back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Gruaja më e arrirë e shekullit të 20-të! – nga Nashi Brooker

Gazeta

Musine Kokalari (foto e rinise nga Nashi Brooker - paraqitet per here te pare)
Musine Kokalari (foto e rinise nga Nashi Brooker – paraqitet per here te pare)

Gruaja më e arrirë e shekullit të 20-të!

nga Nashi Brooker

Në atë ditë të shtunë, më 13 gusht 1983, temperaturat e regjistruara në Itali ishin rreth 40 gradë celsius… po kaq duhej të ishin edhe në Rrëshen e Tiranë.
Musine Kokalari kishte mbi dy vjet që vuante nga kanceri i gjoksit e 18 muaj që plaga e operacionit në gjoksin e djathtë… vazhdonte t’i kullonte.
Si etnografe e shkrimtare është e volitshme të sjellim për këtë shkrim legjendën e lashtë, gruan e murosur në Kështjellën e Rozafës. Sipas kësaj legjende tejet të përhapur, publikuar edhe përtej Shqipërisë, gjiri i ishte lënë jashtë që të kullonte pika qumështi për foshnjen e saj… Ashtu edhe nga gjiri i djathtë i Musinesë, i pa mjekuar prej 18 muajsh pikonte gjaku i themeleve të demokracisë së ardhshme. Ajo mjekohej vetëm me rifocin e vaj peshku. Edhe për mjekimin e saj defiçient ishte shteti që kishte vendosur.

Dhe sëmundja u kthye kundër meje e pamëshirshme… nuk m‘u dha mundësia të kaloja disa vite të qeta…

Zëra fëmijësh që luanin jashtë ato ditë gushti, zëra plot jetë dhe ngjyra të moshës ishin fijet e lidhjes së saj me të tashmen e me të shkuarën. I kujtonin vitet e fëmijërisë, se shkollimit dhe vitet e shkollës si mësuese. Gjallëria e zërave të fëmijëve në shkollë, zilja e mbarimit të orës së pushimit dhe zërat e mësuesve kishin qenë ngushëllimi i vetëm ndër vite në qytetin e internimit, ku e ndjente veten pranë njerëzve të pafajshëm.
Por ai gusht i vitit 1983, do të ishte i fundit dhe fatal. Ajo nuk do të kishte mundësi të dëgjonte apo shëtiste më. Rrugët e shkurtra të qytetit filluan të ndjenin mungesën e hapave të saj të ngadaltë dhe elegantë. Urës së Fanit i mungonte prania e saj pasditeve. Dhe kafja buzë rrugës kishte tashmë një klient thuajse të përditshëm më pak. Ajo ishte gruaja që vinte vetëm, ulej vetëm, pinte kafen vetëm e bënte mijra dialogje në heshtje me veten. Hapat e saj të lehtë tashmë filluan të shterrojnë ditë pas dite… Trupi i saj elegant dhe bukuria e saj po shuheshin si qiriu i ndezur për një lutje nga një nënë që ka humbur djalin, motra vëllanë, gruaja burrin. Shuarja e saj kishte nisur nga zinxhirët demoniane të cilët e ndaluan të ëndërronte për një të nesërme shumë ndryshe. E ndaluan të ëndërronte për librat e mbetur në dorëshkrime; për poezitë e pashkruara, për familjen e pakrijuar dhe për fëmijët e ndaluar.
E nesërmja e Musine Kokalarit u pre me sopatën e hekurt shtetërore… më 12 nëntor 1944!

Musine Kokalari mes fëmijëve -  (foto e rinisë nga Nashi Brooker - paraqitet për herë të parë)
Musine Kokalari mes fëmijëve – (foto e rinisë nga Nashi Brooker – paraqitet për herë të parë)
“Jam a varrosur për së gjalli…”

Emri i saj i vijëzuar me bojë të verdhë bashkë më librat e saj në mbledhje shkrimtarësh, organizata partish, takime poetësh dhe gazetarësh. Një vijë keqndjellëse e gishtave të përfaqsuesve të shtetit që morën pjesë në shkatërrimin fizik total të saj. Një shtet që hartonte dhe inskenonte rrëfime autokritikash e poshtërimesh publike në çdo skaj të vendit. Shtetarë që paguheshin për hartimin e listave sekrete me emra viktimash të pafajshme, shënime absurde e akuza të fabrikuara. Shtetarë të një shteti që shkollonte e paguante mijra njerëz për të mbajtur lart urrejtjen, për atë që nuk është “yni, nuk është gjaku i partisë”.
1 Gusht 1983, Musinea shkruan letrën e fundit kushëririt të saj Platon Kokalari.
Fundi tragjik, ku dergjem është fatal. Ishalla mbarojnë shpejtë të gjitha. E vetmja zgjidhje.
Duke të pritur, ju përqafoj të gjithëve, Musineja.
Është një letër e dhimbjes njerëzore, thirrëse, përçuese e vetmisë së detyruar. Letra e lamtumirës dhe ndarjes përfundimtare me botën e gjallë. Pranë shtratit ato ditë fatale Musineja nuk kishte askënd. Asnjë dorë me një gotë uji të ftohtë t’i jepte një bulëz ujë në buzët e zhuritura nga sëmundja dhe i nxehti i verës. Fqinjët duhet të ishin armiq të popullit që të kishin të drejtën t’i flisnin, ta pyesnin si ishte me shëndet e t’i shërbenin.
Nuk kishte më kuptim për të kjo jetëzgjatje. “Tashmë po e pranoj fundin tim… Ti mbyll sytë njëherë e përgjithmonë. E për çfarë të jetoj? E di që vetëm pas vdekjes vjenë liria…”
Vdekja ishte vendosur aty në dhomën e vogël të Musinesë. Aty ku dergjej trupi i saj mbi minderin në qoshe shtrirë mbi dyshek të vjetëruar. Vdekja ishte aty me mision të pakthyeshëm. Ndoshta përgjat delirit të vdekjes ndjente pranë portretet e Rilindasve të varur në murin e dhomës së saj të vogël. Ndoshta po bisedonin butësisht siç dinin vetëm ata të flisnin. Përkujdesi tjetër vinte prej portreteve të nënës dhe babait. Dhe ngadalë trupi i saj po zhytej në akullnajën e vdekjes, në qetësinë e përjetëshme të shumëpritur. Fjalori enciklopedik shqiptar ishte pranë kokës së saj. Një dëshirë e përmbushur deri në fund të jetës së saj. Gjuha shqipe, Shqipëria, gjerësia dhe thellësitë e botës shqiptare, rrënjosur në çdo qelizë të trupit dhe mendjes së saj tashmë ishin aty, të gjitha së bashku.
Poetesha, prozatorja, etnografja, demokratja, intelektualja Musine Kokalari pushoj përgjithmonë!
Një vajzë e fqinjit ndërkohë që trupi i Musines i pajetë priste mbrëmjen të futej nën dhè kërcen dhe këndon, “Musine Kokalari ka vdekur, Musine Kokalari ka vdekur, Musine Kokalari…”
Musineja u varros pa ceremoni, sapo kish rënë mbrëmja e 14 gushtit 1983.

