Vepra e plotë e Lazër Radit – Dëshmi e një vullneti të paepur
Admirina Peçi bisedon me Jozef Radin
Faleminderit Zoti Radi që e pranuattë japësh këtë intervistë. Sot do të trajtojmë historinë e babait tuaj Lazër Radi dhe në një kënd ndryshe. Pra të kuptojmë Lazër Radin përmes veprës së tij të trajtuar gjatë regjimit komunist. Një vepër e shkruar nën diktat, në kushtet kur ai ishte një kundërshtar i regjimit, i quajtur nga regjimi si “armik i popullit”. Edhe në këto kushte ai ka mbajtur shënime dhe pas 1990-s ai filloi të botojë, të nxjerrë në dritë gjërat që kishte shkruar. Një pjesë e tyre kanë rezistuar ose kanë mbijetuar falë rastësisë, siç na i ke treguar disa detaje më parë. Si ishte, sipas teje, të krijonte ose të shkruante, të bënte studime, përkthime nën këtë periudhë të vështirë për një studiues, për një poet, për një përkthyes si Lazër Radi. Nga ato që të ka treguar babai, ka qenë e vështirë për të? Si e specifikonte?
Vepra e Lazër Radit është e ndërtuar mbi dy blloqe të mëdha kontributesh, do t’i quaja. Blloku i parë është jeta e tij, studimet e tij dhe si të thuash, gjithçka që kishte botuar para viteve ‘40. Kanë qenë, edhe pse në kushte d.m.th. material modest, por gjithsesi ka qenë një kontribut që ishte i ruajtur në analet e gazetarisë, të shtypit të viteve ‘30-‘40, d.m.th. ishte e ruajtur vetëm për faktin se ishte botuar. Edhe pjesa tjetër, duhet ta shpjegoj se Lazri kishte mbajtur dorëshkrime që nga koha e adoleshencës së tij, kur ishte në Prizren, dhe është e vërtetë që gjatë gjithë periudhës, ai kishte mbajtur si të thuash ditare, shënime, gjithë gjërat e vogla ai i kishte të ruajtura. Dhe si të thuash, ai kishte një parapërgatitje për të mbërritur dhe për të realizuar në një të ardhme, që ai e mendonte gjithmonë të afërt, të realizonte një pjesë të atyre projekteve që kishte ndërtuar që në adoleshencën e tij.
Blloku i dytë i veprave të Lazrit është dhe blloku i përkthimeve. Siç thatë edhe ju, dhe që është diçka me mjaft interes si për teleshikuesit, si për lexuesit.
Vepra e Lazër Radit është botuar e plotë sot, në 23 vëllime, prej të cilave 14 vëllime janë të lidhura si shkrime të tij, me zhanrat e tij, me studimet e tij, me kontributet e tij dhe 9 vepra janë të lidhura me përkthimet e tij, d.m.th. janë ato mbivendosje të tij mbi bazën e kulturës që ai dispononte dhe gjuhëve që ai njihte. Sigurisht në këtë sasi kontributesh prej 9 veprash, ne nuk kemi përfshirë një sasi veprash që ai i ka përkthyer gjatë kohës që ishte edhe i burgosur politik, sepse gjatë viteve 1945-1953, shteti shqiptar në mënyrë të veçantë, Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Kulturës, për interesa publike, një pjesë të të burgosurve politikë i ka shfrytëzuar si përkthyes për të plotësuar tekstet që do të përdoreshin në shkollën shqipe dhe që do të lidheshin herë me Jugosllavinë e herë me Bashkimin Sovjetik. D.m.th. ky kontingjent intelektualësh që unë dëshiroj t’ua përmend emrat sepse përbëjnë si të thuash një plejadë figurash me interes, si Mit’hat Araniti, Mihal Zallari, Mirash Ivanaj, Lazër Radi, Jusuf Vrioni, Arshi Pipa, Pashko Gjeçi. Ata kanë kontribuar edhe si përkthyes të periudhës që është quajtur periudha e Mesagjerisë, bile Lazri shpeshherë për nevoja të Ministrisë së Brendshme, shoqërohej me policë në Bibliotekën Kombëtare dhe tërhiqte veprat të cilat ata i konsideronin të nevojshme për shtetin e asaj kohe. Kështu që këto vepra janë zhdukur nga qarkullimi d.m.th. ajo, si të thuash, e drejta e autorit ose e drejta e përkthyesit konsiderohet e barabartë me zero. Ato janë shfrytëzuar dhe ndoshta janë konsideruar të përkthyera ose nën tituj të tjerë, por ne nuk kemi qenë në gjendje t’i identifikojmë ose të mbajmë si të thuash edhe një lloj qëndrimi ndaj tyre. Kështu të gjithë këtë lloj kontributi që ka ardhur si rezultat i përkthimeve, e që ka bërë një grup i caktuar njerëzish, ku ka qenë edhe Nedin Kokona, të mos harrojmë, është zhdukur, është zhdukur pa asnjë gjurmë. Bile njëri nga këto personazhe, që ka qenë edhe më i kuotuari në përkthimet e asaj periudhe, sepse është marrë kryesisht me albanologjinë, Mit’hat Araniti. E bija e tij, ka paraqitur një listë prej 256 titujsh të përkthyer prej tij, në emër të albanologjisë dhe të gjithë figurave që kanë kontribuar për albanologjinë, historiografinë edhe etnografinë dhe kulturës shqiptare. Pra, në këtë kontekst Lazër Radi ka kontribute të mbetura, kontribute të zhdukura, kontribute personale por edhe kontribute jashtë personale. Ky është ai, si të thuash, listimi i punëve të bëra prej tij gjatë gjithë jetës. Tani, nuk do të ishim korrektë nëse nuk do të tregonim një detaj me mjaft rëndësi të jetës së Lazër Radit.
Më 23 nëntor 1944, ai arrestohet dhe banesa e tij ishte te ndërtesa, njëra nga katër ndërtesat që është afër rajonit të policisë nr. 2 dhe Lazri kishte një bibliotekë shumë të pasur dhe një shtëpi, një apartament ku jetonin 2 vëllezërit të martuar dhe me fëmijë dhe nëna e tyre, d.m.th. 2 familje jetonin në një apartament. Dhe më 23 nëntor, ditën e arrestimit, i vetmi amanet që babai i la tëvëllait ishte thesi idorëshkrimeve.Lazri kishte një thes me dorëshkrime ku kishte gjithë gjërat që kishte krijuar, gjithë ditaret, të gjitha shkrimet, përkthimet dhe ky thesi, pra amaneti i këtij thesi, jetoi nga viti 1944 deri në vitin 1952,kurë u hodh bomba në ambasadën sovjetike, e kur për fatin e keq të Lazrit, u arrestua edhe i vëllai i tij, atë natën e tmerrit, por pas 24 orësh atë e liruan,edhe i terrorizuar se n’atë kohë ai ishte me 3 fëmijëe sëbashkë me të shoqen, ne kemi edhe deklarimin e të shoqes se si e kanë djegur atë natë atthesin e dorëshkrimeve nga rreziku i një arrestimi që mund të ishte tejet kompromentues edhe për familjen e vëllait të Lazrit.
