back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Bezja gri dhe Ekspozita Rumune – nga Agim Xh. Deshnica

Gazeta

Agim Deshnica
Agim Deshnica

Bezja gri dhe Ekspozita Rumune

nga Agim Xh. Deshnica

Pritja në Rinas

Kur dimri me acar e borë qe harruar, miqësia me pasardhësit e dakëve, çuditërisht e ftohur, u ngroh sërish.
Ishte fundi i qershorit të blertë 1986. Etnografja rumune F. Jankulesku qe nisur dy orë më parë nga Budapesti me ajrorin hungarez Malev. Për ta pritur kishin dalë në Rinas profesor Koka, bashkëpunëtori i tij, Mati, dhe tri gra të Institutit të Kulturës Popullore.
Burrat të rruar e të krehur, me kostum të errët e me kravatë, shkëmbenin mendime për zakonet dhe për folklorin e fiseve iliriane, të afërt me dakët. Pak më tej qëndronin Lora, Elsa dhe Natasha. Nëse dikush do të ndodhej pranë tyre, do të vinte re se të tria ishin të hirshme e të veshura më së miri. Të tria të lyera si nuse, në vetulla e qerpikë, në faqe e buzë. Të tria mbanin në këmbë këpucë me taka të larta. Dëgjohej shkoqur biseda e tyre e zgjatur me zë pak si të ngritur. Hera-herës, ato qeshnin me gjithë zemër, pastaj e vijonin bisedën vetëm për modën. Për dijetaren asnjë fjalë! Shoferi i mikrobusit nuk e vriste mendjen. I mbështetur mbi timon kotej e shihte ëndrra me shishe birre.
-Këtë fund me copë polake, – thoshte Lora, – ma ka qepur një mik që kam në pallat. Si më rri?
-Shumë mirë! Ta mbash me shëndet! – ia priti Elsa. Megjithëse, të të them të drejtën, më duket pak si i shkurtër. Ta ka prerë mbi gju më shumë nga ç’duhet!
-E po, ashtu është moda tani! – ia ktheu Lora. – Po ti, ku i ke gjetur ato këpucë?
-M’i dërgoi para një jave mbesa nga Praga. Eci lehtë fare me këto!
-Qenkan mjaft elegante! – ndërhyri Natasha – Veçse, takat i paskan shumë të holla! Nëse kalon para Muzeut Historik, vështro me kujdes përdhe, se po ngece në vijat e thella, që ndajnë pllakat, mund të rrëzohesh sa gjatë e gjerë dhe të lësh nam bash në qendër të Tiranës.
Qeshën të tria.
-Po fustani im si ju duket? – pyeti Natasha.
-Mos e bleve dje në MAPO? – i tha Lora
-Çne! Si ky nuk gjen në asnjë dyqan! Ma dërguan para një jave nga Budapesti. Është i kohëve të fundit.
-I mirë qenka! – shtoi Elsa – Ta tregoka trupin për bukuri, se, megjithqë je belhollë, të rri pak si i ngushtë. S’të pengon fare, kur nxiton për në punë?
-Jo, hiç! Kështu vishen hungarezet e hijshme! Kurse ti, mesa shoh, ndjek veshjen e hershme! Ja, fustani yt sa s’prek tokën! Dhe xhaketa, ndonëse s’ka të sharë, nuk të shkon me flokët e tua bionde.

