back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Një enciklopedi e vogël… – nga Sami Milloshi

Gazeta

Mri Dedja dhe kafja e saj me Marashin...
Mri Dedja dhe kafja e saj me Marashin…

Një enciklopedi e vogël…

nga Sami Milloshi

Libri “Mrì Dedja e Merrnaçajve” i shkrimtarit Jozef Radi

Zakonisht enciklopeditë përmbajnë volume të mëdha dijeje apo informacioni. Cilado qoftë natyra e tyre, historike, gjeografike apo filozofike. Por, ndodh që edhe një libër i vetëm të shfaqet si enciklopedi. Të tillë do kisha dashtë me e quejtë librin e Jozef Radit: “Mrì Dedja e Merrnaçajve”
Libri i kushtohet nji zonje të madhe të malësisë së Kelmendit, Mrì Merrnaçajt, po unë s’do të ndalem imtësisht si kritik për këtë libër, veç do të rrekem të theksoj dy-tre ide që më nxiti libri.
Jozef Radi është nga të paktët autorë seriozë që ka sjellë dhe po sjell për lexuesit vlerat e nji historie të pashkrueme: vlerat e jetës dhe të dinjitetit të njerëzve që provuan kalvarin e vuejtjeve në diktaturen komuniste. Monografia për jetën e Mrisë është një dëshmi spektakolare bash për këtë që thashë.
Forma që ka zgjedhur Radi është rrëfimi i Mrìsë në vetë te parë, një forme e njohur kjo, por shpesh herë e shpërdoruar nga autorë shqiptare, madje edhe të huaj. Radi ia ka dalë me nji natyrshmëri të mrekullueshme ta rrëfejë jetën e Mrisë dhe të gjithë familjes së saj atdhetare, sepse i ka qëndruar besnik ndjenjës dhe kujtesës fenomenale të Mrìsë.

Mri Merrnaçaj - pikture nga Anthony Perdoda
Mri Merrnaçaj – pikture nga Anthony Perdoda

Çdo njeri që do të njohë barbaritë e komunizmit në Shqipëri s’ka nevojë të lexojë veçse këtë libër brilant të Radit. Aty do të gjejë faktet se si digjeshin gjallë e varroseshin për së gjalli shqiptarët antikomunistë. Aty do të gjejë se si, megjithatë mbijetonte sikurse mbijetoi Atdhedashuria dhe genet e jetës së dinjitetshme, sikurse ishin e jane vazhduesit e geneve të bajraktarit të Vuklit!
Radi, nji shkrimtar me sqimë të naltë, pasues i të atit Lazër Radit, ka sjellë në këtë enciklopedi tanë opusin etnopsikologjik të Malësisë së Kelmendit. Përmes rrëfimit të ngroftë të Mrisë lexuesi grishet me njoftë doke e zakone, tradita e sjellje që frymojnë kulturë dhe respekt të njeriut për njeriun. Mjafton të kujtoj rrëfimin e Mrisë për ditën e dasmës se saj me Marashin, ditë kur në derën e Merrçanajve hynin dy nuse në të njejtën ditë. Nji atmosferë epike malësore dhe nji realizëm magjik, ku Mrija as 16 vjeçe ndjehej e lodhun në kalë, tue shkue tek burri që e kishte pa veç nji herë me sy. Por, atij ia fali zemrën dhe shpirtin, aty gjeti edhe respektin qysh ditën që mbërriti. Marashi e theu zakonin:
-Mrì, ke me m’thirrë gjithmonë me emnin tim Marash, e un kam me t’thirrë gjithmonë me emnin tand: Mrì!”
Libri i Radit është edhe nji enciklopedi e shkrimit të gegnishtes. Mjeshtër i fjalës, Radi, ka sjellë për lexuesin nji pasuni të jashtëzakonshme të shqipes përmes të folmes plot ngjyra të Mrisë në vetë të parë.
Me këtë shërbim, Radi, ka përhajrue, jo vetëm Gegnishten, por tanë universin e Shqipes dhe kjo është pa dyshim nji vlerë madhore e kësaj monografie elitare, prej 400 faqesh.
Unë zgjodha me e shoqnue këtë shënim të shkurtë me nji foto të Mrisë, me dy filxhana kafeje mbi tryezë.
Para se me u nda prej jete, Marashi, i shoqi i pat thanë Mrisë, që “…kur t’des un, ti prap bani dy filxhana kafe e piji të dy… nji për vedi e nji për mu!”
…Dhe Mrija ia kryen amanetin përditë Mar ashit… sepse, ajo asht Mrija e besës, zonja e hekurt me shpirt florini, sikurse e cilëson miku im, shkrimtari dhe studiuesi erudit, Jozef Radi.

Marrë nga muri i FB Sami Milloshi, 15 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.