back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Figura e një Gruaje të Hekurt e sublimuar në një libër – nga Mhill Velaj

Gazeta

Mëhill Velaj gjatë nji konference
Mëhill Velaj gjatë nji konference

Figura e një Gruaje të Hekurt e sublimuar në një libër

nga Mhill Velaj

Reflektime mbi librin “Mri Dedja e Merrnaçajve, – Zoja e Hekurt me Shpirt Florini – Rrëfime t’nji jete”

Jo rrallë ndodh që monografitë bëhen edhe si një lloj burimi historik i rrjedhave sociale, por edhe atyre kombëtare. Të tillë do e kisha trajtuar edhe këtë monografi të shkruar me mjeshtëri nga Jozef Radi “Mri Dedja e Merrnaçajve – Rrëfime t’nji jete”
Librit i paraprin një parathënie e protagonistes së librit, e cila me një thjeshtësi e madhështi të fjalës së shkruar, jep pasqyrimin për motivet e fillesave të kësaj monografie. Ajo ruan modestinë deri në qiell, kur i drejtohet lexuesve, por në anën tjetër tregon edhe vlerat e fisnikërinë e një gruaje të hekurt, e cila zemrën e vizionet i ka plot dashuri e mirësi, ku përmes një gegërishteje të bukur, të ëmbël e të kulluar, pushton mendjet e zemrat e lexuesve.
Në fillim të librit jepen të dhëna për Shpinë e Bajraktarit të Vuklit, ku në sfond hynë shumë personazhe, emra, ngjarje e përplasje historike ku si nëntemë e këtij libri zë vend edhe pjesa “Kelmendi përballë komunizmit” e ku përmes rrëfimesh e përjetimesh autentike, gjejmë të dhëna të shumta për ngjarjet historike, heroizmin, qëndresën dhe orientimet properëndimore të kësaj krahine të dëshmuar në shekuj për rrënjët e tij identitare, ku theks të veçantë i jepet pjesës historike. “Fati i dhimbshëm i familjes së Bajraktarit të Vuklit”
Libri i ngjan një kronologjie e balade të pafund familjare ku në to ndërfuten personazhe të shumtë, përvoja, guxim, pasoja dhe mbijetesë titanike. Pjesa tragjike e përshkruar në këtë libër si rezultat i rezistencës ndaj ideologjisë komuniste “Familja e Bajraktarit internohet n’Tepelenë” shpërfaq dramën kombëtare të kësaj familjeje desidente që në fakt përjetoi ‘Golgothën shqiptare’.
Me një fjalë, është tablloja e jetës së një gruaje fisnike e malësore me rrënjë guri që rrëfen për jetën e saj si një kronikane e historisë dhe e përjetimeve familjare që nga lindja e saj deri në moshën e shtyrë, ku ndërthur situata sa krenare po aq dramatike, sa të dashurisë po aq të sfidave e dilemave ekzistenciale, por mbi të gjitha karakteri i saj mbetet i pathyer dhe me çdo mjet arrin t’i japë kuptim jetës familjare farefisnore dhe asaj shoqërore.
Mrì Dedja përmes këtij libri e rrëfimi letrar është shndërruar në Orakull dhe vetëfarkëtuese e fatit të saj. Ajo të mahnit me memorien e saj dhe elegancën madhështore për t’i rrëfyer ngjarjet krejt natyrshëm dhe me baza reale, pa fryerje e imponime.
Në pjesën “Mërrnaçajt në kurthin e Sigurimit”, rrëfehet saga familjare e kësaj familjeje, e cila përjetoi torturat nga më të ndryshmet për t’i qëndruar besnik traditës, fesë, kombit e idealeve stërgjyshore.
Pjesa rrëfimore e këtij libri “Jeta n’Mal t’Zi… edhe andrra për Amerikë” është një pikë kthese në këtë përmbajtje të librit, ku njeriu shqiptar ballafaqohet të zgjedhë mes lirisë, prangosjes, dëbimit apo arratisë, deri tek ëndrra e lirisë që ishte e mbledhur diku përtej Atlantikut.
