back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Aksidenti im – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muç Xhepa, Demir Pojani, Edmond Ziu
Muç Xhepa, Demir Pojani, Edmond Ziu

Aksidenti im

nga Muçi Xhepa

-Mirëmëngjes!
-Gorgeous! – shkruaj i përgjumur.
-Yll!
E diel, 9 tetor. Ish mësuesja kujdestare Kozara Kati shkruan në WhatsApp. Sapo është thyer nata. Më prek dashuria e saj. Nëne. Të premten do të takohemi. Sa mall. Hera e fundit – një ditë të ftohtë shkurti të vitit 76. E internuar: përpiqej të ruante djalin, Denin. Të mos ia rrëmbente bashkëshorti, që e kishte prishur familjen. Braktisur reaksionaren…, armiken… s’mund ta edukonte djalin, ajo, me mësimet e Partisë, Neronit. Ngrihem nga shtrati. Kërkoj te bufeja diçka të ëmbël. Të shuaj hidhërimin, që më krijon kujtesa. Faktet… detajet… vetëdija i ka ruajtur të gjalla. Pas xhamit dekorativ është shishja me shurup amareti. Aroma e këndshme e bajames në çajnik, më krijon gjendje tjetër. Nga ballkoni i shtëpisë, kati i katërt, vështroj malin e Gjinarit. Bukonikun, majën e argjendtë. Tetëmbëdhjetëvjeçar më detyruan të punoj në Valsh. Mes shkrepash. Më kishin penguar të ndjek universitetin. Por, jo mësimdhënien. Mësuesi reaksionar mund t’i edukonte nxënësit fshatarë.
Eh, të gjorët, kujtonin se ishte pushteti i tyret.

***
13 tetor. Mesditë. Inxhinierin Edmond Ziu, mik të para viteve ‘90, e marr në celular.
-E mbarova.
-Edhe unë.
Ka mbaruar vendosjen e implantit. Unë kam rregulluar dhëmbët e sipërm.
-Po të pres te porta e sportit vjetër, – i them.
Edmondi ka natyrë mirëdashëse. Të gëzueshme. I gatshëm për të ndihmuar. Kur nëna vendosi ta linte Amerikën dhe më kërkoi t’i rregulloj hyrjen në katin e dytë të shtëpisë, që trashëgon nga babai saj, menjëherë mendja më shkoi tek Edmondi. Pa u menduar dy herë, ai pranoi. Dhe, bëri një punë të admirueshme. Kishin mbetur për t’u vendosur aksesorët e banjos.
-Do t’i blejmë te një i njohuri im, – thotë dhe nisemi. Parkojmë te dykatëshi në anën e rrugës, që të shpie në kombinatin metalurgjik. Dyqan modern. Si të jetë pjesë e zinxhirit të kompanisë Loëe’s, Inc., e specializuar në përmirësimin e shtëpive. Kompania operon me pakicë në Shtetet e Bashkuara. Elbasani ka ndryshuar shumë, them me vete.
-Tani që i morëm të tëra shkojmë për drekë te Mandi.
-Me një kusht. Të qeras unë.
Restoranti i Mandit, në qendër, ka emër të mirë. Kuzhinë Elbasani. I ardhur nga larg, kam mall. Fati nuk është me mua. E gjejmë të mbyllur.
-Shkojmë te “Zeni”.
-Çfarë… gatimi?
-Fshatçe.

***
Inxhinier Edmondi hyri në shoqërinë tonë në mesin e viteve ‘80. Një miku im, inxhinier hidroje, u caktua të punonte në fshatrat e thella të Elbasanit; ndonëse kishte mbaruar universtetin me rezultate të larta. Pa u shtruar mirë në punë, e caktuan të zbatonte projektin e një dige. Madhështore. Të grumbullonte ujin e përrenjve malorë, që të përdorej në verë. Vaditje. Natyrë serioze, iu vu punës me përkushtim, muaj të tërë. Në ato pak xhiro të së dielave na tregonte, “…punojnë shkeleshko. Sikur të mos jetë e tyre”. Çfarë i frikohej – ndodhi. Diga u ça. Uji mori përpara ç’gjeti. Shtëpitë i shpëtuan katastrofës ngaqë ishin ndërtuar në vende të larta. Fshatarët e xhindosur, iu vërsulën me sfurqe, shata e lopata, ta coptonin. Edmondi kishte vite që punonte në ato anë. E njihnin. Pa u trembur u doli përpara dhe i ndaloi. Me shpoti, aktin heroik, e krahasoja me vizatimin e Rembrandtit, “Krishti dhe gruaja e kapur në tradhti bashkëshortore”.
-Edmond si e ndalove turmën e marrosur?
Duke qeshur ai perifrazonte thënien e Krishtit.
-Kush nga ju s’ka punuar me ndërgjegje të lartë, partishmëri… le të hedhë shatin i pari mbi inxhinierin.
Fshatarët ishin larguar me bisht ndër shalë.

