back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Metafora e Vatrës së Shqiptarëve në SHBA sot – Në qumështin e bashkësisë po ndahet gjalpi nga hirra – nga Valentin Lumaj

Gazeta

Vatranët jashtë portës së Vatrës - 14 tetor 2023
Vatranët jashtë portës së Vatrës – 14 tetor 2023

Ditën e shtunë paradite, 14 tetor 2023,
një numër i konsideruar vatranësh të rinj dhe veteranë u mblodhën tek selia e Vatrës
duke shpresuar që kryetari i saj, zoti Elmi Berisha,
i cili ishte njoftuar së paku një muaj më parë, që të vinte.
Ai nuk erdhi tek shtëpia jonë, te Vatra e të Gjithë Shqiptarëve,
përkundrazi… kishte ndrruar bravat, dhe kishte ftuar policinë e shtetit amerikan.
Kjo do të mbetet një histori shumë e hidhur që unë prej 34 vitesh në Vatër
kurrë as e kam dëgjuar, e as kam parë, bile as dhe në ëndërr.
Ka gati katër vite që ky kryetar s’ka mbajtur as edhe një mbledhje me vatranët e qendrës,
e kurrë nuk kam dëgjuar që në 111 vite të ekzistencës së Vatrës
të ketë ndodhur që kryetari të mos ketë guximin të takohet me vatranët.
Ramiz Mujaj, 16 tetor 2023

Vatranët jashtë portës së Vatrës - 14 tetor 2023
Vatranët jashtë portës së Vatrës – 14 tetor 2023

Metafora e Vatrës së Shqiptarëve në SHBA sot

nga Valentin Lumaj

Në qumështin e bashkësisë po ndahet gjalpi nga hirra

Nga ana figurative Federata Vatra sot më kujton një makinë qumështi që e shikoja përditë në diktaturë në Shqipëri. Nga fundi i viteve ‘80, ndërsa bëja rrugën për në gjimnaz me biçikletë, ndeshja rrugës autobotin e qumështit, që mblidhte qumështin nga fshatrat në qytet.
Nga amortizimi i keq i makinës dhe rrugës me gropat dhe kodrat e saj, autoboti shkundej sa andej-këtej. Mbaj mend një herë që ngaqë kapaku sipër autobotit ishte lënë hapur, nëpër asfalt binin copat e gjalpit të verdhë. Nga shkundjet e makinës në gropa dhe përplasjet e qumështit brenda autobotit, gjalpi ndahej nga hirra, dhe copat e gjalpit kërcenin jashtë.
Edhe Vatra sot në rrugët e saj “me gropa”, po shkundet dhe nga përplasjet brenda saj, asaj po i ndahet veçmas “yndyra”.

Vatranët jashtë portës së Vatrës - 14 tetor 2023
Vatranët jashtë portës së Vatrës – 14 tetor 2023
Realiteti nga dita e shtunë:

