back to top
3.5 C
Tirana
E martë, 17 Dhjetor, 2024

Gjon Destanisha kur u ekzekutua, thirri: Rrnoftë Shqipnia! Rrnoftë Flamuri kombëtar! – pjesë nga kujtimet e Gjokë Spaçit

Gazeta

Gjon & Antonina (Nine) Destanishta
Gjon & Antonina (Nine) Destanishta

Gjon Destanisha kur u ekzekutua, thirri:

Rrnoftë Shqipnia! Rrnoftë Flamuri kombëtar!

pjesë nga kujtimet e Gjokë Spaçit

Ushtaraku në këtë fotografi është Gjon Lulash Destanisha dhe bashkëshortja e tij Antonina Vas Kola – Destanisha, i cili në fund të viteve ’30-të kishte gradën e kapitenit, në Mbretërinë shqiptare dhe ishte komandant i Ushtrisë në Qarkun e Shkodrës.
Gjon Destanisha u lind në vitin 1900, në Gimaj të Shalës së Dukagjinit, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, si ushtarak luajti rol të rëndësishëm edhe në Kosovë, por që askush nuk di si u arrestua nga partizano-çetnikët serbë, pasi ai u dënua me vdekje dhe përfundoi në Burgun e Prishtinës. Ai u ekzekutua në vitin 1951 nga serbët në moshën 51 vjeçare.
Për herë të parë për Gjon Destanishën kam dëgjua në vitin 2016, kur më ranë në duar kujtimet e Gjokë Spaçit nga Velezha e Prizrenit, i cili me Gjon Destanishën u takua në Burgun e Prishtinës. Gjokë Spaçi së bashku me njëzetedy anëtarë të Grupit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në gusht të vitit 1950, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, u dënuan me gjithsej 297 vjet burg, më saktë me tre shekuj burg të rëndë.
Kujtimet e Gjokë Spaçit i kam përmbledhur në librin me titull “Testamenti i fshehur”, ndërsa siç do të lexoni më poshtë, nuk kam bërë asnjë ndërhyrje, përfshirë këtu edhe dialektin gegë, kur Gjokë Spaçi i ka shkruar në gjysmën e parë të vitit 1973.
Me kalimin e kohës, kam hulumtuar se Gjon Destanisha ka marrë pjesë në aksionin për vrasjen e Emin Durakut në Ribar të Madh të Lypjanit, më 23 dhjetor të vitit 1942, derisa më 7 korrik të vitit 1952, Lidhja Komuniste e Jugosllavisë e dekoroi Emin Durakun me urdhrin Hero i Popullit!
Gjon Destanishës i kishte rënë shorti për atentatin kundër Miladin Popoviqit. Ishte i gatshëm ta bënte këtë, por meqë Haki Taha kishte sëmundjen e tuberkulozit dhe pasi besonte se brenda pak muajsh do të ndërronte jetë, ai u zotua që vetë ta kryente atentatin kundër Miladin Popoviqit, të cilin edhe e vrau më 13 mars të vitit 1945 në Prishtinë.
Në vazhdim, lexoni fragmentet e kujtimeve të Gjokë Spaçit se si e përshkruan personalitetin e Gjon Destanishës në njërën anë dhe sa e dhimbshme është se si shqiptarët në vija ideologjike ishin dhe vazhdojnë të jenë të ndarë deri në armiqësi në anën tjetër. Fatkeqësisht e majta është e fuqishme edhe sot në botën shqiptare!
Nacionaldemokrati Gjokë Spaçi, e kujton Gjon Destanishën kështu: “Aty gjetëm edhe nji antikomunist të betuem, por fatkeqësisht qe jetëshkurtë. Ai ishte kapiten, Gjon Destanisha. Mendoj se ashtu e kishte ngallëpin, por shokët e tij të mjerë, në rast se ndonjeni nga ata janë gjallë, do t’ia dinin saktë ngallëpin. I ndjeri ishte dënue me vdekje dhe ia kishin vnu prangat në secilën kambë nga 25 kg. Ia kishin caktue vendin afër derës. Ndoshta kjo ndodhi që të mos ua prishte gjumin dhe qetësinë të burgosunve nga ato vegla qorre të Drejtoratit të burgut. Kur e pyetëm pse je vendos këtu te dera?! – ai na tha se vetë e ka zgjedhë kët vend, që të mos ua prishë qetsinë të burgosunve me rropamat e hekurave!

