back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Kush ma vrau Reshit Mulletin…?! – nga Jozef Radi

Gazeta

Savër 1964 - Baraka e Lazrit - Gulielm e Marie Deda, Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Savër 1964 – Baraka e Lazrit – Gulielm e Marie Deda,
Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi

Kush ma vrau Reshit Mulletin…?!

nga Jozef Radi

Reshit Mulletin, apo siç e thirrnim të gjithë: Shitin edhe pse me mjaft diferencë në moshë, e kam pasë mik fort të dashtun të fëminisë sime…
Kur u bana 12 vjeç, isha pak ma i gjatë se Shiti, dhe e para gja që kam mendue atëherë, se mund t’isha tamam shok me të.
Shiti ka lanë në mue mjaft gjana që i kam të shenjta, kështuqë çdo çshenjtërim i mavonshëm i Shitit, m’ka randue ma shumë se tjerëve, po s’e ka rrënue krejt te un, sepse çka e shenjtnon fëmija me instinkt, s’ka Zot që e çshenjtnon me arsye!!
Shiti ishte nji personazh i bubrrectë, teatral, që dinte të qeshte shpërthyeshëm, që dinte të nxehej ashtu përgjysëm, që e nxirrte cigaren prej xhepit marifetshëm e pa ra në sy, pa e shfaqë kurrë paqetën që e fshehte në xhep, që dukjen e kishte gjithnji simpatike, e tue ia mbledhë të tana bashkë, mundem me thanë se më kishte lanë mjaftueshëm dashni e respekt, që ndoshta s’ka fort pak lidhje me natyrën time vrojtuese, kontempluese e dashamire…
Së pari, Shiti ka lanë në mue dashninë për dialektin e Tironës, për të cilin i jam mirnjoftës.
Shpesh dialogët e tyne nanë e bir, Hajrie-Reshit, në të cilat kam qenë shpesh i pranishëm, të dukej sikur krijonin nji sherr e nji pështjellim të madh, po që n’fakt ishte thjesht nji mënyrë komunikimi mes tyne, nji kandshikim i botës përmes asaj së folune, ku un kuptoja se njeriut i nevojitej pak shpërfillje, pak tallje, pak infantilitet, pak humor e që pikërishtë ai, dialekti i Tironës i përdorun mes tyne, nanë e bir, te un mbrrinte aq i dashtun dhe i kandshëm…
E dyta, krahas shumë gjanave antike në at dhomë katër me katër, ku jetonin me Hajrien, Shiti kishte edhe nji fjalor të gjuhës shqipe, botim i vjetit 1954, me të cilin un jo vetëm rashë në dashni, po falë mirësisë së Shitit, ma dha për do kohë me e mbajtë, kështu krijova edhe nji fjalorth fjalësh të rralla, që shpesh jam mundue m’i përdorë prej adoleshencës…
E treta, komedia “Prefekti” me gjithë anën groteske së saj, ishte një trishtim si për Shitin e Hajrien, po edhe për familjen tonë. Im atë, që e kishte njohur mirë Qazimin, për at shëmtim të tij thoshte: “…është i turpshëm dhe e pandodhur askund në botë kjo poshtërsi!” Kështu që kurrë s’e ndoqëm të plotë, bile, kur Shiti tregonte se si shumë besonin se ai kishte luejtë rolin e vet, ishte tejet poshtërues, çka i indinjonte mjaft prindët e mi, po edhe mue ta doja ma fort Shitin…
E katërta, Shiti ishte tifoz i thekun i “Tironës”, e cila asokohe quhej “17 Nantori” e që dashnia e tij e madhe ndaj kësaj skuadre, me kohë u ba edhe imja, e deri sot mbetet nga dashnitë ma emocionuese të jetës sime.
Me Reshitit Mulletin, Lek Dukagjinin, kishim formue nji treshe: ku unë isha i Gjati, Shiti i Shkurti dhe Leka i Trashi, tre personazhe pak donkishoteskë, po që bashkë kena shkue në Fier, në Vlonë në Kavajë, në Elbasan e Berat me ndjekë Tironën e famshme të viteve ’60-’70, e që mbeten ndër kujtimet ma të pashlyeshme të miat.
Kurse ndeshjen ma legjendare at të Kampionatit të vitit 1969-’70, kur Tironës i duhej me e marrë në kampionatin përmes nji fitoreje në Lushnje, e po të humbte, Kampionatin e merrte Partizani, e ndoqëm të tre bashkë. Tirona atë fundmaji zbriti në stadiumin “Traktori” me dyluftue për jetë a vdekje, me Lushnjen. Kem shkue qysh herët dhe pritëm para tribunës, mbasi disa prej futbollistave të Tironës e njifnin edhe Shitin edhe Lekën. Ata na përshëndetën edhe para fillimit po edhe mbas ndeshjes, mbas mbarimit e preka edhe Kupën… e ai gëzim fëminor më ka mbetë i pashlyeshëm.
Ajo ndeshje historike, mes nji dite maji me shi, kur pjesa e parë mbaroi 1-0, për Traktorin, ishte një drithërimë shpirti e trupi, por tue qenë midis tifozave të Tironës, që kishin ardhë me mija at ditë në Lushnje… e kur krejt loja mbaroi 2-1 për Tironën, askush s’e ndjente ma as shiun as të ftohtin. Tashma ishim nji brohorimë e paharrueshme! E gjithnji ishim të tre: unë, Reshit Mulleti, Lekë Dukagjini dhe un… tifoza të “17 Nantorit” të Tironës!
E pesta, me Shitin ishim edhe tifozë të Italisë së Valccareggit, e shpesh në debate për futbollin, Shiti ishte ma i mirë se çdo gazetar. Ai dinte gjithçka, e shpesh na duhej me pyetë Shitin, për çka lidhej me futbollin dhe jo vetëm atë talian…
E gjashta, Shiti ishte njeri i kandshëm, djalë në kulturë, me aftësi komunikimi, edhe pse viktimë fatkeqe, pse mbet pa babë prej vitit 1956, e që poshtërsisht e përdhunshëm u shetit së bashku me Nanën e sëmunë nëpër disa kampe interrnimi. Ashtu imcak e me nanë të sëmunë, i rritun jetim me babë gjallë (vetëm gjatë viteve 1940-1944, ai kishte ndejtë me të atin Qazim Mulletin), ai dukej sikur ai jetonte vetëm për nanën e vet, Hajrien. Dhe dashunia e tij për nanën ka qenë mjaft prekëse…

