back to top
3.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Hani dhe veziri i madh – përrallë Shqipëroi – Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Perralla ruse
Perralla ruse

Hani dhe veziri i madh – përrallë

Shqipëroi Agim Xh. Dëshnica

Jetonte në këtë botë një han.* Ky na kishte vezir të parë,** një njeri të urtë. Kur hani shkonte për të parë zotërimet e veta merrte gjithëmonë pas vezirin.
Një herë veziri i urtë i tha:
-Madhëri, do të qe mirë të ndërronim petkat tona e të vishemi me zhele, atëhere do të mësojmë më mirë se çfarë mendon populli për ju dhe vartësit tuaj.
Hani e miratoi mendimin e vezirit. U ndërruan dhe vajtën nëpër fshatra.
Iu afruan një jurte të vetmuar. U lutën ta kalonin natën atje. I zoti i banesës nuk i pranoi meqenëse gruaja në ato çaste po lindëte, por ajo tha:
-Lëri të hyjnë. Nuk është mirë të mos i pranojmë udhëtarët për të fjetur.
Dhe i shoqi ftoi hanin me vezirn e urtë të hynin brenda.
Miqtë hynë dhe u shtrinë për të pushuar.
Befas dëgjojnë britmën e të posalindurit. E zonja e shtëpisë kishte lindur djalë.
Veziri qeshi.
-Pse qesh? – pyeti hani.
-Mendova për një çast se ky fëmijë nesër do të jetë dhëndër i juaj dhe sundimtari im! – u përgjegj veziri – Ndaj më erdhi për të qeshur: sa i çuditshëm qenka fati i njeriut…
-Kjo nuk do të ndodhë kurrë! – klithi hani. Si mund të martoj vajzën time të vetme me të birin e një njeriu të thjeshtë.
-Çdo gjë është e mundur në botë. – tha veziri i urtë -askush s’e di në mëngjes se ç’do të ndodhë në mbrëmje.
Ato fjalë e turbulluan hanin. Vendosi ta blejë djalin dhe pastaj ta vrasë,
Zbardhi mëngjesi. Miqtë po gatiteshin për t’u nisur. Hani u tha të zotërve të jurtës:
-Ma shisni fëmijën. Do t’u jap si shpërblim një kallëp floriri sa një kokë kali.
Gruaja i thotë burrit:
-Ne përsëri do të kemi çilimijë. Le të na jap miku kallëpin e floririt dhe ne atij i japim beben. Pranë njeriut të pasur djali ynë do të jetë si s’ka më mirë.
Hani e bleu vogëlushin, e mbylli në një syndyk druri dhe e hodhi në lumë. Lundroi syndyku dhe ngeci te rrjetat.
Me të ardhur peshkatari, u hodhi një sy rrjetave dhe pa arkën e drunjtë.
E ngriti kapakun: i shtrirë, një vocërak po flinte.
Peshkatari kishte tetë kalamaq. Familja e vet rronte gjysëm e uritur. Si mund ta ushqente të nëntin? Peshkatari desh ta hidhte syndykun në ujë, por e shoqja nuk e la.
-Me që zoti na e solli në prag të shtëpisë, le të rrojë e të rritet tek ne.
Dhe kështu në familje u shtua një djalë.

* * *
Kaluan vite. Hani me vezirin po vizitonte sërish zotërimet e veta.
Rrugës u ndalën t’u japin ujë kuajve. Disa fëmijë erdhën pranë për të parë dy kalorësit me veshje të shtrenjta.
Veziri i pa dhe qeshi.
-Përse qesh? – pyeti hani.
-Vështroi mirë, madhëri, këta çuna. A e sheh ndërmjet tyre atë djalkë të bukur?
-E shoh – tha hani.
-Ai do të bëhet dhëndëri yt.
U zemërua hani:
-Ç’thua kështu ti? Gjithë kohën më tregon dhëndurë të thjeshtë. Bijën time nuk do ta martojë kurrë me kësi dhëndurësh.
-Gabohesh madhëri. Fati nuk është përherë në dorën tonë! – ia priti veziri i urtë.
Hani u shqetësua. Thirri pranë peshkatarin dhe e pyeti:
-I kujt është ky çun?
-Tani është im bir, por e kam gjetur kohë më parë në një syndyk.
Na u shqetësua hani edhe më.
-Ma shit mua. Do të jap një kallëp floriri sa ty në këmbë.
Peshkatari pranoi me gëzim.
E dërgoi hani çunin me një letër në dorë te veziri i dytë:
“Prurësin e kësaj letre vrite menjëherë.”
Mbërriti djali te veziri i dytë; I dorëzoi urdhërin e shkruar nga hani. Veziri e pa dhe i erdhi keq të vriste një krijesë aq të bukur ndaj vendosi ta mbajë pranë.