Vitore Radi ne qender - seleksionim Pambuku ne leme Saver 1969- Nine Destanishta Lajde Kokali - Mirakaj, Dudie Kupi e Llambrini Cuko
Vitore Radi ne qender – seleksionim Pambuku ne leme Saver 1969-
Nine Destanishta Lajde Kokali – Mirakaj, Dudie Kupi e Llambrini Cuko

Më lejo zotni lexues, që t’i shkruaj pak fjalë për këtë burrë të martirizuem, mbasi për Kosovën tonë, ai ishte prej Shqipnisë së Vjetër. Gjon Destanisha, ky martir i atdheut, në kohën e Shqipnisë kishte pasë kenë kapiten i Ushtrisë shqiptare. Bashkë me nji togë ushtarësh, xhandarësh dhe me do ballistë, kishte pas shkue në katundin Suhodoll ku e kishin patur çerdhen komunistët e drazhistët dhe aty e kishte pas krye nji aksion të madh. Se si ishte arrestue nuk e dinim hollësisht, por ate e kishin dënue me vdekje. Gjykimi i tij, domethanë qëndrimi i tij gjatë gjykimit, ishte shumë burrnor e i pathyeshëm. Ashtu qëndroi deri natën e fundit të jetës së Tij.
Gjon Destanisha u jipte kurajë të gjithë të burgosunve. Të gjithë të burgosunit shqiptarë, përveç komunistëve, ibeistëve dhe spiunave, përpara se të shkojmë ne, e kishin dashtë dhe përkrahë si vëllanë e vet. Të gjitha gjanat ushqimore që u kishin pasë ardhë të burgosunve, prej më të mirave ia kishin pas dhanë kapiten Gjonit. Si mbërrijtëm në atë dhomë, Gjon Destanisha e ndjeu veten si të ishte në Kompaninë e vet. Ai ndjeu sikur i erdhi Ushtria shqiptare e vendosun për vdekje. Bisedat e tij ishin plot ideal dhe në çdo fjalë na thoshte:
-Djema, mos u mërzitni se keni me ja mbërrijtë qëllimit!
Po e shkurtoi kët bisedë të zotni Kapetanit. Nji natë, në ora nji mbas mesnate, kur të gjithë të burgosunit ishin n’atë gjumin e mallkuem, u hap dera. Brenda hynë tre civilë dhe me za të vogël e çuen Gjonin prej gjumi. I thanë hajde se po të thërrasin në Drejtori, sepse ka ardhë vendimi në interes tandin. Unë thashë se kjo ndodhi kur ne ishim në gjumë, por lexues i dashtun, gjumi në ato vende asht si gjumi i peshkut në ujë. Gjithmonë fle syçelë. Kur ata të mallkuem hynë në dhomë, sytë tonë panë dhe veshët na dëgjuan si fjalët e të mallkuemve ashtu edhe fjalët e jetëshkurtit. Ata u munduan ta nxjerrin tinëza nga dhoma, por Gjoni me za normal u përgjigj:
-Po, po… E di!
Megjithëse ata nuk deshtën me lanë me folë, Gjoni i foli fjalët e mbrama me neve dhe njiherësh ishin fjalët e fundit të jetës së tij kur na tha:
-Burra! Ma bani hallall dhe ju faleminderit për respektin që më keni ba dhe ndihmën vëllaznore që ma keni ofrua. Mos u mërzitni aspak!
Këto ishin fjalët e tij me ne. Dritë pastë Shpirti i Tij.
E rrëmbyen rebelçe. E nxorën prej dhome dhe e mbyllën derën. Afër derës në koridor e kishin pasë sjellë farkatarin me ia thye prangat. Të rrahunat e çekiçit u ndien disa herë, pastaj u dëgjuan edhe fjalët e Gjonit:
-O maxhup, sill ma mirë!
Kur dolën në oborrin e burgut, i dëgjuem edhe dy herë fjalët e Gjonit:
-Rrnoftë Shqipnia! Rrnoftë Flamuri kombëtar! – tha ai me za të naltë. Kur deshti të thotë për të tretën herë fjalën: Rrno… sigurisht e ngulfatën në fyt e i mbeti fjala në grykë posa e filloi. Mbas pesë minutash u dëgjuan dy rafale të mitralozit mbas murit të burgut dhe kaq e patëm me Gjonin.
Lexues i dashtun!
Ktheje kujtimin mbrapa e shikona neve në atë moment. Fytyra e të gjithë nacionalistave, ishte si flaka e qiririt. Lotët derdheshin prej syve tanë si shiu prej qielli. Jo vetëm prej neve, por prej të gjithë shqiptarëve që ishin n’atë dhomë, përveç stalinistëve shqiptarë. Tri apo katër ditë nuk kena hangër bukë. Jo prej frikës, por prej dhimbjes që e humbëm atë idealist, atë burrë me të gjitha njisinat kombëtare shqiptare…”
Mbas Luftës së Dytë Botërore, bashkëshorten e Gjonit, Antoninën, tri vajzat dhe djalin e saj, regjimi stalinist i dërgoi në internim njezëtepesë vjet me radhë. Antonina ndërroi jetë në nëntor të vitit 1987, në Shkodër.
Fotografinë e kapiten Gjon Destanishës dhe bashkëshortes Antoninës, më ka dërguar nipi i tij, Gjon Destanisha Jr. i cili tash disa vjet jeton e punon në New York.

Marrë nga muri i fb i Bajram Mjeku, 21 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.