Lajmrim Mortor
Familja Kalaj lajmron se ndrroj jetë ne moshën 68 vjeçare – Paulin Mark Kalaj
Grueja e tij Luçia me djalin Endri dhe vllaznit: Leonardin, Dom Fredin, Robertin dhe mbarë familja ja qesin hatrin ditën e Dile me June 11, prej orës 2:00 p.m. deri 9:00 p.m. në Funeral Home Wujek-Calcaterra & Sons në adresën: 54880 Van Dyke Ave, Shelby Twp
Mesha e Dritës, ditën e Hane me June 12, në orën 10:00 a.m. te Kisha e Shën Palit.
Mbas Meshes bahet vorrimi në Guardian Angel Cemetery: 4701 North Rochester Rd, – Rochester, MI 48306
Familja Kalaj jua ktheftë tanve ju në t’mira e gëzime familjare.
Paulini Pushoftë ne Paqe!
7 mars 2023
Paulinit, në të tretën ditë sipas shkrimeve!
nga Leonard Qyteza
“Vdekjen tënde vetëm e vdes.
Vdekjen e të tjerëve duhet ta jetosh” – thoshte nji pronar i shërbimeve funerale në Berlin.
Dhe ne, vdekjen tande po jetojmë këto ditë, Paulin Kalaj!
Paulini, sot e tre ditë të shkuara, kaloj në amshim, larg Shkodrës së tij, familjarëve, shoqërisë dhe të njohurëve të shumtë.
Paulin, ishte emni i tij i pagëzimit, por unë gjithmonë si në dashuni, e thirrja Pali, diçka si ungjillizor, jo aq nga besimi i tij, por ai përhapte në ambjentet shoqërore, fjalën e ambël, buzëqeshjen dhe mirësinë, batutat dhe gazmoret, kishte nji elokuencë në të biseduar sa të tërhiqte dhe ti shtangje, me ándje e ndigjoje, ai bisedat interesante për Shkodrën dhe historinë e saj shpesh i plotësonte duke recituar Fishtën nga Lahuta, mendoj se ndoshta të gjithën e dinte përmendësh, ishte njeri i lexuar herët dhe me interesa të shumëllojshme.
Paulini ishte djali bjond i Shkodres së viteve ‘70-ta, truplidhur, sytë e tij vezullonin, shetitjet e tij në Piacën e atyre viteve tërhiqnin edhe vëmendjen e vajzave lozonjare se përveç bukurisë, ai kishte batutën dhe fjalët, “maraku për ty, m’ka xanë”, por gjithmonë në masën sa vetë skuqej, nëse për dikend edhe mund të shihej vranëshëm.
Por ai vetëm njenën dashuroj, shoqen e jetës – Luçien – ose vajzën bukuroshe të thirrur Lali, vajzën e dytë të intelektualit shumëdimensional Zef Zorba.
Të dashuroje dy vajzat e Zorbës, ishte punë e denjë dhe burim jete, ishte nderë reciprokisht për palët.
E kështu, Paulini kaloj jetën e tij familjare për shumë kohë edhe pranë Zorbës derisa e pat poetin hermetik, shkrimtarin e poezive të sirtarit edhe si udhëheqës shpirtëror, dinte nga ai thuajse të gjithë korpusin e poezive të tij, ende pa parë dritën e botimit me “Buzë të ngrira në gaz”.
Në vitin 2020, Zorba kishte 100 vjetorin e lindjes, ne ndodheshim në karantinë të plotë e kështu ai përvjetor i bukur kaloj në heshtje. Mua më vrau dhe shkruajta diçka për Zorbën dhe Paulini m’u kthye si flakë për flakë, ja çfarë ai më tha:
“E përpiva shkrimin tënd Nardi dhe me dha një kënaqësi të pafund e jo vetëm se Zef Zorba asht vjehrri im, por edhe se një shok i jemi e ka përshkru aq bukur me vërtetësi, sinqeritet dhe dashuri sikur ta kishte njohur gjithë jetën.
Sa mirë do të kishte kene që edhe Këshilli Bashkiak i Shkodrës të ishte kujtu tesh 27 vjet për një nga bijtë ma të mirë të këtij qyteti që i dha vlerë me personalitetin e tij të pa diskutueshëm.
Asnjë emër rrugë, asnjë titull nderi. (e të mendosh se shumicën në këtë Këshill e ka patur PD-ja?!).
