back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

“Lulet e Balzakut” – pasuri eseistike e veçantë e një gjeniu… – Parathënie nga Jozef Radi

Gazeta

Lulet e Balzakut - permledhe aforizmash nga Honore de Balzak - Vasilika Gjoka
Lulet e Balzakut – permbledhje aforizmash nga Honore de Balzak – Vasilika Gjoka

“Lulet e Balzakut” – pasuri eseistike e veçantë e një gjeniu…

Parathënie nga Jozef Radi

Honore de Balzak është ndër figurat e mëdha të letërsisë e specifikisht të romanit epope, dhe i përket periudhës së ndryshimeve të mëdha në historine e botës. Ai erdhi së bashku me Revolucionin Borgjez Francez dhe i takoi t’i shoqëronte gjithë ndryshimet e mëdha në shoqërinë franceze të shekullit të XIX, ndërkohë që shumë ekuilibre të saj ishin prishur dhe koha e re po shpaloste ngjarje, drama dhe personazhe nga më të larmishmit dhe më ekstremët, të cilët të filtruara nën penën e Balzakut, do të mbeten monumente të rralla të letrave, ku gdhendja e personazheve kryesorë, figurave dytësore, ngjarjeve dhe rrethanave historike, do ta mbajnë Balzakun në rrafshnaltën e gjenive dhe do ta bëjnë atë ndër majat e letërsisë së përbotshme…
Mbas një punë të gjatë e këmbëngulëse edhe një kokfortësie për ta endur imtë atë pëlhurë sociale dhe artistike të shoqërisë franceze të dalë nga revolucioni borgjez, ndër më gjakatarët në histori, Balzak me përkushtimin e një gjeniu dhe energjive të pashterra intelektuale, mbetet pasqyruesi më i denjë i një epoke shndërrimesh të mëdha, duke mbetur njëherësh figurë kulmuese e realizmit kritik, jo vetëm në Francën e tij, por guxoj të them edhe në mbarë botën.
Ajo çka vlen të nënvizoj në kët perifrazim vlerësues superlativ ndaj veprës së titulluar: “Komedia Njerëzore” e Honore de Balzak, është fakt se ndër shkrimtarët e mëdhenj ai mbetet i ardhur më i plotë ndër letrat shqipe, falë kjo përkthyesve më të zotë që janë marrë me veprën e tij, kështuqë ky shkrimtar i madh francez, vlera e të cilit në gjuhën shqipe ka ardhur përmes mjeshtrave më në zë të përkthimeve, duke përzgjedhur lexues dhe njohës të mirë të veprës po edhe të vlerave të tij.
E plotësoj këtë nënvizim edhe me një fakt tjetër të rëndësishme e me vlerë. Vepra e botuar, e studiuar ka kaluar nëpër duar të shumë brezave lexuesish shqiptarë, sepse ajo ka qenë në bazë të sistemit të arsimit të mesëm shkollor, ku formatohen vlerat e lexuesve, kështuqë Honore de Balzak duke qenë ndër shkrimtarët sinor të këtij sistemi, (s’mund ta kapërceje shkollën e mesme pa pasur njohuri relativisht të plota mbi veprën e Balzakut) ka një raport të veçantë dhe historik me lexuesit shqiptare…
Pikërisht, ky raport i Balzakut me kulturën, arsimin dhe shkollën shqipe vazhdon ta mbajë atë ndër shkrimtarët më të dashur, që as koha e hermetizimit të plotë të kulturës shqiptare, prej kulturave të tjera për fat nuk e përjashtoi Balzakun. Për fat të lexuesve shqiptarë, ai shpëtoi kësaj masakre edhe sot ndjehet mjaft i plotë dhe ruan një pafundësi lexuesish e dashamirës të veprës së tij…
Ky raport historik dhe dashamirës me Balzakun me ka bashkuar një ditë me një ndër njohëset më të thella të tij, një grua e rrallë që Balzakun e ka pjesën më të rëndësishme të dashurisë së saj, e cila më ka bindur se s’mund të ketë vepër të tij të sjellë në gjuhën shqipe që jo ta ketë lexuar e stërlexuar, por është ndër ato lexuese që e njeh majëgishtash gjithë veprën e tij.

