back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Tmerr dhe panik në kryeqytet: 13 tetor 1943 Bombardimi i Tiranës nga aviacioni britanik – nga Hasan Bello

Gazeta

13 tetor 1943 -Bombardimi Anglez mbi Tiranë
13 tetor 1943 -Bombardimi Anglez mbi Tiranë

Tmerr dhe panik në kryeqytet: 13 tetor 1943

Bombardimi i Tiranës nga aviacioni britanik

nga Hasan Bello

Në librat e historisë para dhe pas viteve 90-të pothuajse nuk përmendet aspak tmerri dhe paniku që përjetuan banorët e Tiranës më 13 tetor 1943. Kjo për disa arsye.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë më 13 tetor 1943? Përse nga banorët dhe shtypi i kohës ajo u quajt si kasaphana e Tiranës?
Në shtator të 1943, ushtria italiane kapitulloi. Më 14 shtator, një Komitet Ekzekutiv i Përkohshëm i kryesuar nga Ibrahim Biçaku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë. Forcat gjermane, shumë shpejt morën nën kontroll territorin shqiptar. Megjithatë, nuk kishte asnjë arsye ushtarake që Tirana të bombardohej në këtë moment.
Por në orën 13:15 të 13 tetorit 1943, një skuadrilje avionësh britanikë përshkruan kryeqytetin duke bombarduar dhe mitraluar lagjet kryesore, si Tirana e Re, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, sidomos lagjen rreth aeroportit etj. Bombardimi nuk kurseu as Strehën Vorfnore ku strehoheshin jetimët.

Gazeta Kombi - Tetor 1943
Gazeta Kombi – Tetor 1943

Pas bombardimit kryeqyteti ngjante me një kasaphanë. Të vdekurit dhe të plagosurit shtriheshin në rrugë. Shtëpi që digjeshin, kuaj dhe bagëti të vrarë shihje gjithandej. Ata që shpëtuan vraponin nga paniku. Në fillim dyshohej për 500 viktima. Shtypi i kohës akuzonte britanikët për bombardimin e popullsisë dhe lagjeve civile. Sipas tij, koha e mirë i lejonte ata t’i dallonin objektet ushtarake me sy të lirë. Por kjo ishte bërë me qëllim për të krijuar një klimë terrori te banorët dhe për t’i treguar atyre për pasojat që do të kishin nëse nuk konformoheshin me interesat britanike.
Sipas të dhënave paraprake, të botuara në organet e kohës bëhej fjalë për 130 të vrarë dhe 350 të plagosur, të cilët lëngonin në spitalin e Tiranës, qendrat shëndetësore ekzistuese ose të improvizuara aty për aty. Kjo do të skalitej si një nga ditët më të zeza për kombin shqiptar.
Në shtypin e kohës u botuan emrat e viktimave dhe të plagosurve, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin fëmijë të të gjitha moshave apo banorë me moshë relativisht të re.
Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm i drejtuar nga Ibrahim Biçaku, në mbledhjen e 17 tetorit 1943 vendosi të krijonte një komision të posaçëm, i cili do të merrte masa për mbrojtjen anti-ajrore dhe për popullsinë e dëmtuar prej bombardimeve.
Shoqëri dhe tregtarë të njohur, intelektualë dhe nëpunës të kryeqytetit u angazhuan për mbledhjen e donacioneve për të ndihmuar financiarisht dhe me të gjitha format të prekurit. Një solidaritet i madh u vu re tek të gjith banorët.
Fatkeqsisht, për viktimat në fjalë as pas 1944 dhe as pas 1991, nuk flitet aspak.

Bombardimi Anglez - nga Fiqiri Llagami
Bombardimi Anglez – nga Fiqiri Llagami

Çfarë ka thënë Radio Londra më 13 Tetor 1943…

Në arkivat e BBC, vështirë të jetë ruajtur zëri i Tajar Zavalanit, komentatorit të asokohe në radion londineze, i cili ka folur atë 13 tetor ’43. Megjithatë nuk mungojnë dëshmitarët që kujtojnë të kenë dëgjuar Zavalanin në mesditë, ku ka lajmëruar se skuadriljet e Flotës Aleate të Mesdheut bombarduan avionët luftarakë të armikut në Tiranë. (Për armik Radio Londra kishte parasysh gjermanët, të cilët në fakt nuk kishin kurrfarë mjetesh luftarake, aq më pak avionë në Tiranë, atë kohë. I vetmi avion i dëmtuar nga bombardimi, u përkiste italianëve, që tashmë kishin kapitulluar, dhe ndodhej i braktisur jashtë hangarëve të fushës së aviacionit). Ndërsa në mbrëmjen e po asaj dite, Zavalani në Radio Londra, – sipas dëshmisë së Haki Arbanës, – ka lajmëruar se avionët e armikut qenë shkatërruar, por për fat të keq, sulmi i aleatëve kishte dëmtuar edhe popullsinë civile, së cilës i kërkohej falje. Arbana ngulmon të ketë dëgjuar gjithashtu se popullsia është goditur pa dashje, pasi pilotët kishin gabuar përcaktimin e distancës së objektit, ngaqë kishin qenë të pirë. Ky është një fakt që nuk mund të merret si i mirëqenë, e megjithatë, të dehur, apo esëll, me dashje, apo aksidentalisht, aleatët më 13 tetor ’43, shkaktuan një kasaphanë.
http://www.panorama.com.al

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.