Nata, 17 Maj 2020
Poezi nga Stefan Çapaliku
Teatri vdiq si i kishte hije,
Në skenë, jo diku tjetër…
Edhe pse ishte natë.
Nuk asht luejtë kurrë një tragjedi a komedi
me ma shumë aktorë në të.
Qenë rrumbullak 800 policë,
që ia vunë shqelmin në fyt,
thue të kishin pa të gjithë në teatër, sesi vritet një hero,
Njenin prej policëve e njoh.
Ai më tha se kishin qenë më pak.
I besova, se e kisha pasë spektator,
natën që pata vue në skenë “Hamletmakinën”.
Dukej zotni atë natë
me të fejuemen në të djathtë.
Më pyeti të nësermën nëse do jepej prapë,
por i thashë se e nesërmja qe anullue.
Ka vetëm të sotme.
Prandaj polici me numër devize 2314
mbeti i pakënaqun atë natë,
Sepse Teatri nuk kishte pasë diçka të përgatitun për “biz”.
Nuk pati kohë për një solo të fundit.
Jo se i mungonte teksti,
porse ca tipa dashamirës, kllounë revolucionesh,
kishin humbë maskat në nxitim e sipër.
Megjithëatë mizanskena gjithsesi u respektue.
Nga sytë e teatrit doli gjak në formë shtyllash të kuqe
projektorësh mjeranë.
Konferencieri i kapun për krahësh arriti të shqiptojë vetëm:
Shplajeni vrasjen nga fytyra Princat e mi
dhe bani një fytyrë të qeshun për Danimarkën e Re.
Stefan Çapaliku, Tiranë, 18 Maj 2020