back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Zotni Izet Bebeziqi – nga Rrok Ndoja & Fatmira Allmuça

Gazeta

Izet Bebeziqi në rininë e tij
Izet Bebeziqi në rininë e tij

Zotni Izet Bebeziqi

nga Rrok Ndoja

Ka qenë viti 1959 kur për herë të parë kam shkelë në derën e bibliotekës së Shkodrës (të vjetrës), i shoqnuem prej vllaut tem Lazrit që ishte antarsue si lexues nja dy-tre vjet ma parë.
Moria dhe larmia e librave në atë vend magjik më impresionte pa masë, prandej edhe e frekuentoja me qejf. Shumë emocione kemi përjetue si fëmijë aty, qysh prej gëzimit kur merrnim në dorë librin e ri të rradhës, që mezi pritshim me e shfletue sa të shkojshim në shpi, tek konkurset për t’u çertifikue si “Mik i vogël i librit”, etj…
Veç këtyne mue më ka mbetë i skalitun në memorje portreti i punonjsit që na shërbente aty, zotni Izetit (Bebeziqit, – mbiemnin ia kam mësue ma vonë). Në përceptimin e parë nga pamja ne na u dukte i vjetër e disi i lodhun, por llogaritë dalin se asokohe ai nuk ishte mbi 54 vjeç dhe në punë shfaqej i papritueshëm e i palodhun. Kushtet për atë pozicion pune ishin të vështira, jo vetëm për synin e sotshëm. Vendi i ngushtë, librat të vendosun në rafte të nalta. Për t’i tërheqë dhe për t’i rivu në vend duhej me u ngjitë e me zbritë me shkallë. Për çdo libër, nji gjimnastikë e vërtetë. Ndërkohë fëmijtë aty vinin si bletët…
Zotni Izeti, kur i jepte ndonji lexuesi të zellshëm nji libër, të cilit i ishte damtue paksa kopertina ose shpina, e porositte atë që ta riparonte me kujdes, tue i dhanë edhe udhëzimet përkatëse (personeli ishte i kufizuem). Kur merrte në dorëzim nga lexuesi librin, i shkonte nji kontroll të përgjithshëm atij dhe, po të konstatonte ndonji damtim, e qortonte rreptë shpërdoruesin dhe ndonjiherë me të drejtë merrte masë. Kur ti i tregoje numrin e kartelës p.sh. 125, ai përsëritte me vedi “einhundert-fünf-und-zwanzig… einhundert-fünf-und-zwanzig…” për të mos e harrue gjatë kërkimit në skedarin e kartelave. Ne na bante përshtypje zotni Izeti, që fliste aq natyrshëm gjermanisht dhe sa lezet i kishte!
Megjithëse ishte natyrë serioze, ndodhte që ngacmonte lexuesit e vegjël me ndonji pyetje që kishte lidhje me mbrendinë e librit përkatës, si: “A e pe çka të ban rrena?!” (për dikë që po dorëzonte “Pinokun”). Po kështu lexuesve që vinin me dorëzue librat, si “Zemra”, “Kapiteni 15 vjeçar”, “Aventurat e Tom Sojerit”, “Aventurat e Hekelber Finit”, “Liza në botën e çudinave”, “Përralla” të Andersenit etj.., u bante ashtu kalimthi ndonji pyetje “provokuese” ose u hidhte ndonji batutë substanciale rreth përmbajtjes a mesazheve mâ të randësishme. Të gjitha këto me koncizitet, pa ulë ose frenue rritmin e punës.
Vonë, ma saktë në vitet ‘90, kam mësue se zotni Izeti nuk kishte qenë nji njeri i zakonshëm. Ai kishte ndjekë në Austri qysh në moshën 13 vjeçare shkollën e mesme dhe mandej studimet e nalta për filologji (student i albanologut të njohun Norbert Jokli). Njihte 11 gjuhë të hueja të lindjes e të perendimit, klasike e të reja. Kishte qenë profesor në Shkollën Teknike të Tiranës, në Tregtaren e Vlonës, në Gjimnazin e Korçës, arsimtar në Pejë etj., publicist (bashkëpuntor tek “Kombi”, “Hylli i Dritës”, “Kultura Islame” etj.), studiues letrar (me artikujt për Crispin, De Radën, Santorin, Seremben), po ashtu edhe përkthyes. Pra, nji njeri erudit dhe me kontribute. Kishte miq Eqrem Çabejn, Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Mitrush Kutelin etj. që ishin pjesë e elitës kulturore e shkencore të kohës. Kishte qenë antifashist, por që s’kishte pranue bashkëpunimin me komunistat. Për këtë nga fashizmi ishte internue për disa vjet në Ventotenne, krahas të mirënjohunve Llazar Fundo, Tahir Dizdari, Myzafer Pipa, Zef Mala, Abaz Ermenji, Loni Kristo, etj… Aty ka pasë rast me njoftë Sandro Pertinin, – ma vonë president i Italisë, – me të cilin ka lidhë miqësi dhe ka pasë marrëdhanie korrespondence. Mbas vendosjes së pushtetit komunist asht arrestue nga Sigurimi i Shtetit dhe dënue me shtatë vjet. Për integritetin dhe karakterin e tij asht emblematike përgjegjja që i ka dhanë ballë për ballë Mehmet Shehut, kur ky e pat provokue: “Zoti Kryeministër! Jam shumë mirë në burg, nuk kërkoj asgjâ prej jush!”
Nji kapacitet si profesor Izet Bebeziqi duhej të vlerësohej dhe të shfrytëzohej ndryshe, por ai regjim i refuzonte dhe i shtypte kalibrat e tillë. Mjerisht, sa e sa të tjerë njerëz të çmueshëm të Shkodrës janë trajtue kësisoj ose edhe mâ keq…
Pushoftë në paqe, zotni Izeti, dhe u kujtoftë me nderimin që meriton!

