back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Nji nanë e virtytshme që ia kalon legjendës – letër nga Pertefe Leka!

Gazeta

Jozef Radi në fjalën e tij në promovim
Jozef Radi në fjalën e tij në promovim

Nji nanë e virtytshme që ia kalon legjendës –

letër nga Pertefe Leka!

Zonjën Pertefe Leka së bashku me të shoqin e saj, Zotin Luan Leka, i kam miq të vjetër… Pak kohë ma parë, me Pertefen përfunduem së bashku veprën e saj të jetës, “Publicistikën” e botueme në tre vëllime e në 1230 faqe, dy vjete punë pa kufi!
Pertefja asht me profesion mësuese, më mbas pensioniste, (po jo dhe aq e tillë) pse ende asht aktiviste e publiciste e pashoqe…
Në promovimin e librit tim “Mrì Dedja e Merrnaçajve” në NY, i ftova të dy, i bindun se mosha edhe gjendja e tyne shëndetsore s’do t’i lejonin me ndërmarrë nji aksion të tillë… Posa kishte fillue takimi, kur si nji masiv shkambi i gdhendun bukur, ata të dy Pertefja me Luanin u shfaqën përdore! Shtanga, pse ata të dy bashkë bajnë 175 vite jete! (Luani 93 e Pertefja 82) U ngrita i emocionuem nga podiumi, i mora me kujdes dhe i ula në rreshtin e mysafirëve të nderit. Nji kënaqësi e pakufi! Vetëm të mendosh se kanë prishë gjithë terezinë e tyne të moshës dhe kanë ardhë për ty aty… Pertefja e ndoqi si e magjepsun at promovim, Luani i përhumbun mbështetë mbi bastun! Në fund të takimit e ftova Pertefen t’i thoshte dy fjalë… Ishte e lumtun dhe e emocionueme, “nuk mundem!” më tha… S’kishin kalue as 24 orë dhe në postën elektronike gjeta të shkrueme kët letër prekëse që po ua sjell për me kuptue forcën e shpirtit t’nji gruaje… E lexova dhe e rilexova letrën e saj përplot emocione… Gjatë gjithë natës ajo e kishte lexue, thuajse krejt librin! (dikush gjatë ditës, Valerijan Lleshi, më tha se e kishte mbarue së lexuemi librin në tre të natës) Edhe Pertefja s’kishte mujtë me e sundue vedin, e me shkrue kohë ma vonë… Jo! Pa u mbushë 24 orë prej marrjes së librit ajo ma dëshmoi forcën e shpirtit të nji Zonje, në nderim t’nji tjetër Zonje, përmes kësaj letre!
Dhe të gjitha këto emocione kishin ndodhë kaq shpejt, kaq bukur, kaq fuqishëm…
Të falenderoj pakufi e dashtun Pertefe!
jozef radi, 18 shtator 2023

Pamje nga Salla e Promovimit
Pamje nga Salla e Promovimit

Ju falenderojmë shumë i nderuem Jozef që na sollët ftesën nga Familja e mirënjohur Merrnacaj dhe u bamë pjesë e një audience të zgjedhun, me shumë personalitete të larta të kulturës shqiptare, ku u mirëpritëm nga autoritete të institucionit të kishës katolike.
Nuk asht hera e parë që takoj Dom Pjetër Popajn, të cilin e respekton gjithë diaspora dhe më tej, pavarësisht nga religjioni. U habita kur na takoi e mbante mend pjesëmarrjen tonë me Dr. Lekën në Meshën e Dom Rrok Mirditës në ’94 o ’95 e ndër të tjera, faleminderit që më prezantove me Padër Gazmend Tinajn që më imponoi respekt jo vetëm nga zhguni, por nga elokuenca dhe thellësia e mendimit.