Lazri e konsideronte djegien e këtij thesi dorëshkrimesh një nga arsyet që ai s’kishte më dëshirë të shkruante, mbasi një pjesë e mirë e projekteve dhe punëve të tij të një periudhe 28-vjeçare, tashmë qe zhdukur.
Megjithatë, pikërisht ky thes i dorëshkrimeve nis edhe titullin e veprës së parë të Lazrit, që quhet “Në gjurmat e nji ditari të djegun”, që është njëra pjesë e Trilogjisë së jetës së tij, d.m.th. 3 veprat e para që i kanë ardhur dhe titulli i saj “Në gjurmat e nji ditari të djegun”, ai është përpjekur që ato që i kishte mbajtur shënim, të gjitha të mund t’i kujtonte në një formë a në një tjetër, me gjithë humbjet që mund të ketë cilido prej nesh kur merr përsipër të shkruajë një vepër, të cilën dikur e ka mbajtur shënim, por që koha ka bërë ato retushet e veta edhe humbjet e veta, e që janë të pariparueshme.
Po, atëherë, një nga përkthimet…
Pikërisht, në këtë momentin e arrestimit ajo humbja e bibliotekës ishte gjëja më e thjeshtë sepse në ato momente ishte në diskutim jeta dhe nuk ishte në diskutim një vepër e përkthyer apo jo. Dhe e vërteta është se Lazri, ka shumë mundësi që këtë lloj vepre për të cilën ne do të flasim, të ketë kujtuar që e ka pasur në thesin e dorëshkrimeve dhe e ka konsideruar të humbur. Bile pothuajse nuk ka folur fare për këtë vepër.
Në vitin 2019, nëpërmjet një mikut tim, më thotë: është gjetur një libër nëpër këto bankarelat e trotuareve. Dikush që është i interesuar për librat e vjetër, ka gjetur një dorëshkrim me makinë shkrimi ku në fund fare shkruhet: Përktheu Lazër Radi.
Të them të drejtën krijova një ndjenjë habie dhe erdha menjëherë në Tiranë dhe hyra në kontakt me këtë djalin. Ishte një djalë i ri, një inxhinier nga zona e Nikaj-Mërturit, dhe me një lloj dashamirësie dhe një lloj bujarie, unë i kërkova me çfarëdolloj çmimi t’ia merrja. Ai më tha: Nuk ka nevojë për asnjë lloj çmimi, unë do ta bëj një kopje. Dhe atëherë unë hyra në kërkimin e kësaj vepre. Çfarë është kjo vepër? Si ka ardhur kjo vepër? E vërteta ishte që vepra i kishte disa gjurmë, me të cilat mund të krijoje njëfarë ideje. P.sh., vepra ishte përkthyer në verën e vitit 1944. Dorëshkrimi ishte i lidhur, i punuar me kujdes, me shumë kujdes, i lidhur dhe në faqen 17 ishte vula e Halim Xhelos, ishte shkruar se kjo vepër, në faqen atje, ku thuhej që kjo është pronë private e imja. Tani, pronë private e një njeriu që ishte arrestuar. Ky ka qenë eksponent i Sigurimit të Shtetit, d.m.th. ka marrë një vepër të një viktime dhe e ka pronësuar, e ka bërë të vetën, por siç duket, pas gati 60 e ca vitesh vepra rikthehet sërish dhe ne n’atë periudhë ishim në botimin e përkthimeve të Lazrit. Vepra quhet “Sekreti i Anglisë” dhe është një studim sociologjik mbi Anglinë, nga një studiues që ishte italian, i shkolluar në Francë edhe i rritur në Angli, edhe që ishte marrë hollësisht me të gjithë jetën angleze, me gjithë frymën se si anglezët e kanë ndërtuar shtetin dhe psikologjinë e tyre dhe ishte një vepër me shumë interes, të paktën unë si lexues e përcolla me një kënaqësi të veçantë dhe me atë rast edhe kjo vepër hyri në listën e 9 përkthimeve të Lazër Radit, d.m.th. qe diçka e humbur dhe befas u gjend në duart e lexuesve shqiptarë, mbas 60 viteve.
Do të të tregoj edhe diçka tjetër që është me mjaft rëndësi.
Periudha e diktaturës presupozohet që njeriu duhet të hiqte dorë nga të shkruarit sepse të shkruarit ishte një mënyrë për të qenë nën tehun e sëpatës së diktaturës, d.m.th. është si të lije një gjurmë të padiskutueshme. Dhe një intelektual, çfarëdolloj gjëje që të shkruajë, kur është në indeksin e një regjimi si kundërshtar i tij, d.m.th. është gjithsesi i kërcënuar në atë të përditshmen e tij të jetës dhe në të përditshmen e tij të familjes.
Kështu që Lazër Radi ka tentuar të heshtë pjesën më të madhe të jetës. Nuk do ta konsideroja, në mënyrë absolute, që ai ka pasur një jetë prej shkrimtari të pazëshëm që bënte. Sigurisht ka shkruar, por në përmasa tejet të rezervuara dhe tejet, si të thuash, për të fshehur gjurmët e atyre pak veprave ose pak gjërave që kishte krijuar në mënyrë që të mos linte argumente për të qenë lehtësisht i dënueshëm. Ky ishte ai qëllimi!
Megjithatë, unë do të të tregoj tentativën që ai bëri në vitin 1963, për të botuar një vepër, për të cilën shteti shqiptar kishte manifestuar interesa për botimin e saj. D.m.th. kishte manifestuar interesa që të shkruhej për personazhin, por jo një i përcaktuar si Lazri. Duke qenë se Lazër Radi kishte jetuar verën e vitit 1936, në Pukë me Migjenin, dhe kishin 100 ditë të jetuara bashkë me të, mund të konsiderohej si personi që ka qenë më afër dhe e ka njohur më mirë figurën e Migjenit në periudhën më produktive të tij, në periudhën, si të thuash, atë shpërthimin e gjërave më të rëndësishme të tij edhe si poet edhe si prozator.