Banesa e tyne në Savër, për tridhjetë e pesë vjet ishte veç nji dhomë barake pa dritare, me nji xham sipër derës. Banesë e vogël, e rrëmujshme, e palyeme, me dy krevatë të lartë, me mure të veshuna me tym e sexhade të shtrenjta persiane, me nji tavolinë të vogël midis dhe një tip bufeje midis shtretënve, sipër së cilës ishte nji si biblioteke me nji sasi jo e vogël librash. Ajo dhomë pa ajrosje, kishte nji përziemje të duhmës së tymit të duhanit me aromën e kafes e ndonji profumi të lashtë, dëshmi e nji lavdie të harrueme, mbasi të dy, nanë e bir ishin konsumatorë të rregullt të duhanit e të kafes deri në teprì, aq sa dukej se shprehja “kafja pa dahon, si turku pa imon” ishte e tyre dhe ushqimi kryesor i atyne dy njerëzve fatkeqë.
Dimnit po edhe vjeshtës edhe në pranverë, Shiti shfaqej me nji pallto të madhe “Gub” me kuadrata të vogla, si nji aromë shetitëse tobagos&coffee, rrugave të Savrës…
Shiti mbetet ndër njerzit ma frekuentues të familjes sonë, e kjo buronte nga njohja dhe respekti i tim eti për Qazimin, të jatin e Shitit dhe familjen e tij. Vetë natyra e Shitit ishte e kandshme; përkushtimi i tij ndaj nanës shembullor; e trishtë jeta prej djaloshi që po plakej rrugave të internimeve… i mbetur pa nji familje, pa nji perspektivë, i banë prindët e mi t’i kapërcenin gjithë dyshimet që jehonin në kamp ndaj figurës së tij… Bile, Lazri shpesh ia çmontonte bisedat “me spec” që hapte, tue e konsiderue herë si “injorant në materie”, herë tue ia transformue bisedat politike në nji lloj humori ironik, herë si gallatë midis dy brezave e herë si debat midis kosovarve e tironsave…
Bile nji herë e nxehu aq shumë tim atë, në përmasën e humorit, sa i shfryu: “Hik mor gomar, vetë fakti që t’i kërkon me ba humor me dy nocione jo të barabarta dëshmon sa i injorant je! Po si mundesh ti me krahasue Tiranën me Kosovën?! Mirë që je injorant, po pse kërkon me e ba publike kët gja…!? Kosova asht sa Shqipnia t’i thue Tirona dhe Kosova. Pse s’thue Tirona e Gjakova, apo Tirona e Peja, pse Tirona me Prizrenin s’mundet me u krahasue kurrsesi… Jo po Tirona, jo po Kosova…!! Hik mer kakamor me lesh…! – dhe krisi nji e qeshun pakufi me batutën e Lazrit…
Kjo mbetet pjesë e asaj së vërtete, në të cilën un shpesh mbaja krahun e Shitit!
Jeta e familjes sonë me Shitin, do të vazhdonte e tillë deri aty kah fillimi i viteve ’80…
U desh arrestimi i nji 70 vjeçari aty në Savër, i quejtun Nikollë Merrnaçaj, që i shkatërroi në pakthim shumë gjana, mes nesh edhe Shitit.

