back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

110-vjet më parë lindi “Hylli i Dritës” – Një Yll që ndriçoi natën e errët 500-vjeçare të shqiptarëve – nga Frank Shkreli

Gazeta

 

Revista Françeskane "Hylli i Drites"
Revista Françeskane “Hylli i Drites”

110-vjet më parë lindi “Hylli i Dritës” –

Një Yll që ndriçoi natën e errët 500-vjeçare të shqiptarëve

nga Frank Shkreli

110-vite më parë, me 1 tetor, 1913 është botuar numri i parë i revistës së Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”, me editorin e parë, të Madhin At Gjergj Fishta. “…E kemi quejtë ketë të Përkohëshmen tonë: “Hylli i Dritës”, përse âsht tue lé nëpër agim të qytetnisë së Shqipënisë”, ka shkruar Fishta. “E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, që edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut, ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë…” (Hylli i Dritës) I. 1913, 4-8). (At Gjergj Fishta).
Historia e revistës së Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”, ç’prej numrit të parë, është një pasqyrim, shpesh i lavdishëm, por edhe më shumë tragjik, i historisë së Shqiptarëve, sidomos, i historisë së shekullit të kaluar e deri më sot.
Në parathënjen e veprës së studiuesit Willy Kamsi me titull, (“Hylli i Dritës”, 1913-1944, Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008”), thuhet se revista françeskane, “Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provinçës Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës kanë qenë jo vetëm drejtori i saj At Gjergj Fishta, por madjè nji plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuen jo vetëm Provinçën Françeskane por edhe mbarë Kombin.
Sipas studiuesit Kamsi, bazuar në veprimtarinë botuese shumëvjeçare duhen hedhë në pah jo aq arsyet dhe argumentat që i dhanë shkas këtij botimi, sepse për këtë flet mjaft qartë revista me shkrimet që përmban, “por më shumë për të pasqyruar shkaqet që sollën dy herë përulimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth gjysmë shekulli, nga ana e regjimit komunist, antishqiptar, antikatolik, në mos shprehje e nji antikulturësie të posaçme e të skajshme.”

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Trí janë periudhat në të cilat zhvilloi veprimtarinë e vet botuese “Hylli i Dritës”, sipas studiuesit Kamsi. Periudha e parë (1913-14), të cilën revista diskutonte aftësinë e shqiptarëve për të organizuar shtetin e vet mbas pesë shekujsh pushtimi të huaj dhe marrëdhëniet mes lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fesë dhe probleme të tjera të cilat, në mënyrën se si trajtohen ato – kanë qëllimin kryesor për të filluar, moralisht e në mënyrë vepruese – nji mënyrë të ré për të kuptuar më mirë marrëdhëniet mes individit e shtetit, në mes shoqërisë e shtetit.
Sipas autorit Kamsi, në revistën “Hylli i Dritës”, gjatë gjithë veprimtarisë së saj nuk mungonte, ndër të tjera subjekte, as polemika e fortë dhe e mprehtë e At Gjergj Fishtës. “Jashtëzakonisht e rëndësishme dhe fort informuese është rubrika kushtuar lajmeve të mbrendshme e të jashtme që, të paraqitura prej drejtorit të saj At Gjergj Fishta, pasqyrojshin qendrimin ndaj politikës ndërkombtare, të mbajtur prej ambjenteve atdhetare e nacionaliste, të përfaqësuara prej Etënve Françeskanë, të cilët patën një meritim të qartë në këtë drejtim.”
Numri i parë i revistës “Hylli i Dritës”, botuar më 1 tetor 1913, nuk pati jetë të gjatë. Është ndërprerë menjëherë nga Fuqitë e huaja në atë kohë në Shkodër, sepse revista doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, të cilat ishin, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe para fillimit të Luftës së parë Botërore. Kjo masë shkaktoi një reagim të ashpër të drejtorit të kësaj reviste, At Gjergj Fishta, i cili ndonse nuk e nënshkruen shkrimin e botuar, është e qartë, sipas Kamsit se Fishta është autori i tij. Prej titullit e kemi të qartë gjithashtu edhe përmbajtjen e artikullit: “Nji komedi e pandershme e shekullit XX”, shkruan autori Willy Kamsi në parathënjen e librit të tij, (“Hylli i Dritës”, 1913-1944 – Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008). Siç është rasti me shumë nga shkrimet e At Gjergj Fishtës, edhe ky shkrim, duke u lexuar 110-vjet më vonë, është aq aktual me zhvillimet e sotme politike ndërkombëtare ndaj shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në trojet e veta.
Në periudhën e dytë të botimit të “Hyllit të Dritës” – nga viti 1921 deri 1924 – periudha më demokratike e historisë shqiptare, sipas Kamsit, pau zhvillimin e një veprimi të gjallë në dobí të forcave më të shëndosha të Kombit shqiptar. “Kujdes parësor ka qenë me e mprojtë shtetin e rilindur shqiptar prej të këqijave të jashtme e sidomos të mbrendshme… Ndryshe prej periudhës së parë vehet oroe drejtimi kah nji përgatitje demokratike e qytetarit. Theksohen subjekte sikurse ndër të tjera, rilindja e individit si njisí më vete e përbërse e shoqërisë, duke theksuar, njëkohësisht, se cili ishte ideali i Shqiptarit. Një vend të veçantë në revistën Hylli i Dritës kanë zënë shkrimet në mbështetje të masave për ruajtjen e traditave si dhe vlerësimi i së kaluarës për të përmirësuar të tashmen, shkruan Kamsi.
Në qershorin e 1924-s, nji revolucion demokratik, i udhëhequn prej Fan S. Nolit, Luigj Gurakuqit e Bajram Currit, përmbysi regjimin e Ahmet Zogut dhe të bejlerëve. Mbas gjashtë muajsh të qeverisjes demokratike, me kthimin në pushtet të forcave regresive të mbështetura nga jashtë, detyrimisht, u desht të pezullohej botimi, duke pritë kohë më të mira, pasi kjo revistë kishte mbajtur, me shumë vendosmëri, anën e demokracisë, është shprehur Ëilly Kamsi.

