Edhe ti, si ajo …
tregim nga Jozef Radi
“E përdhunueme qysh herët,
vazhdonte me përdhunue krejt botën
pa dhimbë!” Freud
Gjithçka kish ndodhë para se dera e metaltë të kërciste me nji zhurmë që aq shumë i ngjante nji çarku të zhgrehun, prej të cilit ajo tashmë ndihej e shpëtueme, u fashit…
Alinia dha pak hov gjoksit të saj të bollshëm e njashtu nëpër terr iu duk se hapat saj plluskues nën shiun që s’kish të rreshtun ishin melodia ma e bukur e asaj vjeshte… N’harmoni të pakufi me vedin, ajo ndjesi e kërkueme kokfortsisht, kish me zgjatë edhe ma tej, sikur nëpër terr nji krijesë e rrënueme, strukë n’nji qoshe t’shmangun dyqani, mbulue me do kartona e rrecka mos t’kish lshue nji ofshamë e klithmë bashkë…
“O Zot! – mërmëriti – pse ma dhuronkët trishtim!”
Diçka e trembi, ia lkundi hapat e ia mbajt kryet kah erdh ofshama njerzore. As vetë s’e kuptoi pse dora i shkoi drejt e te çanta edhe kambët e saj që pak çaste ma parë dukej sikur vallzonin nëpër shi, iu afruen paksa atij grumbulli zhelesh e kartonash, prej t’cilave brofi me gulsh e frymë nji njirì.
U përball befas me diçka t’zhubrueme, t’paqethun, t’parrueme, t’palame me nji grahmë kudërbuese mes avujve t’alkoolit e pocaqisë së thartueme të djersës e teshave të lagshta. Nxori me t’shpejtë nji kartmonedhë të blertë e ia lshoi me të shpejtë si gjeth peme përskaj…
Krijesa e zhytun mes zhelesh t’pocaqisuna e lagështinës së shiut, përhumbë midis territ e hijeve n’at skaj qyteti, u shtang para njasaj zonje t’hijshme me shpirt bamirës që kish zhgulë diçka prej borsës së saj të shndritshme e si gjeth ia kish lshue përskaj…
Krijesa e zhubravitun foli si nëpër dhambë:
-Si ti ka kenë edhe ajo… ma e bukura shtrigë e botës! O n’mos kjofsh ti vetë njajo…! – e u zhyt mes zhelesh e kartonash t’lagun.
Ato pak fjalë t’egra i erdhën si jehonë e nji shpirti shpreshumbun, çka e detyroi me ia kthye me ngut shpinën e me i dhanë hov ecjes ritmike nëpër at shi të butë vjeshtor mbytë me gjethe, e ku siluheta e saj kalamendej me dritëhijet e nji trupi valvitës, pasqyrue vetrinash t’shndritshme. E tërhjeku zhag vedin e nxitoi nëpër trotuarin e lagësht, n’përpjekje me i mposhtë ndjesitë e dyfishta t’njasaj nate, ndërsa kumbimi i vrazhdë i nji zani sikur iu përplas mbas shpine ia rrënqethi krejt trupin:
“Kurvë je kenë, kurvë ke mbetë, sa t’jeshë! Edhe n’andrrat e mia…!”
Befas, qyteti iu shfaq me krejt shëmtinë e vet!
A thua s’ishte po i njajti që i kishte dhurue lumtuninë fluide të trupin e saj, në ecjen e saj, në mendimet e saj, në gjestet ma sublime që e kishin dalldisë e përhumbë krejt n’nji botë t’përtejme…
U rrek me i buzqeshë vedit si për diçka të largët e t’pavlerë, ndoshta zhytë në vite drite dhe e gjet vedin tretë n’trishtim t’asaj çka kishte mshehë e shuejtë, tue u shfaqë e shlirtë, çka s’ishte ndoj mundim fort i madh për te…
Dëshira me mshehë thelbin o frutet e ndjesive të veta, etja me luejtë me gjithkënd përfshi edhe vedin, u banë ma t’amblat e ma ledhatueset ndjesi n’shpirt të saj. Krejt qenia nisi me iu lumnue n’nji përlotje që kishte dashni e helm, ndjenjë e zhgënjim, bile me mbjellë zhgënjim ishte kulmimi i saj shpirtnor, veç kur e ndjente se ishte i plotë…
Kurrë shiu i vjeshtës s’ishte kenë ma i dobishëm se at natë.
Tue u lagë u tue u kthjellë, tue u kthjellë u tue zbritë te vetja, u ndje e mbulueme me nji tis drite që po e lodhte.
Ajo natë, n’se për dikë ishte kenë fillimi, për dikë tjetër do t’ishte fundi. Bash te njajo lojë e fundit me fillimin, sillesh aktrimi i saj i munguem e njaq i vuejtun n’jetë e që ia bani t’plotë frymën asaj nate vjeshte.