Me Luanin dhe Pertefen dhe nji mikun e tyne...
Me Luanin dhe Pertefen dhe nji mikun e tyne…

Ju përgëzoj për librin e botuar! I ke ba nji lapidar Zojës Mrì, e ke veshë me fjalët e saj që buronin nga një gurrë e artë. Nuk mund të rrija pa e lexue që mbramë dhe kam vazhdue të eci në vijën përbashkuese e s’po ndahesha sepse isha tue kullotë në livadhin e gegnishtes, në tokën teme. Gjuha e saj e pastër i ka dhanë forcë tregimit, me një frazeologji të pasun, një dialog i zhdërvjelltë, -T’u rritë ndera, – dhe lakohet ky emër, në përshëndetjet, në dëshmitë, në mbledhjet familjare a kolektive, në dasëm (dasma e Markut), në mort ku bashkëjetojnë gëzimi e idhnimi, ku përmbahet dhimbja me i hapë rrugë haresë, dhe kështu shkojnë në vijimësi ku dalin në dukje tri shtyllat kryesore të karakterit malësor: Besa, nderi dhe burrnija! Ajo flet me fëmijët me zemër Nane, i këshillon edhe kur ata janë burrnue, analizon situatën sikur të jetë politikane e regjur, prej përvojës jetësore, prej shkollës, në kuvendet familjare. E parandjen të keqen që ia imponojnë rrethanat, i thotë djalit mos shko… po kur ndodh e keqja, i qan shpirti, por me një forcë të hekurt e frenon lotin se duhet nderue djali dhe miqësia.
Dikush në diskutim e cilësoi si Ajkunë, kjo Nanë e virtytshme ia kalon legjendës, Ajo nuk bërtet, as nuk kërkon të varroset me djalë, dhe t’u shkaktojë dhimbje akoma ma të madhe atyne që len mbrapa por burrnisht ban qëndresë, asht besnike e atyre parimeve që ia ka ushqye ligji i pashkruem i malësisë dhe ma shumë religjioni. Prandaj gjuha e saj asht aq e pasun sa vjen e pasunohet me frazeologji sipas natyrës së bisedës. Në sajë të religjionit, besimtare si Nanë Tereza, kur betohet pasha Zotin, pasha besën e Zotit…

Prezantuesja e Takimit Mikejla Nonaj & Shqipe Nebiaj
Prezantuesja e Takimit Mikejla Nonaj & Shqipe Nebiaj

Zoja Mrì e ka rujtë gjuhën si amanetin, nuk e ka përzie gjuhen shqipe, me të vendeve e njerëzve ku ka shkue. Ndaj unë me të tjerë, që i përkasim atij dialekti, ndihemi të pafuqishëm para saj. Nuk e kemi ruejtë atë pasuni aq të çmueshme për identitetin tonë kur vërtetohet shkencërisht si gjuha ma e vjetër dhe bazë e gjuhëve të tjera.
Ajo edhe kur mirëpret personalitete që i përkasin urtësisë, pasi dera e mikpritjes së familjes së saj mbeti e hapur, ishte gjuha e shprehun bukur, me zemër të bardhë që i shtonte miqtë.
Po në sofrën e saj ata kënaqen me gatimet e moçme – kaçamak me kërtolla – ia kërkuen dhe i ka mbetë në mendje që iu largue për punë Dr. Rugova, e nuk e shijoi atë gjellë që jua përgatiti me kënaqësi.
Sa e sinqertë dhe e meçme del në biseda, sidomos me të shoqin Marash. Edhe pse ishte shumë e re kur dha fjalën e Besës – më duhej me e mbrojtë atë fjalë, që e kishin dhanë dhe e kishin vendosë Nana me daja t’mi! – Ashtu i qëndroi besnike duke përballue së bashku tallazet e jetës.

Me Luanin dhe Pertefen dhe nji mikun e tyne...
Me Luanin dhe Pertefen per Mri Merrnaçajn

E gjitha kjo ndërtesë që mban firmën e arkitektit Jozef Radi, asht ngritun me aq kujdes e mjeshtëri sa kapitujt e godinës janë ngjite aq bukur artistikisht ku i shtohet kolanës Radi një vepër arti e vërtetë, me vlera njohëse, historike, estetike, etike, gjuhësore, sociologjike…
E mbaj të shtrejtë veprën “Andrra e Pretashit” të Patër Anton Harapit, por edhe kjo ka po ato vlera! Të lumtë!
Të uroj me zemër: Qofsh faqebardhë! E ke naltësue veten, me kët punim me vlera unike!
Çka të kam shkrue, e bana shpejt e shpejt, por nuk mund të rrija pa e shoqnue urimin me nji koment… po do ta punoj ma gjatë!
Sinqerisht, Pertefe!

New York,  17 shtator 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.