back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Mbreti dhe Elefantët – Përrallë e huazuar

Gazeta

 

Elefantët në Luftë
Elefantët në Luftë

Mbreti dhe Elefantët

Përrallë e  huazuar

Dikur, shumë larg në kohë, një populli u kishte rënë për pjesë një mbret shumë i egër.
Ai ishte shumë njeri i lig dhe të gjithë banorët druheshin shumë prej tij. Askush, nuk kishte guxim të ngrinte fjalë dhe të ankohej për padrejtësitë që u bënte mbreti, me njerëzit e tij.
Një ditë prej ditësh, madhëria e tij vendosi të kamuflohej si njeri normal dhe doli të shëtisë në mbretërinë e tij, për të mësuar se çfarë mendimi kishte populli i tij për të.
Që në kontaktet e para me njerëzit, ai u befasua nga ato që dëgjoi për veten e tij. Njerëzit nuk e donin fare, ata e shanin dhe i uronin që nga dita në ditë ai të ndërronte jetë. Kishte edhe prej tyre të cilët i kishin thurur vargje ofenduese, kishte edhe nga ata që kishin krijuar edhe barcaleta, me personin e tij negativ.
Sa më shumë shëtiste e takonte njerëz, aq më shumë fjalë dhe opinione të këqia dëgjonte për veten e tij.
Pasi kaloi një farë kohe, ai e kuptoi se ishte e kotë të sorollatej më shumë dhe u kthye në pallatin e tij, shumë i zemëruar.
Menjëherë, mblodhi këshilltarët e tij dhe u tregoi për atë që kishte mësuar. U kërkoi atyre, se si të zgjidhte këtë situatë të pakëndshme.
Njëri prej këshilltarëve kërkoi leje dhe tha:
-Më lejoni madhëri, unë mendoj që të blejmë një elefant të madh dhe të egër, e pastaj ta lëshojmë rrugëve. Do t’ua bëjmë të ditur njerëzve, që ky është elefanti i mbretit që askush të mos e ngacmojë atë. Në këtë mënyrë e gjithë vëmendja e njerëzve, do të shkojë tek elefanti dhe nuk do të meren më me personin tuaj.
Mbretit i pëlqeu shumë kjo ide, dhe bëri fiks atë që i tha këshilltari.
Elefanti nisi menjëherë të marrë arratinë dhe filloi të thyejë pemë, të prishë të mbjellat, të prishë shtëpitë, të shkatërrojë rrugët e urat, ndiqte njerëzit dhe bënte zhurmë pa fund. Të gjithë banorët i mbërtheu paniku por nuk kishin se çfarë të bënin.
Qëllimi u arrit, tashmë askush nuk e kishte më mendjen tek mbreti, por të gjithë flisnin për hallin e madh që i kishte zënë me elefantin. Banorët vendosën që të shkojnë tek një burrë i moshuar dhe shumë i mençur. Pasi shkuan dhe i shpjeguan hallin e tyre plakut të urtë, ai u tha:
-Duhet një burrë trim, që t’ja thotë mbretit këtë ankesë.
Dikush nga të pranishmit foli:
-E kujt ia mban ta bëjë këtë?
Me siguri mbreti ka për t’ja marë jetën në vend.
I mençuri tha:
-Atëherë do t’ja themi të gjithë bashkë dhe do shkojmë tek mbreti, kështu siç jemi. Do të dal unë para madhërisë dhe kur të them unë “Lartmadhëri, elefanti”, ju menjëherë do të thoni të gjithë bashkë pas meje “na ka prishur shtëpitë”. Pastaj unë do të them përsëri “Madhëri, elefanti”, dhe ju do të shtoni “na ka dëmtuar të mbjellat”. E kështu me radhë deri sa t’ja themi të gjitha shqetësimet tona. Në këtë mënyrë, shpëtojmë të gjithë. Unë shpëtoj ngaqë kam përmendur vetëm fjalën “elefant” dhe nuk e kam akuzuar për asgjë, ndërsa ju vetëm keni përmendur disa shqetësime dhe pa akuzuar njeri.
Të gjithë ranë dakort dhe të nesërmen shkuan të takojnë mbretin.
Pasi madhëria pranoi kërkesën e tyre për takim, i moshuari i urtë doli para sunduesit dhe i tha “Madhëri, elefanti”; por asnjë prej të tjerëve nuk foli asnjë fjalë, siç kishin rënë dakort. Njeriu i mençur u sikletos shumë. Ktheu kokën pas dhe duke rrudhur vetullat në mënyrë që ti kujtonte atyre se duhet të flisnin tha: “Madhëri, elefanti”; Por përsëri asnjë nuk e hapi gojën.
Mbreti u acarua dhe bërtiti:
-Fol more, çfarë po thua elefanti, elefanti?
E pa që të gjithë e braktisën dhe për të shpëtuar lëkurën e tij tha:
-Madhëri, mendoj se elefanti juaj ndihet i vetmuar, pasi në të gjithë mbretërinë nuk ka elefant tjetër që t’i bëjë shoqëri. Mendoj që të sillni dhe nja shtatë a tetë të tjerë, që t’i bëjnë shoqëri dhe t’i kthejnë lumturinë atij.
Mbretit i pëlqeu shumë kjo dhe tha:
-Ide e shkëlqyer, urdhëroj njerëzit e mi të sjellin edhe dhjetë elefantë të tjerë.
Pasi mbreti e shpërbleu plakun e urtë, ai iu drejtua personave të cilët e lanë në baltë dhe u tha:
-Ky është shpërblimi për ata që kërkojnë ndryshimin dhe më pas pendohen në mes të rrugës.

Marrë nga muri i një goce Tirone yll si Vjollca Vladi – Muri i FB i Ylli Dylgjeri, 3 korrik 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.