Pjesë e këtij kalvari ishte edhe Marash Merrnaçaj, dhe shumë malësorë të tjerë të cilët sipas skenarit jugosllav duheshin shpopulluar si ajka e kombit bashkë me krahinën e tyre.
Është fati i individit, familjes, grupit e shoqërisë i përshkruar në këtë libër që detyrohet të lëviz nga krizat, dhuna e presioni i sistemit komunist nga Malësia në Mal të Zi, e nga aty në Itali për ta jetësuar ëndrrën e madhe amerikane.
Libri është i pasuruar edhe me një fotoalbum familjar, ku rrëfehet për ndërlidhjen e brezave dhe gjakimin për integrim në botën amerikane.
Pjesa e librit “Fillimet e jetës n’Amerikë” është një koloni e kolorit ngjarjesh e situatash sa të thjeshta e familjare deri tek ato me motive kombëtare e ndërkombëtare, siç ishte edhe rasti i takimit të protagonistes me Nënë Terezen. Janë dy dimensione jetësore që e përshkruajnë këtë pjesë të librit; tradita që lufton me modernen dhe modernja që të rrëmben pa e hetuar fare.
Nuk lihen pa u përmendur në këtë libër edhe tre prelatët e kishës katolike, Dom Zef Oroshi, Imzot Rrok Mirdita dhe Dom Pjetër Popaj, të cilët me dekada ishin busulla orientuese dhe jetes gjalluese identitare e komunitetit shqiptar në Amerikë.
Episod prekës është pjesa e librit “Mbas 32 vjetësh n’atdhe” dhe “Kthimi n’Kelmend…mbas nji jete!” që shpalosin një jetë të dinjitetshme plot pikëllim, këmbëngulje e krenari të fatit të individit që kurorëzohet me emërtimin “Shkolla e Tamarës merr emnin “Nik Merrnaçaj” sikur dëshiron të na jap mësimin se: “Vuajtja trungun e ka të hidhur, por shpërblimin e ëmbël!”
Në këtë libër nuk lihen pa u përmendur edhe patër Daniel Gjeçaj, Pjetër Arbnori, Ilir Buçpapaj dhe kontributi i tij si gazetar, si dhe kontributi i familjes Merrnaçaj ndaj “Vatrës”, poashtu edhe Lazër Radi deri tek motivi etnofamiljar si: ruajtja e xhubletës së nënës, përmendja e Nderim Kupit, reflektimet më intime familjare deri tek akti i pensionimit e pleqëria e mbarë. Pra, është një shekull jete e sublimuar në një libër si një lloj testamenti i kuq që mbetet i rrënjosur në ngjarje e ideale të pathyeshme njerëzore.

Mri Dedja e Merrnaçajve
Mri Dedja e Merrnaçajve

Ky libër i ngjan një mozaiku apo pikture që në vete ngërthen shumë imazhe apo pamje jetësore që në thelb kanë etnikën, kulturën dhe ngadhënjimin e brezave përmbi sfidave ideologjike dhe të mirat e rrëzimet që na i ofron jeta.
Thënë ndryshe, janë copëzat e jetës së një gruaje heroine të vendosura në letër, e cila si një makinë e memories reflekton për jetën, dukuritë, shoqërinë, për bekimet e mallkimet, përballjet e ngadhënjimet, por mbi të gjitha është libër memorial i jetës sepse në qendër të rrëfimit e ka traditën e rrënjët shqiptare.
Mrija jeton e lumtur sepse çdo dite të jetës së saj familjare diti t’i jap kuptim.
Hyrja e saj në botën e letërsisë dhe monografisë është mëse e merituar, sepse frytet e mira duan korrtarë të shumtë në mënyrë që hambari histografik shqiptar të mos mbetet i varfëruar.
Lexojeni këtë libër dhe ndërdijshëm do të pasuroheni me magjinë e një jete të dinjitetshme!
Hartsdale, 16 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.