Etnografja rumune

Ora e mbërritjes së Malevit pak nga pak po afrohej. Mbi male, nga ana e veriut, u pa diçka si shqiponjë.
-Ja, ja, po vjen! – thirri dikush.
Shumë vetë kthyen sytë drejt qiellit. Për dhjetë minuta avioni hungarez u duk qartë. Pasi përshkoi një gjysmë rrethi, mori drejtim të pjerrët e, më në fund, preku fushën. Gratë nuk u trazuan aspak. Të zhytura në kënaqësitë, që u jepnin ngacmimet e ndërsjellta, vazhdonin të flisnin, por zëri dhe shenja me dorë e profesorit, ua preu fjalët që s’kishin të mbaruar. Të pestë nxituan për në sallën e pritjes. Kur porta u hap, udhëtarët nisën të hynin njëri pas tjetrit, me vonesa që zgjateshin nga kontrolli. U duk tek hynte edhe një si zonjë flokëgështenjë, me çantë të madhe në krah, e veshur thjesht dhe me këpucë të sheshta. Profesori e njohu menjëherë. Ajo buzëqeshi dhe ngriti dorën drejt tyre. Pasi mbaroi punë me doganierët, u erdhi pranë. Të parët që e takuan ishin burrat.
-Bine venit! – e përshendeti në rumanisht, profesor Koka.
-Mirëse ju gjej! – ia ktheu në shqip Jankulesku.
Pas tyre e kishin radhën puthjet e ngrohta të grave tërë parfum.
Nga të kuqtë e buzëve të tyre në faqet e rumunes mbetën njolla të zbehta ovale. Pas pritjes së njohur shqiptare, në zyrën e drejtorit të Institutit, u kalua tek detyra e dijetares, hapja e ekspozitës etnografike rumune në Tiranë. Kutitë e mëdha me krijimet e artit popullor rumun, të ngjashme me tonat, do të mbarteshin me kamionçinë. Me ketë punë do të merrej Haxhi Braçja, ekonomist pranë Akademisë së Shkencave. Në maj ai pati ndihmuar gjallërisht edhe për ekspozitën “Etnografia shqiptare”. Atje, ndër të tjera, në një faqe muri, bariu me kërrabë i binte fyellit afër tufës së bagëtisë. Mbi kokën e tij zbardhte qylafi i gjatë i labit. Shtatin e lartë ia hijeshonin xhokja e praruar dhe fustanella e bardhë. Përbri, vashat e një kooperative fushore, me fustane fërfëritëse plot lule, të kërrusura, mblidhnin të lumtura pambuk.

Haxhi Braçe

Haxhiu kishte lindur në ishullin e Maltës. Babai i tij tiranas merrej në Valeta me tregti basmesh. Në moshën pesë vjeç, ai, tek luante me disa fëmijë italianë rreth një grope të thellë, ra në ujë e desh u mbyt. Si u kthye në atdhe, tek mblidhte në kopsht kumbulla të tharta, befas u rrëzua tok me degën dhe humbi ndjenjat. Në kohën e luftës, kur ishte nxënës, gjatë pushimeve të verës, shkonte pa leje në lumin e Tërkuzës. Ashtu siç bënin edhe shokët, hidhej me kokë nga bregu i lartë në Pellgun e thellë të Palaços. I ati i shqetësuar e dërgoi tek vëllai i vet këpucar, në Pazarin e Vjetër të Tiranës. Haxhiu, qysh ditën e parë, nisi të ndreqte me çekiç gozhdë të shtrembëra. Në vend të gozhdës, u binte shpesh gishtrinjve të dobët. Pas pesë ditësh, u mërzit sa s’ka, ndaj iku nga xhaxhai e s’u kthye më tek ai. Atëherë, i ati vendosi ta mbante në dyqan. Një ditë, kur pati dalë për kafe, një oficer gjerman kaloi pragun e dyqanit. Përshëndeti me dorë, hodhi sytë përqark dhe foli shkurt:
-Haben zi Gumiband?
Haxhiu për një hop e humbi. Kur gjermani kaloi dorën rreth belit, u kujtua. I hutuar i tregoi rripin e pantallonave.
-Nain!
-Llastik?
-Ja! Ja!- iu përgjigj gjermani dhe duke ngritur tre gishta, tha: – Drai meter!
Tregtari i vogël u gjallërua, mori shiritin e llastikut, e vendosi në banak e me kutin metalik, nisi matjen.
Papritur, oficeri e ngriti zërin:
-Nain! Nain! – i tha, duke i bërë shenjë me duar, që mos ta tërhiqte aq fort.
Çuni i trembur e mati nga e para. Llastiku ndërmjet dy skajeve të kutit, dridhej, thuajse gjarpëronte.