E vërteta është se Lazri ka jetuar me të në atë periudhë, pasi motra e tij, ishte edhe ajo mësuese në Pukë. Dhe duke qenë se shkolla e Pukës funksiononte si shkollë verore, d.m.th. mësimi fillonte në mars dhe mbaronte në tetor, Lazri e shfrytëzoi këtë rrethanë për të qenë afër Migjenit dhe për të mësuar ose, si të thuash, për të qenë njeriu që donte të vilte sa më shumë nga eksperienca e këtij njeriu të cilin ai e konsideronte, të jashtëzakonshëm. E vërteta është se ka një verë me Migjenin, për Lazrin që ka qenë një verë jashtëzakonisht pozitive dhe ai, në atë që kemi thënë, ka mbajtur shënime të rëndësishme, të cilat kanë humbur. Por në vitin 1963, kur shteti shqiptar vendosi t’i jepte Migjenit një hapësirë më të madhe, meqë ishte edhe 25-vjetori i vdekjes së tij. Pikërisht në këtë 25-vjetor, Lazri merr përsipër ta shkruajë atë “Verën me Migjenin”. E dinte që ishte e vështirë, e dinte që ishte në kufijtë e të pamundurës, por me atë kurajën e tij ai tha: Unë po e provoj!
Dhe me të vërtetë e provoi. Ndërkohë në Lushnjë, këtë e kemi gjetur nëpërmjet dokumenteve të mëvonshme, në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, te dosjet e tij, kemi gjetur një dokument, ku Lazri i kërkon kryetarit të Degës së Lushnjës, Nuçi Tirës, një periudhë 10 – ditore leje, mbasi ishte i internuar, për të shkuar në Tiranë dhe për t’u interesuar pranë Bibliotekës Kombëtare për të gjitha shkrimet e mundshme që ai kishte bërë për Migjenin, ose gjatë kohës që kishte qenë me Migjenin dhe që kishte pasur, edhe si të thuash, njëfarë marrëdhënie interpersonale për botimin e veprës së tij “Vargjet e lira”. D.m.th. Migjeni ia kishte ngarkuar Lazrit që të shkonte të interesohej në Tiranë për botimin e veprës “Vargjet e lira”. Të gjitha këto janë të pasqyruara në këtë bocetin e këtij dorëshkrimi, të cilin Lazri e mbaroi në tetor të vitit 1963 dhe ia nisi Komitetit Qendror me shpresë që vetëm ata mund t’ia hapnin dritën jeshile për botim.
E vërteta është që Komiteti Qendror e kishte kaluar nëpër duar veprën, po nuk ishin shprehur. Vetëm diku, për një shkrim të Lazrit të vitit 1938, kishin vënë një vizë të kuqe me 3 pikëpyetje dhe si të thuash, edhe kjo tendencë botimi iu shkatërrua…
Ai hoqi dorë duke e ruajtur atë dorëshkrim dhe ai dorëshkrimi, mbas viteve 90, u bë si të thuash baza mbi të cilën ai ndërtoi një vepër mjaft të rëndësishme që quhet “Verë me Migjenin” dhe që është vepra e 4-t e jetës së tij.
Doja të shtoja edhe diçka tjetër, gjithnjë në rrafshin e botimeve.
E kam fjalën për poezitë. Të vetmen gjë që Lazri e ka bërë me njëfarë konsekuence në periudhën e diktaturës, është shkrimi i poezive. Lazri ka shkruar poezi edhe në burg. Disa prej tyre ka arritur t’i nxjerrë, por mjaft prej tyre i kanë humbur, sepse shkruheshin në burg, qarkullonin në burg dhe humbnin sepse ki parasysh që burgu ishte vazhdimisht i kontrolluar dhe ishte thuajse e pamundur për të shpëtuar diçka të shkruar.
Në vitet ’70, unë jam ndodhur i befasuar përballë një ngjarjeje që është e pasqyruar në veprën e Lazrit. Vjen një miku i tij, një emigrant nga Maqedonia, që jetonte në një sektor, në një kamp internimi që ishte ndërtuar enkas për emigrantët nga Kosova dhe Maqedonia, në Lushnjë edhe ndër të tjera, ai sa kishte dalë nga burgu, ishte në një varfëri ekstreme edhe në një gjendje fizike të rënduar, dhe ajo që më tronditi ishte fakti që i tha Lazrit: Dëgjo Lazër, unë kam qenë shumë i ri kur kemi qenë bashkë në burg, por tri poezi që ti i ke shkruar n’atë kohë dhe m’i ke dhënë mua t’i lexoj, unë i kujtoj edhe sot ato të tri poezi.
-Nuk është e mundur, – tha Lazri, – unë i kam harruar, për mua ato nuk ekzistojnë.
Ky njeri i ka recituar ato tri poezi. Unë kam qenë jo më i madh se 14-15 vjeç dhe kam ngelur i mahnitur se si ky njeri me kujtesë, ia kishte shpëtuar tri poezi Lazrit. Edhe në librin e tij “Poetika” d.m.th. ku janë përmbledhur të gjitha ato poezitë e tij, e kam përmendur personin në fjalë, historinë e tij, dramën e tij familjare, por edhe tri poezitë që ai ia kishte shpëtuar Lazrit, ndërkohë që Lazri vetë, nga poezitë e diktaturës duhet të ketë shkruar rreth 80 poezi, të cilat arriti t’i shpëtojë nga diktatura. Këto janë, si të thuash, gjithë kontributet e tij nën diktaturë.
Vlen të theksoj edhe diçka tjetër, mbas vitit 1985, Lazër Radi ishte në pension. Ne fëmijët ishim relativisht të rritur, vëllai i vogël ishte 22 vjeç, unë isha diku te 28 vjeç, edhe i kam kërkuar me insistim Lazrit që ta shkruante jetën e tij. Ai hezitoi disa herë ta shkruante jetën e tij, me arsyetimin e thjeshtë se po të na e gjejnë, e para do të më dënojnë dhe e dyta do të na marrin d.m.th. do të na i djegin… edhe unë kam boll ato të djegurat e shkruara, nuk dua që të kem të djegura të tjera, kupton?! Unë këmbëngula që ai t’i shkruante, e dikur e binda. Pastaj kemi pasur një komunikim thuajse të përditshëm me të, për ato çka shkruante dhe unë i lexoja, d.m.th. ajo biseda e përditshme me të midis të shkruarës së tij dhe të lexuarës që kisha unë ndaj asaj, u bë si të thuash motiv jete… dhe nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai e kishte shkruar relativisht të plotë jetën e tij. Pra, d.m.th. në kufijtë e 1990-s ai kishte një vepër të shkruar, të paktën me laps e kishte të shkruar.
Kjo ka ndodhur kur ishit të internuar? Më fol pak për procesin e të punuarit…
Po, kjo ka ndodhur kur ne ishim në Savër të internuar.