Dita e 14 Tetorit tregoi qartë këtë që po them më sipër. Së bashku me rreth 50 vatranë u mblodhëm tek shtëpia e Vatrës në Bronx, NY, me dëshirën e mirë për të realizuar një mbledhje civile informale, meqenëse mbledhje të tilla kishte vite që nuk ishin bërë. Këtë mbledhje dega e Vatrës Manhattan e kishin shpallur dhe kishin lajmëruar Kryesinë e Vatrës mbi një muaj më parë. Në mbledhje ishte ftuar edhe kryetari i Vatrës, Elmi Berisha.
Të shtunën, në orën 11 paradite, në një mot të ftohtë dhe me shi, u mblodhën vatranët, një e nga një dhe në grupe. Aty ishin vatranët më të hershëm që ka Vatra, “urat e historisë së saj” mbi shpinën e të cilëve qëndroi e palëkundur Vatra në kohën e vështira të komunizmi e deri sot, por edhe figura qëndrore aktuale të saj, Njërin nga ata, një ditë para takimit, e pyeta nëse do të vinte në takimin tek shtëpia e Vatrës. Ai m’u përgjigj: “Valentin, jam me probleme të shëndetit dhe me ilaçe, por meqë Vatra ka nevojë, unë do të vij atje”. Pa qenë nevoja që t’ju betohem, sytë m’u mbushën me lot. Këta, thashë me vete, janë burrat e medhenj të Vatrës, këta janë arsyeja pse Vatra ka pasur këtë emër të madh. Dhe ai ishte aty, bashkë me shumë të tjerë dhe një brez më të rinjsh, të githë bashkë sikurse i quante vatrani i nderuar, Lekë Mirakaj, “vatranë 400 karatësh”, unë po i quaj “yndyra” e Vatrës.
Ndër ta dalloj Agim Rexhaj, kryetar i Nderit i Vatrës, Nazo Veliu, Sekretare e Vatrës, anëtarët i këshillit të Vatrës, shkrimtari Idriz Lamaj dhe gjeneral Asllan Bushati, Sekretari i Këshillit të Vatrës, Ramiz Muja, anëtarja e sapolarguar e Kryesisë, Marjana Bulku, kryetari aktual i Kuvendit të Vartës, Ervin Dine, Sekretari i Kuvendit, Eduart Aranitasi, kryetari i Degës Manhattan Agustin Mirakaj, sekretari i kësaj dege Viktor Vorfi, anëtari i Këshillit të Vatrës Mark Mërnaçi, anëtarë të shumtë të degës Manhattan, regjizori Bujar Limani, aktivisti Ilirjan Blloshmi, dhe shumë vatranë të tjerë të nderuar, në fytyrat dhe bisedat e të cilëve shikohej qartë shqetësimi dhe meraku për gjendjen e Vatrës së tyre. Shumë të tjerë nga Neë York-u që nuk arritën që të marrin pjesë, por që e kanë përshëndetur këtë takim si veterani Sergio Bitici, vatrani i hershëm Cezar Ndreu etj.
Mori pjesë gjithashtu televizioni Albanian Culture me drejtorin e tij Adem Belliu dhe vatranin Gertold Hasanbelliu, të cilët përcollën aktivitetin të plotë.
Por fatkeqësisht, ne u gjendëm para një skenari të parapërgatitur nga mendjet djallëzore të drejtuesve të Vatrës kundër anëtarëve të saj. Ky skenar ishte ishte vërtet i shëmtuar dhe turpshëm dhe më ngjau me skenarin e 2 Prillit 1991. Dyert e Vatrës ishin të mbyllura, bravat ishin ndërruar dhe siç u konfirmua, kryetari i Vatrës kishte thirrur policinë që herët në mëngjes, dhe sipas deklarimeve katër vatranë ishin projektuar që të arrestoheshin. Qysh nga 9 e mëngjesit para derës së Vatrës kanë qenë të parkuara disa makina të policisë deri në përfundim të takimit.
Megjithatë, takimi u realizua, më paqe, rregull dhe kulturë qytetare. Vatranët i shprehen me rradhë mendimet dhe shqetësimet e tyre, indinjatën për këtë akt të çuditshëm të kryetarit të Vatrës me mbylljen e dyerve, shfaqën nevojën për një riorganizim rrenjësor të Vatrës. Më pas Vatranët u mblodhën në një nga kafenetë e qytetit Bronx, ku vazhduan bisedat dhe shfaqën mendimet e tyre kaq të nevojshme për daljen e Vatrës nga kjo situatë anormale momentale. Vatranët vendosën me unanimitet krijimin e një komisioni nismëtar për organizimin e një Kuvendi plotësues në fund të Shkurtit.
Por le të kthehem tek akti i mbylljes së shtëpisë së Vatrës.

Vatranët jashtë portës së Vatrës - 14 tetor 2023
Vatranët jashtë portës së Vatrës – 14 tetor 2023
Pse duhej të ndodhte kjo xhanëm?!