Liria dhe jeta e re

Kur armët heshtën në botë, i ati u shpronësua vullnetarisht. Madje, atë e thirrën në Degën e Brendshme, ku shokët e hetuesisë e strehuan pak kohë në qeli për disa sqarime. Edhe tregtarët e tjerë, me hir e me pahir, dorëzuan çelësat. Gjuhëtarët e rinj, sajuan emra dyqanesh me rimë: NTLAP, NTSHAP, NTLUS, NTSHUS. Nëse dikush hynte në ata dyqane për të blerë, i habitur vinte re se raftet ishin pothuaj të zbrazur. Më vonë u shfaq në Tiranë dyqani i madh, i ngjashëm me ta, me emrin MAPO.
Në shkollën e mesme Haxhiu u shqua me krijime romantike për bukuritë e natyrës. Në pushimet e verës, ndërsa punonte me shokët për hapjen e një rruge në Mat, një ledh i madh që u shemb për pak e zuri nën vete. Pas studimeve për ekonomi, punoi me shifra pa mbarim, në tym e pluhur, vite me radhë i harruar, në një kombinat ndërtimi. Para se të niste nga puna, i dhanë të plotësonte një formular me shumë pyetje. Sado kanë shkuar vite e vite, për dreq dy nga ato e trazojnë edhe sot: “A ke qenë xhandar gjatë regjimit të Zogut?”; “A ke qenë milic në kohën e fashizmit?”; Haxhiu pa u menduar gjatë, pati shkruar qetë dhe pastër: “Jo, nuk kam qenë xhandar gjatë regjimit të Zogut!” “Jo, nuk kam qenë milic gjatë kohës së fashizmit!” Në kujtesën e tij ka mbetur edhe koha, kur punonte në një kooperativë bujqësore përtej Fushë-Krujës. Në Tiranë atëherë kthehej më të rrallë. Atje, si strehë e vetme për punë e për gjumë, i shërbente zyra e tij. Kryetari, Cen Hysa, e donte ta kishte pranë në çdo mbledhje të kryesisë, edhe nëse ato bëheshin në mes të natës. Tërë ditën Ceni ose fugonte me fuoristradën BÇ, ose shtrihej dhe prehej në shtrat.
Ishte ditë e diel. Në pragun e zyrës, si përherë, sekretari i kryesisë i tha:
-Xhike, sot në ora dymëdhetë e gjysë të natës, ke me ardhë në mbledhje! Mos harro!
Qysh në fillim kryetari u tregoi anëtarëve të përgjumur:
-Me urdhër nga lart, magjarët do t’i hekim prej pune.
U ngrit Zydi, plak i urtë, e ia ktheu:
-Gjynaf, vallaj! Ina mësu’ me ta, denbabaden!
-Të tanë duhet me dijtë, – ia preu fjalën kryetari, – se teknika, shokë, teknika, osht sot ma e para!
Më vonë u përhap lajmi se magjarët e gjorë i dërguan jashtë shtetit për sallam. Në pranverë ata nuk u dukën më në ara për mbartjen e farës, të fidaneve e të plehut. Në vend të tyre, nga vendet e huaja mbërritën makina bujqësore të vogla, me karroceri të ngushtë e pa targa. Ngarkesa qe e njëjtë si dy koshat e veshgjatëve të palodhur, që ushqeheshin vetë, me ferra, driza e gazeta. Fshatarët i quajtën makinat e reja, disa “Ysh-ysha”, disa “Dum-duma”. Emri i parë u harrua shpejt.
Në korrik me një Dum-dum të atillë pa targa, Haxhiu, i ulur shesh në karroceri, udhëtoi me shërbim deri në Otllak të Beratit, për të cilin e kishte djegur malli. Rrugës policia nuk i ndali askund, duke pandehur se ishin të kooperativës fushore atje pranë. Kur u kthye, ai vuri re se i qenë bërë rrobat tërë pluhur dhe qe nxirë në fytyrë, si mos më keq. Kjo ngjante me aventurën e Fernandelit, rob lufte, tek arratisej drejt Francës nëpër rrugët e Gjermanisë, duke patur si leje kalimi lopën e një fermeri gjerman. Policia ushtarake nuk e ndali në asnjë fshat. Madje, në një urë të ngushtë, një repart këmbësorësh në marshim i hapi rrugën të kalonte bashkë me lopën.
Një ditë prej ditësh dum-dumët ngecën nëpër ara. I shihje tek dergjeshin nëpër hangarë, shumica për mungesë pjesësh ndërrimi, disa për naftë.
Në mbledhjen e mesnatës u ngrit Rrema dhe foli shkurt:
-Meqenëse dum-dumët s’punojnë dot ma, mendoj me marrë disa karroca në Ndërmarrjen Karro-Qerre në Shijak.
-Pa plan s’të jep askush, lum miku! – u hodh e tha Haxhiu.
Më së fundi, u vendos që punën e Dum-dumëve ta kryenin vajzat e shkathta të fshatit, me kosha mbi shpinë.

