back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Kujtimit, me dashuri motre… – nga Pertefe Domnori Leka

Gazeta

Pertefe Leka - Domnori & Kujtim Domnori
Pertefe Leka – Domnori & Kujtim Domnori

Kujtimit, me dashuri motre…

nga Pertefe Domnori Leka

Sot që po shkruaj nuk do të thotë se do ta personalizoj dhimbjen për humbjen e vëllait. Kjo ka pikëllue jo vetëm familjen tonë dhe farefisin, po edhe miqësinë e të njohur. Për mua ka një veçanti, se pas largimit të prindërve instinktivisht kisha marrë drejtimin e motrës madhe për të ruajtur harmoninë e trashëguar. Prandaj ndiej detyrimin shpirtëror për vete e për të tjerë t’i kujtoj disa momente nga jeta e engjëllit tonë.
Duke pasë një edukim të përbashkët me prindër humanë që kishin prioritet harmoninë familjare, edukimin shkollor, mikpritjen… ndiej nevojën të kujtoj disa momente nga jeta e vëllait të dashur ku nëpërmjet tij shfaqet edhe trashëgimia më e mirë prindërore dhe kjo lidhje ma ofron prezencën me kujtimet e tij në këto momente të trishta. Kërkoj ta zbus dhimbjen me disa ndodhi që mund t’i kishin marrë jetën më parë. Kishte një ndërgjegje të lartë pune, ishte i gatshëm në çdo moment kur e lajmëronin të zgjidhte problemet e çastit. Njiherë e lajmëruan dhe u nis në terren mes shiut dhe vetëtimave me çadër pa elektrik dore. Në një moment telat e çadrës iu skuqen nga një shkarkesë e rrufesë. Kujtimi nuk pësoi asgjë… kur folëm më tha: “Motër më shpëtoi Zoti, – dorza e çadrës prej druni. – Tashti e mendoj po sikur t’i kishte ndodhur atëhere… apo sikur t’i kishte ndodhur kur ra makina në lum me dy inxhinierët shokët e tij me të cilët do të udhëtonte, por e ndaluan për punë…”
Ngjarje shumë e hidhur për tim vlla, që e përjetoi shumë keq dhimbjen e shokëve… këto e shumë të tjera i kujtoj… Po sikur!! Po sikur!!
Kujtim Domnori ndërroi jetë me 4 Prill 2023, por gjallninë dhe punën e tij me dinjitet do ta shprehim me gojë, me shkrim, me shpirt, sepse asht i strehuem në thellësi të qenies tonë.
Emri me të cilin u pagëzue im vëlla, tani u kthye në Kujtesë për shembullorin punëshumë.
Rrallë kush mund të ketë histori të veçantë në zgjedhjen e emrit, ashtu siç e kishte, vëlla i dashtun.
Kujtimi nuk lindi në vendin e origjinës, Shkodër.
Ai lindi me 17 Maj 1947, në Allejbegi, Dibër.
Fill mbas mbarimit të luftës babën (Jahja Domnori) e emnuen larg familjes, sepse nuk u antarësue me ata që po banin kërdinë me ajkën e inteligjencës shkodrane. Ishin kohë shumë të vështira për të mbijetuar, por baba me një besim të patreguem në dhjetorin e egër të 1946 erdhi në Shkodër mori nanen të ngarkueme në pritje të djalit dhe mua, pa mbushë 5 vjeç. Peripecitë e atij udhëtimi, me ura të hedhuna në erë, të zëvendësueme me trap, me mjete udhëtimi ma shumë me kafshë se me makina në rrugët me borë të ngrime kanë mbetë të gjalla në memorjen time. Në familjen e mikpritësit Kadri Demirit, Kujtimi erdhi në jetë në Majin e gjelbëruem e të përtëritjes së gjallesave. Gëzimi që ai solli në atë familje u përhap shpejt “mësuesi u ba me djalë”!
Doktori që erdhi nga Dibra e Madhe me maminë për të asistue në lindje, përveç shërbimit mjekësor, banë edhe urimin e rastit: Djali ka lindë me emën, e keni Kujtim nga Dibra…
Kanë kalue ma shumë se 75 vjet dhe nuk u harruam, me ata njerëz të mirë, por mbetëm miq të sinqertë. Kujtimi kur u rrit i vizitonte dhe pritej si Djali i shtëpisë.
Ishin të parët Gjurani e Demiri me vllazën (djemtë e Kadri Demirit) që erdhën për ngushëllim, deri në përcjellje… Dedikimi i Demirit për si vllaun e filloi shkrimin “Kujtimi lindi në shtëpinë tonë…” Kjo zgjoj kurreshtje dhe krenari për ruajtjen e miqësisë ndër dekada ..
Kujtimi, im vëlla kur mbaroi Universitetin.