Kush kishte dëshirë ta shoqëronte trupin e pajetë të saj e të shihej se kishte lidhje me të? Frika për reprezalje personale dhe familjare ishte e kuptueshme. Musineja ishte “njeriu i braktisur” e sipas propagandës se kohës “ishte balliste, agjente e të huajve, kriminele e rrezikshme…”
Asnjë kafe e zezë nuk u nda për të atë ditë. Asnjë vizitë ngushëllimi, asnjë fjalë vajtimi nuk u dëgjua diku nga askush. Dhe atje nën dhe ajo ishte vazhdonte të ishte e prangosur nga vdekja dhe totalitarizmi. E megjithatë, e kishin të pamundur ta lëndonin më.
“Gjirokastra ime e dashur që ngule idetë e para përparimtare tek unë. Të lashë e më s’të pashë!” – shkruan Musinea një ditë vere duke soditur lëndinat e Rrëshenit.
Sokakët e Gjirokastrës atë ditë gushti kishin humbur një njeri që e deshi dhe nderoi atë. Qyteti kishte humbur një jetë qe e donte jetën. Vajza që përjetoi me pasione epokën historike të viteve ‘30-40 të Belle Époque, Gjirokastra kishte humbur novelisten, e cila përshkroi në librin e saj “Sa u Tunt Jeta” traditën e gruas gjirokastrite me një gjuhë të përkryer dhe të paarritshme ndonjëherë. Ndoshta, sot Gjirokastra duhet të ulet e të shpallë një ditë vajtimi për Musine Kokalarin. Edhe Tirana atë ditë gushti, përjetoi në heshtje humbjen e saj. Tirana humbi një jetë të fuqishme… edhe më e madhe se vetë jeta. Por asnjë fjalë nuk do të botohej nga Tirana zyrtare për të. Asnjë gazetë nuk do shkruante për veprën e saj. Asnjë shkrimtar i kohës nuk do të guxonte të shkruante për vdekjen e saj. Do të ishte e kotë, sepse do të thoshte mijra burgosje ekzistuese, plus një viktimë tjetër! Rrësheni kishte humbur Musine Kokalarin, gruan që kishte sfiduar çdo paragjykim politik dhe social për katër dekada rresht. Trupi i saj ulur në stol, me libër në dorë, nuk do shihej më në lulishten e qytetit të vogël. Fqinjëve të saj ju shtua një dhomë e kyçur, e cila nuk u hap më kurrë. Një shqetësim më pak për ta. Një frikë me pak të shiheshin pranë saj e raportoheshin sepse, “ishte gruaja më e rrezikshme kundër regjimit komunist dhe kushërirë e Enver Hoxhës…”

Musinea bashkëkohore

Në një periudhë ku njeriu dhe shoqëria ishin të rrethuar nga errësira, Musine Kokalari na jep me jetën e saj një shembull që na nxit të mendojme dhe të krijojmë një botë ndryshe, më njerëzore. Të gjithë ne mundet të mësojmë nga një faqe e librit të saj më të arritur “Sa u Tunt Jeta”. Personazhi kryesor i novelës së saj trajtohet jo më shumë se mall për t’u shitur në pazar, mall pa gojë, zë, dëshira, ëndrra dhe jetë. Për dikë të sfidojë trajtimet brutale dhe absurde lexo një faqe të kësaj novele shkruar me aq mjeshtëri siç vrojton edhe Ibrahim Rugova në vitet 80-të.
Kosova nuk e harroi asnjëherë Musinenë.
Është për t’u pranuar që ne nuk kemi njohur grua dhe figura të ngjashme si Musine Kokalari prej 80 vjetësh. Por edhe se nuk kemi pasur figura si ajo edhe para saj. Një grua intelektuale, mendimtare dhe përparimtare, që pati një vizion të qartë dhe lidhi natyrshëm, krejt njerëzisht themelet e demokracisë me virtutet, rrënjosur thellë në shpirtin e saj.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.