back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Dekodimi i metaforës së “heshtjes” dhe “humbjes”, tek poezia e Vexhi Buharasë – nga Emrije Krosi

Gazeta

Vexhi Buharaja (1920-1987)
Vexhi Buharaja (1920-1987)

Dekodimi i metaforës së “heshtjes” dhe “humbjes”,

tek poezia e Vexhi Buharasë

nga Emrije Krosi

Në tekstet letrare, kriteri i përdorimit për interpretimin, në përputhje me kohën kur është shkruar, fut në lojë teorinë e receptimit (Iser: 1974: 85), ku pritja e grupeve të ndryshme të lexuesve shtrihet në kohë të ndryshme. Prandaj, nuk ka asnjë perceptim të vetëm të paracaktuar adekuat të një teksti të caktuar, në të cilin teoria letrare duhet të fokusohet, në vend të kësaj, të gjitha pritjet aktuale në të kaluarën dhe të tashmen janë të vlefshme, si pikëtakim mes brezave të lexuesve. Vepra e hershme ka dy pole: atë estetik dhe artistik. Artistikja i referohet tekstit të krijuar nga autori dhe estetikja, realizimit të realizuar nga lexuesi. Në dritën e këtyre fakteve të teorive letrare, vjen edhe poeti, përkthyesi nga letërsia orientale i “humbur” dhe i “penguar” Vexhi Buharaja, si një ndër njohësit më të shquar të fushës së orientalizmit (Kondo: 1995). Shumë vonë është njohur si poet, por më shumë si përkthyes i “Gjylistani” të Saadiu-t dhe “Shah-Nameja”e Firdeusiu-t etj.

***
Pas një heshtjeje të gjatë, në mesin e poetëve të viteve ’30-të, spikat edhe një emër tjetër më shumë si një përkthyes dhe njohës i orientializmit, por edhe si poet, Vexhi Buhara një poet i dashurisë për njeriun e bukuritë e natyrës shqiptare (Dëshnica: 2020). Poezia e tij kishte një ngjashmëri me strukturën poetike dhe vargore të Lasgush Poradecit. Poezia, “Përpara Tomorit” (telegraf: 3 prill, 2014), është vlerësuar me çmimin e parë, në konkursin letrar, që u shpall me 1 Janar 1942, kur ishte 22-vjeçar.

Bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,
Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie,
Si shkëndi, si rreze dielli, po afrohet valë -valë,
Ndënëqesh me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë,
Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:
Gjer në fund të natës sime.

Dhe kjo dritë dhe kjo flakë që po ndez një qiell floriri,
Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhirë,
Gaz’ i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu
Edhe gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu
Nga dy buz’ si trëndafili edhe ra në ëmbëlsime:
Gjer në fund të natës sime.

Zog’ i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!
Shpuzë’ e mallit po valëvitet, trete helmin, ligjëro!
Thuaja si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit
Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,
Qesh si qesh një shtizë hëne përmbi faqen e dëborës,
Ndrin si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës
Dhe këndo posi bilbili me aq mall e drithërime
Gjer në fund të ditës sime.

Dhe pasi të kesh marrë, frym’ e shpirt nga bukuria
Dhe pasi të kesh parë, ca shkëndi nga dashuria,
Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pendëshkruar,
Sesi nga Osum’ i jetës, buçet këng’ e amëshuar.
Si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e ëmbël mençurie,
Si buçet nga buzë e Muzës fjal’ e ëmbël bukurie,
Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…
Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit,
Dhe përhapet anembanë sa na zgjon nga nat’e gjumit
Pastaj ngjitet lartë-lartë ku ndez jeta në shkëlqime:
Gjer në fron të ditës sime