Prushi i Kujteses - Tregime nga Muçi Xhepa
Prushi i Kujteses – Tregime nga Muçi Xhepa

***
10 tetor. E hënë. Mëngjes. Ndizet celulari. Në anën tjetër, e përlotur Vera, motra e mësuese Kozarës.
-Kozara na la!
-Si? – mbetem pa fjalë. Mpihem.
-Sa të priti more Muçi! – flet e pikëlluar, – kishte gjetur edhe vendin ku do të rrinim. Hanim drekë. Të donte si djalin, Denin, – qan me zë.
Flisja shpesh në mesinxher me mësuesen. Shkrova edhe disa tregime për të. Vuajtjet. Pjesën më të bukur të jetës e kaloi e internuar. Dhe, ja, tani shkoi, kur duhej të gëzonte. Do të shihemi mësuese e dashur, them me vete. Atje pranë Krijuesit.

***
Edmondi nget mercedes të viteve ‘80. Me marshe.
-Përse jo automatike?
-Këtu janë të çmendur.
-Ta marrin?
-Ajo është më e pakta. Të marrin jetën, nëse nuk u bindesh.
Kanë kaluar tridhjet e dy vite. Përse u edukuan kështu. Ngaqë të parët e tyre e nisën me grabitje. Dhe, shoqëria që ndërtuan krijoi “Njeriun e Ri”. Hajnin. Çfarë ka pësuar… qenia njerëzore? Çrregullim. Paaftësi për t’i rezistuar dëshirës… vjedhjes. E vazhduan pas përmbysjes: në formë të hapur. Krenarë. Shekullin e ri. Të patrazuar nga Perëndimi. Disa thonë: të inkurajuar nën zë. Më kap trishtimi.
-Të shoh që re në mendime të thella.
-Më shkoi dhe dëshira për të ngrënë.
-The, nëna ka ditëlindjen nesër.
-Po.
-Rrugës është “Kasemi”.
-Më lexove mendjen. Dua të marr mish qengji të pjekur. Kur ishte në Krrabë lokali i tij, kemi ngrënë drekë bashkë me babanë dhe nënës i pëlqeu mënyra sesi ishte pjekur mishi.
-Merr nesër.
Lokali i “Zenit” është ndërtesë buzë rrugës kombëtare, sapo të lësh Elbasanin, për në Korçë. Me parking në hyrje, të gjerë dhe në të njëjtin nivelin me rrugën. Edmondi ndalon pranë derës.

***
Gjendje deliriumi pas operacionit – konfuzion, çorientim… Bisedë pranë shtratit. Si në ëndërr më vjen zë i panjohur.
-Shkrimi i shenjtë thotë: kur të hënën shkon pranë Krijuesit njeriu, që vërtetë të ka vlerësuar e dashur! brenda tri ditëve… të merr me vete…
Te Gjoni, Bibla, ka tjetër gjë… më bëhet t’i them: “…Është koha të pikëllohesh vërtet… por do ta shohësh përsëri… dhe gëzohesh… e s’do të ta marrin, atë që të deshi aq fort… “.
-U zgjua, – Vera, motra e mësuese Kozarës më puth në ballë.
Është e shoqëruar me një burrë të pashëm. Tiparet e Kozarës.
-E merr me mend kush është?
-Deni. I rritur. – them i ngazëlluar.
Disa nxënës, shkuam të uronim mësuesen kujdestare. Kozara Kati kishte sjellë në jetë Denin. Sa e lumtur ishte atë ditë. Na dhuroi nga një libër të huaj. Në gjuhën angleze.
-Kanë kaluar dyzet e nëntë vite.
Deni nxjerr nga çanta një kavanoz të mbushur me supë.
-E kam gatuar vetë.
Sytë më lagen me dhimbje. E kaloi fëmijërinë dhe rininë në internim, them me vete. “Nxënës i shkëlqyer”, shkruan mësuesi i matematikës për të, në komentin që i bën një tregimi të shkruar nga unë.