Të shpjegoj, Lazri 30 vitet e fundit të internimit i ka jetuar në Savër. Ne kishim një barake që kishte edhe një territor rreth shtëpisë, dhe Lazri kishte edhe një shezlong, një tavolinë të vogël, fare të vogël. Nganjëherë kur ia merrnin atë për punë, ai përdorte një karrige dhe ulej e punonte pa ndërprerje. Pa ndërprerje, d.m.th. kishte një lloj të punuari korrekt, shkrimin e kishte relativisht të mirë. Punonte p.sh., kishte ditë që punonte edhe 7-8 orë pa ndërprerje. Ishte edhe njeri me rendiment, nuk është se i ngecte puna dhe të thoshte: s’më ecën e s’më bën! Vazhdonte punonte në mënyrë sistematike. I kanë dhënë një ndihmë jashtëzakonisht të madhe, për fatin e tij, edhe fotografitë e ruajtura të jetës. Ka pasur një album fotografik të admirueshëm që nga vitet 1920 e deri në vitet 1944. Pra, fotografitë, si të thuash, ishin ato që hera-herës ia kujtonin një personazh, por një personazh i kujtonte edhe një ngjarje. Dhe ato fotografitë e tij të shpëtuara ishin si të thuash ajo rotativa e cila disa herë e ka ndihmuar për të kujtuar gjëra që shpeshherë ne njerëzit e zakonshëm i harrojmë gjatë jetës. Dhe kjo ka qenë një mënyrë pune sistematike. Të qenit njeri sistematik ka qenë një nga cilësitë më të veçanta të tij dhe njeri me vullnet të hekurt. Prap, do të më duhet të tregoj edhe një histori tjetër që e bën edhe më të bukur këtë, sepse pjesa më e madhe e personazheve të kësaj historie janë gjallë edhe e kanë përcjellë. Në vitin 1989, në Tiranë organizohet “Dita poetike ballkanike”. Edhe paskan ardhur poetë nga Bullgaria, nga Greqia, nga Mali i Zi e midis të tjerëve paska ardhur edhe një poet malazez, mjaft i njohur, mjaft antikonformist, i quajtur Jevren Bërkoviç. Një mësuese muzike që jetonte në Lushnjë, që ishte në njëfarë mënyre edhe artiste, e njihnim, unë e njihja, por e njihnin edhe Visar Zhiti, i cili ishte i sapodalë nga burgu, paska qëlluar atje ajo që ishte edhe artiste, kishte luajtur edhe në dy filma deri në atë kohë, e quajtur Ermira Zyrakja, paska shkuar aty në ceremoni dhe i paska rënë pianos. Ky Bërkoviçi, Jevrem Bërkoviçi në atë konsideratën e tij, me atë kortezinë e tij, i paska dhuruar një libër. I ka dhuruar dy libra, por njëri paska qenë “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina”. Kur pas disa ditësh kjo u kthye në Lushnjë dhe i thotë që më ka dhënë ai poeti malazez këto libra, por unë nuk kam asnjë lloj ideje se kjo qenka edhe në cirilike. Edhe njeri që ta njohë serbishten nuk kam, – i thotë, – dhe si duket s’di çfarë të bëj. Visari i thotë: kemi një mikun tonë që e njeh shumë mirë serbishten… Hajde shkojmë një natë atje. Edhe një natë dhjetori, Visari bashkë me kët vajzën, vijnë në Savër dhe i sjellin Lazrit “Stalinin, Mozartin dhe Maria Judinën”. E sheh Lazri, i hedh një sy shpejt e shpejt, dhe u thotë:
-Po, kjo qenka me na marrë në qafë ne!
-Pse, – i thonë, – çfarë është ajo?
-Kjo, – u thotë ai, – është një vepër antidiktaturë, antistaliniste dhe çështje që shtron këtu, është se vetëm arti mund t’i vrasë diktatorët. Edhe ky poeti e ka konceptuar se vetëm një muzikante e famshme mund ta përplaste atë Stalinin përtokë edhe të mos ngrihej më në këmbë.
Ata ngelën të habitur.
-Po mirë, – i thanë, – le ta përkthejmë e ta marrim vesh ne njëherë se çfarë është. Pastaj ki parasysh që s’kishin idenë se si ndërtohet një poemë antidiktaturë.
-Po more, – u thotë Lazri, dhe me atë kurajën e tij në dhjetor të 1989-s, në një fletore 16-lekëshe, Lazri e ka diktuar, unë e kam shkruar dhe brenda 2 javëve ne e mbaruam poemën. Poemën në dorëshkrim e mori Visari dhe poema ka qarkulluar dorë më dorë, nën dorë, edhe konsiderohet si të thuash kontributi i parë antikomunist i Lazrit në kulturë, nëpërmjet poemës “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina”. Personazhet e së vërtetës së kësaj janë gjallë sot e kësaj dite. Bile në Panairin e librit pata edhe një emocion të veçantë të kësaj natyre. Erdh një djalë nga Lushnja dhe më tha: E di ti që atë poemën që e kishit shkruar ju me dorë ju, e kam shkruar me dorë edhe njëherë tjetër dhe e kam të ruajtur edhe sot e kësaj dite? Unë i thashë: Nuk e besoj!
-Ja pra, – më tha, – duhet ta besosh.
Edhe unë siç e kisha atë librin, tashmë të ribotuar për së dyti, ia dhurova një kopje: Vetëm pse e ke ruajtur atë dorëshkrimin e një dorëshkrimi. Pra, dhe veprat e Lazrit kanë kështu histori të vogla, të bukura dhe në njëfarë mënyre atë betejën e tij intelektuale për mosnënshtrimin e tij ndaj së Keqes, por edhe përhapjen e idesë që ndaj së Keqes njeriu duhet të reagojë në të gjitha kohërat.
Po pra, pas gjithë kësaj drame është një dramë më vete edhe kjo mbijetesa e veprave. Ra regjimi tashmë dhe ju kishit mundësi. Kur regjimi ra, ku ishte Lazër Radi dhe çfarë tha për herë të parë?
Lazër Radi ka qenë njeri i informuar, jashtëzakonisht i informuar. Nuk mund të thuash se çfarë bëri Lazër Radi kur ra regjimi. Lazri ishte i parapërgatitur dhe e ka ndjerë atë regjimin që mori krisje qysh në kohën kur katërshja: Ronald Regan, Helmut Kol, Margaret Thecher dhe Karol Vojtila ose Papa Gjon Pali II, krijuan atë atmosferën e rëndësishme të rënies së Murit të Berlinit, d.m.th. Lazri e kishte ndier me kohë se gjërat ishin duke precipituar dhe njëfarë lirie do të vinte. Por Lazri nuk i përkiste kategorisë së entuziastëve të thoshte: Tani që ra muri, po ranë këto, do të ndryshojnë gjërat!! Ai nuk besonte në ndryshimin e shpejtë të gjërave. Lazri besonte në diçka tjetër, që quhet faktorizim i problemeve dhe po ta shohësh dhe itinerarin e tij letrar… është itinerari i faktorizimit, nuk është itinerari i revanshit ose i fitores.