Izet Bebeziqi dhe Fatmira Allmuça
Izet Bebeziqi dhe Fatmira Allmuça

Izet Bebeziqi ndër mentorët e mi të bibliofilisë

nga Fatmira Allmuça

Pasi brenda një kohe të shkurtër u bëmë frekuentues të rregullt të saj (bibliotekes publike në Shkodër) falë edhe mirëpritjes dhe ndihmës së kualifikuar të dy bibliotekarëve, që shërbenin aty, Izet Bebeziqit dhe Teufik Gjylit. Et’hem Bakalli do të na tregonte se Bebeziqi nuk ishte thjesht bibliotekar, por një studiues që kish kryer studimet albanologjike në Austri, nxënës i Joklit, poliglot dhe i njohur në shtyp për artikujt studimorë mbi letërsinë arbëreshe…
Frekuentimi i bibliotekës nuk do të ishte një marrje-kthim i thjeshtë librash, por ai do të kthehej në një bashkëbisedim aq të dobishëm për letërsinë e dijen në përgjithësi. Nuk do ta harroj erudicionin e pasur të Bebeziqit, formimin e tij intelektual dhe gatishmërinë fisnike për të na ndihmuar ne dy gjimnazistë të panjohur. Merret me mend se sa inferiorë e ndjenim veten, herë-herë dhe të turpëruar, përpara kulturës dhe dijes së tij, që na linte pa gojë. Ai jepte e merrte në 10-12 gjuhë dhe fillimisht na rekomandoi të lexonim libra në gjuhë të huaja, sidomos në rusisht, të cilën ne sapo kishim filluar ta mësonim në shkollë. Kur konstatoi se porositnim vetëm libra shqip, atëhere, edhe pse vazhdoi të na shërbente me mirësjellje, i kufizoi raportet me ne.
…Ia di për nder Izet Bebeziqit, që më rekomandoi vepra të shquara të letërsisë së huaj të përkthyera nga autorë shkodranë, si Të fejuarit e Aleksandër Manxonit, përkthyer nga Mark Harapi, Quo Vadis të Sinkjevicit, përkthyer nga Vinçenc Prenushi, Hermani e Dorotea të Gëtes, përkthyer nga Lazër Shantoja, disa këngë nga Iliada e Homerit përkthyer nga Frano Allkaj etj…
…Lidhjet e mia me bibliotekën u bënë të tilla që dija kur hyja, por nuk dija kur dilja. Bebeziqi dhe Gjyli u bënë mentorët e mi të bibliofilisë e bibliografisë duke më futur e orientuar në universin e librit. Ata u përpoqën të më jepnin disa mësime praktike të raportit tim si lexues me librin duke filluar nga zgjedhja e tij, si të pozicionohesha kur lexoja, praktikën e nënvizimeve, si të hartoja skedat e studimit, si të mbaja shënime në fletore etj. E tëra kjo do të ishte një shkollë, që unë e bëra vetëm disa metra larg gjimnazit.

Marrë nga Muri i FB “Gegnishtja”, 18 prill 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.