E qênmja dhe të dukunit
nga Ernest Koliqi
Tjetër âsht me qênë dhe tjetër m’u dukë.
Këtu kët çâshtje e çekim vetëm në lâmë të kulturës, por nji shtjellim i shfaqjeve të saj në degët e tjera të jetës do të na dhuronte mësime me shum randësí. Çdo punë qi synon nji plotësim nevojësh vetíake ase kolektive, për të dhânë fryte të njimêndta, lypë pikëspari nji studim shestues. Me drejtue, bje fjala, ma s’miri nji familje, mjafton zotsíja qi falë, kur e falë, natyra, kështu qi nji zot shtëpíje edhe krejt i pa-arsimuem mund të gjindet në naltësí të detyrave të veta. Edhe nji bashkësí primitive shpesh-herë mbarshtrohet në mënyrë të lavdueshme nga njerz të pashkolluem, qi xevêndesojnë dritën e arsimit me drejtpeshim e largpámje të nji instikti të lindun me ta.
Ndryshon kryekëput puna kur rrokim në shqyrtim çâshtjen e ndërlikueme të mëkâmbjes së nji kombi nëpër shtigje brigjebrigje të historís modeme. Para kësaj ndërmarrjeje hollsís së lindun të trûnit (qi lypet përherë) duhet me i bashkangjitun rrezen ndriçuese e drejtuese të kulturës.
Kultura nuk âsht nji grumbull i thát njoftimesh mbledhë në studime, shkollore a të lira, qi stolisë njerín dh’e vên deri diku në gjendje t’api, me pendë ase me gojë, spjegime mbi kët ase mbi at çâshtje, tue nxjerrë nga mbamêndja lânden e përgjegjeve. Kultura e vërtetë përmblidhet në nji tubë kriteresh të shndoshta qi ndifin për m’u drejtue në formulim dhe në zgjidhje të problemeve të jetës vetíake a kolektive. Asht fuqíja gjikuese qi buron nga shkrîmja e cilsíve t’intuitës falë nga natyra me thalbin e dijes nëpër peshime e shoshitje të gjata e të thella të mendes mbi lândë studimesh të ndjekuna me cenë.
Prandej nji njeri, kulturën ja e ká ja s’e ká. Ai qi e ká, din të shtrîmunit e paskâjshem të dijes por edhe njef kufijt e zotsís së vet. Përkundrazi gjysmaku kujton se zotsíja e tij âsht e pambarueme edhe se mbretnija e kulturës nuk kapërcen qarkun e njoftimeve të tija.
Shum mâ nalt se gjymsadija e mjegullueme e gjysmake, qindron shqisja e kulluet e njerzve kryekëput të padijshëm. Ká ndër male e ndër fusha të Shqipnís burra me mênd, qi s’dijnë as me këndue as me shkrue, të cilët, pajisë me kthielltí gjikimi e me hollsí depërtuese, pleqnojnë, mbrênda rrethit të së drejtës dokesore e të shpirtit gojdhânuer të trashiguem me nji urtí qi lên pamênd juristin mâ të pregatitun dhe dijetarin mâ të rrahun në spekulime filozofike. Kjo mrekulli ndodhë sepse ata themelohen në visar parimesh mijavjeçare të stërgjyshave, qi, tue e lëshue në thellsi të pellgut të jetës, u a mban menden të ngulun e të patrandun midis valavitjes së thânethaçave lara-lara t’atyne qi përdorin tulin e gjuhës pa e lidhë me punën e fijeve të trûnit. Po e njâjta urtí i shtyn mos me dalun jashta megjeve të kuptimit të tyne.
Të pashkolluemit, me mênde të shndoshtë e me zêmër të thjeshtë, munden m’e gozhdue intelektualin tue i thânë: “Pikë burmíje s’ké në sjelljet të tueja! S’din shkaf âsht ndera e besa! I u shmânge hullís së mësimeve qi na lanë të Parët!”
Përkundrazi gjysmaku, qi s’âsht i kulturuem porse përpiqet të duket i tillë, ta lot vnerin sidomos kur u gërthet intelektualvet, tue e fry gushën si bibâni, me zâ të trashun për t’u dhânun mâ spikatje marrive të veta: “Prâni ju! se nuk arrîni me i çmue izmet e kohës moderne! Msoni në prozën t’onë ku rrin me shtëpí kultura e letërsíja e ré! Ju përdomi një gjuhë të mykun qi kurrkush nuk merr mâ vesht: na dijmë me u shprehë me të të folunit qi gjithkushi kupton!”
Mjerisht nji gjysmak gjên përhera gjysmakë mâ t’ulët se veten qi e miratojnë dh’e duertrokisin.
Intelektualët e vërtetë, qi me vetëdije të detyrës s’vet, ushtrojnë profesínë e letrave janë syni i kombit; nji sy qi merr dritë nga vuejtjet e gzimet e kalesës, qi e forcon at dritë në përvojë të së tashmes dh’e flakron si rreze terr-shpomese kah ardhmenija e palindun. Pá veprën dritë-përhapse t’intelektualvet të njimendët, nji komb âsht si i verbti mbi nji udhë plot gropa e çarravína të rrezikshme.
Ai grumbullim njerzísh qi don me qênë sakt e jo vetëm m’u dukë sa për faqe kombë (rraca ká si element bashkues gjakun e xânafillen e përbashkët, kombi-nation-lidhë elementat e vet me anë të nji ideje e të nji ndiesíje shpirtnore) shkrimtarët e vet duhet t’i mbaje në shuplakë të dorës.
(marre nga “Shêjzat”, nr. 3-4, Romë, 1958)
Dashamirë të gjuhës shqipe – Agim Morina – 23 maj 2023