Haxhiu në Akademinë e Shkencave

Kur filloi të punonte në Akademinë e shkencave, Haxhiun, këtë burrë të shkathët e të pashëm, nuk e gjeje ndër lokale me gotë në dorë. Kafenë e pinte më të rrallë. Duhanin s’e vinte në gojë. I pëlqente të shëtiste i vetëm nëpër trotuare. Në zyrë nuk mungonte kurrë. Në punë ishte këmbëngulës e nuk dorëzohej lehtë. Atë që niste, do ta mbaronte se s’bën. Vendoste thuajse gjithë dosjet mbi tavolinë dhe punonte, sidomos për hartimin e planit të importit për tërë institutet pa u lodhur, sepse ai duhej dorëzuar brenda afatit në çdo qershor. Punën e ndërpriste veç, kur aty nga ora njëmbëdhjetë, shkonte në dyqanin pranë, ku shiteshin petulla të fryra me sheqer e me vaj të përzjerë me dhjamë. Zakonisht merrte vetëm dy. Në ora pesë, tek kthehej për shtëpi, hynte në dyqanin poshtë pallatit me kolona, plot me mallra artizanati të prodhuar në fabrikat moderne dhe mendohej: “Përse vlen ky dru i gdhendur keq, kur në dyqane mish nuk ka? Po lugët prej alumini, apo xhezveja prej teneqeje, kur kafe s’ka!?” Haxhiun e gjeje edhe në dyqanin e ushqimeve të lagjes. Atje i ndodhi diçka e papritur. Pasi kishte marrë dy qese prej letre, njërën me sheqer e tjetrën me oriz, tek po nxirrte lekët për të paguar, një grua e re me flokët kaçurrel i tha:
-O shoko! T’u ka derdhë sheqeri ndër kambë!
Ai hodhi sytë përdhe. Vërtet i ishte derdhur. Kishte marrë pantallonat, këpucët dhe dyshemenë. I tronditur mërmëriti:
-Dreqi ta hajë, prandaj më qenka lehtësuar njëra qese! Paska ikur gjysma!
Këtë ngjarje, si pa të keq, e tregoi një ditë në zyrë. Nëpunëset u gajasën me lot, kurse njëra u mek fare.
“O shoko! T’u ka derdhë sheqeri!“ – jehon në veshët e tyre edhe sot.

