back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Dostojevski dhe pasoja e adhurimit të sundimtarëve – nga Agim Baçi

Gazeta

Fjodor Dostojevski - Vellezerit Karamazov
Fjodor Dostojevski – Vellezerit Karamazov

Dostojevski dhe pasoja e adhurimit të sundimtarëve

nga Agim Baçi

Në romanin “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit, mes shumë ngjarjesh e diskutimesh që të mbeten në mendje, bëhet fjalë edhe për një formë poeme, të shkruar nga Ivan Karamazovi për të vëllain e tij, Aljoshën (personazhi kryesor i romanit), ku përshkruhet një rikthim i Jezuit në këtë botë në kohën e inkuizicionit spanjoll. Megjithëse përshkruhet se Jezui vjen “pa zhurmë dhe pa rënë në sy”, nuk kalon shumë kohë pas ardhjes dhe njerëzit e njohin. Inkuizitori i madh e fut në burg. E mbyll në burg në pallatin e lashtë të inkuizicionit të shenjtë, duke e marrë në pyetje, ndërkohë që Jezui refuzon të përgjigjet. Inkuizitori i thotë Jezuit se njerëzimi është shumë i dobët për të përballuar dhuratën me emrin Liri. Ai i thotë se populli nuk kërkon lirinë, por bukën, nuk kërkon bukën hyjnore të premtuar nga Jezui, por bukën e zakonshme tokësore.
“Njerëzit do të nderojnë këdo që u jep bukë, pasi kanë nevojë që sundimtarët e tyre të shihen si zota”, i thotë Jezuit Inkuizitori i Madh, duke i treguar se mësimet e tij kanë ndryshuar që t’u përshtaten njerëzimit ashtu siç ai është. “E kemi korrigjuar bëmën tënde dhe e kemi bazuar atë mbi mrekullinë, misterin dhe autoritetin. Dhe njerëzit u kënaqën që i vunë përpara sërish si kope dhe që nga zemra e tyre u hoq barra e një dhuntie që u kish shkaktuar aq vuajtje e mundime”, i thotë Inkuizitori, teksa i shpjegon Jezuit se përse u ka hequr lirinë qytetarëve të tij.
Kjo pjesë e romanit të Dostojevskit, që i atribuohet Ivanit, revolucionarit që thoshte se “njeriu nuk duhet të ketë turp nga asgjë”, ka qenë një nga parabolat më të vështira për t’u pranuar si “logjikë normale”, por njëkohësisht edhe ndër më të fuqishmet që letërsia ka parashikuar për gjendjen e sotme njerëzore. Madje, kritikë të ndryshëm, në kohën e botimit, por edhe disa kohë më vonë, e konsideronin këtë parabolë dostojevskiane si “cinike dhe djallëzore”.
Por, a nuk jemi sot duke përjetuar dorëzimin e shoqërive përballë nevoja të përditshmërisë. A nuk jemi sot përballë faktit se shumë qytetarë janë duke falur gjithnjë e më shumë Liri në këmbim të sigurisë dhe mbijetesës? A nuk jemi sot përballë dorëzimit të shumëkujt përballë autoritetit të pushtetit, të atyre që përfaqësojnë forcën dhe paranë? A nuk kemi parë ne në këto vite se si është blerë varfëria e atyre njerëzve që, duke mos pasur as të ardhura e as shpresë se zëri i tyre do dëgjohet, kanë përfunduar në prehrin e interesave të çastit, pavarësisht çmimit qesharak, me të cilin i është blerë liria?
Por, ky parashikim i Dostojevskit për shoqëritë moderne nuk do ishte kaq i suksesshëm nëse besimi në Zot nuk do ishte shtyrë në periferi të përditshmërisë, në periferi të debatit publik. Ndaj, në roman, këtë paturpësi publike për gjithçka që bën njeriu në emrët të arritjes së qëllimeve të tij, Dostojevski ia ka atribuuar Ivanit, një personazhi që nuk besonte në Zot, që nuk druhej nga asgjë e pamoralshme dhe që bëhet fytyra e ardhshme e revolucionit, që përmbysi përmes dhunës gjithçka që ishte ngritur gjer në atë kohë, duke ndërtuar utopinë për një shoqëri ku njerëzit janë të barabartë.
“Ivanët” e sotëm të shoqërive tona, edhe pse ndoshta nuk e kanë lexuar aspak Dostojevskin, kanë kohë që kërkojnë me zë të lartë që, ata që veprojnë përmes besimit në Zot të mos jenë aktorë të debatit publik, të mos jenë në tryezat ku debatohet me çështjet e përditshmërisë, për shkollat, për shoqërinë, për tregun. Madje, këta “ivanë” kërkojnë që zëri i besimtarëve të ulë edhe më shumë volumin e të mbetet vetëm brenda kishave e xhamive e të mos kërkojë të ndikojë në atë çfarë i kërkohet shoqërisë së sotme për të ndryshuar. Këta “ivanë” në fakt janë sponsorizuarit e burgut të madh modern, ku Liria dhe Dinjiteti nuk vlejnë më.
Të tillë “ivanë” kërkojnë të ngrenë muret e së pamoralshmes që njerëzit të mos arrijnë të shohin asgjë nga ajo “ndërtesë ë besimit”, ku njeriu ende ushqehet me respektin për Lirinë dhe Dinjitetin. Dostojevski ka arritur të parashikojë zbehjen e çdo shoqërie që do t’i kthejë kurrizin besimit dhe do t’i jepet mbretërisë së nevojave të përditshmërisë. Dhe, të kërkosh sot reflektim vetëm nga ata që janë lënë në mëshirë të fatit, janë lënë pa bukë e që në vend të punësimit u është sugjeruar emigrimi, është një cinizëm i madh.
Sepse ne kemi të drejtë t’i këshillojmë të tjerët vetëm kur ndaj tyre zgjasim dorën, kur arrijmë që t’u zgjidhim përditshmërinë, e jo kur justifikojmë ata që e përdorin këtë varfëri për t’u blerë atyre të ardhmen.
…Pa “ivanët që nuk turpërohen” do kishim pa dyshim më pak “inkuizitorë” që shesin kënaqësinë e vjedhjes së tjetrit si demokraci, që mendojnë se po të kthesh në veprim normal blerjen e votës, është e moralshme.

Marrë nga muri i Fb i Agim Baçi, 18 prill 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.