Ndjesë për qytetarët apo aministi për grabitësit?!
nga Elona Caslli
Kur gjendesh përballë ligjërimit të kryeministrit mbi aktivitetin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, natyrshëm të lind pyetja; Ky ligjërim në thelb përmban ndjesën e mirëfilltë të një kryeministri për qytetarët apo aministinë e këtij të fundit për grabitësit e pronave të qytetarëve shqiptarë?!
Po të bazohesh te denduria e përdorimit të fjalës
“ndjesë” nga goja e kryeministrit, të krijohet iluzioni se ky i fundit po vuan dëshpërimisht nga dhimbje e fortë ndërgjegjeje në gjysmën parë të mandatit të tretë qeverisës.
Në mandatin e tretë qeverisës, kryeministri bën bilancin e aktivitetit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe u kërkon ndjesë shqiptarëve, sepse bilanci nuk është aspak ashtu siç duhet të ishte.
Për këtë bilanc kryeministri vetëdijësohet pas intervistës që i ka bërë Elvana Gjatës dhe pasi u ka mundësuar shqiptarëve të mësojnë informacionin thelbësor për vazhdimësinë e ekzistencës së tyre; “Me çfarë ushqehet Elvana Gjata për të qenë kaq në formë?!”
Gjatë procesit të vetëdijësimit mbi pronat e grabitura dhe të tjetërsuara të shqiptarëve nga banda e cubave institucionalë, kryeministri me një ton zëri në dukje serioz dhe të prerë, u kërkon këtyre cubave të largohen nga zyrat e kadastrës duke e shoqëruar kërkesën e tij me një “falenderim” paraprak për ta.
Gjatë procesit të vetëdijësimit mbi pronat e grabitura dhe të tjetërsuara të shqiptarëve nga banda e cubave institucionalë, kryeministri nënvizon edhe ndërhyrjen e kryebashkiakëve dhe deputetëve për çështje të caktuara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kryebashkiakëve dhe deputetëve kryeministri nuk u kërkon largimin, por me tonin e një mësuesi filloreje që sapo ka parë nxënësit e bankës së fundit të kryejnë ndonjë veprim të pahijshëm, thotë prerë; Kjo gjë mos të përsëritet më
Lind pyetja: Ku është qytetari i grabitur në këtë mes?! Ku është prona e tij e tjetërsuar në gjithë ligjërimin e kryeministrit?!
Shkurtimisht kemi këtë panoramë. Një cub institucional që ka vjedhur dhe ka tjetërsuar pronën e një qytetari në këmbim të një shume të majme parash, vazhdon të përditshmen e tij krejt i qetë dhe nuk preket hiç nga drejtësia.
Një qytetar me një dosje të plotë dokumentesh, ku shfaqen të gjitha shkeljet që kanë bërë cubat institucionalë që kanë emër dhe mbiemër, përplaset si thes mielli në dyert e gjykatës.
Se sa mund të zgjidhet çështja e pronës në dyert e gjykatës, këtë e tregon përvoja e hidhur e shumë rasteve që prej vitit 1990 e deri në vitin 2023, për faktin e thjeshtë se cubat institucionalë që kanë vjedhur pronën mund të blejnë edhe vendimin e gjykatësit.
Prona ka qenë dhe mbetet një nga plagët e thelluara të aktualitetit shqiptar dhe një prej mëkateve të pamohueshme të fillesave të së djathtës në Shqipëri.
Për t’u rikthyer në dilemën fillestare të këtij shkrimi; Ligjërimi i kryeministrit është ndjesë për shqiptarët apo amnisti për grabitësit?!
Post Scriptum – Faktet tregojnë se është një amnisti e rehatshme për grabitësit e pronave, teksa qytetari do të thinjet dyerve të gjykatave në kërkim të një të drejte që mbase nuk do ta gjejë kurrë.
Marrë nga Muri i FB i Elona Caslli, 1 korrik 2023