Kishte aktrue me viktima pa peshë, disa ishin përzanë si qen, e ndoshta ndonji t’lehun e kishte ndeshë bash njat natë. Po bukur fort! Ajo vazhdonte me i mshirue, n’mos viktimë e saj, nji simotr’e saj sigurisht, që njashtu mes zhelesh e kartonash t’lagun kishte guxue me i shfry…
Me peshën e qytetit të lagun mbi shpinë, ku shiu e terri e shtynë me harrue dallgët e saj t’jetës, nji vettimë me dritë të frikshme e gjimim tronditës iu lshue mbi lumtunitë e rrejshme mbjellë gjithkah…
Kur u fut n’dhomë, para pasqyre e ndjeu vetminë edhe ma t’bukur! Asnji gjurmë s’gjet n’vedi prej asaj mbramje. Kjo e mrekulloi n’at pamundësi të artistes së humbun. Aftësia me e shëmtue n’pak kohë njat që kishte jetue si ma bukra gja e jetës, ishte thelbi saj! Tue mos qeshë kurrë me shpirt, pamja e saj n’pasqyrë sikur e mbushi dhomën me nji mjegull t’ambël. U ndje mirë. U rehatue n’paqe me vedin, pse kishte krye misionin ma të vshtirë të sajin, tash ndihesh e çlirueme, e plotë, e paqtë me vedin, pse e kishte çue trupin e saj me guxim nëpër shi, nëpër terr, nëpër vjeshtë diku ku lbyrja xente vend të randsishëm… E kishte pa portretin e saj endë n’filigramë ari n’nji histori dashnie që ishte përjetue si nji jetë e plotë e tash i duhesh veç pak kohë me hjekë dorë prej saj. Çka kishte ndodhë at natë, ishte ma shumë se çka duhej t’kishte ndodhë, megjithatë ma mirë njashtu… Prej njatij çasti gërshana e ftoftë e shpirtit të saj, kishte kputë përfundimisht gjithçka… Veç pak kohë, do rrethana t’reja plotsuese e nji dorë cinizëm, e njaj mermer i ftoftë i thelbit të saj, kishte m’u ba sundues. Përditë e ka pak, dersa simetria sentimentale të gjente largësinë e nevojshme, mos me e mendue përsritjen…
E papeshë u lshue mbi shtrat.Për do çaste s’desh me mendue asgja. I mbylli sytë edhe u gjet e pamujtun mos me udhëtue n’at bashkësi çastesh ku gjithçka e dhanë ishte marrë fuqishëm… e u ndje nën efekt të diçkaje që kish kenë ma e bukur se e kish mendue…
“Duhet harrue gjithçka, o ma mirë s’ka ndodhë asgja, veç fanitja e nji mendje t’çoroditun! Asgja tjetër!” – ia mërmëriti vedit me ton diktues.
Caku i përtejmë i krejt njasaj çka kishte mendue u rrzue në vjeshtë. Tash duhet me zbritë butë ftohtë te e pandodhuna…
Befas ndjeu nji cerritje melodioze celi.
“Krejt aromat e tua janë ndry mbrenda meje! Ndoshta m’duhet me t’i kthy…!”
Desh me buzqeshë po iu kujtue zhurma e metaliktë e nji dere që ishte mbyllë me klithmë e ritmika plluqaritëse e hapave të saj nëpër shi i kumboi ndër veshë… Iu duk vetja e randomtëme mbetë n’kësi idiotsishë sentimentale…
N’vend t’nji përgjigjeje të dosidoshme, ajo shfryu n’zemërim për qytetin e saj, që tash jo vetëm s’e njifte, po çka kishte ndërtue në mendje me aq kujdes, i qe rrënue pa mbetë asgja prej tij…
E gjitha ishte asgja!Ma shumë se fillim ishte fund i nji dashnie për qytetin e andrrave të saj…
Tash nevojitet diçka tjetër, e re, mikluese, tronditëse, e panjoftun. Koha e dhurueme n’at histori kishte marrë fund. Njaq bukur duhej ndërtue edhe largimi, shprishja, harrimi… duhesh përdorë krejt spektri i grisë, që ajo ta ndjente n’asht vetminë e vuejtun t’nji burri të dashuruem, mbasi ka humbë gjysën e njasaj andrre që e ka besue se asht dashni
Si nji soditëseje t’vëmendshme, asaj i duhej me përdorë krejt arsenalin e mjeteve hutuese e çoroditëse, e mos t’shfaqej as pasjellëshme, as pandjeshme e ta shiste gjithçka butë n’funksion të shprishjes së nji reje në qiell, tue e ruejtë aureolën e zonjës, që s’çedon ndër shfaqje publike asnji dromcë dinjiteti…
E nesërmja e gjet bosh.
Shiu që kish ra tanë natën, iu duk se ia kish shplà edhe ndjesitë ma të vakta.
Ndërsa mori rrugën drejt qendrës, ndër veshë i shugullonte jehona e mekët e fjalve t’asaj krijese që tue dalë përtueshëm prej zhelesh e kartonash t’lagun nji natë vjeshte, ia kishte tunde gishtin para ftyre:
“Si ti ka kenë edhe ajo, n’mos kjofsh ti vetë njajo!!”
janar 2023