back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Vatra është institucion që i ka përballuar me punën në interes të Kombit të gjitha rrebeshet e kohrave – znj. Nazo Veliu i kthim përgjigje z. Elmi Berisha

Gazeta

 

Zonja Nazo Veliu në Vatër...
Zonja Nazo Veliu në Vatër…

E njoh zonjën Nazo Veliu, qysh kur ishte vajzë gjimnaziste në shkollën e mesme 20 Tetori, në Lushnje, po edhe dhe si grua aktiviste dhe zonjë me integritet të lartë moral e shpirt patriotik në breza. Ata që përpiqen ta trajtojnë Atë, jashtë asaj çka vlen dhe çfarë ka kontribuar znj. Veliu dëshmojnë se jo vetëm s’e kanë staturën e saj, por do të mbeten ca sharlatanë që vetëemërohen e vetëreklamohen si vatranë… po që s’janë tjetër veçse ca mjeranë që duke bërë lojën e çelsave dhe bravave, apo të emërimeve dhe çemërimeve, s’arrijnë ta kuptojnë se përditë e më shumë po zhyten në atë llum të cilin ata e kanë krijuar vetë prej dritshkurtësisë dhe megallomanisë se raporteve me pushtetin!
Ata harrojnë se zonja Nazo Veliu s’është prej atyre që e trembin sharlatanët, as prej atyre që i lënë gjërat në mesrrugë… Ndaj e kam mbështetur dhe do ta mbështes znj. Veliu në betejën e saj parimore, edhe i kërkoj ndjesë që kjo letër e saj, drejtuar kryetarit të Vatrës, për arsye objektive, paraqitet me pak vonesë në faqen time…
jozef radi, nëntor 2023

Znj. Nazo Veliu i kthim përgjigje z. Elmi Berisha
Znj. Nazo Veliu i kthim përgjigje z. Elmi Berisha

Vatra është institucion që i ka përballuar me punën

në interes të Kombit të gjitha rrebeshet e kohrave

Nazo Veliu i kthim përgjigje zotit Elmi Berisha

Për Dijeni:
1.Vatranëve të të gjitha degëve të Vatrës
2.Komunitetit shqiptar në Amerikë
3.Mediave të shkruara dhe elektronike

Me 9 Nëntor 2023, ora 8:27 AM, nga i shpalluri juaj Këshilltar Kabineti, zoti Pashko Camaj kam marrë një e-mail të shkruar pikërisht me 8 Nëntor (2023) datën e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në orët e vona të natës edhe pse vetëm disa orë më parë ishin në mbledhjen e Kryesisë së Federatës “Vatra”, ku shkruhet se më keni liruar nga detyra e Sekretares së Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” me motivacionin:
a.Duke pasur parasysh një dinamikë të shtuar të aktiviteteve të Vatrës në rrafshin organizativ, reformues, lobues dhe diplomatik,
b.Fluksin e shtuar të aktiveteteve në Washington, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë e Ulqin dhe në viset e tjera shqiptare,
c.Nevojën e një dinamike të re aktivitetesh,
d.Domosdoshmërinë për reforma kadrovike (do t’iu lutesha të përdornit fjalën e përshtatëshme shqip)
e.Freskimin dhe energjitë e reja,
f.Në përputhje me Kanunoren dhe Rregullativën e organizatës sonë
g.Ju njoftoj se ju liroj nga pozita e Sekretares së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”.