* * *
Kaluan dhe disa vite.
Çuni u rrit dhe u bë një djalosh i hijshëm e shtatëhedhur.
Dikur hani e pa dhe njohu në të, birin e peshkatarit. U zemërua shumë dhe thirri vezirin e dytë. E pyet:
-Përse nuk paske përmbushur urdhërin tim?
Veziri pranoi fajin, ra më gjunjë:
-Falmë, sundimtar – Nuk munda të ngreh shpatën mbi një fëmijë të bukur, të mençur dhe të pafajshëm.
Hani mori vendim ta varte në litar djaloshin. E thirri pranë, por shi në atë çast, ia arriti një kalorës i pluhrosur dhe e njoftoi se armiku kishte kaluar kufirin e mbretërisë dhe po shkretonte fshatrat në ato anë.
Kështu hani nuk mundi të vinte në jetë çfarë kishte vendosur.
Shkruajti një letër me nxitim dhe e urdhëroi t’ia dorëzonte vezirit të urtë dhe u nis për në luftë.
Djali mori letrën, kaloi nëpër bahçenë e lulëzuar të hanit, u shtri në bar, ndën një pemë dhe e zuri gjumi.
Por në bahçe në atë orë çupa e hanit po shetiste me shoqet e veta. Njëra prej tyre e pa tek flinte dhe i bëri zë vajzës së hanit. Vasha u mahnit nga bukuria e pazakontë e djaloshit dhe na ra në dashuri. U ul më gjunjë dhe e puthi. Në duar pikasi një letër. Bukuroshja e hapi dhe pa urdhërin: “Të varet menjëherë!”
E zhduku letrën dhe në vend të saj shkruajti një tjetër:
“Paraqitësi i kësaj letre dua të bëhet dhëndëri im. Urdhëroj ta kurorëzoni me bijën time me një gosti të madhe.”
E futi vajza e hanit letrën në xhepin e djalit dhe pastaj shkoi e kënaqur me shoqet në pallat.
Djaloshi me t’u zgjuar ia dorëzoi urdhërin vezirit të urtë.
Në vend të trekëmbëshit me litarin lidhur lak, ai u gjend mes një gostie madhështore dhe kështu u bë dhëndër me nuse nga oborri i hanit, e vetmja çupë e tij.

* * *
Tre vjet qendroi larg Hani, në luftë me armiqtë. Kurse nusja, vajza e tij vetme, në këto kohë na lindi dy djem.
Në vitin e katërt mbërriti lajmi se hani po kthehej me fitore.
U shqetësua e bija e hanit dhe i thotë të shoqit:
-Babai im është njeri i rreptë. Por do të zbutet kur të shoh dy nipërit e vet. Eja marrim fëmijët tanë dhe i dalim përpara ta presim.
Dhe kështu u bë. Morën vogëlushët dhe dolën të takojnë hanin ngadhnjimtar.
Por ai nuk desh t’i shihte me sy as ata, as dy nipat.
U zemërua shumë ndaj së bijës, që me kokën e saj na ishte martuar me një njeri që nuk ishte nga sëra e vet.
Hani urdhëroi:
-Herët në mëngjes, porsa të hapet furra e bukës njeriun e parë, që do të shfaqet aty ta hidhni në zjarr.
Veziri pa vonesë u dha furtarëve udhërin. Natën hani thirri të shoqin e vajzës dhe i tha:
-Shko para mëngjezit te furra e bukës, prit sa të hapet dera dhe hyr i pari. Vështro si punojnë furrtarët dhe si plotësojnë porositë e mia.
Vete dhëndëri për të kryer ato ç’ka i tha vjehri sundimtar. Kaloj nëpër bahçe dhe dëgjoi ligjërimin e bilbilt.
Aq bukur këndonte zogu, sa që dhëndëri i hanit e humbi, u ul poshtë një peme dhe harroi se ku duhej të shkonte.
Hani pati një dëshirë të zjarrtë, të shihte me sytë e vet, sesi do të digjej i biri i peshkatarit. Ndaj u nis për te furra e bukës. Porsa kaloi pragun e kapën furrëtarët dhe hodhën në zjarr.
Djaloshi pasi dëgjoi bilbilat iu kujtua porosia dhe vrapoi për te furra.
U thotë furrëtarëve:
-Jam i dërguar të marrë vesh se si kryen porositë e hanit.
-Urdhëri i tij është plotësuar pikë për pikë. Njeriu i parë që u paraqit tani është bërë hi.
Në mëngjez oborrtarët kërkuan hanin. Morën vesh se ai, nuk dihet përse qe përvëluar nga zjarri në furrë.
U mblodh atëhere populli për të zgjedhur hanin e ri.
Doli në shesh veziri i urtë dhe thirri:
-Njeriu më i mençur dhe më i ndershëm ndërmjei nesh është dhëndëri i të ndjerit han. Ai meriton të jetë sundimtari ynë.
Dhe populli me gëzim zgjodhi djalin nga gjiri i vet, për han.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.