Orbis Seraphicus
nga Kastriot Marku
Orbis Seraphicus, përbën pa dyshim një ndër veprat më të rëndësishme e cila i kushtohet veprimtarisë misionare të etërve françeskanë nëpër botë dhe sipas meje vepra më e rëndësishme që i është kushtuar historisë misionare të këtij urdhëri në viset shqiptare. Për rëndësinë që mbart, mund të radhitet pa asnjë diskutim menjëherë pas veprës “Iliricum Sacrum” të Daniel Farlatit.
Në të gjitha vëllimet e kësaj vepre (gjashtë të tilla), ka të dhëna të jashtëzakonshme për misionet françeskane nëpër viset e Shqipërisë veriore, veçanërisht për dioqezat veriore sikurse janë ato të Pultit, Shkodrës, Lezhës, Lisit dhe Durrësit, por në dy prej këtyre vëllimeve, këto të dhëna janë jo vetëm të shumta, por kapërcejnë çdo hamendësim, qoftë dhe imagjinar për këto që nuk ka mundur ta shfrytëzojë veprën në fjalë. Edhe pse e cekur dhe cituar sidomos para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht, për të mos thënë ekskluzivisht vetëm nga At Marin Sirdani O.F.M.
“Orbis Seraphicus” vijon të mbetet ende sot e gjithë ditën, për fat të keq, një vepër thuajse e panjohur dhe rrjedhimisht vepër e pashfrytëzuar edhe nga ata që me mend e mbajnë veten për studiues të historisë shqiptare, përgjithësisht asaj kishtare e specifikisht nëse e dëshiron dikush edhe françeskane. Në vëllimet e veprës së sipërcituar gjenden ditare, udhëpërshkrime dhe relacione të ndryshme të etërve françeskanë, një pjesë e mirë e të cilave nuk janë botuar deri më sot apo që vijojnë të botohen si zbulime “të mëdha” ndërkohë që ato janë botuar 150 vjet më herët.
Përpos këtyre që përmendëm, lexuesi i vëmendshëm do të gjejë në këtë vepër njoftime të shumta lidhur me libra dhe dorëshkrime të panjohura më herët, të cilët këtu jepen të përshkruara në mënyrë profesionale sipas vendndodhjeve arkivore përkatëse. Le të shërbejë ky status i imi i sotëm edhe si një mikroshkrim fillestar (fragment nga një përshkrim i detajuar i pabotuar), që i kushtohet për herë të parë në shqip kësaj kryevepre. [Fotografia e realizuar prej meje në vitin 2011, ndërkohe që po punoja tezën e studimeve doktorale lidhur me “Shkollën françeskane të Shkodrës”, në fondin e Bibliotekës Françeskane në Milano.
© Kastriot Marku.
Marrë nga Muri i FB i Kastriot Markut, 21 Maj 2023