back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

16 gusht 1965 – Këmbimi i Lekut “të vjetër” me atë “të ri”, dhe një shënim nga Jozef Radi…

Gazeta

Leku Shqiptar -1965-1991
Leku Shqiptar -1965-1991

Rreth historisë së Lekut të Ri që s’u pranua kurrë si i tillë…

refleksion nga Jozef Radi

Historia e Lekut të Ri dhe Lekut të Vjetër është e lidhur paksa me jetën e të gjithë atyre që sot janë mbi 60 vjeçarë…
I ashtuquajturi Leku i Ri Shqiptar, hyri në qarkullim, siç e dëshmon sot edhe Banka e Shqipërisë, aty nga mesi i Gushtit të vitit 1965, kur unë isha rreth tetë vjeç, ndasj e kam krejt të freskët atë kohën kur Leku i Vjetër, në veçanti monedhat që kishin aq lidhje me ne fëmijët, (akulloret, kuleçët, hallvat, arançatat, hashuret, byrekët, pilafi, fasulet, kosi – ishin të gjitha nën vleftën e 10 lekëve) dhe hynim lehtësisht në mardhënie me to…
Monedhat e vjetra, nuk e di se nga ç’metal ishin përbërë, po ishin të rënda, kurse monedhat e reja të prerjeve 5-10-20-50 qindarka dhe 1 lek, përveç shkëlqimit të aluminit, ishin edhe tejet të lehta, dhe ajo çka na ra në sy në atë kohë si fëmijë që ishim, ishte spekullimi që dikush më i madh se ne kërkonte që me 10 qindarkat e reja, të na i shkëmbente me 10 lekshin e Vjetër…! e pati nga ata që e hëngrën shkëlqimin e aluminit!
Ky ishte edhe kontakti i parë me Lekun e Ri, në nji trajtë paksa spekullative, por e vërteta është se fillimisht u futën në përdorim monedhat metalike…
Në atë kohë, nuk arrinim ta kuptonim pse ishte ndryshuar Leku, nëse ishte fjala për ndonjë inflacion të shtetit shqiptar, apo thjesht po kërkohej që Leku i Ri, të ishte dëshmia më e plotë e ndërtimit të socializmit në Shqipëri dhe duhej pasqyruar fortësisht edhe si propagandë?!
Gjithë kartmonedhat e ekspozuara bashkarisht kanë të një vleftë rreth 194 Lekë të Reja ose 1940 Lekë të Vjetra, çka përbënte afërsisht rrogën e pesëmbëdhjetë ditshit të punës, të pjesës më të madhe të popullsisë shqiptare. Duhet mbajtur parasysh se rroga bazë e pjesës më të madhe të popullsisë shqiptare, gjatë tetë orëshit të punës ishte 13 ditë punë nga 15.8 Lek të reja në ditë çka përbënin 205,4 Lek të Reja ! Mbi këtë bazë është mbështetur mbijetesa e pjesës dërmuese shqiptare për gati 30 vite (1965-1991), pa marrë në konsideratë se kooperativat bujqësore ishin mjaft më ulët e larg prej kësaj shume!
Kartmonedhat në fjalë, në anën e tyre figurative ishin dukshëm propagandistike dhe e kanë shoqëruar pjesën më të madhe të jetës tonë nën diktaturë… bile lekët kishin nganjëherë edhe emërtime të të lidhura me figurat që ato përfaqësonin… Fjala vjen quhej një Minator – 100 lekshi i ri, një Mehmetsheh ose një Skënderbe, quhej 50 lekshi, një Traktor, ishte 25 lekshi, nji Naimfrashër ishte 10 lekshi dhe një Anijevlora ishte 5 lekshi… e kështu me rradhë!
Lekët më të përdorshëm të së përditshmes komuniste ishin 5 dhe 10 lekshi sepse me to mund të blehej buka, sheqeri, orizi, qumështi, cigaret etjerë…
Figurat historike në kartmonesha përfaqëoheshin vetëm me dy persoinaliteteve: Skënderbeu dhe Naim Frashëri... pjesa tjetër e faqeve të kartmonedhave ishin thjeshtë propagandë komuniste dhe lumturi e rrejshme…
Mbas 1991, në përballjen me hyrjen e Valutave të Huaja ndodhi një zhvleftësim i frikshëm i kësaj monedhe ideollogjike. Brenda një kohe krejt të shkurtë, ajo u bë thuajse e pavlerë dhe i shkatërroi të gjithë ata që kishin kursyer një jetë dhe e gjithë vlera e milionit të tyre, u bë thjesht 1000 dollarë asgjë më shumë, këtë e pësuan më së keqi ata që shitën shtëpitë në kushtet e emergjencës së ikjes, pikërisht kur vlefta e lekut po pësonte atë katastrofën e paparë dhe kur shumë njerëz, që shitën shtëpitë e tyre me vleftë në 1 apo 2 milion Lekë të Vjetra, sa hap e mbyll sytë, ajo vleftë e parave të tyre ra në mënyrë drastike në 1000 o 2000 dollarë, bile edhe 700 – 1400 dollarë, çka ishte një katastrofë e vërtetë për të gjithë ata që për fat të keq e ndërmorën një veprim të tillë.
Raporti mes Lekut të Vjetër me Lekun e Ri do të mbeten një nga dështimet më spektakolare në historinë e shqiptarëve. Tashmë kanë kaluar gati 60 vjet nga emetimi i Kartmonedhave të Lekut të Ri dhe ende sot e kësaj dite, vazhdon të flitet me Lekun e Vjetër, si të thuash edhe veprimet edhe deklarimet zyrtare të pasurive rrallëherë qëllon të flitet me Lekun e Ri.
Sot dëgjon shpesh që të thonë: E kam rrogën 300 mijë o pesqind mijë lekë… në fakt e kanë me një zero me pak, e atëherë duhet futur edhe fjala “të reja”, pra kjo e reja që nuk ndrroi kurrë ka 60 vjet që nuk po e degdis dot të harrohet as Lekun e Vjetër… po as metastazat e Regjimit të Vjetër!
20 Gusht 2023