-Nuk ka fitore, – thoshte Lazri, – me njerëz që kanë sunduar për 50 vite me dorë të hekurt, nuk mund të pretendosh që ti të bësh demokraci ose t’u marrësh pushtetin në mënyrë të shpejtë. T’u marrësh pushtetin do të thotë t’i kemi mundur, kur nuk ke bërë asnjë përballje me ta. Ideja e përballjes ishte e qenësishme, dhe Lazri u përball dhe një nga ato përballjet e tij më të rëndësishme është beteja e tij në shtyp me ata që, kur e panë që kjo figurë po e kërkonte dritën që i takonte, ata iu sulën ashtu si lukuni ujqërish, dhe tashmë iu sulën për së dyti d.m.th. se në fillim krijuan njëlloj ideje: që e mirë, lëre, se çfarë do të thotë. Pastaj iu turrën dhe ia përmendën ato tema dhe ato teori që ai i kishte kaluar për 46 vite. “Armikun e popullit” ata nuk përtuan përsëri t’i kthejnë! “Armikun e popullit” një njeriu që s’kishte pasur kurrë asnjë lloj pushteti, asnjë lloj dinamike në pushtet, asnjë lloj posti, asnjë lloj precedenti që t’i kishte bërë dikujt keq, nuk ishte i veshur me asnjë lloj partie politike, me asnjë lloj! D.m.th. nga çdo anë që ta rrotulloje ti Lazrin, Lazri ishte figurë relativisht e pastër, kishte gjatë periudhës së fashizmit ndonjë element të caktuar që kishte mbajtur një qëndrim pro, d.m.th. kishte bërë disa shkrime të cilat edhe ato ne i kemi mbledhur ne. I kam mbledhur me kujdes të gjitha ato shkrime. Por, duke qenë se, siç ishin shkrimet ideologjike ku ti mund të bëje çfarëdolloj studimi por do ta mbyllje me disa fjali për Duçen, ato shkrime vlerën e tyre e kanë të padiskutueshme edhe sot. Problemi është që kanë përmendur terma ideologjikë të cilët nuk i bëjnë nder as Lazrit dhe as asaj kohe. Megjithatë vepra e tij “Fashizmi dhe fryma shqiptare”, e botuar në vitin 1940, si rezultat i një pafundësie shkrimesh që ai kishte botuar në shtyp, është vepra e parë sociologjike, ka thënë studiuesi dhe gazetari ndër më të mirët e të gjitha kohërave në Shqipëri, Vangjel Korça: Lazër Radi ka sjellë studimin e parë sociologjik me një vepër të vetën. Këto janë fjalë të thëna jo kështu për kontribute ilustre, dhe vlerësimi reciprok.
Desha të di diçka çfarë nuk ia kishin lejuar!!
Pikërisht për këtë desha të specifikoj p.sh., më 2 maj 1992, në gazetën “Zëri i Rinisë. Në atë kohë, po bëheshin disa biseda me intelektualë të njohur në gazetën “Zëri i Rinisë”, intervista e Lazrit pati një sukses dhe jehonë të jashtëzakonshme, po vërtet të jashtëzakonshëm. Ishin me qindra veta që kanë ardhur, e kanë uruar, kanë folur me të, kanë kërkuar informacione. Aty për herë të parë flitet p.sh., për Koliqin, për Vitet 30, për Migjenin, në një variant të ndryshëm, për diktaturën, për Gjyqin Special. Lazri, si të thuash hapi atë kanatën e dritës, portat e së keqes duke e dëshmuar të Keqen. Askush nuk kishte kurajë ta dëshmonte të keqen dhe ta denonconte të keqen. Lazri pati kurajën ta denonconte të Keqen. Edhe krahas njerëzve që e përshëndetën dhe e përkrahën me forcë, falangat komuniste e sulmuan në mënyrën më të ashpër dhe për gati 2 vite ai ka qenë në shënjestër të tyre, gjithmonë duke i përmendur tekstin e “armikut të popullit” dhe “bashkëpunëtorit të fashizmit”, gjëra që ishin absolutisht të pavërteta dhe d.m.th. një gënjeshtër e cila shpeshherë i është atashuar në mënyrën më të padrejtë të mundshme. Ajo që desha të theksoj unë dhe që vlen të theksohet, ne hymë me Lazrin në një lloj bashkëpunimi tani sepse, ki parasysh mbas viteve 90, të botuarit e librave ra në mënyrë drastike, d.m.th. shtëpitë botuese thuajse u asgjësuan, ende ishte fryma e realizmit socialist, njerëzit ishin të çoroditur, si mund të shkruhej më jashtë realizmit socialist edhe vepra që botoheshin kishte fare pak.
Në verën e vitit 1993, unë dhe Lazri vndosëm të botonim një libër sëbashku. Dhe ishte një libër poetik, i cili me shtytjen e Visar Zhitit dhe si të thuash edhe nuni i titullit të veprës ishte Visari, botuam librin “Muret e Muzgut”, në vitin 1993. E kemi vepër të përbashkët edhe qe një ndër veprat e reja, e para që s’ishte e realizmit socialist. Dy njerëz që vinin nga kampet, nga venddënimet e komunizmit, po shkruanin një libër sëbashku. E pati mjaft sukses se foli shtypi, foli media, unë kam qenë i ftuar edhe nëpër televizione në atë periudhë edhe ishte si të thuash ai emocioni i parë i Lazrit për diçka të botuar, për një libër të botuar. Edhe pas kësaj, megjithëse koha nuk i premtonte shumë, ai gjithsesi vazhdoi të botonte pothuajse në çdo vit 2-3 vepra të vetat, nganjëherë edhe pa i redaktuar siç duhet, sepse nuk kishte as njerëz që ta ndihmonin e un në atë periudhë u detyrova, për të mbajtur familjen dhe për të jetuar, të bëja jo një punë, por të bëja disa, e të mbaroja edhe shkollimin dhe shpeshherë në atë humorin që kishim në mes nesh, i thoja unë: O ba, ti e ke në terezi se ti i ke rritur kalamajtë, unë i kam kalamajtë e vegjël, a kupton? – Hajt, hajt, – më thoshte ai, – tashti s’ke qejf ti, a kupton? Donte të më fuste në sedër, e megjithatë ai botoi pikërisht në këtë periudhë, edhe një seri veprash, p.sh. siç është “Shqipëria e viteve 30”, botoi “Apologjia e tretë e Sokratit në Tiranë”, botoi një vepër “Gjyqi special”, botoi dy studime: “Njeriu i rrugës së gjatë” dhe “Rrëfim për Dinet e Dibrës”, botoi veprën që ai e donte aq shumë, përkthimin e Platonit, veprën e Platonit në 4 pesë: “Fedoni”, “Kritoni”, “Apologjia e Sokratit” dhe “Simpoziumi i dashurisë”, botoi veprën e një poeti dhe diplomati jugosllav Jovan Duçiq, që ai e kishte shumë për zemër “Qytete dhe fantazma”, botoi “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina”, botoi “Shpresa vdes e fundit” një vëllim me poezi dhe “Rranzave të Sharrit” që ishin dy vëllime me poezi dhe më 20 shtator 1998, 2 ditë para se të vdiste, mori në duar botimin e veprës “Një verë me Migjenin” edhe ishte fjala e fundit e tij që tha: “Tashti vdes i qetë! Ju në daç botoni diçka më shumë për këtë, por për mua quhet gjithçka e realizuar në mënyrën më të programuar të mundshme, e që nuk besoja se do t’ia mbërrija kësaj dite! Edhe kjo, është si të thuash ajo qershia mbi tortë, që ai e kishte si të thuash, pika e dobët e tij. Por nuk duhet të harrojmë se një pjesë e mirë e veprës së tij edhe në kohën që ai vdiq, kishte mbetur në dorëshkrime. P.sh., “Trilogjia e jetës së tij” kishte mbetur në dorëshkrime, kishte mbetur “Enciklopedia e historisë së Botës” kishte mbetur në dorëshkrime, “Frojdi dhe Jungu” i kishte mbetur në dorëshkrim, disa studime mbi, e gjithë proza i kishte mbetur në dorëshkrim, një pjesë e poezive i kishte mbetur, d.m.th., edhe pse ai kishte botuar mjaft në atë periudhë, prap mjaft vepra të tij kishin mbetur pa dalazotas, a kupton? Edhe, si të thuash, ai pengu i tij që: “Nuk do të mundej kush ta çonte më përpara këtë punën time kur të mos jem unë!” – nuk doli i vërtetë, sepse vepra e tij është mbledhur, është punuar me kujdes dhe është realizuar në formën më të mirë të mundshme, si të thuash, me një lloj përkujdesje të jashtëzakonshme, ku unë jam përpjekur që të mos lë asnjë lloj detaji jashtë asaj që mund të quhet kontribut i jashtëzakonshëm i një njeriu, që preku fundin e jetës dhe u ringjall atëherë kur askush nuk e besonte se mund të kishte ringjallje!