Ndërtimin e poezisë, poeti e bazon mbi përshkrimin e natyrës, dhe vargu: gjer në fund të natës sime, përsëritet rreth katër herë (4), por në vend të tofjalëshit: ([të natës time] është zëvendësuar me togun tjetër emror [të ditës sime]. Ky lloj zëvendësimi është i qëllimshëm, nga poeti, sepse motivet përshkruese, fillojnë me shkallëzimin ngjitës deri në malin e Tomorit, pastaj shkallëzim zbritës deri tek elementi lumor Osumi. Ndërthurja e elementeve mistike me elementet letrare: si buçet nga goj’e Zotit Fjal’e ëmbël mençurie dhe vargu: si buçet nga buzë e Muzës fjal’e ëmbël bukurie, vjen përmes këtyre komponentëve:
-përshkrimi plot pasion i natyrës,
-përpjesëtimi përmes pangopësisë dhe subjektivizmit poetik,
-krijimi i kontrasteve të natyrës përmes imagjinatës,
-“nota trishtimi” përmes bukurisë natyrore dhe mjediseve baritore,
-kompozimi dhe ndërtimi i imagjinatës poetike-mistike,
-përvojat e rutinës së jetës dhe natyrës së përditshme.
Ndërtimi i vargut (aa/bb), dhe aspekti natyror, si një aspekt i vizioneve kriptike (Fraj: 1990 :148), kanë mbetur jashtë imitimeve përmes simbolikave komunikuese. Vargjet: bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,/ Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie,/ Si shkëndi, si rreze dielli, po afrohet valë-valë,/ Ndënëqesh me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë,/ Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:/ Gjer në fund të natës sime, na zbulojnë përshkrimin e natyrës, jo si mirazh, por tropet mataforike mistike e zbulojnë të plotë atë, që në vargun e parë: [bukuri këputur qiejsh]. Në këtë rast, nuk mund të “mendojmë” për një avancim “figurativ të ligjërimit”, por do të thotë të krijosh vepra që nuk refuzojnë standartet e pranuara nga shumica (Porter: 2002: 117). Vargjet: zog’i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!/ Shpuz’e mallit po valëvitet, trete helmin, ligjëro!/ Thuaja si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’e gugashit/ Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit, poeti ka ndërtuar përsëri trope metaforike si [zog’i shpirtit], duke rrokur [vertikalitetin=Tomori + Qielli]. Ka ndodhur një përmysje me një kuptim të parmë, ku organizimi semantik por edhe semantika strukturale, krijojnë ndërvarësi mes njëra-tjetrës, mund “të kuptojmë” lidhjen praktiko-estetike të njeriut me mjedisin. Në vazhdimësi: dhe pasi të kesh marrë, frym’e shpirt nga bukuria/ Dhe pasi të kesh parë, ca shkëndi nga dashuria,/ Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pendëshkruar,/ Se si nga Osum’i jetës, buçet këng’e amëshuar, tashmë kthehet në [horizontalitet = Osumi + Toka] lidhja e elementeve planetare, me botën natyrore, ngjiz edhe kombinimin filozofik, në nivelet figurative si:
a.të makrosemiotikës,
b.të ektrasemiotikës, për një kuptim më të thellë të perceptimeve të botës natyrore (Dombroski: 1996 : 506). Përmes strategjisë interpretuese të leximit të vargjeve: si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e ëmbël mençurie,/Si buçet nga buzë e Muzës fjal’ e ëmbël bukurie,/Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…/Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit, poeti nëpërmjet kodeve të komunikimit, rroket mistika me katër elementet jetësore (uji + Osumi = pastrimin e mëkateve), se vetë Muza si femër e dashuruar përmes elementeve romantiko-sentimentale tëhuazohen në estetikën poetike ku; poezitë e Buharasë qenë strukur në atë kohë brenda burgut të fondit të rezervuar (Hima: 2008). Portretizimi dhe përmes personifimit, ku poeti i drejtohet natyrës, qiellit të natës edhe si cilësi njerëzore. Poeti sugjeron, se e vërteta për ekzistencën mund të vërehet në natyrë dhe ai dëshiron të jetojë në të, për të gjetur të vërtetën dhe për të kërkuar e dëshmuar vetë këto përgjigje, si urtësi mistike e poezisë klasike perse.
Si përfundim: poezia e Vexhit Buharasë, nuk ndryshon nga poezia e bashkohësve të tij, ku mbisunduan elementet e përshkrimit të natyrës dhe ato romantike por edhe sentimentale, që përfaqëson ajo periudhë letrare e kohës. Përveçse si poet, Buharaja njihet si përkthyes nga gjuhët orientale (persisht, osmanisht, turqisht, arabisht) duke na lënë një trashëgimi të madhe poetiko-kulturore të panjohur më parë dhe të harruar edhe nga studiuesit dhe kritika, që padyshim, do ta quanin një “imitues” të Poradecit. Por, risia dhe individulizmi i tij, lidhen edhe me kulturën mistike të poetëve persë, që dallohen për lidhjen mes mistikës, natyrës dhe dashurisë.

Emrije Krosi
Emrije Krosi

Bibliografia:
1.Dëshnica, Xh. Agim (2020):Vexhi Buharaja, i paharruari i brezave, i përndjekuri i diktaturës, “Kujto.al”, Tiranë.
https://kujto.al/vexhi-buharaja-i-paharruari-i-brezave-i-perndjekuri-i-diktatures/
2.Dombroski, Robert
(1996): “Poetry and the avant-garde.” The Cambridge History of Italian Literature, edited by Peter Brand and Lino Pertile, Cambridge University Press.
3.Fraj, Northrop – (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë
4.Hima, Yzedin – (2008): Vexhi Buhara pa mite e mjegull, AIITC, Tiranë.
5.Iser, Wolfang – (1974). The Implied Reader, Baltimore: John Hopkins University Press.
6.Kondo, Ahmet
(1995): Vexhi Buharaja: njeriu, poeti, dijetari 1920-1987, “Fan Noli”, Tiranë.
7.Porter, Peter
(2002): The Avant-Garde in Poetry, Enciklopedia Encarta.
8.telegraf.al/i-pakategorizuar/vexhi-buharaja-perpara-tomorit/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.