Dhe pas gjithë këtyre pikave nuk keni harruar të më shprehni mirënjohjen Tuaj më të lartë për punën e madhe, angazhimet e mia shumëvjeçare në Federatën “Vatra” në interes të avancimit të komunitetit shqiptar në SHBA dhe të çeshtjes shqiptare në përgjithësi duke me uruar shëndet të plote dhë sukses në vazhdimësi…
​Duke e lexuar dhe rilexuar këtë e-mail të zotit Pashko Camaj, pra siç ai citon: “Njoftim nga Kryetari i Vatrës”, dua t’iu sqaroj se: Në nyjen 23, faqja 5 e Kanunores së vitit 1926 thuhet:
“Sekretari i qendrës është i dyti zyrtar i “Vatrës”, zë vendin e kryetarit kur ky është i larguar, mban defterët e qendrës dhe korrespondencën me degët dhe me anëtarët e me personat e jashtëm, mban rekordet e mbledhjeve të komisionit, mban arshivat, kyçet e zyrave dhe të arkës”
Bazuar në këtë nyje të Kanunores, Ju zoti Elmi Berisha jo vetëm që nuk ia keni dhënë mundësinë Sekretarit të Vatres, ne kete rast mua, te ushtroje funksionin e detyres por për ta larguar Nazo Veliun nga funksioni që vatranët i kishin ngarkuar, arritet të krijoni “institucione” drejtuese që nuk i përmban Kanunorja e Vatrës siç janë:
1.Shefi i Kabinetit në Vatër – Pashko Camaj
2.Drejtori i Degëve në Vatër – Mond Rakaj
dhe ti ngarkonit dy zotërinjëve të lartpërmendur detyra që lidheshin me funksionet e Sekretarit të Vatrës. Vatra dhe funksionimi i saj nuk është biznes personal, zoti Elmi por është detyrim dhe përkushtim, i cili lidhet ngushtë me Kanunoren dhe vizionin dhe misionin e Vatrës. Për mua personalisht, është edhe detyrim moral ndaj atyre që më kanë besuar, vatranëve të vjetër e të rinj, por edhe ndaj atyre vatranëve, që sot nuk janë më mes nesh, por që kontributi i tyre në interes të çeshtjes Kombëtare Arbërore e të Kombit Arbëror ka qenë aq i madh e me aq përkushtim sa nuk kanë kursyer asgjë, as edhe jetët e tyre për Atdhe.
Meqënëse ju, që nga Kuvendi i Michiganit keni qenë një Kryetar i Emëruar dhe jo i zgjedhur dhe pa asnjë kontribut në Vatër, nuk mund të prisnim më shumë nga Ju, por as të na zhgënjenit kaq shumë. Nga drejtues të katapultuar në Vatër, madje edhe në shkelje të Kanunores nuk mund të presësh më shumë se sa kaq. Ju zoti Elmi duhet ta pranoni që në Vatër ka anëtarë më të vjetër se Ju, me një kontribut shumë herë më të madh se sa Tuajin, ndaj t’i fshish me një të rënë të lapsit këta individë e kontribute është mëkat që historia nuk do t’jua falë. T’i lironi nga detyra ata që i shërbejnë Vatrës me shpirt e me zemër, pa pasur asnjë fitim personal, t’i lironi nga detyra edhe pse në Kanunore dhe Rregulloren e Federatës Pan-shqipetare “Vatra” ose siç quhet në anglisht Constitution and By-Laws of The Pan-Albanian Federation of America VATRA (The Hearth) e cila nuk ua jep Juve këtë të drejtë do të thotë që haptazi e keni shkelur këtë ligj që i ka mbijetuar çdo dashakeqësie. Çdo veprim juridik që është në kundërshtim me ligjin themelor, në këtë rast me Kanunoren e Vatrës është Void dhe Nul. Kështuqë edhe shkresa që ju më keni dërguar me të bindurin Tuaj, “shefin e kabinetit të Vatrës” zotin Pashko Camaj nuk ka asnjë vlerë as për mua dhe as për vatranët e ndershëm, të cilëve Ju, ua mbyllni dyert e komunikimit dhe të Vatrës.
Duke qenë në lartësinë e detyrimeve të mia ndaj vatranëve historikë më lind e drejta t’ju pyes:
1.Përse e keni shkelur Kanunoren e Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe keni krijuar “institucione” drejtuese në Vatër?
