back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

“Testamenti shpirtëror” i Mitrush Kutelit nga Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla 2013
Klodi Stralla 2013

“Testamenti shpirtëror” i Mitrush Kutelit

nga Klodi Stralla

Një “Specie” në zhdukje…

Këto ditë fillimviti, duke pasur pak me tepër kohë te lire,
po lexoja diçka nga Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) dhe,
midis të tjerash, hasa “Testamentin” e tij shpirtëror,
një letër drejtuar bashkëshortes të tij Efterpit,
vetëm 2 muaj para vdekjes, në marsin e vitit 1967.
Është interesante të shohësh se çfarë parime morale, atdhetare dhe humane
e shoqëruan jetën e këtij njeriu të madh, që e deshi aq shumë vendin e vet,
që na dha aq shumë nga shpirti i tij artistik dhe nga ndërçmeria profesionale
si ekonomist pranë Bankës të Shqipërisë
dhe natyrshëm të vjen në mendje krahasimi me shumicën e intelektualëve të sotëm,
që mendojnë dhe veprojnë krejt ndryshe…
Më poshtë po ju përcjell disa fragmente prej tij
dhe gjykoheni vetë nëse kam të drejtë që e titullova këtë postim –
Një “specie” në zhdukje..

Besnikëria ndaj profesionit dhe atdheut:

“…Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjerën) dhe me tradhti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin, duke marrë shpërblimin për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të na grabisnin. Nuk i ndalon dot të tëra. Jo se s’desha, por se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave.
Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë: “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve, sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njejtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja-katër, katra-tetë, mija dhjetëmijë, milioni-qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish-drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë…” (Ps. Dh. Pasko ka qenë specialist i thesarit pranë Bankës së Shqipërisë dhe ka kundërshtuar politikat monetare të ndjekura nga qeveria e kohës, për të cilin edhe u burgos në vitet 1946-1949)

Familja e Dhimitër Paskos
Familja e Dhimitër Paskos

Porosi për fëmijët:

“…Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo fizikë; ai mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesion kryesor. Profesionismi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë…”

Amaneti për familjen:

“…Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mendja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mendjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani…”

Këndvështrimi mbi vdekjen:

“…Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua! Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq! S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogrdec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë as që dua të ngjallem, as që dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft!
Këtë porosi mos e shkelni…”

Mitrush Kuteli (1907-1967)
Mitrush Kuteli (1907-1967)

Dhimitër Pasko apo si njihet në letërsi Mitrush Kuteli (1907-1967) është personifikimi i njeriut të nderçëm, atdhetar, profesionist dhe artist, që në kushtet e terorit komunist të kohës, zgjodhi atdhedashurinë kundrejt tradhëtisë, varfërinë kundrejt pasurisë, artin e vërtetë kundrejt nderimeve të oborit, besnikërinë bashkëshortore dhe dashurinë prindërore kundrejt perversitetit dhe kënaqsive vetiake.
Një “specie” e rrallë që po vjen në zhdukje…

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Për këtë testament familjar që ka lënë dhe për punën e bërë prej tij për Atdheun… Shtatorja e tij duhet të ngrihet në Tiranë në krah të Bankës se Shtetit dhe testamenti të nisë me fjalët O Njeri… Ku shkon?! sepse Shqipëria sot është shumë e tronditur… Vjedhje… vjedhje dhe vetëm vjedhje!!!!

  2. I madh, i ndritshëm, i paharruar do të ngelet ndër shekuj e më tutje ky shpirt gjigand i genit shqiptar. Shpirti na mbushet e zemra na flatërohet kur cikim sado pak universin e magjepsës të burrave të përndritur të truallit arbnor. Ata janë shpresë për të ardhmen e tronditur të atdheut tonë të përbashkët, janë ilaç shërues për zemrat e ligështuara të të gjithë shqiptarëve që e duan gjer në vdekje vendin e tyre të shenjtë, truallin e të parëve e të brezave që do të vinë…

  3. Njeri që ka lënë gjurmët e veta të pashlyeshme si në jetën familjare, shtetërore (në bankë) dhe krijimtarinë letrare.
    Në letërsi solli “Rrëfenjat” e famshme, aq të këndshme për çdo moshë e në çdo kohë. Shtatorja e tij buze liqenit në Pogradec është një lloj vlerësimi që i bëri populli si mirënjohje për çka ai bëri në jetë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.