back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Triptik mbi tre autore e tri Vepra – Luftar Pepmarku, Bashkim Shehu & Natasha Lako nga Emrije Krosi

Gazeta

Emrije Krosi
Emrije Krosi

Triptik mbi tre autore e tri Vepra – 

Luftar Pepmarku, Bashkim Shehu & Natasha Lako

nga Emrije Krosi

Ekspertiza dhe dekodimi i regjimit, përmes kujtesës librore,
në romanin e Luftar Pepmarkut

Edhe pse ka ardhur vjeshta, librin e kam filluar qe në verë. Në takimin që pata me autorin e librit “Kohë për qiri” të Luftar Pepmarkut, u ndjeva e privilegjuar, sepse kam kohë që hulumtoj në fushën e letërsisë të ish-të përndjekurve dhe të dënuarve, nga regjimi. Pepmarku, është një shkrimtar/ memuaristik, i persekutuar, vetëm se iu pushkatua i ati, duke humbur shumë të drejta, sidomos atë të shkollimit. Libri rrëfen rrjedhën e jetës së një fëmije, pas pushkatimit të atit, që është personazhi/ autori njëkohësisht, i quajtur Mirjan Lisi, duke i vjedhur edhe fëmijërinë, edhe rininë, edhe burrërinë…
T’i heqësh të drejtën një fëmije për kulturë dhe dije, që është një ndër pikat kryesore të konventës së OKB-së për fëmijët, që shkruhet shprehimisht: “Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për arsimim dhe, me qëllim që të arrihet kjo e drejtë, hap pas hapi dhe mbi bazën e mundësive të barabarta”, neni 18. Por, autori i ndërgjegjësuar për prejardhjen e tij klasore, mbeti pa shkollë dhe u detyrua të bëjë punë të rëndomta.
Libri ka 32 kapituj. Që në fillim, na jep një pamje të kohës së tashme, ku një çift duan të regjistrojnë fëmijën, në zyrat e Komunës ku punon Mirian Lisi, që përmes mjegullnajës së kujtimeve i kujohet fëmijëria e tij. Autori, libri e quan (roman memoaristik) dhe i tillë është, pasi që në fillim, të tij ka një kushtim tjetër, si përmendore për nënat që kanë rritur fëmijët jetim gjatë diktaturës, sepse u janë pushkatuar burrat, apo kanë vuajtur nëpër kampet e punës. “Këtë libër ua kushtoj atyre nënave, që me mundime e sakrifica të jashtëzakonshme rritën fëmijët e tyre jetim, si dhe etërve të tyre, që ua mori jetën diktatura dhe ua humbi edhe eshtrat”, që përmes personazhit Etman/ Mirjan Lisi, autori ndërton që në fillim metaforën e lisit. Fjala lis në fjalorin GJSH: [botanikë: dru pylli i lartë; etnografi: tërësia e pasardhësve që rrjedhin nga një baba a nga një nënë. Lisi i gjakut njerëzit që rrjedhin nga një baba. Lisi i gjinisë (i tamblit, i qumështit) njerëzit që rrjedhin nga një nënë], pra metafora e lisit është ajo e qëndresës, por edhe etnografia e lidhjes së gjakut.
Mbiemri, Lisi është ndërtuar në mënyrë kronologjike, nga autori, duke dhënë edhe rrjedhën e paraardhësve të familjes së tij, se çdo lis që ka rrënjë, edhe Mirjani i ka rrënjët shumë të thella dhe të lashta.
Përmes retrospektivës, për fisin Lisi, autori e lidh me etnitetin e tyre, me tre elemente si: [kulla/çiftelia/pushka]. Kulla, është (siguria, forca, familja, gjaku, fisi, dashuria), kurse çiftelia (është vazhdimësia nga shpërbërja, etniteti, kombësia), pushka (qëndresa, forca, mbrojtja nga armiqtë, por edhe lidhet me etnicitetin dhe moralin tonë kombëtar).
Përmes Etmanit, i biri Mirjani, që është dhe autori njëkohësisht, rrëfen sipas Zhenetit: “rrëfen në n-here, për atë që ka ndodhur një herë”, por autori/personazh është edhe personazhi/autor, që na vetëtregon:
a)për heroin/personazh që di dhe rrëfen çdo gjë,
b)për heroin/rrëfimtar, që është i kundondodhur,
c)për rrëfimtarin/autor të gjithëditur dhe herë-herë përmes këmbimit të roleve, heroi bëhet fëmijë, rrëfyes, i rritur, gjykues, paragjykues, veshur me plojën e kujtimeve në formë kronologjie jetësore dhe historike sidomos. Ai ka ndërtuar dy kohët paralele: e shkuara/tashmja.
Rrëfimi, shtresëzon kujtime dhe përjetime, të shumë familjeve shqiptare që jetonin në fshat duke treguar, në shumë kapituj, jetën në bashkësi ku:
-rrëfen për punët e bujqësisë dhe blektorisë (kopshtet/arat/blegtoria etj)
-për traditat dhe zakonet (fejesat, martesat, vdekjet),
-kulturë, histori, art dhe letërsia e kohës (rreth viteve ’30-të),
-për mentalitetin dhe paragjykimet,
-për toponimet/arkitekturën (kulla dhe dominimi saj në jetën e përditshmërisë si qëndresë, por edhe si simbol i pasurisë, apo edhe bejlerllëkut të kohës, ose sipas oxhakut),
-për gastronominë (futja e recetave të reja europiane për kohën),
-për veshjet dhe artizanatin,
-për elementet e folkut (këngët e dasmave),
-për elementet e besimeve fetare.
Romani ka edhe ngjizje historike me emra dhe figura të politikë së kohës. Por autori, gjatë gjithë romanit tregon, për rrezikun e komunizmit si ide dhe regjim, derisa u pushktua dhe la vetëm gruan e re (Mirësia një grua vërtetë mirësi, sepse nuk e braktisi djalin e saj, edhe pse zakonet e vendit kërkojnë që të kthejnë në gjini). Mënyra e rrëfimit, përmes një gjuhe të thjeshtë, duket sikur një përrallë.
Emrat e oficerëve dhe spiunëve të regjimit, janë me epitete fyese si: Mallkim Terri/Hetim Demoni. Rrëfimi auto/autorial i jep zëshmëri Mirianit, dëshirës së tij për shkollë, por ai ishte djali i të pushktuarit dhe nuk kishte të drejtë, edhe pse ishte me të gjitha notat 5 (d.th.m 10 sot), por as në gjimaz nuk e lanë të shkojë, kështu që iu nënshtrua fatit (pa faj), u martua, por “hija e zezë e babës”, vazhdonte ta përndiqte, atë dhe familjen e tij vogël.
Autori shkruan: “Mirianit për arsye biografike, ngaqë kishte babanë e pushkatuar, nuk i bënin lejen e banimit. Nga mungesa e lejes së banimit apo pasaportizimit, kishte mbetur familjarisht pa punë”. Kjo tregon, se çdo kush që e ka jetuar atë kohë e kupton, se as punë nuk u jepnin “armiqve të pushtetit”, duke orkestruar një sërë burokratësh të tërbuar dhe gjakatarë, vrasës dhe shtypësish, që nuk kishin mëshirë as për një fëmijë.
Por,