Ekspozita dhe gozhda e planit

Pra, Haxhiu ynë u ngarkua të ndihmonte zonjën nga Rumania. Me atë ai merrej vesh nëpërmjet një djaloshi, që e dinte rumanishten. Në Hotel Tirana porositi një dhomë të mirë në katin e tretë, me pamje nga sheshi Skënderbej. Te përgjegjësi i ekspozitës “Shqipëria sot”, prenotoi një sallë të veçantë. Tani ai kishte në dispozicion kamionçinën Zuk me shofer Fatin e shkathët. Po atë ditë tërhoqi nga Rinasi kutitë me krijimet e popullit rumun.
Koha me diell qershori, blerimi në fusha e male, bënë të mundur vizitat e Jankuleskut. Profesor Koka dhe grupi i grave e shoqëruan atë në Opera e në Muzeun Historik. Ata nuk iu ndanë as në kafenetë e hoteleve Tirana e Dajti. Me mikrobus vizituan Kalanë e Krujës, Durrësin e Beratin. Në fund i treguan sallën e caktuar për ekspozitë.
Etnografja rumune e kënaqur kërkoi tre zdrukthtarë dhe dy metër kub dërrasa. Kjo detyrë natyrisht iu ngarkua Haxhiut. Dërrasat e punëtorët ai i mori pa vështirësi në Kombinatin e Drurit. Veçse Jankulesku nuk u mjaftua me aq. Duke mos ditur rregullat tona, ajo kërkoi papritur pesë topa me beze gri. Edhe kjo detyrë iu ngarkua po prapë Haxhiut. Madje, bezja duhej të gjendej brenda dy ditëve dhe të ishte patjetër e ngjyrës gri. Me atë do të visheshin tri faqet e sallës, pastaj do të niste puna më e rëndësishme e etnografes, vendosja e krijimeve të artit popullor rumun. Por, kjo porosi sa nuk e luajti mendsh Haxhiun, se i ngeci sharra në gozhdën e fortë të planit. Në magazinë nuk kishte asnjë metër beze gri. As në ekspozitën e madhe nuk i vishnin sallat me të. Me të kuqe po. Ndaj, mori kamionçinën dhe nisi të endej nëpër Tiranë, nga një dyqan në tjetrin. Tashmë atë s’e gjeje më në zyrë, po as edhe te dyqani i petullave. Mendja e tij punonte vetëm për bezen. Ditën e parë hyri në tërë dyqanet e veshmbathjes. Në MAPO takoi përgjegjësin dhe i tregoi një copëz nga ajo beze.
-Për një ekspozitë të huaj, – i tha – na duhen pesë topa si kjo!
-Edhe sikur të kishim, nuk mund t’i shisja një sasi kaq të madhe, për më tepër, një institucioni shtetëror! – iu përgjigj ai.
Kudo që vajti Haxhiu tha po ato fjalë dhe dëgjoi i shqetësuar të njëjtat përgjigje pa bukë.
“E pat!„ – pëshpëriti i mërzitur e i lodhur . Mendoi të hidhej deri në Berat, në Kombinatin e Tekstilit, por meqenëse po ngrysej, e la për të nesërmen.
Dielli po ulej mbi kodrat e Kasharit. Dyqanet së shpejti do të mbylleshin. Qytetarët, sipas zakonit, po vërshonin në bulevardin e madh për shëtitjen romantike të ngjashme me shëtitjet në Shamps Elize të Parisit.