a.Përse keni emëruar “shef kabineti” e sot për shërbimet që zoti Pashko Camaj ju ka bërë i keni premtuar funksionin e Sekretarit të Vatrës?
b.Në cilën nyje të Kanunores bazohet emërimi i “Drejtorit të Degëve” të Vatrës që mbahet e trumbetohet me të madhe nga zoti Mond Rakaj?
2.Ka edhe diçka tjetër për të cilën ju kam pyetur sistematikisht ju dhe veten… ku shkuan vlerat monetare që vatranët dhanë për vëllezërit e tyre të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019? Edhe sot i kam të registruara në e-mailet e mia kërkesat për ndihmën e premtuar familjes Jaku në Komunën Bubq, e cila jo vetëm që nuk ka marrë asnjë ndihmë monetare nga Vatra, por betohen në Zot jo me shumë se përpara një jave që asnjë penny nuk ka shkuar për llogari të tyre?!
3.Dhe nuk rrij dot pa ju adresuar një shqetësim panvatran. Kur do ta hapësh Vatrën?
4.Po Auditi financiar i kësaj Federate do të bëhet në mënyrë që secili nga ne të dalë i pastër e të mos quhet hajdut nesër nga vatranët zemërgjerë, që ndoshta kanë dhenë edhe dollarin e fundit që kishin në xhep për të ndihmuar vëllezërit e tyre ashtu siç është e shkruar edhe në Kanunoren e Vatrës?
Nyjen 1 e Kanunores së Vatrës cilëson: Të ritë në mes të Shqiptarëve t’Amerikës dhe me anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpirtin e ndihmës në mes të tyre dhe të dashurisë për kombësinë e tyre…
5.Përse nuk lejoni që në arkën e Vatrës të derdhet kuotizacioni i Degës së Vatrës Manhattan, të cilin unë kam nga 22 korriku 2023, që e mbaj e kur pyes arkëetarin e Vatrës më thotë që zoti Elmi Berisha më ka urdhëruar të mos t’i marr sepse kjo degë është përjashtuar?
6.Kush e përjashtoi këtë degë dhe kur, sepse unë si sekretare e qendrës nuk e di që të jetë marrë një vendim i tillë dhe nuk kam asnjë vendim përjashtimi?!
7.Përse nuk e mbani fjalën kur u thoni jo vetëm vatranëve të thjeshtë por edhe anëtarëve të Këshillit të Vatrës se do t’iu sqaroj për çdo problem që ju ngrini?
8.Përse nuk vini në Vatër të takoheni me vatranët e thjeshtë, ndërkohë kur jeni të gatshëm të prisni në Vatër cilindo që ju pëlqen juve personalisht pa pyetur e pa u konsultuar pse jo edhe planifikuar, siç ka ndodhur edhe më parë, por prisni në Vatër ata apo ato që janë pjesë të atyre qeverive në Shqipëri që jo vetëm e kanë shkelur dinjitetin kombëtar të vendit nga në vijmë, pra të Shqipërisë, por janë bërë edhe pjesë e marrëzive të Vuçiqit e Sërbisë për të përgjakur edhe njëherë vatrat e familjeve të Dardanisë?
9.Përse ndryshe thoni e ndryshe bëni zoti Elmi? Po Vatranin Petrit Alibejaj, Andrea Panin dhe komunitetin e Bostonit, përse e pengoni në krijimin e degës së Vatrës në Boston edhe pse vendimet tuaja janë nul, sepse ju jeni i paligjshëm në drejtimin e Federatës Pan-Shqiptare Vatra, përkrahni Klerikun Theofan Koja (Arjan Koja) si Kryetar të Degës së Vatrës në Boston, një të paudhë që ka shkelur me të dyja këmbët simotrën e Vatrës, Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit dhe i shërben sot Kishës Greke që në historinë e saj ka qenë jo vetëm projektuesja, por edhe udhëheqse e genocidit ndaj Popullsisë Çame në vitin 1944, në Çamëri, e ku të parët e mi u vranë, u prenë, u masakruan e u dëbuan nga trojet e tyre stërgjyshore me dhunë?!
10.Ku është patriotizmi dhe atdhetarizmi juaj zoti Elmi?

