back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shkodra – Rozafa e rrëzuar e 14 Majit – Opinione nga Laçej, Vrenozi, Kore, Lekaj, Radovani, Traboini

Gazeta

Pamje e Shkodrës
Pamje e Shkodrës

Shkodra – Rozafa e rrëzuar e 14 Majit

Opinione nga Laçej, Vrenozi, Kore, Lekaj, Radovani, Traboini

Mos ma shaj mâ Shkodrën, zotni!
nga Ridi Laçej

Shumë po lexoj për Shkodrën teme kta ditë nëpër fb. Shumë po ma shajnë e shumë po ma mallkojnë; dikush m’i tha “Shkodër kurva”. Pse ma shan Shkodrën, mor zotni?! A thu nuk e din ti se kja Shkodër ndër vitet ma errta t’Shqipnisë ka kenë antikomuniste e betume dhe e deklarume?! A e din ti se shumë familje antikomuniste dhe të deklasume, të internume ktu, i kanë kenë mirnjohse Shkodrës dhe shkodranve, sepse, siç janë shprehë gjithmonë ato vetë: – Po t’kishim kenë diku “gjetkë”, sot do t’ishim tuj u kalbë burgjeve! – Sepse Shkodra nuk tradhton kend, zotni!
Âsht bukur me ardhë nji fundjavë n’Shkodër e me hangër tavën e krapit e me u âj, tuj pagu njaq sa pagun për nji picë diku tjetër; me shijù mikpritjen e bujarinë shkodrane, por a din ti zotni se shkodrani i thjeshtë nuk e ka njikyt “luks”?!
Shkodra nuk tradhtoi, siç ban “kurva” e rëndomtë (ndjesë miq për fjalorin!), por vendosi me provu nji ndryshim, qi tjert e kanë ba rrugë, ktu e 33 vjet ma parë. A ka gabu? Koha ka me e kallxu!
Edhe sot qi flasim, Shkodra prap âsht demokrate! Njata demokratë intelektualë, t’mirë shkolluem dhe t’dalun prej familjeve t’nderume demokrate shkodrane, kanë me ditë me e kallxu edhe ma mirë demokracinë e vërtetë, mbas ksaj! Shkodra ta jep besën, zotni e ti ja ke borxh e detyrim! E kyt fakt qi Shkodra nuk ban kompromise e din mirë gjithkush: i majtë apo i djathtë!
Mos ma shaj mâ Shkodrën, zotni, sepse jam bijë e saj e asnji bijë nuk duron me ja shâ kush Nanën!

Humbjen e Shkodrës nuk ua fal!
nga Ilir Vrenozi

Humbjen e Shkodrës nuk ja u fal derisa të kem frymë
Për Korçën time, jo mo nuk bëhem merak se fitojnë Rilindasit, se kanë që më 2007 që e kanë zaptuar qytetin tim me beton e pemë, qe kur erdhën Rilindasit e shojtën edhe një Kinema që ishte edhe biblotekën e kthyen në Bashki… kollaj është të gjesh miliona të besh beton e të mbjellësh pemë por për artin e kulturën nuk mjaftojne milionat…
Humbja e Shkodrës, më tërboi mua, si i djathtë që jam, humbja e Shkodrës më nxorri nga binarët… unë me Shkodrën mburresha, ishte kështjella e demokratëve, e fundit… tani kam frikë… shumë frikë… se do shtrëmbojnë edhe “genin” e Shkodranëve… pa beton le të hedhin ata, e kulla le të ngrenë në Shkodër, kam frikë se do shtrembojnë atë “genin” e tyre të fisnikërisë, se ku hyjnë rilindasit qelbin dynjanë… Ah sa gjynah më vjen… më dhemb shpirti për atë Zot, si përfunduam ne demokratët kështu mo… si përfunduam, si përfunduam… Më morën Shkodrën, Tropojën, Devollin… a do mbajë njeri përgjegjësi për këtë fakt të dhimbshëm… nejse…
Humbjen e Shkodrës nuk ua fal derisa të kem frymë…