Konti Drakula dhe Kombinati

“Për sot puna mbaroi me kaq!” – mendoi Haxhiu i dërrmuar fizikisht e shpirtërisht dhe i tha shoferit:
-Ktheu në park! Nesër, në ora gjashtë të mëngjesit, të pres përpara Akademisë, nën hijen e blirit!
-Si urdhëron, shef!
I lodhur e i uritur, mori udhën për shtëpi. Gjithë natën në shtrat, u kthye nga një krah në tjetrin. Iu bë se dikush trokiste fort. Me ballin mbështetur në xhamat e dritares, shfaqej i mbështjellë me bezen e gjatë gri vetë Konti Drakula. Nëpër rrugën e Kavajës pesë topa gri, rrukulliseshin njëri pas tjetrit drejt Kombinatit të Tekstilit të Beratit. Më në fund, u zgjua i trembur. U ngrit dhe vrapoi drejt banjës. Atje lau mirë e mirë me ujë të ftohtë fytyrën, veshët e qafën. Tek pinte kafenë e mëngjesit, iu kujtua një shok shkolle, Muhin Masari, nëndrejtor në Kombinatin e Tekstilit të Tiranës.
Kur dielli nuk qe shfaqur ende mbi Dajt, u vesh dhe doli me nxitim, duke harruar të përshëndetej me gruan, të cilën zakonisht e përqafonte në prag të derës. Para Akademisë e priste Fati me kamionçinë. Hipi atje me kërcim djaloshar.
-Mirëmëngjes! Të lumtë! Paske ardhur në kohë!
-Jo, jam këtu qysh njëzet minuta më parë! Meraku yt m’u ngjit mbrëmë edhe mua.
-Të besoj, prandaj s’të ndërroj me asnjë shofer tjetër! Dëgjo tani! Në Berat nuk do të vemi, është larg. Jepi për në Kombinatin tonë!
Pranë fabrikës së birrës, një plak me biçikletë, befas ua preu keqas udhën, por Fati me shkathtësi e ktheu timonin djathtas.
– Je i madh! – e përgëzoi Haxhiu i tronditur. – E shmange për bukuri aksidentin!
– E mori dreqi! – ia ktheu shoferi. – Për pak e shtypa hutaqin! Edhe shoferë të tjerë kanë gjetur belanë me të. E ndeshin shpesh, tek bredh me biçikletë nëpër fushat e druve për tallash e bujashka.
Në Kombinat, para harkut të gjerë të drejtorisë, makina frenoi. Haxhiu zbriti dhe nxitoi për te kabina e rojës.
-Vij nga Akademia e Shkencave! – i tha – Kam nevojë urgjente të takoj nëndrejtorin!
– Shoku Muhin është i zënë! – iu përgjigj roja – Pret vetëm në ora dymbëdhjetë.
-Merre në telefon dhe thuaji se jam i vëllai! – e gënjeu Haxhiu.
-Ashtu!? – Ai ngriti receptorin, formoi numrin dhe foli: – Shoku nëndrejtor, ju ka ardhur vëllai! Pastaj roja e la telefonin dhe iu kthye prapHaxhiut: – Shkoni në katin e dytë!
Haxhiu i ngjiti shkallët dy nga dy. Eci gjatë korridorit, e gjeti zyrën e nëndrejtorit, trokiti butë dhe hyri. Në atë çast Muhini po mbyllte me ngut në sirtar romanin e verdhë “Maska e zezë”.
-Ou, ti qenke! – i tha Haxhiut – Ç’ia paske hedhur atij rojes!
-Ç’të bëja! S’më linte të hyja!
-E, punë e madhe! Po sa kohë kemi pa u parë! Si ke qenë?
-Eh, jo keq! Po ti?
-Mirë, mirë, po na mori malli, ore! Jemi a s’jemi shokë të vjetër?
-Qysh jo! Më kujtohet, kur më tregoje gjëra për të qeshur!
Muhini vuri buzën në gaz.
-E, ashtu! Po ç’e mirë të solli?
-Kam një hall!
-Hajt se kemi kohë ta shohim hallin tënd! Shkojmë njëherë në klub për kafe!
-Jo, jo, ngutem!
-Fol, pra! Si është puna?
-Për një ekspozitë më duhen pesë topa me beze! Të jenë gri, ama!
-Beze? Gri? Ou! Kam në magazinë një mal të tërë stok nga ajo!
Haxhiu u çel në fytyrë dhe sa s’u hodh përpjetë.
-S’thonë keq, – ia ktheu – Më mirë një mik se një çiflik!
Nëndrejtori për një hop heshti, pastaj duke buzëqeshur tha:
-Prit, se problemi është që për atë mall unë vetëm çelësat e kashtës kam në dorë! Edhe drejtori po ashtu! Bile, edhe vetë ministri! E kanë caktuar në plan për eksport! Vetëm me urdhër të Kryeministrisë, mund të bëhen përjashtime!
Haxhiu u ngrit, përshëndeti dhe doli duke psherëtirë. Shkallët i zbriti i plogët, një nga një. Hipi në Zuk në një gjendje vërtet të rëndë shpirtërore.
-As këtu s’paskan nga ajo bezja!? – e pyeti Fati i shqetësuar.
-Këto punë qenkan më të ngatërruara nga ç’i dija! – iu përgjigj ai – Nisemi!
Tek po ktheheshin nëpër rrugën e Kavajës, Haxhiut të heshtur e të zymtë, qielli i kaltër i bëhej gri.