***
Zemë vend në qoshe. Lokali është mbushur thuajse i tëri. Tryeza pranë nesh në çakërrqejf. Flasin me duar dhe zë të lartë. Fshatarë të zonës. Kamerieri sjell kanë me ujë dhe shportë kashte mbushur me feta buke të thekur.
-Kemi ardhur për pulë me përshesh misri, – Edmondi tregon me gisht menunë. – Gatuar në tavë balte.
-Specialiteti i restorantit, – buzëqesh kamerieri, djalë i ri, – do të mbeteni të kënaqur. Por, derisa të bëhet gati, po ju sjell ca të brendshme qengji dhe djathë fshati.
-Speca të mbushur me gjizë, nëse keni.
-Për mua është hera e parë. Pulën e dua të pjekur mirë, – thotë Edmondi.
-Me gjithë qejf. Ç’dëshironi të pini?
-Ujë me gaz, – them dhe drejtohem nga Edmondi, që e miraton me kokë.
Nuk kalon shumë dhe në tryezë avullon ena e argjiltë mbushur me përshesh misri dhe pulë të pjekur mbi të.
-Tava e baltës, poroze, e ka gatuar butësisht pulën,- Edmondi shijon mishin e shpendit të rritur bio.
-I ka rezistuar kohës. Kam lexuar se e kanë quajtur edhe “tenxhere romake”.
-Ka krijuar përshesh të lëngshëm në pjesën e poshtme.
-Kore në anë. Vërtetë plot shije.
Ndizet celulari.
-Ku ndodhesh?
-Demir, te tava me përshesh, me një mik të para 90-ës. Demokrat.
Në anën tjetër Demir Pojani qesh me zë. Jemi miq të vjetër. Kaloi një çerek shekulli në burgjet më të tmerrshëme të Neronit. Nuk u thye. Trim. Hero. Në vitet ‘90 kemi qenë në krah të njëri-tjetrit për përmbysjen e sistemit komunist.
-Me kë je?
-Edmond Ziun.
-Erdha.
Demiri shfaqet te dera i veshur sportiv. Bereta e zezë, vënë në njërin sy, e bën të dallohet menjëherë. Zë vend në krye të tryezës. Fytyra shprehëse tregon qartë ndjenja… qëllime… të pastra. I lidhur ngushtë me Berishën, Demiri e quan me krenari veten, berishist. Edmondi, demokrat i orëve të para, e kundërshton për disa qëndrime të degës së partisë në Elbasan dhe aq mjafton, që biseda të marrë zjarr. Unë i ndjek në heshtje. Kam tridhjet vite larg. Diçka ka ndodhur tek unë… ata.
-S’po flet, – Edmondi më drejtohet ta mbështes.
Ngurroj t’i them se në politikë ka gjëra, që shkojnë dhe nuk shkojnë. Veçanërisht debati ose konflikti midis individëve ose palëve, që kanë ose shpresojnë të arrijnë pushtetin është si një lumë i rrëmbyer. Merr çdo gjë që gjen përpara.
-Jam zhytur në atë që do të organizoj për ditëlindjen e nënës.

***
Muzg. Ka nisur shi i imët. Te dera e lokalit Demiri më bën shenjë të shkoj me të. Çfarë ka parë… çfarë parandjen. Kam ardhur me Edmondin dhe më duket jo e drejtë ta lë vetëm. Demiri largohet. Nget fuoristradë moderne, Audi. Vendosim rripat e sigurisë të mercedesit, që me vështirësi ndizet dhe dalim ngadalë nga parkingu. S’kemi bërë veç pesë minuta udhë, kur përpara shfaqet, sa një mal, kamion plehrash. Ka ndaluar në linjën tonë. Mercedesi përplaset me forcë. Anën time. Pasagjerit. Ndjej dhimbje therëse. Shpatullat, kraharori. Rënkoj me zë të lartë…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.