back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Midis ujërave të poezisë së narracionit… nga Shqiptar Oseku

Gazeta

Shqiptar Oseku
Shqiptar Oseku

Midis ujërave të poezisë së narracionit…

nga Shqiptar Oseku

“Hapësirë midis dy notave (Tempovarkë)”, Flurans Ilia Botimet Jozef, Tiranë 2022

Flurans Ilia, 51 vjeç, bën pjesë ndër ikanakët e të nëntëdhjetave. Ai ka botuar një numër shkrimesh online, romanin “Jashtë sezonit” (Buzuku), si dhe disa tregime te revista letrare ExLibris. “Hapësirë midis dy notave” është përmbledhja e tij e parë në paperback me poezi. Tash që lexoj, më vjen ta shaj pse s’ka shkruar vetëm poezi që prej fillimit. Kur ke talent të briskut, mor burrë. Pse lodhesh me parmendë me dorë.
Tempovarka e Ilias lundron në ujërat midis poezisë së narracionit për vetveten dhe asaj që Langer Furman (2004) e quajnë poezi interpretative. Ajo mban 39 poezi dhe 2 proza poetike, gjithsejt 41 marinarë. Kështu shkruan në tejqyrën e lëndës. Veni re fjalën tejqyrë, dylbi pra, e jo pasqyrë të lëndës: se kush i hipi anijes, s’e bëri kurrë për t’u parë në pasqyrë, po për të parë me tejqyrë. Marinarët e tempovarkës së Ilias janë novatorë që eksplorojnë unin, vetëdijen e identitetin, në detin obskur midis sot e dikur, në atë trekëndësh Bermudesh ku humbin shpirtërat e mërgimtarëve. Doemos që eksperienca e mërgimit do të formësonte edhe poezinë e Ilias. Lindur në Berat, ngulitur në Quebeck – e si mund të ishte ndryshe?

Përpiqem të vij atje
Përpiqem të ik nga ti

E brishtë kjo lidhje shpjegon
çerekun e dhéut amë
pjesa tjetër është nën ujë
si fjalët e tua kur më thua
“Shqipëria për ne është
si një drogë që na mungon”

Flurans Ilia
Flurans Ilia

Mirëpo, tempovarkën është zor të kategorizosh. Ajo, ta zëmë, nuk cilësohet dot thjesht si poezi e ekzilit. T’ia nisim, për shembull, te trauma. Nga Su Shi kinez e Ovidi romak, te Brehti e te Kwame Dawes e Julia Alvarez, por edhe te Gëzim Hajdari e te Ardita Jatru jonë, mërgimtari është rëndom në duel të vazhdueshëm me traumën. Por kjo s’vërehet te Ilia. S’ka më traumë. Dhembje s’ka. Ajo që ka ngelur është vetëm një prani e fuqishme reflektive që kërkon thelbin e vetvetes në kohë e hapësirë. Kështu mund të tingëllojë kjo prani te Çelësat:

Çfarë i mungon çelësit të solit?
Aroma e tokës së çveshur

Çfarë zukat te notat muzikore?
Një det i munguar
Një barkë blu brenda filxhanit ankoruar

Gishti rrëmon llumin e shkriftuar
Si rëra – për të krijuar
Një udhë dëshirash – mbarsur pas çastit

Ilia përmend edhe Shpiragun, fshatin Niçë, kishën e shën Marenës, Katjelin e Kutelit, urën e Goricës në Berat, si një remineshencë e vonë e Lazar Gushos poliglot evropian, që shkruante shqip për vendlindjen. Por ndërsa Lazar Gusho u përkiste viseve të veta, viset e veta i përkasin Ilias. Ai ato i sajon edhe gjetkë. Në Pont Mirabeau në Paris. Në Pont Jacques Cartier në Montreal. Në Brooklyn Brigde në New York. (Pse rendis emërtime urash? Gjeje poezinë Punë urash dhe e kupton.) Ilia shkruan për çunat e lagjes së fëmijërisë, por përmbledhjen ia kushton një shokut fatkeq latino. Është thuase ai – ruana Zot! – ka gjetur mesin e botës dhe vrojton me tejqyrë akset e kohës, duke kërkuar shenjat e veta. Kur i gjen ato, poezia e tij, si thotë Richardson (1998), “zhbën dallimin midis vetes dhe të tjerëve” me “episode epifanish, fatkeqësish, e andjesh”:

ajo i donte macet

krifën e butë
të thukëtën e thonjëve
limën e mjeshtrit
në jetën e një shpate
kallajisur
me diellin e pasdites

lëmuar
si horizont i një fushnaje

zëri i baltës
baltës së gjunjëzuar
territor
i një poeme të pushtuar

Flurans Ilia - Tempovarka - Hapesire midis dy Notave
Flurans Ilia – Tempovarka – Hapesire midis dy Notave