Po, pra është ky udhëtimi po themi nga 1991 e deri kur vdiq, ishte në kërkim të kohës së humbur, por që e kapi kohën e humbur, në atë amanetin e vet që ka lënë!
Atëherë, ia vlen të theksoj edhe diçka tjetër. Lazri ishte optimist si njeri, ishte sokratian si filozofi, ishte i paepur si karakter, edhe racional si intelektual, d.m.th. Lazri nuk kishte kështu shpërthime euforike ose emocione të fuqishme. Ai ishte si ajo pika e ujit që bie në një lloj pafundësie pikash mbi një gur dhe në një hapësirë kohe realizon atë që quhet shpimi i gurit. Lazri ishte pikërisht i kësaj natyre, i një këmbënguljeje të jashtëzakonshme, i një filozofie të matur dhe kurrë nuk dilte jashtë asaj kornizës së vetvetes. Pastaj ishte edhe njeri që krijoi miqësi. Nuk kam njohur një njeri që ta ketë njohur tim atë dhe të mos ketë pasur sensin më të lartë të konsideratës ndaj tij. Jo nuk kam njohur njeri! Edhe ata që i kanë bërë keq Lazër Radit kanë qenë të detyruar ta ulin veten e tyre dhe të thonë që i kemi rënë në qafë kot!!!
Megjithatë ajo, siç thatë edhe ju që itinerari i gjithë jetës së tij, ishte në kërkim të kohës së humbur, por ai nuk e la kohën ta sundonte, por ai e dominoi kohën e vet dhe ia mbërriti qëllimit që ta realizonte vetveten në një përmasë që unë nuk njoh ndokënd që ta ketë realizuar vetveten në atë përmasën e tij dhe po të merret në konsideratë që edhe dënimi i tij ka qenë ekzemplar. Nuk gjen, jo dënime, që në pikëpamjen intelektuale ta ketë filluar ditën e dënimit përpara se të çlirohej Shqipëria dhe ta mbaronte dënimin ditën që rrëzohej diktatori, monumenti i diktatorit. Në gjithë këtë hapësirë ai s’ka asnjë ditë lirie! Nuk ka një ditë lirie, d.m.th. që ai të shkonte të jetonte si qytetar i lirë në një X vend apo të kryente një Y detyrë në raport modest edhe me vlerat e tijk. Jo, ai nuk ka asnjë ditë.
Dhe duke qenë se e gjithë kjo hapësirë është 46 vite, e mjaftë që ai të realizojë një vepër që është sot në 24 vëllime, e prap ka diçka të pambaruar, ti thua është e pamundur!! Nuk ka, daç në Evropën Lindore, në daç në gjitha këto vendet e komunizmit, nuk ka njerëz që të kenë kryer një cikël kaq të gjatë ndëshkimi dhe të kenë realizuar një vepër kaq të plotë, siç e ka realizuar ai, Lazër Radi. Pra, dalim tek ajo e kohës, që ai e ktheu kohën në shërbim të vetvetes, por jo thjesht në shërbim të vetvetes por në shërbim të një shoqërie, e cila ende sot nuk ka gjetur kohë ta retushojë vetveten dhe të kuptojë që një model i kësaj natyre është një model pozitiv që mund t’i shërbejë çdo individi për të dëshmuar se njeriu është më i fortë se diktaturat!!
Çfarë të mungon ty në atë pazëllin që ti do të nxjerrësh. Ne thamë që ka 23 vepra, nëse do të bësh një kalim të shpejtë të veprave?