Një Erion Veliaj s’do ta lejojnë në Shkodër
nga Rob Kore

Të gjithë ne e duam qytetin ku kemi lindur dhe jemi rritur.
Të gjithë kanë shumë mall për qytetin e tyre të lindjes; ndoshta akoma më shumë ne emigrantët.
Shumë njerëz shkruajnë vazhdimisht me shumë dashuri për qytetin e tyre.
Kjo është më se e natyrshme.
Por ka një qytet, i cili dallon i fice nga tjer’t, Shkodra.
Shkodranët flasin me aq dashuri për qytetin e tyre, sa ë duket se po recitojnë poezi dashurie.
Shkodranët janë krenarë për atë që ka qënë dhe është Shkodra, pra janë krenarë për historinë e tyre.
Ne të gjithë themi: Tirana ime, ose Korça apo Gjirokastra ime, ose Durrësi im etj etj, kurse shkodranët thonë Shkodër lokja ose Shkoder locja.
Pra një qytet e personifikojnë me një qenje me shpirt, me nënën ose me motrën apo vëllanë e vogël, të cilët janë njerëz shumë të dashur për secilin prej nesh.
Mbas zgjedhjeve vura re një dashuri akoma më të madhe, por kësaj rradhe e shoqëruar me një ankth.
Ishte diçka, që s’e kam dëgjuar ndonjëherë në një vend tjetër.
I kërkuan falje Shkodrës, që nuk munden ta mbrojnë.
Por ishte një falje plot besim, se së shpejti do ta ndryshojnë fatin e saj.
Po pse ky reagim i çuditshëm, për një ndryshim administratori të qytetit, i cili vërtet vjen nga një parti tjetër, por në fund të fundit është njëe proces normal kudo në botë.
Sepse është ajo lidhja e forte emocionale qe ata kane me qytetin e tyre dhe që një pjesë e tiranasve nuk duan ta kuptojnë.
Frika se Shkodra do të betonizohet si Tirana, i tremb shkodranët.
Frika se ndoshta dikush mund të japi një urdhër të çmendur të prishi teatrin Migjeni dhe të ndërtojë pallate të larta banimi.
Eshtë frika se barbarizmi dhe fitimi mund ta tjetërsojë Shkodrën.
PS: Sidoqoftë edhe unë besoj se kultura dhe tradita Shkodrane nuk do ta lejojne një Erion Veliaj në Shkodër