Ne si grup i gjerë vatranësh po shkonim për të bërë një mbledhje dhe për të diskutuar hallet dhe çështjet tona në shtëpinë e Vatrës, e blerë dhe mirëmbajtur me donacionet e Vatranëve. Përse të mbyllen dyert?! Përse të ndërrohen bravat?! Përse të lajmërohet policia?! Përse të arrestohen vatranë?! Ne do të bënim një mbledhje dhe do të shpërndaheshim. Kaq. Vendimet mandej janë çështje të vullnetit të shumicës.
Mbase nuk më lejohet të shprehem në emrin e vatranëve që ishin dje në atë takim, por refuzoj ta quaj këtë grup vatranësh një fraksion, refuzoj që të them se ne jemi Vatra dhe ata të tjerët janë armiqtë tanë, refuzoj të them se kërkojmë ndonjë pozitë apo favor, refuzoj ta quaj këtë takim si tentativë për të rrëzuar dikë nga pozita.
Përkundrazi, dëshiroj që këtë takim ta quaj një fryme vatrane, një lëvizje parimore, një energji të gjallë brenda Vatrës dhe qëllimi i këtij takimi dhe i veprimeve të mëvonshme është mbrojtja dhe ruajtja e Vatrës dhe misionit të saj original, ringritja e saj në binarët e ligjshmërisë, në rivendosjen e demokracisë së brendshme, në arritjen e një harmonie dhe fryme vëllazërore në mes vatranëve, në ruajtjen e etikës dhe të komunikimit civil, në ndaljen dhe evitimin e përjashtimeve të atyre që mendojnë ndryshe nga ne dhe nga ata, në rritjen e nivelit të punës dhe bashkëpunimit ndërvatran në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe në komunitetin shqiptar në Amerikë dhe rritjen e shërbesës ndaj çështjeve të kombit, në zbatimin pikë-për-pikë të Kanunores tonë dhe ligjeve të shtetit Amerikan.
Prandaj, vazhdoj në opinionin tim për t’i dhënë kuptim asaj që ndodhi dje, ky fenomen i kopjuar identik nga politika shqiptare, nuk është çështje bravash, por çështje mentaliteti. Kryetari i Vatrës është shumë i frikësuar, ai është i vetëdijshëm se nuk i ka marrë votat për një mandat katërvjeçar, është i vetëdijshëm për shkeljen e Kanunores me emërimin joligjor të strukturave të Vatrës, është i vetëdijshëm për mungesën e transparencës financiare të Vatrës, është i vetëdijshëm për gabimin me propozimin për dekorimin e oficerëve të sigurimit të shtetit, është i vetëdijshëm se nuk i ka mbajtur premtimet e bëra në katër vitet e tij drejtuese, është i vetëdijshëm për defiçensën e edukimit të tij intelektual, është i vetëdijshëm se ka gënjyer vatranët për një kuvend të Vatrës ku mund të zgjidhen problemet e tyre, është i vetëdijshëm se axhenda e tij është e ndryshme me qëllimet dhe misionin e vatranëve. Elmi Berisha është i vetdijshëm në zgjuarsinë e vatranëvë dhe në paaftësinë e tij për t’ju dhënë përgjigje atyre dhe për të drejtuar Vatrën. Ai e njen vehten të pafuqishëm para anëtarëve të tij, si një “small fish in a big pond”.
Por, nëse është i vetëdijshëm për të gjitha këto dhe nga ana tjetër ju mbyll derën anëtarëve dhe “banorëve” të shtëpisë së tyre, ky është akti më i ulët moral, një shkërmoqje totale e ndërgjegjes njerëzore, një vepër burracake që shfaq pasiguri, inferioritet, mungesë karakteri, mungesë lidershipi dhe pabesì.
Në vend që me liritë që ju ka dhuruar dhe mësuar Amerika, të jenë shembull i lirisë dhe i demokracisë Amerikane, imitimi dhe aplikimi i akteve të politikës së ndyrë shqiptare në Amerikë, tregon se ai nuk e meriton të jetë udhëheqës i kësaj shoqërie famëmadhe shqiptaro-amerikane. Unë do të akuzoja për nihilizëm çdo anëtar të Vatrës dhe çdo anëtar të publikut që akoma shpreson për një kthesë apo reflektim të drejtuesve aktualë të Vatrës. Ajo që ndodhi dje është kronikë e një ngjarje të paralajmërur për afër dy vjet dhe këta drejtues janë pa kthim në realizimin e axhendës së tyre personale. Vatranët, si një organizëm i gjallë, me ndihmën e publikut dhe mediave duhet të marrin fatet e Vatrës në dorë, përpara se për Vatrën tonë të dashur të thërritet një funeral.

Vatranët jashtë portës së Vatrës - 14 tetor 2023
Vatranët jashtë portës së Vatrës – 14 tetor 2023
Si ramë në këtë pikë?