Ishte pranvera e vitit i 1980…
Kujtoj se n’at periudhë kishin ra aq shumë shina sa Myzeqeja thuej ishte kthye në nji gjol të madh. Nji mbasdite, e kujtoj si sot, Shiti më thirri në shpi, për me dalë nji xhiro bashkë…
Vesha çizmet dhe dola. I vogël si shtat, at ditë ishte ba edhe ma i vogël. Ndërkohë, posa isha lirue nga ushtria e isha zgjatë si shtogu pleh e ba gati dy metra.
“Jam shumë keq Nin, – më tha dhe pashë buzët që i dridheshin… – Jam aq keq sa s’di si me ja dalë! S’ka ç’më duhet ma jeta! Jam bo me vra veten! Po mos t’ishte ajo nanë, do ta kisha krejt të lehtë me e bo kët gjo…!”
S’po kuptoja asgja. Fytyra e tij qe zbardhë, qe mpakë e mplakë, qe transformue e mbarue…
-Po çfarë të ka ndodhë mor Shit?
-Vetëm ty po të lutem… N’se më ndodh gja, po ta la amanet nanën. Kaluem thuej dy orë bashkë, njashtu me çizme mes ujnave e baltrave të Myzeqesë. S’e kisha kuptue kurrsesi kah i buronte ai hall i madh, që e kishte vu përposhtë at njeri të vogël e s’i kishte lanë ma asnji alternativë….
Shiti ishte në kufijtë e 60 vjetve! I pamartuem, i pafëmijë, i pafuqishëm, i rritun pa babë (vetëm pak vite), pa vllazën as motra, veç me njat nanë të sëmueme të mbetun nji jetë ndër kampe internimesh… e me fis të shkapërdame internimesh e vuejtjesh pafund… me babë të vdekun n’vetmi mërgimesh politike… Ai ndjehesh i shkelun, i dhunuem, tash edhe i përtallun publikisht edhe prej shtetit komunist që ia kishte shëndrruar tragjedinë e familjes në komedi…

Reshit Mulleti dhe Hajrie Mulleti - Kusi
Reshit Mulleti dhe Hajrie Mulleti – Kusi

Prej njasaj dite, Reshit Mulleti s’e shkeli ma pragun e familjes sonë…
çka e tronditi mbarë opinionin ishte se në gjyqin ndaj Nikollë Merrnaçajt, ai kishte qenë dëshmitari kryesor: “Ke thënë se në Amerikë individi është i lirë, dhe respektohen të drejtat e njeriut, se çdokush e ka nji makinë e veturë të vetën, dhe se jetohet vërtet mirë edhe s’ka kriza…” Nikollë Merrnaçaj si malësor epik u mundua me e përballë me dinjitet at situatë të vëshirë…
-A është e vërtetë, i pandehur?! – i bërtiti gjyqtari
-A po e thotë i biri i Prefektit kët gja?! Po i pranoj si të vërteta… S’kam ç’ka me thanë ma shumë…