Tempovarka ka të gjitha elementet që shenjojnë një përmbledhje të mirë. Është e përqendruar te një ide: ështe pra një tërësi organike, ka një rrëfim. Ka imazheri vizuale. Ka rezonancë emocionale. Punon me elegancë të kursyer estetike të poezisë, përpos në dy intermezzot që ndajnë mjediset e përmbledhjes, kuptohet: aty vërshon plotnia e fjalëve si Nili në verë. Si dhe ka një dimension eufonik, poezitë kanë bukurtingëllimë, ndihen mirë kur i thua me zë. Te “The Motions of Being: On the Intersections of Lyric and Narrative”, B. H. Fairchild përkufizon poezinë e mirë kështu: ajo “është ndërtim verbal që përdor një sërë veglash retorike e prozodike të mishërimit për të arritur një gjendje ontologjike, një mënyrë të qenies”. Ky përshkrim i shkon tempovarkës së Flurans Ilias.
Nëse do t’i kërkosh qime në vezë përmbledhjes, do të gjesh mbase te ngarkesa me idolatri. Odiseu, Itaka, Dante, të gjithë i gjen aty, tok komplet me Shekspir e shën Agustin, jo gjithmonë të motivuar estetikisht. E prish kjo disi vetë idenë e anijes, një vendi pa vend për barrë të panevojshme. Është bërë sëmundje e poetëve, ky name dropping, kjo kakërdhitje emrash, gjoja për të sinjaluar thellësi e erudicion. Por ta gjuajë gurin kush s’ka mëkat vetë, kakërdhitje emrash bëj edhe unë. Qime në vezë më duken edhe ato ato hallakamat me pikëçuditëset e pasthirrmat, gjithë ato ahe e ohe ataviste të ngrira në kohë.
Por mua personalisht, këto qime në vezë s’më çojnë peshë, jo karshi barrës artistike së tempovarkës. Ajo që ndoshta më pëlqen më fort është vetë uji ku lundron ajo: gjuha disociative e Flurans Ilias. Mary Oliver shkruan tek “Rules for the Dance: a Handbook for Writing and Reading Metrical Verse” se “çdo poezi është një deklaratë. Çdo poezi është muzikë – muzikë e vendosur, bindëse, e besueshme, entuziaste dhe artizanale”. Kështu përshkruhet, ta zëmë, deti nga Flurans Ilia:

misteri i një deti të hapur
(si një kuti sardelesh)
kjo varkëz shpëtimi lartuar dallgëve
polifoni me zëra dhe krahë të bashkuar
në nofulla të gravitetit

Fola më lart për një zë të ri që sjell kjo përmbledhje. Për një un të parëndomtë poetik, vrojtues por të pangarkuar nga nostalgjia. Kësaj figure i shkon mirë gjuha disociative e Flurans Ilias, zbërthimi e ristrukturimi subtil që ai u bën kategorive të gjuhës. Te poezia (addagio) kjo gjuhë disociative punon kështu:

jep shpirt shpirti i busullës
po qe se vdes e ndryshkur anija
te dhëmbët zgjedhorë
peshkaqenëve të skrapit

tulatet shpirti yt i brishtë prej busulle
kërkon paanësinë e horizontit
aty ku pikë horizonti nuk ka
ngulur pingul mbi pikën e pyetjes
ay çengel, kjo spirancë, ai grep

në këtë vend pasqyra e hënës i bën
më të dukshme kristalet e kripës
lëkurës së regjur të rremtarëve

Veni re lojën me përemrat vetorë të vetës së tretë njëjës, aty te fundi i strofës së dytë: Ilia ia shtyn sinorët pa ngurruar standardit, sa herë që i duhet për të zgjeruar caqet e veta. Te poezia Ty deti të përket, ai shfrytëzon në këtë stil edhe paskajoren e gegërishtes, edhe arkaizmin e toskërishtes, për të sajuar transcendencë në kohë e hapësirë:

Mbë gji sheshbeteja – rreket me kapë pamjen e kepit
natyrë e vdekur ay diell – ndënë parzmore trupat
rremat pozojnë në breg – ndën çukitje të sqepit
Peshë e krrokamës së një tjetër qyteti të flijuar

“Hapësirë midis dy notave (Tempovarkë)” nga Flurans Ilia u botua më 2022, nga Botimet Jozef. Kjo është Shtëpia që ka botuar Jozef dhe Lazër Radit, të cilët botojnë tekste mësimore dhe klasikët e letërsisë. Por Botimet Jozef po fiton edhe reputacionin e një zbuluesi talentesh, që s’i bën syri tërr të botojë emra të pabotuar. Të botosh letërsi të pabotuar, sidomos poezi, është gjithmonë rrezik financiar për çdo botues, aq më fort kur del nga ngastra e klasikëve. Por nganjëherë xehen e floririt e gjejnë mu këta botues, mos mbetshim pa ta. Gëzohem që Botimet Jozef patën fatin e lumë të hasin në xehe të Flurans Ilias, e largpamësinë që ta botojnë atë. Përmbledhja ka dizajn grafik të goditur, por mjerisht unë s’arrita dot ta gjej emrin e autorit.
“Hapësirë midis dy notave (tempovarkë)” duhet ta gjesh, ta blesh, e t’i hipësh pa një, pa dy. Dhe ta lësh të të shpie tek ajo “gjendje ontologjike” e Flurans Ilias, për të cilan flet B. H. Fairchild më lart, në fillim të këtij shkrimi. Jam i sigurt se s’do të zhgënjehesh.
19/5/2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.