Sigurisht që gishtin duhet t’ja drejtojmë atij që është në timon, atij që ja besuam dy herë Vatrën, Elmi Berishës. Dështimi i tij si drejtues, çoi në dështimin e Vatrës. Mungesa e prezencës së tij fizike, shpirtërore dhe mendimtare për të dhënë një këshillë, një përgjigje, një frymëzim apo një qëndrim në çastet kur Vatra në këto katër vite pati aq nevojë, e kanë dëmtuar Vatrën shumë. Vatrës i ka munguar lidershipi për të organizuar energjitë mendore dhe fizike vatrane, vizioni për të të mbërritur diku suksesshëm dhe fokusi mbi ato çështje imediate me të cilat duhet të merret Vatra. Në vend të lidershipit, kemi parë një fryrje intelektuale boshe, një megalloman krenar për veten e tij por i pa peshë para vatranëve, njëkohësisht i huaj, i pabesueshëm dhe i frikësuar në palcë nga prezenca e tyre. Mungesa e Elmi Berishës dje ne takim me vatranët, flet sa 1000 fjalë të mijat.
Kryetari Berisha, do të mbahet mend gjatë për disa fenomene të padëgjuara më parë:
-ai solli kulturën e gjyqeve,
– ndërrimin e bravave te selisë së Vatrës,
-mbylljen e Selisë dhe lënien jashtë në shi të vatranëve,
-si dhe angazhimin e policisë së shtetit amerikan kundër anëtarëve të organizatës.
Në vazhdim, personifikimi i Vatrës me veten e tij dhe identifikimi i shtëpisë së Vatrës me shtëpinë e tij, kanë qenë një gabim që po i siguron atij një fund pa respekt nga anëtarësia. Vatër nuk do të thotë individ, Vatra janë anëtarësia e gjerë, dhe shtëpija e Vatrës nuk është e kryetarit dhe e askujt individualisht por është e të gjithë vatranëve bashkë.
Përveç paaftësisë së kryetarit, jemi përballur me një egërsi të pashoqe të nënkryetarit Grishaj. Preambula e këtij shkrimi shkon si refleksion ndaj shkrimeve të tij dhe në asnjë rast vatranëve të ndershëm. Për mendimin tim, mungesa e etikës, mllefi, mëria, mendja e tij anemike, mungesa e empatisë për vatranët, shkapërcimet logjike dhe shpërthimet halucinante të nënkryetarit, kanë shkaktuar drama të shumta në Vatër, duke krijuar një frikë, rënie morale, përçarje dhe depresion të organizatës. Po ashtu, nëpërmjet konjukturave të tij, veprimeve joligjore dhe kërcënimeve, ai ka arritur të kapë pikat kyçe të Vatrës me emërime fiktive dhe nëpërmjet tyre të drejtojë organizatën, duke vrarë lirinë e fjalës, të drejtën e votës dhe demokracinë e brendshme të Vatrës.
Gazeta Dielli ra nga niveli i saj profesional i Dalip Grecës në një nivel amator të Sokol Pajës me inate, grindje dhe bllokime të vatranëve nga gazeta. Gazetës iu shua fryma dhe debati vatran, që nuk i mungonte më parë.
Përzgjedhja, bllokimi dhe censuara ndaj shkrimeve dhe komenteve të vatranëve sipas shijes së editorit, i cili “ha bukë” me donacionet e vatranëve, e ka kthyer gazetën më të vjetër të diasporave të Amerikës, në një buletin leklamash, propagandë dhe falsiteti të pak personave në krye të Vatrës.

Vatranët Para Vatrës - 14 tetor 2023
Vatranët Para Vatrës – 14 tetor 2023
Si dilet nga kjo situatë e mjerueshme?

Së pari, unë mendoj se duhet që t’ja fillojmë nga vetja jonë si vatranë, a kemi qenë ne rigorozë të Kanunores, a kemi lejuar shkeljet të ndodhin me vetëdijen tonë, a kemi dhënë ne maksimunin tonë për Vatrën, e kemi ruajtur frymën e komunikimit dhe të vëllazërisë mes nesh?
Unë mendoj se gjithsecili, duke filluar nga unë më i pari, jemi mangut në detyrën tonë si vatranë, nuk kemi bërë sa duhet, nuk kemi folur sa duhet, nuk kemi qenë të bashkuar në qëllimin tonë, e kemi lënë Vatrën të na e shpërfytyrojnë para syve tanë. Por nuk është vonë. Le të identifikojmë të metat tona dhe t’i pranojmë ato. Dhe mbasi t’i pranojmë, le t’i premtojmë njëri-tjetrit që do të punojmë dhe veprojmë më shumë për Vatrën.
Federata Vatra është në një udhëkryq, ajo ka nevojë imediate për një riformatim të plotë, një fillim nga e para, me angazhimin e forcave vitale brenda saj, bazuar së pari mbi vlerat dhe kontributet e gjithsecilit, duke i kthyer Vatrës virtytet më të mira shqiptare, fjalën e dhanun, fjalën e mbajtun, besën, dinjitetin, ndershmërinë, transparencën, bashkëpunimin, patiotizmin, nacionalizmin, dhe mbi këto të praktikimi të drejtave dhe lirive që garanton kushtetuta amerikane, mendimin e lirë, fjalën dhe shprehjen e lirë, lirinë e shtypit, lirinë e mbledhjeve tona dhe lirinë e protestës, të drejten e votës së lirë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, si elementet themelore të demokracisë.
Si konkluzion, një mesazh paqesor dhe përbashkues që vjen si një bekim nga poeti disident dhe mendimtari i ndritur Visar Zhiti: “…Ta duam ‘Vatrën’ dhe ‘Diellin’ e saj, të mbrohet ajo dhe nga ato mbrapshtitë që vijnë nga korrentet politike të Tiranës, nga e kaluara e saj e errët… Dielli dhe Vatra janë në SHBA institucione me vlerë, moral, ndërgjegje dhe kulturë, nuk janë pronë e ndokujt por e të gjithëvë! Aq sa e atyre që ikën, po aq edhe e atyre që do të vijnë…”

Michigan, 16 Tetor 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.