I vdes edhe e ëma, gruaja që vitet e rinisë së saj i “dogji” duke rritur dhe edukuar të birin, me të gjitha fatkeqësitë e fatit, nëpër mjerime, përbuzje, shtypje, refuzime, ajo kurrë nuk u dorëzua. Edhe pse me fund të lumtur, historia nuk duhet harruar, sepse mund të përsëritet përsëri.
Simbolika e pemës së qershisë, ku janë varrosur të gjithë të pushkatuarit në burgun famëkeq të Burrelit, në analogji me pemën e ndaluar të Biblës (molla e ndalur), ku Adami dhe Eva zbuluan të mirën dhe të keqen, sendërton si imazh dhe simbol të së keqes dhe ligësisë, të dhimbjeve dhe humbjeve të shumë të afërmëve, sekuestrimi dhe rrënimi i mijëra familjeve intelektuale dhe atyre me taban atdhetar dhe kombëtar.
sëfundi: kjo lloj letërsie në formë kujtimesh memuaristike, autobiografike, apo edhe biografike, apo edhe ajo lloj letërsie, ajo e dosjeve, apo edhe letërsia e burgologjisë (sipas Visar Zhitit), duhet shfletuar dhe njohur nga lexuesit, por kritika as nuk merret “me vogëlsira” të tilla, pasi ajo nuk e njeh si letërsi (por ca kujtime të burgosurish), që për mua kanë brenda historinë dhe traditën tonë të zhdukur nga komunizmi, kulturën dhe zakonet tona, tashmë të harruara dhe të shpërfytyruara në emrin e demokracisë dhe globalizmit modern.

©copyright Emi Krosi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.