte e dilte nga ofiçina me biçikletë, përshëndeste mua dhe ndonjë mik tjetër me një shkelje syri shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë, që kishte kuptimin; “Lere ç’thonë kta plehra. Janë provizorë!”.
Shejtanbudallejtë që atëhere të futshin në burg ndërsa sot janë bërë demokratë, Lojën e Li Zorbës me shkelje syri dhe buzëqeshje nuk e kuptuan kurrë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.