Recordi i Vatres 1919
Recordi i Vatres 1919

Pyetjet ndoshta nuk do të mbaronin kurrë, por tashmë dua të fokusohem tek vetja ime, pra tek unë, Nazo Veliu:
a.Cilat janë gabimet e mija që unë duhet të lirohem nga kjo detyrë?!
b.A keni ndonjë vendim të marrë jo vetëm nga Ju apo edhe nga Kryetarët e mëparshëm ku unë jam paralajmëruar gjatë 12 vjetëve që kryej funksionin e Sekretarit të Qendrës për shkelje të Kanunores apo për pakorrektësi në kryerjen e funksionit… e nëse jo:
c.Përse me diskriminoni në moshë dhe në gjini?!
Ndoshta unë në moshe nuk jam e barabartë me ju, por forcën e mendimit dhe të eksperiencës e kam ndoshta më të madhe se ju për t’i shërbyer Kombit tim Arbëror e ta ngre zërin kudo dhe kurdoherë për të mbrojtur Kombin tim pavarësisht se sot ai është i ndarë në copa, por unë me të madhe do ta them: Kombit i duhet Bashkimi. E keqja botës nuk do t’i vijë nga bashkimi arbëror: Shqipëria, Kosova, tokat shqiptare nën Malin e Zi, tokat shqiptare nën Maqedoninë e Veriut dhe Çamëria ime Martire një ditë do të jenë bashkë!
d.Për t’i shërbyer Kombit tim, Çamërisë Martire, Komunitetit Shqiptar në Amerikë, patriotizmit dhe mbrojtjes të të drejtave arbërore në botë, nuk do të ma mbyllë dot gojën mua asnjë si Ju që keni mbyllur sot Vatrën, por që nuk do të mundeni ta mbani gjatë kështu.
e.Unë i shërbej Vatrës vullnetarisht edhe pse aty brenda kam edhe pjesë të historisë së familjes sime e Ju kurrë nuk do të mundeni të më lironi apo përjashtoni nga kjo copëz historie, sepse janë vatranët dhe jo Ju që e kanë pranuar që unë të jem Sekretare e Përgjitheshme e Federatës Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra.

9 dhjetor 2023 - Vatranet ne Vater
9 dhjetor 2023 – Vatranet ne Vater

Amerika ka ligje edhe për mua ashtu siç Ju mendoni se ka edhe për Ju, kur dikush ju ul hundën e ju thotë gjëra që ju nuk i pranoni pa na thënë ne vatranëve se çfarë thonë nuk janë të vërteta e tu sillni prova se ju keni të drejtë e që gjithësecili që bëhet pengesë në rrugën tuaj të gjejë vendin që i takon. Ndaj mos prisni që unë të rri me urdhërat tuaja për të dorëzuar çfare unë kam nga Vatra. Ju keni mbi pesë-gjashtë muaj që i keni vënë derës së Vatrës “çelësin e turpit” e askush nuk e di se çfarë keni bërë me dokumentacionin e Vatrës, Arkivin e saj, bibliotekën apo edhe çdo lloj tjetër dokumentacioni. Edhe pse Kanunorja e Vatrës thotë shkoqur dhe prerë se çelësat e Vatrës i mban Sekretari i Vatrës.
f.Çfarë pune kanë çelësat e Vatrës në lokalin e Anton Rajës? (fjala e Editorit të Gazetës Dielli, kur unë shkova në Vatër për një intervistë që do të jepte Presidenti i Nderit, zoti Agim Rexhaj për Vasil Panin ish-kryetar i Vatrës me 16 korrik 2023, ndërkohë derës së Vatrës i ishte ndërruar çelësi dhe unë Sekretarja e Qendrës duhet të shkoja nëpër lokale në kërkim çelësash se atje ndodheshin çelësat e Vatrës?!?)
g.Kush ishte qëllimi i ndërrimit të çelësit të derës së Vatrës, pa njoftuar funksionarin që ka të drejtë t’i mbajë ato çelësa (në këtë rast mua, Nazo Veliun, – Sekretare e Qendrës së Vatrës?!)
Unë mendoj se të mbyllësh shtëpinë e t’i lesh bijtë e saj jashtë është njesoj sikur ke shitur veten e çmimi që ke marrë është aq i lartë sa nuk të janë dhimbsur as fëmijët, pra vatranët
h.Hapi dyert e Vatrës për Vatranët, bëj inventarin e saj me prezencën e vatranëve e pasi gjithçka të shkruhet e zeza mbi të bardhë e unë do të jem në Zyrën e Vatrës për të bërë atë që mua më takon e siç më takon, nëse vatranët do të më kërkojnë.
i.Përse e shihni të keqen tek unë, bija e Çamërisë, që sheh në programet tuaja fshirjen e emrit të saj se nuk i pëlqen Kishës Greke, të cilën Juve e keni ulur këmbëkryq në Vatër?
j.Shumë mund të më thonë ku ke qënë deri më sot që nuk i ke bërë present këto probleme? Asnjëherë nuk i kam mbajtur për vete, por i kam vënë në dukje në Vatër, në Mbledhje të Kryesisë, kam këmbëngulur edhe në mediat vizive dhe elektronike që problemet e Vatrës nuk duhen bërë Pazar, por duhen zgjidhur nga vetë vatranët neë Vatër dhe asnjëherë nuk janë berë.
k.Sot po i bëj prezente edhe për dijeni të Komunitetit, jo sepse zoti Elmi Berisha, po kërkon lirimin tim nga funksioni i Sekretares së Qendrës, por ka ardhur momenti që Vatra duhet mbrojtur sepse është një vlerë jo vetëm historike e Kombit Shqiptar, por edhe ikonë e pathyeshmërisë përpara vështirësive të Kombit tonë.