Lule-vile në shtëpi të Domnorëve
Lule-vile në shtëpi të Domnorëve

Ishte inxhinieri i parë që filloi punën si drejtor në kantierin e Fierzës, ku do të ndërtohej hidrocentrali i dritës. Atje u bashkue me punëtorë të mirë që shumë prej tyre ia dërgonte nga fshati i lindjes, i zoti i shtëpisë, miku Kadri!
Njerëzit që punonin në hidrocentral filluen ta njihnin edhe si Dibrani. Në të vërtetë kishte detyrën e drejtuesit, por nuk dallonte në ndërtim e sipër nga punëtorët, zelli i punës e rrëmbente dhe bahesh njësh me to.
Kishte krijuar një shoqeri, me shumë shokë që nga jeta studentore, në punët shtetërore sidomos 10-vjeçari në Fierzë dhe më tej… por kënaqësinë e kishte kur vinte në Shkodër nga Fierza. Më çonte fjalë “motër po nisem” dhe mblidheshim në folenë e ngrohtë prindërore edhe me vëlla Irfanin dhe motrën Ehsen. Ishin vite që takoheshim me mallë e dashuri. Distanca kurrë s’u ba pengesë për ne, përkundrazi na afroi edhe ma shumë. Kujtimi dallohej në gjithë rrethin familjarë, që frekuentonte sistematikisht edhe kushërijtë jo vetëm me raste, por edhe me takime të veçanta.
Lidhja për martesë me Belën, studentën e stomatologjisë që e ushtroi profesionin në Shkodër, krijuan së bashku një familje shembullore, e zgjeruan edhe më shumë rrethin miqësor dhe familjar. Edhe pse patën vështirësi me djalin e parë, nuk u shfaqen kurrë të mërzitur, së bashku iu përkushtuan për ta ba djalin të jetojë me dinjitet ashtu siç e meritonte.
Kujtimi me humor e naltësonte: “Valdrini asht Dielli, ne jemi satelitët e tij…”
Gjithmonë delnin së bashku. Ishin një tresha e pandame: Kujtim, Bela, Valdrin! Djali ishte ba gjymtyrë e trupit tyre. Ishte çifti më i dalluem që me një përkushtim shpirtëror, njerëzor, përpara çdo vështirësie, vunë bazat e një familje të kristalizume.

Trashigimtarët e Kujtimit, Jahja dhe Arbër,  në oborrin lulishte të Gjyshit.
Trashigimtarët e Kujtimit, Jahja dhe Arbër, në oborrin lulishte të Gjyshit

***

Djali tjetër Eltoni qysh fëmi u ba krahu i djathtë, i vëllaut ma të madh. Ai pa u rritë mirë, e shoqnonte në shkollë vëllanë e pamundun me një maturi prej të rrituni. I habiste njerëzit të cilët e vlerësonin urtësisht “sikur asht plakë njiherë ky djalë!!”

I dalluem kudo në shkollë e në punë arriti suksese duke shpërndarë ditunitë në sistemin universitar në shkencat kompjuterike, pa u shkëputun njëherë nga kujdesi për familjen. Ishte rast i rrallë, kërkesa e Kujtimit drejtue Eltonit për t’u kthyer në Shqipni, ishte e habitshme.
Për studentin e doktoraturës, nuk ishte e lehtë të sakrifikonte postin e pedagogut universitar në Modena Itali, gja që binte ndesh me kërkesat e rinisë së kohës, por Djali u bind, jo verbnisht, por me besim se do ta ushtronte profesionin në universitetet e vendit vet dhe do të ishte pranë familjes me kushtet specifike që kishte.
Kështu iu mbush shtëpia vlla Kujtimit. Natyrshëm i erdhën gëzimet.
Raportet e mira me nusen e djalit, Blerinën dhe dy nipat, Jahja dhe Arbër e banë me krahë.Me humorin dhe modestinë që e karakterizonte, shkrihesh me ta luante dhe qeshte si fëmijë. Si gjithmonë i palodhun vizatonte dhe ndërtonte me vogëlushët kala me kuba sa ata filluen ta quenin “Gjysh Ndërtuesi”. Unë kënaqesha kur m’i tregonte. Për mua ishin orë mësimi për fëmijët
me qëllim të mirë, për t’ju dhanë edukatën e punës, që kur të rriteshin të mendonin para se të ndërtonin të ardhmen e tyre. Na ka emocionue dedikimi i Blerinës, (nusja djalit)
“Vajza lind ne shpi te huaj e shkon ne shpi te vet” me këto fjalë ma hape derën e shtëpisë dhe zemrën tënde. Me fat që fëmijët e m’i patën një gjysh si ti! Ndjekshin shembullin tënd e u bëfshin punëmirë, modestë e me zemër të madhe! Do na mungosh Gjyshi…!

