Stërkëmbëthat…
tregim i pabotuar nga Mirdit Kosta
Ishin kohë kur populli do lumturohej duke ngrënë me lugë floriri, po ashtu ishin kohë ku jeta dhe vdekja, për shkak të varfërisë, përqaseshin me njëra-tjetrën. Në dhomën e vdekjes të kurbetliut, që nuk arriti të mirrte as nënshtetësinë e atdheut të tij, lëviznin rrëmujshëm shpirtra familjarësh të vdekur dhe familjarë ende shpirtpadalë.
Ishin kohë ku varfëria përsheshej kudo. Binomi varfëri-dhimbje familjare u shtang, pikërisht atëhere, kur vetë kurbetliu u kërkoi familjarëve, ta varrosnin në fshatin e lindjes. Amaneti i tij, në çast, u kthye në kufomë për familjarët. Kështu, për ta, brënda dhomës patën dy kufoma.
Ai foli me gjuhën e kurbetit, nuk foli me gjuhën e situatës, mërmëriti dikush nga familjarët.
Bregu i detit zhurmonte nga dallgët. Era vërshëllente, sikur në të t’ishte futur piskama e vdekjes. Ndërkohë sollën arkëmortin nga punishtja e drurit. Arkëmorti nuk kish lidhje fare me neologjizmën, por thjesht me arkëbërjen. Nuk i përngjante fare arkivoleve, por një arke stërgjatëshe sajuar me rripa drrasash që nuk përputheshin siç duhej. Dyshimi brodhi mendërisht në kokat e familjarëve: A do vendosej amaneti së bashku me kufomën në arkëmort? Amaneti, historikisht, duhej të zbatohej, aktualisht ishte i pamundur. Pothuajse për familjarët amaneti ish një kufomë. Djali i tij i vetëm mendonte ndryshe; amaneti nuk duhej tretur. Ditë të tjera shprese mund të vinin dhe amaneti duhej mbajtur gjallë deri athere kur ai të kish mundësinë t’i nxirrte eshtrat nga varri e t’i rivarroste ato në vendlindjen e tij. Para se të ngrysej, të nesërmen e vdekjes, mbritën dy buaj të zinj sterrë, që tërhiqnin qerren dhe qerrtarin mbi të. Ata ishin funerali. Buajt çfrynin avull, sikur përvëlonin amanetin e pa shpresë në sytë e të tjerëve. Buajt qimendritur prej djersës, kurrsesi nuk mund ta çonin kufomën në fshatin e tij të lindjes. Ky ishte funerali më i varfër i kohës: arkëmorti, i biri dhe qerrtari mbi të vetmen qerre. Askush nuk mund ta shoqëronte këtë funeral të mjerë prej disa kilometrash për tek varrezat e qytetit bregdetar. Strukur në vetmi, i biri mendohej i mbështjellë me petkun e hidhërimit, qerrtari shponte buajt me hosten, buajt qimezinj tërhiqnin funeralin. Të dy buajt qimezi, që shndrisnin nga djersa, dukeshin sikur kishin hedhur mbi vete dy pelerina të zeza të shndritëshme disenjuar nga Versaçe.
Deti e përcillte këtë funeral me ngjyra të errëta që lëshonin retë mbi të, me zhurmën qaramane të dallgëve, me fishekzjarre shkreptimash që retë lëshonin në horizont. Një përcjellje të tillë magjike ia dhuronte natyra. Djali i viktimës nga magjia e detit mori vetëm kripën. Kjo i interesonte, nga që i duhej si konservant, për ta shpëtuar amanetin nga tretja. Ashtu siç ruan kripa turshitë, do ruhej edhe amaneti në kujtesë.
* * *
Dheu argjilor i varrezave e kish kryer tretjen e kufomës. Por edhe shqetsimi që të sillte amaneti rritej dita ditës. Djalit të vetëm, si në ethe, i bëhej natën në gjumë sikur dilnin të vdekurit nga varri, i trokisnin në xhamin e dritares dhe me zë skëtere ulurinin: aaamanetin, amaneeetin. Mbytur në shqetsime të tilla, vendosi çvarrimin. Meqë kish mbledhur ca lekë, i bindur se do t’i dilnin, shkoi në varrezat e qytetit bregdetar për të çvarrosur të jatin e ta niste për në fshatin e lindjes. Këtë rradhë arkëmort iu bë një arkë gozhdash e boshatisur gjetur në dhomën e varrmihësve, që iu shërbente atyre si ndenjëse. Varrmihësit i nxorën eshtrat nga varri, i vendosën në këtë arkë boshe të ndodhur, e kështu u nisën për tek qyteti liqenor. Aty ndalën. Arkëmortin e ndali zona kufitare e fshatin të lindjes, që nuk mund të kalonte pa lejen e degës së brendëshme. Përkohësisht, eshtrat së bashku me arkën, u lanë tek fisi i tij, që kohë më parë kishin zbritur nga fshati malor për tek qyteti liqenor. Dikur qyteti mbante dhi dhe banorët kishin pajtuar një çoban që i kulloste. Më vonë u hoqën dhitë, u ndalua mbajtja e tyre në qytet. Në haurin e dhive tani, provizorisht, u vendos arkëmorti me eshtrat e çvarrosur në pritje të një leje varrimi në fshatin e tij të lindjes.