Tani, dua të përmend edhe diçka që është e parealizuar nga vepra e Lazrit, edhe pse e kam konsideruar veprën e Lazrit të mbyllur. E kam konsideruar të mbyllur, por nuk është plotësisht e mbyllur. Nuk është plotësisht e mbyllur për disa arsye. E para, unë i jam drejtuar Autoritetit të Dosjeve për të marrë dosjen e Lazrit dhe kam marrë 2 dosje të mëdha. Njëra është dosja e Gjyqit Special dhe tjetra është dosja e tij personale ose siç quhet Dosja Formulare e Sigurimit të Shtetit. Te dosja formulare, ajo është si të thuash është një vepër që s’e ka shkruar Lazri, por është shkruar mbi Lazër Radin, e ka shkruar Sigurimi i Shtetit, sigurisht në atë dëshirën e tij të keqe për ta pasur nën mbikëqyrje dhe nën kërcënim të vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë i ka bërë edhe një nder të jashtëzakonshëm duke i dëshmuar që jo vetëm ka qenë i survejuar i shkallës së lartë, por ka dëshmuar se është edhe një intelektual i nivelit të lartë sepse bisedat që janë të regjistruara prej tyre atje, tregojnë që ka qenë një njeri antikonformist dhe njeri i matur që nuk e tepronte në agresivitet ndaj shtetit, por e trajtonte shtetin me atë konsideratën armiqësore që ka ndaj individit, por dhe një individ që di të rrijë në pozitën e tij edhe pse është i indeksuar si armik i pushtetit? Dhe po ta shohësh Dosjen e kupton më së qarti… Unë kam vendosur që dosja e tij të jetë një nga punët e ardhshme, që vërtet mund të mos jetë vepër e shkruar prej tij, por në të vërtetë është shkruar për të dhe është e mbushur me fjalitë e tij aty brenda. Janë qëndrimet e tij, janë veprimet e tij, janë survejimet ndaj tij. Pra, në njëfarë mënyre, edhe kjo do të jetë një vepër plotësuese e figurës së tij. Unë do të mbivendosem mbi këtë vepër me të gjitha njohjet që kam pasur, sepse gjithçka që vërtitet rrotull veprës së Lazrit, d.m.th. rrotull dosjes së tij, në njëfarë mënyre o në një tjetër, unë i njoh të gjithë personazhet që vijnë aty vërdallë dhe d.m.th. jam njeriu që mundem ta plotësoj në formën më të mirë të mundshme këtë vepër. Një vepër tjetër që i ka ngelur pa realizuar Lazrit dhe që ai e ka paraqitur një herë, është “Gjyqi i Parë Special në Shqipëri”. Vepra ka qenë e botuar me rreth 130 faqe, në vitin 1995, “Gjyqi special” i Lazrit. Problemi është se Lazri ka dhënë pak atë gjendjen, pak personazhe, pak gërmime ka bërë në shtypin e vitit 1945, kishte mbledhur materiale sidomos nga gazetat “Bashkimi” dhe pak dokumentacion nga arkivat e asaj periudhe. Duke qenë se unë kam marrë dosjen e plotë të Gjyqit Special, dhe kam edhe këtë broshurën e Lazrit, e cila, drejt me thënë, është modeste. Duke qenë se është modeste, atëherë ajo fryma me të cilën duhet të mbivendosem unë duhet të jetë e një studiuesi të ftohtë, sepse ki parasysh edhe një gjë, që Gjyqi Special është çelësi i krimit të organizuar në Shqipëri. Në Gjyqin Special janë figurat më të ndritura që ka pasur historia e pasluftës, të cilat u grumbulluan të gjitha në një vorbull ku u dënua pjesa më e madhe e tyre, por nuk ishte pjesa që u dënua më e madhe, por u mbajtën ca koncepte që ata që janë dënuar në Gjyqin Special si “armiq të popullit”, edhe sot e kësaj dite, edhe ndaj brezave të tjerë është ruajtur po i njëjti koncept?! Dhe ata, në pjesën më të madhe të tyre, janë figura patriotike sipas meje. Janë figura patriotike të padiskutueshme! Edhe të gjithë kur ndryshojnë ato situatat ideologjike dhe u humb një luftë nga një pjesë dhe u fitua një luftë nga një pjesë e ku pjesa ftuese u tregua e tërbuar ndaj atyre që kishin mbajtur, si të thuash, një qëndrim më pronacionalist, një qëndrim më proshqiptar, e kjo në njëfarë mënyre nuk mundej që të gjitha këto atribute që morën fitimtarët t’i kthenin, si të thuash, në një lloj masakre intelektuale të pamëshirshme. Nuk e justifikon fitoren e tyre. D.m.th. mjetet që përdorën ata në marrjen e pushtetit ishin të pamëshirshme, por kjo sipas konceptit tim, hyn te një projekt afatlargët që ishte gjenocidi ndaj intelektualëve shqiptarë dhe nuk ishte çështja e armiqve ose e atyre që kishin bashkëpunuar me fashizmin. Ishte një projekt, sepse mbasi u dënuan dora e parë e këtyre njerëzve, erdhën intelektualë të tjerë që ishin pro tyre, intelektualë të tjerë e të tjerë e të tjerë, inxhinierë, edhe të gjithë pësuan të njëjtin kalvar. Pra, kjo tregoi që nuk ishte çështje bashkëpunëtorësh apo e Ballit Kombëtar, por ishte një çështje intelektualësh që do ta pësonin shkallë-shkallë të gjithë deri në vitin 1990, që kemi humbjen edhe nga vetë komunistët. Ata janë humbësit e mëdhenj të pjesës më të madhe të atyre që quheshin heronjtë e Luftës II Botërore. Edhe ata do të ishin pjesë e pushkatimeve të pafundme. Pra ishte një projekt afatlargët për të shkatërruar në mënyrë sistematike të gjithë ata që hynin, si të thuash, dhe i bënin pak hije diktatorit. Nuk ka lidhje kjo në ishe me fashizmin apo me Ballin Kombëtar apo ishe partizan i orëve të para. Të gjithë pësuan po të njëjtën dramë e në mos tragjedi. Dhe pikërisht kjo, e Gjyqit Special është si të thuash edhe një lloj pune tjetër mbi veprën e Lazrit, pa harruar se kam punuar me kujdes dhe kam mbledhur gjithçka që kanë shkruar të tjerët për Lazër Radin. Edhe ajo që kanë shkruar të tjerët për Lazrin, është një libër relativisht i madh, është një libër me rreth 500 faqe, ku shkrimtarë, gazetarë, njerëz të thjeshtë, kanë shkruar për Lazrin gjëra të jashtëzakonshme ku një pjesë e tyre dëshmojnë edhe njohjen e tyre të drejtpërdrejtë, çka edhe kjo, në atë kompleksitetin e gjërave, përbën atë figurën e plotë të tij parë edhe nga jashtë e jo vetëm nga brenda.
Po këto janë të mbledhura, të gjitha, dhe në punim e sipër, apo presin të botohen?!
Po, por që presin të botohen edhe çdo gjë kohën e vet.
Ndërkohë janë të botuara! Atëherë, po e bëj me numrat e veprës.
3 veprat e para të Lazrit quhet dhe Trilogjia janë: “Mjegullnaja e nji kohe të largët”, “Në gjurmët e nji ditari të djegun” dhe “Vorbullat e jetës universitare”
Në këta tre libra presupozohet se është gjithë jeta e Lazrit nga lindja e tij deri ditën e arrestimit. Pas ditës së arrestimit, për diktaturën, Lazri ka shkruar shumë pak, d.m.th. në pikëpamjen biografike ka shkruar shumë pak, d.m.th. tregonte histori të ndryshme sepse në konceptin e tij, ai kishte pushuar së qeni si intelektual ditën e arrestimit. Dhe simbas tij Njeriu nuk mundet të tregojë të këqijat e pësuara, kur një njeri duhet të tregojë betejat e bëra, jo vetëm të këqijat e pësuara. Të këqijat e pësuara janë thjesht fatkeqsi të jetës! Dhe veçse ka dhënë kontribute si në media, p.sh. në publicistikë ka kontribute të jashtëzakonshme. Ka kontribute në poetikë. Ka kontribute në prozë, por t’i marrim më specifike tri veprat e para: “Mjegullnaja e nji kohe të largët” është e lidhur me qytetin e Prizrenit, ku ai jetoi deri në moshën 13 vjeç.