Nikolla u dënue 10 vite burg.
Në familje la tre fëmijë, dy ende të mitun edhe gruen e smunë… Dëshmia e Shitit mori dhenë… edhe pse shumkujt i dukej e pabesueshme. Për mjaft kohë, Reshiti u ngujue dhe s’doli prej shpisë së tij. Blente veç bukë e duhan. Ma vonë u rikthye në Brigadën e Plehut, ku e priste me buzqeshja lajkatare dhe provokuese Mihal Këshillit, që si duket ishte jo vetëm “brigadier” i tij…
Nuk kaluan as dy-tre muaj, i vdiq edhe Hajria. Prej familjes sime, vetëm un i shkova për vdekjen e nanës…
Edhe sot e përcjell me dhimbje e trishtim at miqsi të shprishun mes nesh, tue besue se ndoshta ai gjeti pak forcë o ndërgjegje të delte nga ai rreth i hekurt e poshtërues ku e futi diktatura, tue u mbyllë në vetvedi, çka ishte ma e keqe se nji vetvrasje, që së paku mue ma pat deklarue në pranverë të vjetit 1980… e ndoshta jam i vetmi dëshmitar, ku Shiti la nji ndjesë të madhe, tue më dëshmue se paku se ishte zhytë thellë në krizën e vetvrasjes…
Në vitet e mavona isha i vetmi në familja që mbajta nji raport ma të butë me Shitin, me tifozin dhe njeriun e humorit, me at pak njeri që i mbeti mbas atij gjyqi të ulët…
Reshit Mulleti i jetoi disi në vetmi ditët e tij të mbrame, derisa së fundi u kthye në Tiranë…

Kurrë s’e kuptova për 38 vite, pse e shitën dhe kush e shiti Reshit Mulletin…?!
Para do kohësh nga Autoriteti i Dosjeve, mora dosjen e Sigurimit të tim eti… ku nji nga deponuesit ma të rregullt e thuajse mjaft i zellshëm, për gati dhjetë vite kishte qenë pikërisht ai: Reshit Mulleti, që për të gjithë ne ishte miqësisht Shiti.
Mbas vitit 1976, nuk rezulton më që Shiti, të ketë dhënë deponime për objektin Lazër Radi… Kështu është e shkruar në dokumentat e atyne që kanë mbushur dosjet e krimeve, për të vrarë çdo grimcë qëndrese e frymë lirie në atë vend, po edhe për t’i poshtëruar skajshëm ata që ishin më të dobtit e më të pambrojturit…
Mbetem i bindun, se Shitit ia shfrytëzuen qysh në moshë të rinisë gjithë dobësitë karakteriale po dhe fatin e tij. Sigurisht, i kanë premtuar me mashtrime dhe ai ka besuar! Jam i bindur sërish se Reshit Mulleti u fut në konflikt me ndërgjegjen e tij dhe nji ditë ka mbrritur në pikën e zbrazjes. Në luftë me ndërgjegjen ndoshta ka heqë dorë prej atij llumi ku e kishin zhytë, prej atij dami që i kishte ba vetes, po edhe gjithë atyne që e kishin dashtë pa asnjë interes e pa asnjë hile!
Reshit Mulleti, me pseudonim të deklaruar “Aparati”, rezulton i përjashtuar nga shërbimi sekret si agjent i Sigurimit, diku kah viti 1976…

Ali DEma, Genc Bajraktari, ulur Gjon Markagjoni, Reshit Mulleti e Lek Bajraktari
Ali Dema, Genc Bajraktari, ulur Gjon Markagjoni, Reshit Mulleti e Lek Bajraktari

Edhe pse Dosja Formulare 793 e Lazër Radit ka mjaft deponime të tija, po qofsh i falun o miku im i hershëm…
Asnji e keqe s’vjen prej atyne që nji ditë pendohen qoftë edhe të rrënuem moralisht! E keqja vjen prej atyne që me koshiencë të plotë i kryen krimet e me koshiencë të plotë edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë me ju shërbye krimeve të djeshme.
6 shtator 2018 – 4 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.