Prof. Nikoll Dakaj, viktimë e “Revolucionit Kulturor”
nga Fritz Radovani
1967 – Një Shqipni aq e vogël me aq shumë trazime, gati e pabesueshme! Frenat e shtetit gjithmonë ndër duertë e vrasësve injorantë. Po Europa, shka thotë?
-Shkoni në Shqipni e shikoni modelin e “harmonisë fetare”, si aty askund tjetër!
Hapja e Dosjes së Prof. Nikollë Dakës, asht një tregues i saktë i atij “Revolucioni” që ende sot nuk e njeh jo vetëm Europa, po përveç Kinës, vështirë se din kush shka u ba?
Në Dosjen e Tij shumë shkodranë do të gjejnë “shumë sekrete” që nuk i mendojnë!!
Përpara arrestimit të dytë kur po zhvillohej “Revolucioni Kultural i 1967” edhe unë e kam njohë Profesor Nikollën, vetëm për paraqitje. Një burrë i heshtun, me një paraqitje të kujdesshme dhe gjithmonë i gatshëm me të përshndetë me përzemërsi. Fliste me za të lehtë dhe të jepte përshtypjen se nuk e flet një fjalë pa e mendue mirë përpara…
Atë ditë kur asht hapë fjala për arrestimin e Tij, jam kthye me i tregue at lajm edhe Prof. Gaspër Ugashit, i cili u mpi dhe ju mbushën sytë me lot… Nuk e dijshe se janë njoh në Normalen e Elbasanit, ku e kishte drejtue Prof. Karl Gurakuqi, porsa asht kthye nga Italia dhe e rekomandonte Prof. Gasprin me e ndihmue se asht një “djalë i ri, po me një
përgatitje të admirueshme në fushën e Gjuhësisë dhe si përkthyes nga italishtja…”
Prof. Gaspri filloi me dyshue për ndonjë “informacion” të dhanun për përkthimet e Tij dhe, për disa punime që kishte fillue qysh i ri në Elbasan, po, që ishin të ruejtuna nga Prof. Nikoll Dakaj tepër sekret, mbasi nuk përputheshin me zhvillimet e kohës. Ishte në dijeni edhe për konsideratën e Prof. Joklit, kur Prof. Nikolla, ishte 21 apo 22 vjeç i ri…
Nga Profesorët Guljelm Deda, Arshi Pipa dhe Gaspër Pali dinte prirjen e Prof. Nikollës në folklor, histori dhe dramaturg me prirje shumë moderne. Shkruente po thuej në të gjitha revistat e kohës me disa pseudonime: Melibeu, Basho Jona, NI, N.D., etj., se landa që botonte ishte e shumtë dhe e njëkohëshme mbrenda Atdheut. Autorë të mëdhaj të letërsisë antike greke e latine dhe asaj italiane, prej Homerit, Virgjilit, Horaci, Dante, Petrarka, Leopardi, Karduçi, Manzoni, të gjithë i gjenë në përkthimin mjeshtror të Prof. Nikoll Dakaj, me një gjuhë të pastër e të gjallë e me atë tingullin akustik të Maleve që kanë në origjinal, ku ruhet struktura e vargut, rrima dhe figuracioni i pasun.
***
Poema “Koineja e gjuhës shqipe”, u shkrue me një frymë burrash, me çiltërsi, me vrullin e një shpërthimi të mbrendshëm, kur “kazma dhe pushka” i rrënonin themelet…
S’ecë para gjuha me ligjë e dekrete,
as me vendime gjuhtarësh gjysmakë,
që vetë të zbehtë fjalën e kanë e t’pakë
e s’u shkon proza, as vargu nuk u vete.
Mjeshtria e fjalës, zotësi në vete,
thithet në vogëli nga gjyshja plakë,
merr turr e rritet, digjet zjarr e flakë
e n’gojë t’poetit buron si mjaltë blete.
Fatkeqsisht disa nga veprat e Prof. Dakaj janë zhdukë. Barbari Ramiz Alia, kur po i vente kazmën kulturës Veriut, ngarkoi skilen Jup Kastrati me detyrën e njohun tashma: “Kryetar i Komisionit Përzgjedhjes Leteratyrës Fetare Kishtare”, mbasi ia kishte marrë doren asaj punë që në vitet 1950, me shkenctarin at Justin Rrota…
Prof. Nikolla asht e vërtetë se studjoi në shkollat e Klerit Katolik, po prift nuk ishte…
Atëherë pse u arrestue? – Ishte e mjaftueshme kenja katolik. Kaq i duhej drejtuesit të “Revolucionit” Ramiz Alia në Shkodër, mandej Xhemal Dinat e Musa Krajat plotësonin dokumentacionin dhe zhdukej ajka e kulturës së Veriut përjetsisht. Ndonse, Profesor Nikolla, plotësonte edhe një kusht ma shumë “me kenjen nxanës i At Gjergj Fishtës”!
At Gjergj Fishta, mbasi kishte lexue poezinë “5 Maj” të A. Manzonit të përkthyeme nga nxanësi i vet i apasionuem tek artet e bukura, në mencë gjatë ngranjes së mëngjezit i asht drejtue para të gjithëve i entuziazmuem: “O Nikollë, ma ke kalue!”
Po, Prof. Nikollë Dakaj i këndon Dedë Gjo’ Lulit dhe, asnjëherë nuk harroi At Fishtën:
-Sa Osja bashkë e Marash Ucit t’kndohen –
Gjithmon Atmes do t’i rrijë parzmore,
Gjithmotin Fishtën gjallë e ruen ndër ne,
Valët e Drinit sa t’dynden rrotullore.
Prof. Nikollë Dakaj asht Burri i Hotit, që mbeti deri ditën e fundit të jetës Atdhetar!
Madhështia e Tij qëndron në paftën e bronxit që Trimit i ngjeshej për parzëm…
Melbourne, Shtator, 2013
Marrë nga muri Anton Daka, 6 gusht 2023