Lule-vile te porta të Domnorëve
Lule-vile te porta të Domnorëve

Kur fola me video me vllanë, para shtrimit në spital, e gjeta tuj ba vizatime me fëmijët. Unë e pyeta me gjuhën e fëmijëve: Gjyshi si je – m’u përgjigje me zë të marrun – jam gjysh i keq – por fëmijët iu hodhën në qafë – e s’i ndaheshin me shprehjen e sinqertë të tyre: – Je Gjyshi më i mirë në botë!
Për mua ishte hera e parë që ndigjoja vëllanë e dashur të shprehte lodhje, kurrë nuk isha përballue me një pamje të tillë sepse kishte kalue shumë situata shëndetësore të vështira, por nuk e kishte ndërpre aktivitetin. Kjo më përforcoi mendimin për te se “Ai kishte mbijetuar duke punue.” “Edhe pse ishte i vetëdijshëm për botën fizike të përkohshme, s’ndalej për ta ndryshuar… për të lanë një botë të pavdekshme. Vetëm pasojat e Covidit ia prenë fuqinë Kur e pa veten se po i shterronin energjitë filloi të përsëriste fjalët e babës “Kur vdekja të bahet ma e amël se jeta…!”
E kishte në gjak dëshirën për punë. Nuk mund ta konceptonte jetën pa punë. E kujtoj kur ishte i vogël, 10 vjeç i shkonte babës mbrapa, në kopësht, te krasitja, te shartimet, te degët e thata, te lulet, te meremetimet… Kur u ba madhor s’rrinte rehat, rikonstruktoi shtëpinë e vjetër me shumë mundime, edhe pse ia shembën me urdhna verbale që “i ra plani” i morën edhe bahçen si të babëzitur, por Ai nuk hoqi dorë nga ndërtimi. Në pjesën e oborrit që mbeti ngriti një shtëpi të vogël për të jetuar, edhe pse humbi apartamentin shtetëror, vetëm që mos të ndahej nga trualli i prindërve dhe për djalin e pamundur të kishte pak hapsinë me lëvizë. Për ne ishte kënaqësi e madhe, që mbajti të hapur derën e babës, aty ku ishim rritur. E gjelbëroi çdo cep të oborrit me shumë ngjyra Lule Vila mori përmasa, kaloi mbi derën e jashtme dhe i dha aromë gjithë rrugicës.
Ishte i lidhun me Shkodrën si asnjë tjetër, edhe në momentet e fundit, artikulonte me vështirësi “më çoni në Shkodër”, aty donte të mbretnonte në banesën e fundit, dhe ashtu u ba.
Kolegia e tij inxhinjeria e mirënjohur znj. Zenepe Dibra në dedikimin, si arkitekte e fjalës në shumë librat e saj të botuar, shkruante ndër të tjera: “…Biografinë e Kujtimit e kam në librin “Qyteti që lindi nga një Kështjellë, histori ndërtimore e Qytetit të Shkodrës” për të kuptuar veprën e tij jo vetëm familja dhe trashigimtarët e tij, por edhe për t’ju bërë të njohur autoriteteve lokale dhe qëndrore që kurrë nuk i vlerësuan herojtë e ndërtimit të veprave që janë ngritur në Shkodër dhe sakrificat e punës tyre në veprat hidro-energjitike të vendit.
Kujtim ti i le Shkodrës, ashtu si e ke emrin, kujtimin dhe opinionin e njeriut të mirë e punëtor…!”
Vlerësimin e munguar nga autoritetet, siç e pohonte kolegia e tij, Zoja e nderueme Zenepe Dibra, e mori ditën e Përcjelljes Madhështore për në banesën e fundit, nga qytetarët e Shkodrës. Miq, shokë e kolegë… secili sipas mënyrës së vet plotësuan me fjalë të urta imazhin e Kujtimit të Dalluem dhe me një mal me lule e kunora e dekoruan…
Për mua, Pertefen, për vëllanë Irfanin dhe motrën Ehsen asht e vështirë për ta menduar dhe aq më e randë për ta përjetuar largimin e tij fizik.
Po me dashni vllaznore në shpirt kemi rezervuar prezencën e të shtrenjtit tonë të paharruem që e shfaqim në biseda familjare e kudo… Familja e tij harmonike që la asht një çerdhe e ngrohtë që na atrakton dhe e plotëson sadopak mungesën e tij:
Shoqja e jetës, Bela, që i qëndroi pranë dhe në sakrifica për gati një gjysëm shekulli, Valdrini i urtë që diti ta nderojë babën e vet, djali i ditur Elton, fjalë pak e punë shumë, nusja Blerina me fëmijët Jahja dhe Arbër që e deshën shumë “Gjysh Ndërtuesin” do ta ndiejnë më shumë mungesën; por si gjithmonë do të na mbajë të lidhur Fryma Përbashkuese që la Kujtimi…
Vëllai prehet i qetë me prindërit
Motra me mall…
Pertefe Domnori Leka

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.