Jozef Radi & Vasilika Michalas 2015
Jozef Radi & Vasilika Michalas 2015

Ajo quhet Vasilika Gjoka!
E si mos të mjaftonte kjo, ajo ka mbledhur nga e gjithë vepra e Balzakut e sjellë në shqip, me një përkushtim të rrallë e të pashoq, ka situr pjesën më thelbësore e më esenciale të kësaj veprë, pra ka filtruar nga dhjetramijra faqe, krejt nektarin e kësaj vepre me një përkujdesje prej qëndistareje dhe vetmohim prej gruaje e nëne, tashmë krejt nektarin e Balzakut në një libër që do të jetë në duart e secilit prej nesh. Pra, përmes saj ne mund ta kalojnë gjithë Balzakun përmes frymës sintetike që Vasilika Gjoka, e ka mbledhur dhe e ka përgaditur për lexuesit, me një titull, për të cilin unë ndjehem pak në faj e disi i mbivlerësuar, pse nun i kësaj vepre, e kam pagëzuar si “Lulet e Balzakut”, mbasi nuk ndjehem i së njëjtës shkallë leximi të Balzakut ashtu si zonja Gjoka! Por, mund të them se ky komunikim i ri me thelbin eseistik të Balzakut, mund ta ndihmojë secilin prej nesh që ende gjejmë të letërsia e pavdekshme dhe te shkrimtarët e mëdhenj, nyje të rëndësishme referimi që shërbejnë si busulla orientuese se ç’është letërsia, ç’është letërsia e mirë, ç’janë kryeveprat dhe ç’janë gjenitë…
Vasilika Gjoka kët përkushtim të saj e ka bërë më së miri.
Duke e kaluar nëpër duar këtë përkushtim dinjitoz të saj, mund të them se emocionet e dhuruara janë përtej çdo teksti apo nënteksti që mund të ketë vlerësim sado të veçantë ndaj kësaj pune…
Libri ka të bëjë me aforizmat dhe pasazhet më interesante të “Komedisë Njerëzore” (pra rreth 31 veprave) të rishikuara e të plotësuara, mbasi në botimin e parë ka pasur edhe gabime ortografike, fragmente citimesh brenda një aforizme, një ndarje jo fort të studiuar… pra botim vetëm me një autor e pa redaktor apo elemente të tjera të rëndësishme që kërkon botimi i një libri të tillë, çka në përballje me një figurë të lartë si ajo e Balzakut, nuk ishte normale!
Për një gjigand, si Balzaku, ku e gjithë vepra shfaqet si një rreth vicioz me personazhe luajnë dhe zhvendosen sa prej një vepre në tjetrën, mendoj se botimi apo ribotimi kërkon përgjegjësi dinjitoze, gjë të cilën besoj se autorja përmes këtij edicioni e ka realizuar më së miri!
Në shtator të 2022, autorja e përfundoi rishikimin e gjithë aforizmave të Komedisë Njerëzore duke u dhënë “lëmueshmërinë” e fundit dhe ndjehet e emocionuar përballë kësaj sjellje të saj!
Libri në fjalë është i ndarë në 6 kapituj: Gratë, Dashuria, Burrat, Arti, Politika, Gazetaria dhe Të Ndryshme!
Në dallim nga botimi i parë, aforizmave u është ndërruar vendi sipas një logjike të autores, në lidhje me peshën e shprehjeve!
Kështuqë, nuk ngjan aspak me botimit të parë!
Mbetem besimplotë se kjo ardhje e re Honore de Balzakut, në një trajtë kaq sintetike, nga Vasilika Gjoka, do të jetë pasuri e çdo biblioteke, një stoli që mund të na shërbejë si karrem për t’iu rikthyer leximeve të kësaj vepre të madhe, që quhet “Komedia Njerëzore”, e që në një formë a në një tjetër, mund të gjejmë edhe grimca të thyera të veteve tona, në kohë e hapësira gjithnjë e me të largëta…
jozef radi, 18 shkurt 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.