Banka e Shtetit Shqiptar - Tirane
Banka e Shtetit Shqiptar – Tirane

16 gusht 1965 – Këmbimi i Lekut “të vjetër” me atë “të ri”

dhe një shënim…

Më 16 gusht 1965, bazuar në dekretin nr. 4028, datë 14.7.1965, filloi këmbimi i monedhës së vjetër Lek me monedhën e re Lek. Këmbimi u bë në raportin 10 lekë të vjetra baras me 1 Lek të ri, pa asnjë kufizim, nga data 16 gusht deri më 15 tetor të 1965-ës.
Banka e Shtetit Shqiptar u autorizua të hiqte gradualisht nga qarkullimi monedhat dhe kartëmonedhat e viteve 1947, 1949 dhe 1957, dhe të vinte në qarkullim monedhën e re Lek, në kartëmonedhat me prerje prej 100, 50, 25, 10, 5, 3 dhe 1 Lek dhe monedhat metalike prej 1 Lek, 50, 20, 10 dhe 5 Qindarka të vitit 1964. Kartëmonedhat me të njëjtat pamje u rishtypën edhe në vitin 1976, duke ndryshuar vetëm vitin e emetimit.
Nga 16 gushti 1965, çmimet e mallrave dhe të shërbimeve, pagat e punës, pensionet, bursat, tatimet e taksat dhe çdo veprim tjetër financiar midis ndërmarrjeve, institucioneve e organizatave shtetërore, kooperativiste e shoqërore ose i shtetasve llogariteshin me monedhën e re, sipas raportit 10 me 1.
Publiku hasi vështirësi të mëdha në emërtimin e lekut të ri me vlerën e tij të vërtetë. Për shembull, kartëmonedhën e re 10 Lekëshe vazhdoi ta quante 100 Lekëshe. Për të ndryshuar këtë mendësi që na shoqëron që nga reforma monetare e vitit 1965, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin e publikut me temë “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”. Kjo fushatë, synon t’i tërheqë vëmendjen publikut për leximin e drejtë të vlerës nominale të shkruar në monedhat dhe kartëmonedhat kombëtare Lek, pa shtuar 0 apo përcaktues të panevojshëm si “i ri” apo “i vjetër”.

Marrë nga Banka e Shqipërisë

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.