“Rrethimi i tretë” dhe dorëzimi i Shkodrës
nga Leon Lekaj

Mbas largimit nga jeta të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, osmanët, tashmë të çliruem edhe prej frikës së personalitetit të tij, si strateg ushtarak, rrethuen kështjellat shqiptare, të cilat njena mbas tjetrës ranën në duert e tyne.
Kishte mbetë vetëm Shkodra.
Mbas katër vitesh 1474-1478 rrethimi, kur Murati vrejti se me forcë nuk mund ta merrte qytetin, u mundue që me premtime të mëdha e dhurata të mund të kthente disa qytetarë të tij, që të tradhëtonin.
Dredhia e tij pati sukses.
Pas asaj rezistencë të pashoqe qyteti ra në duert e turqve.
Shkodra pati gjatë historisë së saj edhe rrethime të tjera nga të cilat mà i përgjakshmi qe ai i regjimit komunist, i cili e denigroi atë qytet të kulturës dhe atë qendër ballkanike tregëtare, tue e shndërrue gati në një provincë të harrume e të pavlerë.
Gjithësesi, rrethimi i tretë i Shkodrës do të kujtohet si ai i viteve 2013-2023, kur një kryeministër delirant, kur një njeri politik i pamoralshëm, kur një armik i historisë dhe vlerave të lashta të këtij populli, ngjit shkallët e postit më të lartë të shtetit.
Ashtu si sulltan Murati, edhe sulltani i Surrelit nuk kishte se si të mos me e dashtë Shkodrën. Sejmenët e tij i kishin pëshpëritë në vesh, se ajo kishte brenda saj çelësin e suksesit. Ai fillon me andrrue Shkodrën dhe si një merimangë dinake, fillon me endë rrjetën e tij, të prodhue prej gëlbazash, jargësh, e produkte intrigash të ndyra.
Por Shkodra qindroi!
Ajo i çau ato rrjeta të pista me atë shpirt, që prej shekujsh qe mbrujtë nëpër beteja të mbiekzistencës së saj. I shkatërroi gjithmonë tue i kujtue shefit të qeverisë, pjellë e atij gjysëm shekulli, që kërkoi të bastadhojë atë qytet të mrekullueshëm, se shpirti i Shkodrës nuk qe i lehtë për tu nënshtrue.
Por as sulltani i Surrelit nuk mund t’i dorëzohej lehtë andrrës për ta pasë nën vete atë bukuri të pashoqe.
Pasi përvetësoi të gjitha pushtetet ai e “rrethoi” Shkodrën nga të gjitha anët. Taksat e shkodranëve, me një urdhër të tij, filluan të shkonin nëpër “vilajete” ku sulltani i Surrelit kishte pushtetin e tij absolut. Djersa e shkodranëve derdhej jo ma për qytetin e tyne, por për të shuajtur epshet e një kryeministri.
Shkodra po thahej…
E prapë, si rrethimtarët e dikurshëm e të unshëm, ajo vazhdonte me qindrue. At’herë duket se sulltanit të surrelit ju kujtua dredhia e sulltan Muratit. Dhe futi në lojë atë:
Tradhtinë!
Fillimisht ju desh nji ballaban pashë, apo nji hamza. Kur e gjeti, fërkoi duert e ngjyrosuna prej një bime që e ka fort për zemër.
-Më shumë se ai kush i njeh të metat e kundërshtarit tim. Dhe firmosi. Mà pas ju kujtuen çingijet.
-Jepuni ca aspra edhe atyne, -tha, -e mos e mbani dorën. E dua me çdo çmim!
Sejmenët e tij u ngutën me gjetë do prej tyne, karakteri i të cilëve qe i dyshimtë dhe ca të tjerë, xhepat e të cilëve qenë thà.
Pastaj duel në kuvend e tha:
-O votoni vasalët e mi, ose do ju ngordh për bukë!
Ishte koha kur Shkodra vazhdonte të tkurrej. Shumë prej qëndrestarëve të saj nuk shtynin dot muejin. Shkodranët kishte kohë që kishin marrë vrapin. Si pas ramjes së saj në kohën e Muratit, bijtë e saj iknin. Nga sytë kambët.
Shkodra po rrënohej. Shkodra gulçonte randë, e nën atë gulç, qëndrestarët e saj, firmosën dorëzimin.
Shkodra ra!
Shkodra ra për të mbledhë edhe nji herë forcat e saj e për tu ringritë si gjithmonë, mà e fortë, mà e bukur.
Sepse, tej pushtuesve dhe sunduesve, Shkodra asht nji dashuni e përjetshme!
Athinë, Maj 2023

Kur hine këta!
nga Fritz Radovani

A ju kujtohet kur hine?
Kështu si sot… E për shka të votojmë? – Shumicën e rinisë Shqiptare sot as nuk dijmë ku e kemi… Janë ma shumë se njëmilion djelm e vajza të reja që kanë lanë Shqipninë e ndoshta, përgjithmonë!
A ju kujtohet kur ikne?
Kështu si sot… Tash 33 vjetë vetëm mendohet si me ikë nga Atdheu!
E për Ata që nuk mendojnë ashtu, sigurimi i shtetit organizon vrasjen e tyne ose zhdukjen me mjetet ma të sofistikueme e t’ulta shtetnore.
A kujtoheni për kë po punojnë patronazhistët, sigurimcat dhe vllavrasësit?
Detyra kryesore e tyne asht shpopullimi i Shqipnisë, vorfnimi i Saj dhe me anën e korrupsionit t’organizuem që nuk asht tjetër vetëm hajni politike dhe ekonomike e organizueme, mbi popullsinë deri në fukurallëk ekstrem.
E kush e drejton këtë korrupsion?
Klasa ma e nalta politike dhe shtetnore, kasaforta e hajdutëve kriminelë.
Shitblersja e votave e praktikueme tash sa vite për me sjellë katastrofat dhe ngjarjet elektorale të sotme, që po punon vazhdimisht për zhdukjen nga harta të Shqipnisë, tue i shërbye serbëve, turqve e grekve antishqiptarë.
Tradhëtarët e Atdheut sot kanë të gjithë frenat e shtetit në duert’ e tyne, tue fillue nga ma të thjeshtat që i përdorin per largim popullate nga Atdheu.
Ruejtja e kësaj formë qeverisje që quhet monizëm, i ka kalue 80 vitet…
A ju kujtohet kur pleqtë tregonin për pushkatimet para Bashkisë në qytetin e Shkodrës në vitin 1945 nga komunistët? Asht fjala për “monistët” e sotëm.
A e dini se historia edhe përsëritet?
Asnjëherë mos e harroni thanjen e dalun nga dera e “Balkanit Hapur”, prej drejtuesit njohun Edi Rama: “Nuk i keni parë të gjitha të ligat akoma!”
Mundonju me sjellë në kujtesë thanjen “Kur hyne këta!”
Melbourne, 16 Maji 2023