“Në gjurmat e nji ditari të djegun” i është përcaktuar si qytet Shkodra, ku ai jetoi shtatë vite si student dhe konviktor, edhe është ajo pjesa më me dritë e tij, ato dëshirat rinore, formimi i tij si intelektual, botimet e para.
“Në vorbullat e jetës universitare” është mosha nga 19-28 vjeç, ku ai pasi shkoi në Itali dhe kreu fakultetin Juridik, u kthye në Tiranë e ku për disa vite punoi edhe si gazetar, edhe si nëpunës shteti deri në momentin e arrestimit. Këto janë tri veprat e para të tij që quhen vepra biografike, por po aq biografike janë edhe tri veprat e tjera që, por nuk janë plotësisht biografike.
Vepra e 4-t është “Nji verë me Migjenin”, që është shkëputur nga Vitet ’30, por e ka plotësuar pastaj edhe me qëndrimet e mëpasme apo me studimet apo me rrugën që ndoqi ai për ta botuar këtë vepër.
Vepra e 5-të është “Shqipëria e viteve 30”, që është një analizë ku ai është pjesë e së vërtetës së viteve ‘30, duke mos lënë asnjë element të cilin ai e kishte jetuar, pa e përmendur.
Vepra e 6-të është “Ministri i hekurt – Mirash Ivanaj”, kushtuar figurës së Mirash Ivanajt. Lazri e kishte pasur edhe mësues, edhe drejtor shkolle, por edhe ministër Arsimi, por edhe bashkëvuajtës në mesagjerinë e përkthimeve në Tiranë pas vitit 1946, që ai u kthye në Shqipëri. Lazri kishte mbledhur me kujdes gjithçka kishte mundur për Mirashin dhe realizoi një vepër të plotë për të dhe mund të konsiderohet si një nga njohësit dhe studiuesit më të mirë të figurës së Mirash Ivanajt.
Vepra e 7-të dhe e 8-të janë pjesa letrare!
Vepra e 7-të është “Poetika”, ku janë të 3 librat e shkruar prej tij dhe të gjitha poezitë që kanë qenë të shpërndara në shtypin e viteve ‘30-‘40. Janë të mbledhura me kujdes dhe të botuara.
Kurse vepra e 8-të është “Novelistika”, që ka tre novela dhe një tregim dhe që përbën prozën e Lazrit, ku është edhe vepra “Apologjia e Tretë e Sokratit në Tiranë”, e cila sipas konceptit tim dhe atyre që e kanë lexuar me kujdes, është kryevepra letrare e Lazër Radit.
Vepra e 9-të është “Publicistika e Lazrit në vitet ‘30-‘40”. Një vepër ku janë mbledhur të gjitha shkrimet që kishte botuar në shtypin letrar të viteve ‘30 dhe ‘40. Një vepër me rreth 300 faqe.
Kurse vepra e 10-të është “Publicistika e mbas viteve ‘90”, d.m.th. aktiviteti i tij është shkëputur në vitin 1944 dhe ka rifilluar vetëm në vitet ‘90. Edhe ajo është një vepër relativisht e gjerë dhe kontributet e Lazrit janë relativisht të mëdha. Vepra e 11-të janë 2 Monografi. Njëra monografi quhet: “Rrëfim për Dinet e Dibrës” dhe monografia tjetër quhet “Njeriu i rrugës së gjatë”.
Vepra e 12-të janë 2 Studime, një studim që e bëri për Projektkushtetutën e vitit 1994, ku ai dha kontribute edhe si njeri i jurisprudencës dhe një tjetër është një analizë e një kryeministri serb, i cili kishte në gjithë atë vëmendjen e tij e që përfaqësonte një frymë relativisht të fortë të shkatërrimit të shqiptarëve dhe Lazri e ka studiuar me imtësi këtë.
Vepra e 13-të janë “Ditarët e Lazër Radit” dhe fletoret e tij të shënimeve, ku janë ditarët e tij të mbajtur në Amerikë, në Itali, gjatë kohës që shkonte në Bibliotekën Kombëtare dhe
Vepra e 14-të e tij janë “Letërkëmbimet”.
Pra ky është itinerari i gjithë veprës së tij, kurse itinerari i përkthimeve të tij është mjaft i rëndësishëm dhe i botuar disa herë. Është Vepra e Platonit e botuar 4 herë deri në botimin e fundit. Së dyti është “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” e Jevren Bërkoviçit të cilën e përmendëm më sipër. Kemi një përkthim të Mark Milanit “Jeta dhe zakonet e Shqiptarëve”, që merret me historitë e malësorëve të shkruara nga një luftëtar malazez. Pastaj kemi “Qytete dhe fantazma” të Jovan Duçiq. Kemi “Epopeja e njeriut”, një përkthim i të dy vëllezërve Mirash dhe Martin Ivanaj. Kemi Frojdin edhe Jungun “Mbi interpretimin e ëndrrave dhe dëshirave”, një përkthim shumë të rëndësishëm. Kemi “Sekretin e Anglisë”, historinë e të cilit e rrëfevamë sipër. Por njëkohësisht kemi edhe “Enciklopedinë e historisë së botës”, në 2 vëllime, me rreth 1000 faqe punë.
Pra këto janë edhe 9-të veprat e përkthyera nga Lazër Radi dhe kontributet e tij në fushën e përkthimit.
I kemi thënë të gjitha! Për të thënë, i kemi thënë të gjitha.
Edhe ajo që është më e rëndësishme është që vepra e tij u realizua në një kohë tejet të vështirë dhe ku nuk ekzistoi asnjë lloj përkrahje, asnjë lloj mbështetje nga shteti, se nuk e përmendëm edhe këtë. E gjithë vepra është realizuar, edhe kur u botuan për herë të parë një pjesë e shkrimeve të tij, u bë nga vetë ai. Edhe vepra e plotë, janë shfrytëzuar dëmshpërblimi që duhej t’i jepte shteti p.sh., për të bërë diçka, janë shpenzuar të gjitha për të ndërtuar, për të rindërtuar veprën e tij dhe që t’i sillet lexuesit në një formë sa më dinjitoze të mundshme. D.m.th. edhe kjo që ka ndodhur është e gjitha iniciativë private, iniciativë e njerëzve vullnetmirë, e në mënyrë të veçantë e familjes së tij, e cila është kujdesur në mënyrë rigoroze, si të thuash gjithçka ka ardhur si rezultat i asaj që familja ka qenë gjithmonë ajo baza mbi të cilën ai investoi gjënë më të madhe dhe në të njëjtën kohë, familja është po ajo që ia rikthen atë me një kosto të shtuar d.m.th. atë vullnetin pozitiv, atë stoicizmin e tij prej njeriu që nuk bëri kurrë asnjëherë kompromise me të keqen.