Një rrëfim për babagjyshin në përvjetorin e lindjes
nga Merita McCorm
Më 15 Maj 1911, lindi babagjyshi im Nevruz Bajraktari në fshatin Cangonj, fshati i parë që shënon hyrjen në Devoll, kur shkon nga Korça për në Bilisht e pastaj në Greqi.
Gjyshi im kishte edhe një vëlla tjetër, por që vdiq i ri, një ditë pasi u kthye nga SHBA, ku shkonte e vinte për punë.
Kështuqë gjyshi im mbeti djalë i vetëm, mes motrave që e donin shumë.
Në fillim të viteve ’30, ai u martua me gjyshen time Sabrijen, nga fisi Spahillari në Zvezdë.
Para luftës, të dyja familjet, si në Cangonj edhe në Zvezdë, e investuan pasurinë dhe blenë pasuri si tokë e ndërtime. Në emrin e gjyshit tim njihen disa vende dhe një kodër në fshat.
Unë jam rritur me tregime se si stërgjyshërit dhe gjyshërit e mi blinin tokë me florinj, sepse nuk zhduket ajo pasuri thuhej…
Gjyshi im ishte fëmijë kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, dhe 33 vjeç, i martuar me dy fëmijë, kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore dhe kishte të trashëguar shtëpi e katandi, vënë me djersë.
Ai ishte punëtor i jashtëzakonshëm. Punonte tokën, merrte punëtorë për ndihmë dhe i shpërblente mirë.
Gjyshi e refuzonte ideologjinë komuniste dhe fliste hapur kundër metodave kolektive.
U trishtua kur ia morën me forcë tokën, vreshtat, pemtoret, pyllin dhe bagëtitë që i kish trashëguar.
Ia morën edhe grurin nga hambarët edhe katin e dytë të shtëpisë.
Por më së shumti i vinte keq për mënyrën se si trajtohej “gjëja e përbashkët”.
E mbaj mend se si ai kujdesej për natyrën, bagëtitë e tokën. Kur shihte se bagëtitë shkonin për ujë ai pastronte gurët nga rruga, u pastronte thundrat, ju çonte ushqim ekstra dhe kur ne qeshnim me këto akte, ai na thoshte se “bagëtia nuk e di në ka kooperativë… bagëtia do zot!”
Kur e shihte se moti do prishej e do bënte ngricë, u fliste drejtuesve të kooperativës të mbulonin bimët në farishte. Ai me të vërtetë kish dhembshuri për krijesat e Krijimin.
Mbaj mend se si na mësonte ne fëmijëve se çfarë bime ishte më e mirë për bagëtinë e çfarë duhej evituar.
Ne qeshnim…
Na thoshte t’i mblidhnim thërrimet e në mos i hanim vetë, tua jepnim zogjve!
Ai ishte me të vërtetë një fermer bio, që Partia e quajti reaksionar…
Natyrisht tani, unë kujtoj çdo mësim e kujdes dhe them:
Paskam qenë e bekuar që kam pasur një gjysh që manifestonte karizmën françeskane….
Njeri më të dhënë pas kujdesit për gjithçka nuk kam parë…
Babagjyshi vuajti nga një sëmundje që i zgjati disa vite dhe më 1976 ndërroi jetë.
Ditën që vdiq drejtuesit e pushtetit vunë altoporlantin me këngë revolucionare… Kjo ishte e dhimbshme. Bullizëm politik edhe në vdekje!
E megjithatë ai ishte kaq i mirë e kaq i përkujdesur…
Sot kujtojmë lindjen e tij para 112 vitesh. Falenderoj Zotin për këtë patriark tonin.
Qofsh me ëngjëjt e dritës Babagjysh!
Marre nga muri i FB i Merita McCorm, 15 maj 2023