Shkodra bëri atë që duhej të bënte
nga Kolec P. Traboini

Të qarat e atyre që pretendojnë se humbi Shkodra politikisht tregon se ata mendojnë vetëm e vetëm interesat e tyre e jo të qytetit. Qyteti përpiqet të mbijetojë jo politikisht, por ekonomikisht. Dhe jo për një thes miell siç satirizojnë, por për zhvillimin e përparimin e këtij qyteti që ka mbetur në stanacion prej 50 plus 32 vjetësh.
Urojmë që projektet e shpalosura për zhvillimin ekonomik dhe urbanistik për ta bërë Shkodren një akces kombëtar turistik, nga ana e kryetarit të sapozgjedhur Benet Beci të realizohen.
Ndaj them që Shkodra bëri atë që duhej të bënte jo për sytë e bukur të këtij apo atij, jo për ngjyra partish, por për ardhmërinë e vet.
Ja çfarë kam shkruar dy muaj më parë me 14 mars 2023: “…Padyshim që Shkodra duhet të nis të kuptojë se Bashkia nuk është çerdhe e politikës, por e njerëzve vizionarë që punojnë ditë natë për popullin, që për qytetin kanë vizionin e të ardhmes. Mbetja skllav i mentalitetit “hamë bar e parimet politike nuk i shkelim” është një qorrsokak pa dalje, pa zgjidhje.
Qytetari nuk ka pse shkon në votime për inat të një force politike, por të bindjeve të veta se kush më mirë mund ta drejtojë dhe administrojë një qytet. Zgjidhni njeriun, teknicienin, atë që di të nxjerrë burime e të përparojë jetën e qytetit.
Ka pas Shkodra një kryebashkiake që si ajo mos i ardhtë kurrë. Mbi 8 vjet ndenji në atë detyrë dhe Shkodra vendnumëro pa asnjë zhvillin e përparim për shkak të mediokrritetin. Pse duhet kryebashkiaku të polemizojë politikisht me kreun e qeverisë. A nuk është e mjaftueshme për kësisoj polemikash parlamenti dhe mediat ku hahen e shqyhen politikanët. Një kryebashkiak ka politikë të tij mbarvajtjen në jeten e qytetit, shërbimin qytetar, luftën për realizimin e objektiva ekonomike dhe infrastrukturore. Bla-bla-blatë e politikës nga zyra bashkiake janë katastrofë për jetën e qytetarëve. Në zgjedhjet bashkiake politika veç ngatërron punë. Pse duhen të mburren, e kemi bastion politik, po luftojmë për ta fituar qytetin e dokrra të tjera dhe më pas ta lësh qytetin në moszhvillim. Jo të luaj politika me qytetarin, por qytetari të lozë me politikën. Kurrë nuk i duhet politikës të nënkuptoj se këtë qytet politikisht e ka në xhep. Nuk i duhet dhënë kjo kënaqësi mediokrre asnjë force politike!”
Kolec P. Traboini
Washington DC, 15 maj 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.