* * *
Ishte koha kur sigurimsat ngulnin këmbë, me betim partie, që stërkëmbëthat e tyre ishin të padukshme. Vetë jeta ishte pyll i dendur me stërkëmbëtha. Në stërkëmbëtha përfshihej semantika e tyre deri në metaforën më të skajshme. Larmia e figurshme që të servirte stërkëmbëthi e bënte atë më të preferuarin e sigurimsave. Padukshmëria për ta ishte kamuflim i fakteve të pa vërteta në të vërteta, i zgjidhjeve në sorollatje pa fund deri në plasje të shpirtit.
Kur eshtrat mbrritën në qytetin liqenor, fisi në fshatin kufitar, në varrezat e këtij fshati, hapi varr për eshtrat. Gropa e varrit mbeti e hapur prej ditësh nga që eshtrave po u vonohej dhënia e lejes nga drejtoria e punëve të brendëshme. Vetë eshtrat e nuhatën hapjen e varrit, nga fisi i tyre, në vendlindje ku kurbetliu u rrit deri në prag të kurbetit. Në brendi të eshtrave pati një shkundje tërmeti që i bëri ato pjesmarrës në ngjarje. Vonesa e rivarrosjes u bë ankth i përbashkët i familjarëve dhe i eshtrave. Kurbetliu gjithmonë kish qënë ngulmues, e tani që ia dha zgavra e trurit, vendosi të ngrihej në këmbë si skelet. Do bënte një akt vetvarrimi. Duke qënë se gropa e varrit ishte hapur, do hidhej brenda saj, e aty skeleti do shkërmoqej nga hedhja. Ishte i sigurtse fisi i tij i dashur nuk do ta linte në qiell të hapur, por do ta mbulonte me dheun e vendlindjes. Natën vonë, kur në përralla ngjalleshin lugetërit, u organizuan eshtrat e shqetësuar siç organizohen qelizat në krijimin e foshnjes, që secila merr drejtimin e duhur dhe zë vendin e duhur në krijimin e organeve, ashtu dhe eshtrat krijuan skeletin jashtë arkëmortit. Dhe u nis kurbetliu, i tëri në eshtra, me çapin e tij të madh prej malsori, drejt varrit të hapur në fshatin e lindjes.
Hafiet e vunë re dhe lajmëruan qendrën: Alo, jam dhelpra, skeleti me nënshtetësi të huaj u nis drejt fshatit kufitar. Qendra iu përgjigj: Futjani stërkëmbëthin!
Dikush lajmëroj, që në të dalë të qytetit liqenor, në një baltovinë kish të shpërndarë eshtra njeriu. Familjarët u sulën tek hauri i dhive. Aty panë arkën bosh me kapak të hapur. U vunë në ndjekje të eshtrave. Dielli shndriste çdo gjë të bardhë mbas një rrebeshi që sapo kishte qënë. Në baltovinë dalluan eshtrat e shpërndara. Ato dukeshin si gëzhojat e një lufte të pa kuptimtë. Për nga perimetri i madh i shpërndarjes së tyre, dukej që stërkëmbëthi ka qenë i egër. Gjurmë stërkëmbëthi nuk dukej nga që e kishin fshirë. Familjarët i mblodhën eshtrat, i futën përsëri në arkë dhe e lidhën atë me tel bari, që ato të mos dilnin më. Ndjemë keqardhje për këtë burgosje eshtrash. Akoma më i madh ishte pikëllimi kur u detyruam t’i rivarrosnim përsëri në qytetin bregdetar, shumë larg vendlindjes së tij.
* * *
Nuk kaluan shumë kohë dhe byroja e fshatit vendosi spostimin e varrezave. Nga që ish fshat i krishterë dhe varret plot me kryqe, u dukeshin atyre si kryqtarë të një kryqzate betejash fetare. Në varret e reja ndaloheshin shenjat fetare. Varret e vjetra u mbollën me bimë arrore. Në gropën që kish mbetur e hapur, pa varr, u mboll fidani i njeriut të Ri.
.