Po për fat Zef Zorba nuk ka nevojë për vlerësimet e këtij Këshilli, atë e ka vlerësu vepra e tij, dhe të gjithë qytetarët ma të mirë të Shkodrës.
(ka hyrë në Antologjinë Shqipe si këtu, ashtu edhe në Kosovë) por, Këshilli Bashkiak do të kishte nderu veten duke vlerësu Zef Zorbën. Nardi të falenderoj shumë për shkrimin. Je mik shumë i mirë dhe qytetarë i mrekullueshëm”.
Dhe unë po shpejtë ja ktheva, ishim në karantinë:
Paulin Kalaj
Figurat e mëdha ridimensionohen, asht sot koha kur ai asht maturuar në atë masë sa nuk ndalet, ndodhë me njerzit e mëdhenj, jo pak e kanë këtë fat, historia i vendos në vendin që i takon, jo pushtetet e ndryshme, jo kunjukturat.
Ai, Zorba, asht nji univers, për ta lëvizur duhet nji pikë – intelektualët e vërtetë dhe institucionet, ndërsa leva, janë vetëm dy vajzat e tij, ato duhet të nxitojnë.
Mbetshi me shendet, ky asht urimi i ditës!
Prill, datë 2 e 2020-tës.
E solla këtë bisedim nga Facebook-u, si një relike se tashmë Paulinin nuk e kemi, e humbëm!
Po kështu, të fundit takim me të e pata nji ditë prilli sivjet, në barin e Hotel “Treva” këtu në Shkodër, aty ku Paulinin kishte kohë që sëbashku me Lalin dhe nji çift tjetër, pinin kafen e mëngjesit. E la tavolinën dhe erdhi tek unë, më kallxoj barcaletën e fundit që kish ndigjuar, se për tregimin e tyre ishte mjeshtër, i tregonte me aq shije dhe me mimikën e tij si prej aktori sa të shkrinte gazit, por qeshte edhe ai për t’i dhënë vlerë barcoletës, e pas saj, si rastësisht, e tash, nuk e mbaj mendë mirë si ndodhi, biseda kaloj te një tjetër humorist shkodran, te Bik Pepa prej të cilit dinte përmendësh nji nga ato gazmoret plot rrimë alaBik që mua më shtangu. Po si i dinë bre burrë e pyeta?! – Shiko Nard, nuk e di se a e ke njoftë Bikun nga afër – jo i thashë, vetëm në skenë. Ndije pra, Shkodra nuk ka pasë humorist ma fin, ma të kulturuar, ma të lexueshëm, ai dinte latinisht dhe italisht aq mirë sa pakkush, ka studiuar ndër fretën, ka shkruar dhe ka përkthyer nga këto gjuhë edhe vepra të huaja, por mjerisht ne e njohim si vetëm humorist i bejtave shkodrane.
Paulini më befasoj me atë çfarë dinte, çfarë recitonte nga Biku, përmendësh dhe pa u ndalë. Edhe për këtë, Paulini s’kishte shokë ndër ne.
I paharruar, Paulin ose Pali im!
Nëse duhet të pohoj diçka e ta marrësh me vehte atje ku do prehesh në Amshim, larg Shkodres e shkodranëve të tu, po them, me vdekjen tande bane dam të madh, në familje u rrëzua guri i qoshës, rrugica “Firej” nuk do ta shoh mà burrin simpatik të paplakur, shokët e shoqëria nuk do ta ndjejë alegron tande, humorin dhe barcaletat tuaja dhe tana bukurinat që na fale.
Dhe dy fjalitë, e para dhe e fundit, te poema e Zorbës “Baladë dritash për Lalin”,
“Lal, vitet që për ty janë histori,
dhe,
Veç drita s’ka mbarim”.
Dhe unë, për ty e për vedi, po këndoj:
Psalmin 143 (144), vargu 4,
“Një frymë goje asht njeriu,
dhe ditët e tija – një hije që kalon!”.
Pak ditë mà parë pate datëlindjen e 68-të, duket të gjeti në gjumë, por ti, nuk prite as 29 Qershorin, ditën e emnit tand, Shën Palin!
Lamtumirë, o Pali im!
Shkodër, natën vonë, me 6 Qershor 2023.
Çfarë kam shkruar dhe ndjerë, fillim e mbarim i kam shoqëruar në You Tube me , “Mozart – Requirem Lacrimosa 10 Hours”.
Nardi, kaq.
Marrë nga Muri i FB i Leonard Qyteza, 10 qershor 2023