Magazinieria kapedane

Kur mbërritën para parkut të kamionëve, Haxhi Braçes i shkrepi ndër mend diçka. Diku pranë, në punishten e rrobaqepësisë për veshmbathje të lehta, punonte në furnizim Reizi, shok banke i tij në shkollën e mesme.
-Ndaloje! Ktheje djathtas! – i tha Fatit me zë të lartë.
Makina ndaloi para një porte prej hekuri, në fund të një rruge qorre. Roja, kushëri i largët i shoferit, lejoi të hynte vetëm shefin. Po, për çudi, në zyrën e furnizimit, shoku i bankës e priti Haxhiun me këmbët e para:
-E pamundur! Atë beze mund ta lëvizim vetëm me vendim nga lart!
Atje ndodhej rastësisht edhe kryeteknologu, një burrë i kërrusur e pak thatim. Kur dëgjoi për çka flitej, tha:
-Mor shok, ja ta dhamë bezen, po neve me se do ta realizojmë planin e eksportit?
Haxhiu u zverdh. Humbi çdo shpresë. I hutuar, doli pa përshëndetur dhe u ngatërrua nëpër rrugicat e reparteve. Tek po kalonte, pa ditur se ku, u gjend para magazinës. Në prag pa një grua bullafiqe.
-Shoqe, magaziniere jeni ju?
-Po! Cilin kërkoni?
-Kam një hall të madh! Për një ekspozitë të huaj më duhen pesë topa me beze si kjo! – Ai i tregoi copën që kishte në dorë. – Në drejtori nuk më dhanë urdhër furnizmi!
-Po nga puna juaj a keni autorizim?
-Si jo!
-Ejani brenda! Shih sa kam! Topat sa s’prekin tavanin. Herë pas here shoh minj përmbi ta. Dalin, sillen rrotull dhe zhduken. Janë të zgjuar! Asnjë çark s’i kap dot. E dini çfarë? A nuk merrni gjashtë topa?
Ajo zgjati krahët e fuqishëm dhe, sakaq, pa marrë përgjigje, i hodhi vërtet gjashtë prej topave përdhe.
Haxhiu, me një frymë, nënshkroi fletë-daljen. Lajmëroi menjëherë shoferin. I ngarkoi me gjallëri, falënderoi magazinieren kapedane dhe u largua i trembur si vjedhës. Kur dolën jashtë portës së lartë, të kontrolluar nga roja, thirri:
-Jepi, Fato, mos ndalo!
Rrugës ia mori me fërshëllimë kavatinës së Figaros: “Tuti mi kiedono, tuti mi voliono. Ehi, Figaro, son kua! Figaro kua, Figaro la, Figaro su, Figaro xhu…!”
Kështu, ajo punë me tërë ato ecejake mori fund. Pesë topa i dorëzoi në ekspozitë, një e futi në magazinën e Akademisë.
Atë mbrëmje, për herë të parë në jetë, u shtrua me shoferin te një Bar-bufe, tavolinën plot me pije e mezera, dhe u deh paq. Tek po kthehej në shtëpi, duke u lëkundur gjatë Rrugës së Durrësit, llampat e gjata me neon ndërmjet shtyllave, i bëheshin si sfera me shkëlqim verbues, që silleshin me shpejtësi rrotull e rrotull, lart e para, djathtas e majtas. Së fundi, me hamendje, e gjeti shtëpinë. Këmbadoras kaloi nga një shkallë në tjetrën. Në katin e tretë trokiti me pëllëmbë. Sapo hyri, ashtu siç qe, i veshur e me këpucë ndër këmbë, ra në shtrat dhe humbi në një gjumë të thellë.

* * *
Të nesërmen drejtori i dha leje të shkonte me pushime. Kur u kthye, Fanka, sekretarja e shkathët e kryesisë së Akademisë, i dorëzoi një shkresë zyrtare, tek thuhej:

Shokut Haxhi Braçe,
Për shkeljen e disiplinës, ikje pa leje nga zyra, ju jepet vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna.
Për kryetarin,
zëvendëskryetari i degës së kuadrit,
Lipe Guri.


Dielli i korrikut shkrinte asfaltin në rrugët e zhurmëshme, por nën bliret e përpjetë, në sallat e Akademisë së Shkencave, bënte fresk dhe kishte qetësi…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.