Gjergj Fishta dhe revista Françeskane Hylli i Drites
Gjergj Fishta dhe revista Françeskane Hylli i Drites

“Periudha e tretë (1930-1944), sipas autorit Kamsi, pau përhapjen dhe imponimin e mendimit katolik në fushën e kulturës, tue e çue “Hyllin” në nji nivel të tillë sa me pasë pëlqimin e çmimin e rretheve shkencore e kulturore jo vetëm kombtare por edhe ndërkombtare. Jo më kot ndër bashkëpuntorët e tij mbahen me të tjerë emra të njohur si Prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmüller”, e të tjerë si këta, shkruan studiuesi Ëilly Kamsi.
Në kronologjinë e tij kushtuar “Hyllit të Dritës, Kamsi shkruan se revista françeskane, me “Komunizmin qe përballuar, papushim, duke venë në dukje gjithë kalbësirën e mbrendshme që gjendet në tê, e të së cilës kemi qenë dëshmitarë pasi kemi jetuar atë njëmendësí. Prandej, nuk janë pak artikujt që i kundërvihen asaj propagandë në Shqipëní me synimin që të ndriçohej opinioni publik, i mashtruem prej reflektimit mashtrues të nji mirëqenjeje të rrejshme”. Por jo vetëm kundër komunizmit! Revista e Françeskanëve shqiptarë, sipas Kamsit, në artikujt e saj dënonte edhe nazizmin. Më 1938, pushtimi i Austrisë, i ashtuquajturi “Anschluss” nga ana e Gjermanisë naziste, shkaktoi reagimin e Gjon Kamsit me nji dënim të shprehun me artikullin “Austria ndrroi jetë”, njëra ndër protestat e pakta, në mos e vetmja, në shtypin shqiptar të asaj kohe, thekson ai.
Viti 1944 solli heshtjen e gjatë dhe vdekjen për revistën dhe botuesit e saj. Një nga aktet e para të qeverisë komuniste të Shqipërisë mbyllja e “Hyllit të Dritës” si, “përfaqësuese e reaksionit” anti-komunist. Ky vendim u pasua me dënimin me vdekje e burgje të gjata të shumë prej drejtuesve të saj, ajkës së Kombit, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti, e të tjerë, si dhe vjedhja dhe shkatërrimi me qëllim i trashëgimisë së saj arkivore, nga shteti komunist i Enver Hoxhës. Për fat të keq të revistës “Hylli i Dritës”, të Françeskanëve shqiptarë, por dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, revista e njohur në historinë e gazetarisë së Shqipërisë u mbyll nga regjimi antikombëtar komunist i Enver Hoxhës kur ky erdhi në fuqi me mbështetjen e armiqëve sllavë të Kombit shqiptar – nji humbje kjo e pallogaritshme për kulturën e shkencën shqiptare, humbje që âsht e vështirë të ndreqet sot, është shprehur studiuesi Kamsi në vlerësimin e tij.
Më në fund, pas shembjes së Murit të Berlinit, erdhi koha e ringjalljes së Shqipërisë dhe në vitin 1993, shkruan ai, me nismën e françeskanit At Zef Pllumi, filloi rishtas botimi i revistë, “Hylli i Dritës”. Ndërkaq, mendohej se kohët e këqia kishin kaluar, por, jo, nuk ishte ashtu. “Erdhi 1997-a, vjeti i grushtit të shtetit komunist, që përgjaku e shkatërroi shtetin shqiptar. Kështu për të katërtën herë pushoi së botuari “Hylli”, që kaq i kishte dhënë ringjalljes së Kombit pas pushtimit turk”, vlerëson autori Kamsi.
Kamsi, përfundon kronologjinë e revistës “Hylli i Dritës”, duke shkruar se, “Në vitin 2006 – në vitin e 26 të jetës së vet – për të pestën herë kemi ringjalljen e kësaj reviste. U ringjall prej hinit të vet, sikurse Phoenix-i mitik dhe e bani këtë mbas 93 vjetësh, me gjith ndeshtrashat që e kanë përcjellë në jetën e vet, tue ndjekë të njajtin program dhe tue synue që nëpërmjet fesë, kulturës dhe dijes me i dhanë nji trajtë shpirtnore njeriut shqiptar, tue qenë me të vërtetë Votër kulture shqiptare”.

Shënim: Citimet janë marrë nga parathënja e veprës së studjuesit Willy Kamsi me titull, “Hylli i Dritës” 1913-1944. Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008.
Sot, me 1 tetor 2023, kujtojmë pra 110-vjetorin (e të vitit 1913), kur doli numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës” – një pasqyrë kjo e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj, françeskanët shqiptarë, me në krye At Gjergj Fishtën, por edhe jo-françeskanë – duke shkruar me laps dhe duke flijuar jetën deri në derdhjen heroike të gjakut të tyre, gjithmonë në mbrojtje të lirisë e demokracisë, të vlerave kulturore, kombëtare dhe shpirtërore të popullit e të Atdheut të vet.
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.