Para "Dyerve të Mbyllura" të Vatrës për Vatranët...
Para “Dyerve të Mbyllura” të Vatrës për Vatranët…

E kam thënë dhe e përsëris prap:
Unë kam nevojë për emrin e Vatrës dhe jo Vatra për emrin tim. E kam detyrim moral e shpirtëror ndaj familjes sime në radhë të parë, por edhe të popullit tim të shumëvuajtur të mos e përlyej emrin tim për gabime e faje të të tjereve. Vatra është e vatranëve e jo e disave që për të lartësuar emrat e tyre, përdorin historinë e Vatrës.

I keni kërcënuar vatranët me gjyqe; më padisni edhe mua, po unë nuk kam frikë e nuk e kam problem, por nuk do t’iu nënshtrohem, sepse ju nuk keni të drejtë. Mos më prisni në Vatër me datën 16 Nëntor 2023 ora 4:00 PM, dhe asnjë ditë tjetër pa e hapur derën e Vatrës për vatranët.

E keqja në Vatër nuk vjen nga femrat siç jam unë, Nazo Veliu, Marjana Bulku apo edhe ndonjë tjetër, por as edhe nga njerez si Dr. Mara, Ervin Dine apo edhe të tjerë që Ju me një të rënë të lapsit, vetëm pse nuk bien prè e urdhërave Tuaja, Ju i lironi nga detyra! Nuk keni pse t’i shihni kritikat ndaj jush si kritika për Vatrën. Ju jeni një individ me të mirat dhe të këqijat Tuaja. Vatra është një institucion që i ka përballuar me punën në interes të Kombit të gjitha rrebeshet mbi kurrizin e saj, por asnjëherë nuk kam parë e as dëgjuar që gjyqi dhe gjykata të ishin zgjidhje për të shpëtuar nga kritikat apo edhe akuzat personale. E keqja ka ardhur nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi që ju po i bëni Vatrës edhe pse nuk jeni legjitim. Ju jeni i zoti të punoni për të marrë tituj dhe grada, gjë për të cilat unë ju përgëzoj, por përdoreni mendjen tuaj në të mirë të Vatrës, dhe vatranët do të dine t’ju vlerësojnë. Kanë ikur kohët e kërcënimeve, britmave dhe dëshmitarëve imagjinarë se ky është kështu e ai është ashtu, apo vetëm unë jam i mirë!! Lerini të tjerët t’iu vlerësojnë juve dhe bashkëpuntorët Tuaj e kurrë nuk do të humbisni, por do të dilni fitimtar.
Zoti i mëshiroftë gjithë ata që përpiqen t’i bëjnë keq vatrës, kësaj Shtëpie të Madhe, ku secili nga ne ndjen erën e nënës së munguar.

Nazo Veliu

Sekretare e Përgjitheshme e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” d.v.
Bronx, NY, me 16 nentor 2023

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.